Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po më vonë kur u bënë ndryshimet kushtetuese, si është i definuar statusi i shqiptarëve dhe a ka një shpërputhje në mes të luftës që ata bënë në 2001-shin dhe trofeve politikë të asaj lufte që shqiptarët megjithatë i rangon si pakicë kombëtare në të gjitha ligjet që dalin nga kushtetuta aktuale. Procesi i shteformësisë së shqiptarëve, është kapitulli i ri i marrëdhënieve në mes të dy popujve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Pa rrumbullakimin e këtij procesi, perspektiva e Maqedonisë së Veriut do ti ngjante një fryti gjysmë të pjekur, dhe garës se kush do të arrinte të vjelë sa më shumë fruta të pjekura.
Nga Emin AZEMI
Përmes një referendumi të 8 shtatorit të vitit 1991, me pjesëmarrje të mbi 95 për qind të qytetarëve, Maqedonia e sotme u pavarësua nga ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumë-partiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Pas referendumit të 8 shtatorit 1991, i bojkotuar nga shqiptarët, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë. Hapi i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re (pa votat e deputetëve shqiptarë) më 17 nëntor 1991. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas luftës së vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Me marrëveshjen e Prespës që tejkalonte kontestin me Greqinë, emri i Maqedonisë pësoi ndryshim duke u riemërtuar në “Maqedonia e Veriut”, kusht ky që ndikoi të anëtarësohet në NATO, kurse pas nënshkrimit të protokollit me Bullgarinë këtë vit, filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Pavarësimin e Maqedonisë, shqiptarët e përjetuan në dy mënyra: në njërën anë pretendonin se po përfshiheshin në një proces demokratik, ku edhe kontributi i tyre me pjesëmarrje në jetën institucionale, do të ndikonte në forcimin e kapaciteteve shtetndërtuese, kurse në anën tjetër, po shkëputeshin nga aspirate shekullore për të jetuar në një shtet të përbashkët në Ballkan.
Shqiptarët kundërvihen me referendum për Autonomi politike dhe territoriale
Por, pas pavarësimit të Maqedonisë, shqiptarët filluan ta ndiejnë anashkalimin që iu bëhej nga nomenklatura e atëhershme politike maqedonase. Në të shumtën e rasteve, pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet më tepër kuptohej si dekor, se sa si kontribut substancial i tyre, prandaj këto ishin edhe arsyet për organizimin e një referendumi të veçantë, më 11 dhe 12 janar, 1992, ku populli shqiptar do të shprehte vullnetin e vet përmes deklarimit gjithëpopullor. Vendimin për shpalljen e referendumit për Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoni e mori Kuvendi i Autonomisë më 27 dhjetor, 1991. Zhvillimet e këtilla politike, përmes deklarimit plebicitar, ishin karakteristikë e të gjithë popujve në ish-Jugosllavi që përpiqeshin të fitonin lirinë përmes procesit demokratik. Në Maqedoni , referendumi i popullit shqiptar ishte kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas, të cilët anashkaluan skajshmërisht interesat kombëtarë të shqiptarëve
Në vend të statusit shtetformues, shqiptarëve iu dhurua një paradhomë e sistemeve koloniale
Tani pas 34 viteve nga pavarësimi Maqedonisë si shtet, shqiptarët kaluan nëpër disa procese politike e institucionale, ku roli dhe kontributi i tyre ndikonte edhe në ruajtjen e baraspeshave gjeopolitike e etno-kulturore , që reflektoheshin përpos në konsolidimin e brendshëm si shtet, edhe në përmasa rajonale.
Të gjitha qeveritë që u formuan në Maqedoni u bazuan mbi parimin e multietnicitetit, mirëpo kur filluan të funksionojnë në praktikë, ato i ktheheshin avazit monoetnik. Madje, ngandonjëherë ato funksiononin aq papengueshëm, sa që ishte vështirë të dalloje, nëse ato qeveri funksiononin me apo pa partnerët shqiptarë. Dilema bëhej më e madhe kur nacionalizmi institucional maqedonas ndodhte para hundëve të përfaqësuesve shqiptarë të pushtetit dhe për rrjedhojë ndodhi 2001, kur akumulimi i pakënaqësive të shqiptarëve mori formën e rezistencës së armatosur. Pasoi marrëveshja paqësore e Ohrit dhe domosdoja e ndryshimeve kushtetuese, ku shqiptarët morën disa të drejta që nuk i kishin, por sërish ngelën si një element joshtetformues në funksionimin praktik të shtetit të Maqedonisë. Në vend të statusit shtetformues, shqiptarëve iu dhurua një paradhomë e sistemeve koloniale që përkufizohej përmes 20 përqindëshit, si element që shprehte njëfarë autonimie kulturore-gjuhësore, por pa kurrfarë garancie kushtetuese.
Edhe përkundër kësaj qasjeje retrograde ndaj pozitës kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët sërish treguan sens të lart lojaliteti ndaj shtetit që nuk i përmbushte të gjitha nevojat dhe aspiratat e tyre. Sa here që Maqedonia kalonte nëpër kriza dhe turbulence identitare, shqiptarët treguan mirëkuptim ndaj fqinjëve të tyre maqedonas, duke i flijuar agjendat e tyre etnike. Por, ky lojalitet i shqiptarëve mbeti i pavlerësuar nga politikanët maqedonas. Deri më tani shumë rrallë na ka rënë të dëgjojmë ndonjë kryeministër maqedonas të ketë shprehur publikisht mirënjohje për rolin konstruktiv të partnerëve shqiptarë në mirëkuptimin e proceseve ku në të shumtën e rasteve shqiptarët si kolektivitet, forcimin e subjektivitetit të tyre kushtetues e këmbenin me lojalitet ndaj shtetit të Maqedonisë.
Subjektiviteti jurdiko-kushtetues i shqiptarëve pa një platformë politike shqiptare!
Forcimin e subjektivitetit të tyre kushtetues, shqiptarët jo rrallë e këmbenin edhe me luftën brenda llojit. Në kushte të tilla të një konkurrence bizare politike brendashqiptare, nacionalizmi institucional maqedonas lulëzonte papengueshëm, ndërkohë që ambiciet joracionale të shqiptarëve mbante gjallë këtë nacionalizëm, duke prodhuar altruizëm të tepruar dhe herë-herë duke plasuar ide bajate për ruajtjen e Maqedonisë nga prirjet dezintegruese. Prandaj fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe e mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.
Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve mund të degradohen edhe në të ardhmen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt në gjetjen e një kompromisi afatgjatë, duke ndërhyrë në ato çështje që barazvlerësojnë cilësinë e përfaqësimit përmes projekteve konkrete e shumë urgjente dhe kapacitetin e shtetndërtimit.
Sipas Kushtetutës aktuale, shqiptarët e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm
Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrave maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.
Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta e deri më sot? Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po më vonë kur u bënë ndryshimet kushtetuese, si është i definuar statusi i shqiptarëve dhe a ka një shpërputhje në mes të luftës që ata bënë në 2001-shin dhe trofeve politikë të asaj lufte që shqiptarët megjithatë i rangon si pakicë kombëtare në të gjitha ligjet që dalin nga kushtetuta aktuale.
Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi u thoshte shqiptarëve: rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve u thuhet gati e njëjta gjë, por me një konotacion dhe ambalazh tjetër.
Tani u thuhet shqiptarëve se duhet të rrinë urtë sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar Maqedoninë dhe, për pasojë, për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit! Madje, me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas, në librat e tyre shkollorë, pa fije turpi dhe papengueshëm, mund t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.
Në njërën anë shqiptarëve u kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse, në anën tjetër, ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti. Madje, shqiptarët “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë”, siç quhen në librat e shkollarëve maqedonas, qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).
Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe ajo e përfaqësimit adekuat, por të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për Shtetësi ku kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë është njohja e gjuhës letrare maqedonase (!).
Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe, për pasojë, plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen me shtetësi vetëm sepse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët do ta merrnin me automatizëm shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodh, sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas. Shqiptarët e Maqedonisë aktualisht ndodhen në mes të të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese. Sikundër dihet, kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në të cilin askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, kështu që shqiptarët, megjithatë, rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.
Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite, për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’u teket dhe të vendosin si t’u teket, pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.
Për çka flet kjo? Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtyllë të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës të këtyre shtyllave. Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit (të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kilogram të drejta) duhet t’i kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënieve në mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit, për të mos hyrë më shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blejë me kilogram, por kokrra-kokrra, shalqirin ta blejë me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.
Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni, nuk jeton kombi autokton shqiptar, por “një pjesë e kombit shqiptar” që ndodhet diku, jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë ca kalimtarë të rastit që i kanë hapur çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”.
Me fjalë të tjera, shqiptarët, sipas Kushtetutës aktuale, shqiptarët e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si edhe hapësira që zënë ato aktualisht përcaktohen me ligj.
Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë prej 20 për qind që e flet atë gjuhë. Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse këtë ua garanton ligji.
Procesi i shteformësisë së shqiptarëve, është kapitulli i ri i marrëdhënieve në mes të dy popujve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Pa rrumbullakimin e këtij procesi, perspektiva e Maqedonisë së Veriut do ti ngjante një fryti gjysmë të pjekur, dhe garës se kush do të arrinte të vjelë sa më shumë fruta të pjekura.
A ka rrezik që shqiptarëve sërish t’iu mpihen dhëmbët për shkak të ofertave gjysmake në kopshtin evropian me fruta (të kontrabanduara) ballkanike?
Tani kur Maqedonia e Veriut po feston 34 vjetorin e pavarësisë, shqiptarët si duket ende nuk kanë nxjerrë mësime , pasi që tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqiptarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Duke qenë kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, ka ndikuar që politikat hermafrodite të shqiptarëve të ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase . Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë kanë humbur rrugën në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguanin shqiptarët, ndonëse kjo pakënaqësi ende nuk ka arritur të formalizohet në trajtat e një platform të fuqishme opozitare.
Se çka fituan dhe çka humbën shqiptarët – përgjigen më të mirë e dhanë proceset në të cilën kaluan ata, por një përgjigje më të përpiktë do të duhej ta japin brezat e ardhshëm të cilët marrin me politikë nuk do ta kuptojnë vetëm si mekanizëm për ardhjen në pushtet, por edhe si katalizator që rregullon kompleksitetin shoqëror, ekonomik, politik, e kulturor të jetës së shqiptarëve.
Shkup, 08 shtator 2025