Në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të punëve të jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dje në Kumanovë, në ndeshjen e mbrëmshme të basketbollit Maqedoni e Veriut-Rumani, tifozët të veshur me petkun e rrugaçëve brohoritën slogane shoveniste:
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”. Këto thirrje aspak sportive dhe antishqiptare kaluan në heshtje, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Nuk reaguan as organizatorët e ndeshjes, as faktorët politikë maqedonas komunal dhe shtetëror.
“Në vend që ndeshja të ishte një manifestim sportiv dhe bashkimi, ajo u shndërrua në një teatër të nacionalizmit primitiv dhe urrejtjes kolektive, që nuk ka vend në një shoqëri që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. ‘Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur’, ‘Dhoma e gazit për shqiptarët’, ‘Maqedoni e pastër’ – janë thirrje që na rikthejnë në epoka të errëta të historisë evropiane, dhe të cilat nuk mund të relativizohen, nuk mund të heshtën dhe nuk mund të tolerohen. Ajo që është edhe më shqetësuese dhe më e neveritshme është heshtja e organizatorëve, e Federatës së Basketbollit, e MPB-së, e Komunës së Kumanovës, e Qeverisë dhe e çdo përfaqësuesi të pranishëm në atë tribunë të ndotur nga urrejtja”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kjo parti tërheq vërejtjen se këto akte janë një alarm i madh për demokracinë, për bashkëjetesën dhe për sigurinë e qytetarëve në këtë vend dhe kërkon hetim urgjent të incidentit nga MPB dhe Prokuroria Publike, sanksione ndaj organizatorëve, reagim zyrtar dhe distancim publik nga Qeveria dhe çdo përfaqësues që ishte prezent, si dhe përfshirjen e faktorit ndërkombëtar për monitorim të përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit institucional.

Sjelljen skandaloze të tifozuëve maqedonas e ka dënuar edhe Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, nëpërmjet një statusi në Facebook. “Si zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, dënoj fuqimisht thirrjet ksenofobe dhe gjuhën e urrejtjes drejtuar shqiptarëve gjatë ndeshjes së mbrëmshme kualifikuese për Kupën e Botës në Basketboll 2027 midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Kjo lloj sjelljeje është tradhti e turpshme ndaj vlerave të respektit dhe fair play-it që sporti duhet të përfaqësojë. Ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht se nga cila palë vjen, nuk kanë vend në stadiumet tona, në shoqërinë tonë, as në të ardhmen tonë të përbashkët”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i ka dënuar ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. “Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, shkroi Mexhiti në reagimin e tij publik. Sipas tij këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që, sipas tij, e bëjnë Maqedoninë e Veriut një shtet unik. “Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë: maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllahë, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë kontribuojmë për këtë vend. Të gjithë meritojmë respekt”, nënvizoi Mexhiti./GazetaFAKTI