Nga Ismet Hajrullahu
Në historinë e qytetërimit kristian perëndimor, figura e Shën Jeronimit zë një vend të veçantë. Ai nuk njihet vetëm si përkthyes i Biblës në latinisht, por edhe si mendimtar i thellë dhe dijetar i përkushtuar, që ka ndikuar fuqishëm në formësimin e mendimit teologjik dhe kulturor të Evropës mesjetare.
I lindur në vitin 347 në Stridon, një qytet ilir në kufirin mes Dalmacisë dhe Panonisë, Shen Jeronimi është dëshmi e gjallë e kontributit ilir në themelet e kulturës kristiane evropiane.

Shën Jeronimi
Në monografinë “Shën Jeronimi Ilir (347–420)”, Don Lush Gjergji e trajton këtë figurë me ndjeshmëri të veçantë, duke e vendosur në qendër të një konteksti historik, teologjik dhe kulturor, që tejkalon kufijtë e zakonshëm të historiografisë kishtare.
Jeronimi ishte nje përkthyes i zoti, një njeri i dijes, përulësisë dhe shpirtit që ndërtoi jetën mbi vetmohimin dhe kërkimin e së vërtetës. Përkthimi i Biblës në latinisht, i njohur si Vulgata, ishte një përpjekje monumentale për ta bërë Fjalën e Zotit të qasshme për të gjithë. Ai i kushtoi 25 vite këtij misioni, duke përkthyer nga hebraishtja, greqishtja dhe aramaishtja, me rigorozitet filologjik dhe ndjeshmëri teologjike që e bën Vulgatën një nga gurët themelorë të kristianizmit latin.
Don Lush Gjergji e cilëson Shen Jeronimin si “Doktor të shkëlqyeshëm të Kishës”, krahas Shën Ambrozit dhe Shën Augustinit, duke theksuar jo vetëm dijen e tij, por edhe përkushtimin ndaj jetës asketike, uratës dhe pendesës.
Shen Jeronimi luftoi kundër mëkatit dhe tundimeve, duke jetuar një tension të brendshëm, mes hyjnores dhe njerëzores. Ai vetë e përshkruan këtë përballje me fjalët: “Më fal, o Zot, se jam dalmat”, duke nënkuptuar karakterin e tij të fortë dhe gjakun e nxehtë ilir.
Figura e tij mishëron një përkushtim të thellë shpirtëror dhe një disiplinë të palëkundur intelektuale. Ai iu përkushtua studimit të shkrimeve të shenjta, lutjes dhe reflektimit teologjik.
Don Lush Gjergji e vendos Shen Jeronimin në një kontekst të gjerë historik dhe shpirtëror, duke e rikthyer në qendër të vetëdijes kulturore shqiptare. Ai argumenton se Iliria nuk ishte periferi e qytetërimit, por një hapësirë aktive në formësimin e tij. Përmes analizës së burimeve historike dhe shkrimeve të Shen Jeronimit, Don Lush Gjergji na kujton se rrënjët tona janë të pasura me mendim, besim dhe përkushtim.
Në një kohë kur shqiptarët përpiqen të rindërtojnë identitetin e tyre historik dhe kulturor, figura e Shën Jeronimit shfaqet si një dëshmi se liret kanë kontribuar fuqishëm në themelimin e qytetërimit perëndimor dhe pranimi i kësaj trashëgimie është një e vërtetë historike.
Kur Iliria i dha zë Fjalës së Zotit përmes Shen Jeronimit, nuk solli thjesht një tekst të shenjtë, por ndezi një dritë që vazhdon të ndriçojë ndër shekuj. Ky akt nuk ishte vetëm një përkthim, por një përqafim i thellë shpirtëror dhe kulturor, që e vendosi Ilirinë në qendër të qytetërimit kristian perëndimor.
Nëse synojmë të ndërtojmë një të ardhme me dinjitet dhe vetëdije, duhet të njohim, të ruajmë dhe të mbrojmë këto rrënjë , ashtu siç bëri Shen Jeronimi, biri i Ilirisë, që me përulësi dhe madhështi i dhuroi njerëzimit Fjalën e Zotit në gjuhën e tij!