Nga Dr. Jorgji KOTE
Ashtu siç dhe pritej, Kryeministri francez, François Bayrou, e humbi votëbesimin më 8 shtator në Asamblenë Kombëtare. Çështjet kryesore kritike që e bënë atë kryeministrin e parë që kërkoi vetë votëbesimin, të cilat kanë kohë që “kanë ndezur gjakrat” atje, janë zgjatja e moshës së daljes në pension nga 60 në 64 vjeç, kursimi i shumës 44 miliardë euro në buxhetin e shtetit për vitin 2026 ose baras me 3 për qind të GDP-së dhe heqja e dy nga 11 datat e festave zyrtare të Francës. Të gjithë analistët pohojnë se nuk mund të kishte moment më të vështirë dhe sfidues se ky për Francën, qeverinë e sidomos Presidentin Macron, të cilin tani për shkak të rrënimit të pozitave në krye të shtetit e konsiderojnë “patë të çalë”. Dhe kjo, pikërisht në kohën kur diplomacia franceze dhe Presidenti Macron ishin bërë protagonistë të zëshëm për paqen në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme; vetëm disa ditë më parë Macron mikpriti Samitin kushtuar garancive të sigurisë për Ukrainën. Kjo krizë e rëndë e goditi Parisin në vigjilje të çeljes së Sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në jubileun e 80-vjetorit të krijimit të saj. Për më tepër, kur më 22 shtator, Franca do të bashkëkryesojë atje me Arabinë Saudite një samit të posaçëm kushtuar procesit të paqes në Lindjen e Mesme dhe njohjen e shtetit të Palestinës.
Ky tërmet i ri politik e ka tronditur thellë Parisin zyrtar, mbasi Bayrou ishte kryeministri i dytë që rrëzohet brenda një viti. Fatin e tij e pësoi dhjetorin e kaluar dhe Michel Barnier, i konsideruar si “jelek shpëtimi” i Presidentit Macron, ndonëse europianist i shquar dhe ish-kryenegociatori i BREXIT për BE-në, Barnier rezultoi kryeministri më jetëshkurtër në 80 vitet e fundit, pa kaluar as “100 ditët e mjaltit”. Bayrou u emërua kryeministër më 13 dhjetor 2024, si personalitet i mirënjohur i qendrës, kryetar i Lëvizjes Demokrate (Modem). Krahas disa ministrave të mëparshëm, në qeverinë e tij ishin dhe dy ish-kryeministra të njohur. Por, me qeverinë e pakicës ai dështoi në synimin për të siguruar mbështetjen e shumicës parlamentare për një periudhë sa më të gjatë kohe. Në fakt, kjo ishte sfidë tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur në peizazhin ekzistues parlamentar francez. Veç kësaj, liderët e forcave të tjera politike e kanë akuzuar vazhdimisht Presidentin Macron, se duke emëruar njeriun që në 7 vitet e fundit “ka mbajtur timonin” nga ana e tij, kërkonte thjesht të fitonte kohë, të zvarriste agoninë politike pa një bashkëpunim të sinqertë me ta.
Në fakt, kjo është e vërtetë. Gjatë 9 muajve të fundit, Macron synonte dhe bëri çmos, duke shfrytëzuar dhe aksionet e suksesshme jashtë vendit, që sipas parimit “tërhiq e mos e këput” të forconte pozitat e veta, të lodhte dhe të dobësonte kundërshtarët politikë, me shpresë se do përmirësonte imazhin e tij brenda vendit të cenuar rëndë gjatë 15 muajve të fundit. Kësisoj, ai shpresonte të krijonte një dinamikë të re politike premtuese dhe pse jo, fituese deri në zgjedhjet e ardhshme. Tani që Franca nuk ka as qeveri pakice, nisur nga vështirësitë e jashtëzakonshme që do të hasen për krijimin e koalicionit të ri qeveritar në qarqet politike, ekonomike dhe financiare, në Francë dhe në metropolet e tjera europiane janë shtuar me të drejtë dhe ndjeshëm ankthi, frika dhe pasiguritë në shumë fusha jetike. Kjo frikë, paqartësi dhe pasiguri është e kuptueshme, mbasi asnjë parti kryesore franceze nuk e ka shumicën parlamentare si 4 vjet më parë. Matematikisht, këtë shumicë, madje bindëse, e kanë ekstremi i majtë dhe i djathtë, por bashkimi i tyre është mision politik i pamundur. Për fat të keq, as centristët e Macronit dhe republikanët, që dikur “bënin ligjin” nuk i kanë numrat për këtë shumicë, për shkak të “firove” zgjedhore të vitit të kaluar. Ja pse, e vetmja mundësi praktike për një koalicion të ri qeveritar me shumicë parlamentare mbetet aleanca midis Makronistëve dhe të Majtës së Bashkuar, natyrisht me lëshimet përkatëse. Kjo do të ishte shpëtimtare për Francën, ajo do t’i ngushtonte dhe hapësirën e veprimit “Tubimit Kombëtar” të Le Penit, duke krijuar ndërkohë stabilitet relativ qeverisës. Ndryshe, çdo qeveri tjetër pakice do të jetë po aq, madje edhe më jetëshkurtër se ajo që u rrëzua më 8 shtator. Lajmi i mirë dhe ngushëllues këtu është se pavarësisht nga kjo gjendje e nderë, kur borxhi i jashtëm francez është më i larti pas Italisë dhe Greqisë me 116 për qind dhe deficiti buxhetor 5,8 nga 3 për qind që është kufiri i BEsë, prapë, po qe se do të veprohet me reforma, janë mundësitë që Franca të shmangë një megakrizë dhe faliment financiar si Greqia, Italia dhe Portugalia në vitet 2007–2010. Sepse, siç pohojnë ekspertë të mirënjohur, Franca “mban” për ca kohë, mbasi gjendja aty dhe në Europë nuk ka të krahasuar me vitet e vështira 2007-2015. Kështu, pavarësisht nga efektet e mëdha negative të pandemisë COVID–19, krizës energjetike dhe agresionit rus kundër Ukrainës, Franca i kapërceu ato relativisht më mirë. Vitet e fundit Franca ka pasur sukses edhe në tërheqjen e investitorëve të shumtë të huaj, ka rritur novacionin dhe nivelin e punësimit. Sa për anën strukturore, sipas ekspertëve, Franca është shumë më mirë se edhe vetë Gjermania pararojë; kjo mbasi industria në Francë, ndryshe nga Gjermania, ka një peshë shumë më të vogël në ekonominë e vendit; edhe varësia e saj nga lëndët djegëse fosile dhe energjia ruse është shumë më e vogël se në Gjermani.
Shkaku tjetër dhe ndoshta më i rëndësishmi është gjendja dhe performanca e shkëlqyer e institucioneve në Francë. Ato janë në gjendje t’i zbatojnë me shpejtësi dhe cilësinë e duhur reformat e nevojshme, edhe pse ato ende nuk po ndërmerren, por kjo jo për fajin e institucioneve, por të mungesës së një qeverie të qëndrueshme me shumicë parlamentare dhe pa kriza afatgjata. Arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishme është se Franca dhe Europa sot janë shumë më të përgatitura për të përballuar kriza të tilla borxhesh dhe financiare. Ato kanë mekanizma të sigurta për shmangien e spekulimeve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Veçanërisht Banka Qendrore Europiane (BQE) mbas fjalimit të famshëm më 12 korrik 2012 të ish-drejtorit të saj emblematik, Mario Draghi “We shall do Whatever It Takes” (Do bëjmë gjithçka) ka ndikuar ndjeshëm në shmangien e veprimeve spekulative dhe garantimin e stabilitetit financiar. Për rrjedhojë, deri tani investitorët dhe tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe të bindur se nuk do të ketë shqetësime për financimin e borxheve shtetërore. Por, me zhvillimet e ndryshme që pritet të ndodhin pas rënies së qeverisë “Bayrou”, asgjë nuk mund të përjashtohet, sidomos nëse nuk merren masa për kapërcimin sa më shpejt të krizës së tanishme qeveritare dhe politike.
Për këtë qëllim, për Francën janë vendimtarë tre faktorë: zgjidhja sa më parë e krizës politike, krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm qeveritar me shumicë bindëse parlamentare dhe miratimi i buxhetit të vendit për vitin 2026, në mënyrë që deficiti shtetëror të vijë duke u ulur. E dyta, duke rifituar besimin publik se vendi do ketë impulse zhvillimi me reforma tërësore, duke ofruar shpresë dhe optimizëm. Puna ndryshon nëse do të ketë sërish qeveri pakice. Në atë rast, zgjedhjet e parakohshme do t’i qëndrojnë kryeministrit të ri dhe Presidentit Macron si “shpata e Demokleut” te koka. Atëherë, po, Franca do të rrezikojë seriozisht të bëhet e paqeverisshme, çka do të provokonte reagime negative në gjithë zinxhirin e saj institucional, në ekonominë e vendit, në krizën e borxheve dhe për pasojë në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe më gjerë. Natyrisht në një rast të tillë, kur të mos gjejë më ndonjë blerës tjetër, atëherë Banka Qendrore Europiane (BQE) do të ndërhynte fuqishëm, duke blerë “Malin” me borxhet franceze të rritura. Ndonëse do ta lehtësonte gjendjen për një moment, ajo do të rrënonte besueshmërinë financiare të Francës, do të provokonte rritjen e aksioneve në tregjet valutore, rritjen e interesit të huave, për pasojë të inflacionit dhe të çmimeve në treg, me pasoja të rënda social-ekonomike.
Nga ana tjetër, njerëzit në Francë, ashtu si deri tani që kanë shijuar jetën me borxhe, nuk do të donin reforma dhe shtrëngime buxhetore, e vetmja rrugëzgjidhje për të dalë nga ky udhëkryq i rrezikshëm, por do të vazhdonin të jetonin duke shtuar borxhet. Mirëpo kjo do të sillte pasoja katastrofike jo vetëm për Francën, por edhe për gjithë BEnë, duke filluar nga Gjermania fqinje, e cila dhe kështu siç është tani, ka aq shumë probleme dhe vështirësi. Kjo mbasi dhe aty si kudo në Europë do të rriteshin interesat e huave të mëdha që do të merren në kuadrin e shtimit të shpenzimeve kolosale për mbrojtjen, infrastrukturën dhe aspektet sociale, duke rënduar akoma më shumë krizën në Gjermani. Në përgjithësi, do të dëmtohej rëndë dialogu franko-gjerman, i konsideruar si “motori” i pazëvendësueshëm i BE-së, që mezi u “rindez” në Samitin franko-gjerman në Tulon më 31 gusht. Pasoja nga vazhdimi i kësaj krize do të kishte dhe për ndihmat franceze për Ukrainën dhe procesin paqebërës atje, për shkak të kufizimeve të mundshme buxhetore. Për pasojë, nëse do të vazhdohej kështu, brenda 10 viteve të ardhshme edhe Franca do të falimentonte ashtu si Greqia 10 vite më parë. Vetëm se efektet “domino” të Francës në gjithë Europën do të ishin “ku e ku” me ato të Greqisë. Sepse bëhet fjalë për cunamin politik dhe financiar që do të shkaktonte kjo megakrizë në një vend si Franca, me popullsi 6 herë më të madhe, me fuqi ekonomike, por dhe borxhe 10 herë më të mëdha se Greqia! Këto ndikime negative do të ndiheshin dhe në Ballkanin Perëndimor, ku Franca dhe Gjermania janë tejet të angazhuara me dosje madhore tematike, si Procesi i Berlinit, Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, anëtarësimi në BE etj..
Nisur nga këta faktorë jetikë, ashtu si një vit më parë dhe sot, Presidenti Macron është i vendosur të mos japë as dorëheqjen, as të shpërndajë Parlamentin dhe as të thërrasë zgjedhje të parakohshme, të cilat opozita vazhdon t’i kërkojë me ngulm. Me të drejtë, mbasi, siç e pohonte në fillim të vitit edhe paraardhësi i tij, ish-Presidenti François Hollande, kështu vendi do të zhytej në kaos dhe udhëkryq akoma më të madh, me pasoja të paparashikueshme dhe të pariparueshme. Në këtë linjë, disa ditë më parë, edhe shkrimtari i shquar francez Bernard Henri Levy e quan antidemokratike dhe antirepublikane kërkesën për dorëheqjen e tij. Ndaj, ashtu si pohojnë shumë ekspertë dhe politologë, rrugëdalja më e mirë është konsensusi i “Rilindjes” së Presidentit Macron me të Majtën e Bashkuar; vetëm ajo do të siguronte një shumicë parlamentare bindëse, e aftë për të kryer reformat e guximshme; vetëm zbatimi i tyre do të ishte shpëtimtarja e vërtetë afatgjatë që Franca dhe Europa të mos futeshin në spiralen e krizave pa fund. Gjithsesi, kjo do të jetë në varësi të zhvillimeve të ditëve dhe javëve të ardhshme dhe veçanërisht të protestës masive më 10 shtator, organizuar nga lëvizja e re sociale “Thelbësorët”, një version më i moderuar i “Jelekverdhëve”, e cila mund të paralizojë gjithë jetën në vend. [Gazeta Panorama]