Nga Vigan Qorrolli, Zëvendësministër i Drejtësisë, profesor universitar
I. Në analizën krahasuese të jurisprudencës kushtetuese të shteteve të Evropës post-komuniste në 35 vitet e fundit, nuk evidentohet asnjë rast ku një gjykatë kushtetuese ka urdhëruar organin legjislativ (parlamentin) të procedojë në formë të paracaktuar të votimit, me numër të kufizuar tentimesh, me pjesëmarrje të detyrueshme të çdo deputeti dhe brenda afateve kohore të ngushta të përcaktuara ‘ex ante’ – duke shpallur njëkohësisht të pavlefshme një periudhë të plotë të seancave parlamentare.
II. Në juridiksionet e krahasueshme (Poloni, Hungari, Rumani, Çeki, Maqedoni e Veriut, Ukrainë, Moldavi) janë konstatuar kriza kushtetuese dhe vendimmarrje gjyqësore mbi to, por asnjëherë në formën e një kombinimi të plotë të udhëzimeve procedurale detyruese për parlamentin.
III. Edhe në rastet kur është kërkuar asistenca e Komisionit të Venecias (p.sh., Rumania 2012, Moldavia 2019), rekomandimet e dhëna kanë synuar garantimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe kufizimin e ndërhyrjes gjyqësore në proceset politike, pa u shtrirë në rregullimin normativ të procedurave të brendshme parlamentare.
IV. Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese e pozicionon Kosovën në një situatë të paidentifikuar më parë në praktikën evropiane: një organ gjyqësor që, në kuadër të interpretimit kushtetues, ushtron funksione të natyrës normative brenda sferës ekskluzive të sovranitetit popullor të përfaqësuar nga parlamenti.
V. Përvoja kushtetuese ndërkombëtare dëshmon se prishja e ekuilibrit ndërmjet pushteteve nuk ndodh vetëm përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta e të hapura të një pushteti mbi tjetrin, por edhe përmes tejkalimit të kompetencave të natyrës interpretative. Aktivizmi gjyqësor që shtrihet përtej kufizimeve të qarta të tekstit kushtetues paraqet rrezik për autonominë funksionale të organit legjislativ dhe, si pasojë, për stabilitetin institucional, i cili është kusht i domosdoshëm për funksionimin efektiv të demokracisë.