Nga Dr. Selim IBRAIMI
“Presioni mbi Ukrainën tani është në pikën më të fortë. Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose humbjen e dinjitetit, ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç, ose një dimër jashtëzakonisht të ashpër”, tha presidenti ukrainas Vlodymir Zelensky gjatë një fjalimi të transmetuar në rrjetin X. Plani 28-pikësh i paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, ushtron presion mbi Kievin që të lëshojë territor, të kufizojë madhësinë e ushtrisë ukrainase, dhe të premtojë të mos bashkohet me NATO-n në këmbim të përfundimit të luftës.
Kështu përderisa bisedimet për fatin e Ukrainës vazhdojnë, Rusia po luan ashpër me Perëndimin përmes propagandës, sabotimit dhe inteligjencës. Sidoqoftë, BE-ja, NATO-ja dhe strukturat e tjera të aleancës perëndimore po bëjnë shumë për të luftuar politikat e Rusisë për shqetësimet e nxjerrura në krahun lindor të BE-së dhe NATO-s, duke përfshirë këtu Ballkanin me shtetet si Serbia, Srpska Republika, dhe pse jo edhe serbët e Kosovës. Në situatën e re në të cilën Rusia ka fituar vrull, bota perëndimore përballet me çështje të ndryshme dhe të njëjta që burojnë jo vetëm nga politikat agresive ruse.
Plani i ri amërikan për paqe në Ukrainë është një shqetësim i madh për shtetet evropiane dhe Britaninë e Madhe. Së fundmi, kancelari gjerman Friedrich Merz tha për mediat gjermane se rendi botërorë që ekzistonte për më shumë se tetë dekada ka marrë fund. “Rendi botëror që ekzistonte për 80 vitet e fundit në Perëndim dhe 35 vjet në Lindje ka marrë fund. Nëse duam të formësojmë një rend të ri botëror, kjo është e mundur vetëm së bashku me fqinjët tanë evropianë.” “Rusia po zhvillon një luftë terroriste kundër popullsisë civile ukrainase.
Përshkallëzimi i sulmeve ruse ndaj infrastrukturës ukrainase nuk ka më të bëjë me objektivat ushtarake. Prandaj, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, tha Mertz. Paralajmërimet e kancelarit Merz, erdhën pas sulmeve ruse me dronë, dhe nga aksionet e sabotazhit në Poloni këtë javë. Kancelari Merz në fakt është në linjë me atë çfarë Sekretari i Luftës i SHBA-së Pete Hegseth bëri të ditur në pranverë se Evropa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen, dhe këtë duhet ta bëjë vetë. Se sa mund të bëjnë më shumë vetë shtetet evropiane anëtare të aleancës nuk dihet, pasi duhet të ndajnë më shumë buxhet për armatim dhe teknologji të reja pa lënë anësh edhe rekrutimin e rregullt ushtarak.
Kështu, partitë pjesëmarrëse në qeverinë e kancelarit Merz kanë rënë dakord për një plan të ri shërbimi ushtarak për të rritur numrin e trupave. Sipas mediave gjermane, plani i ri i shërbimit ushtarak do t’i detyrojë të gjithë burrat 18-vjeçarë të plotësojnë një pyetësor mbi përshtatshmërinë e tyre për të shërbyer dhe, nga viti 2027, t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor. Vetëm rritja e trupave nuk do të jetë masë e duhur për të mbrojtur Evropën. Shpërthimi i fundit në hekurudhën polake ishte një tronditje tjetër për NATO-n ku në veçanti shtetet që janë në cak të Rusisë duhet të jenë gati. “Shpërthimi i binarëve hekurudhorë në rrugën Varshavë-Lublin është një akt i pashembullt sabotimi që synon drejtpërdrejt sigurinë e shtetit polak dhe civilëve të tij.
Kjo rrugë është gjithashtu thelbësore për dërgimin e ndihmës në Ukrainë. Ne do t’i kapim autorët e krimit, kushdo qofshin ata”, tha kryeministri polak Donald Tusk. Ndërkaq, në brigjet e Britanisë së Madhe, nëndetset ruse janë bërë aktive. Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey konfirmoi se një anije ruse spiune “Yantar” është parë buzë ujërave të Mbretërisë së Bashkuar, në veri të Skocisë. “Kjo është një anije për mbledhjen e informacioneve inteligjente, dhe hartëzimin e kabllove nënujore, duke tërhequr sensorë pas saj”, tha ai. Lëvizjet e rrezikshme të Rusisë kanë qenë gjithashtu një shqetësim për Gjermaninë. Disa herë zyrtarët gjermanë kanë paralajmëruar se Rusia mund t’i sulmojë shtetet perëndimore më shpejt seç është parashikuar.
BE-ja dhe NATO-ja, në këtë kontekst, kanë miratuar disa masa për të parandaluar dhe luftuar përpjekjet ruse. Masat e BE-së dhe të NATO-s kanë një objektiv. Mbetet e panjohur mbrojtja në rast të një sulmi më të madh nga Rusia. Sidoqoftë shtetet evropiane po lëvizin më shumë këtë vit. “Paketa e sotme e Lëvizshmërisë Ushtarake (Military Mobility Package), do të forcojë gatishmërinë dhe aftësinë e Evropës për të vepruar shpejt në një krizë. Për të mbështetur miratimin e të rejave të fundit, ne po hartojmë gjithashtu Udhërrëfyesin për Transformimin e Industrisë së Mbrojtjes (EU Defence Industry Transformation Roadmap)”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lyen.
Në këtë fushë, Këshilli i BE-së më 27 maj të vitit 2025, aktivizoi programin Veprimi i Sigurisë për Evropën (Safe), që është instrumenti i ri financiar i BE-së i projektuar për të ofruar mbështetje financiare për shtetet anëtare për të përshpejtuar gatishmërinë mbrojtëse duke lejuar investime urgjente dhe të mëdha në mbështetje të industrisë evropiane të mbrojtjes. Këtu nuk duhet lënë anësh “ReArmEurope 2030” etj.,etj. Krahasuar me katër vjet më parë, para pushtimit rus, BE-ja dhe NATO-ja kishin një nivel mesatar investimesh në këto programe dhe larg përgatitjes për luftëra të ardhshme. Tani, në vitin 2025, vendet anëtare të NATO-s janë më ndryshe, po përgatiten për një luftë të mundshme.
Nëpërmes këtyre programe shtetet evropiane mundohen të sigurojnë që asnjë nga shtetet e BE-së të mos befasohet nga sulmet dhe sabotazhet ruse. Përveç forcimit ushtarak në krahun lindor të anëtarëve të NATO-s, aleanca ka ndërmarrë veprime në krahun jugor dhe në Ballkan, të cilat janë po aq të brishta duke filluar nga Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe zona të tjera ku aktorët jo-shtetërorë janë aktivë. Në Ballkan, ka pasur disa zhvillime të lehta në Maqedoninë e Veriut, me informacione për bomba në shkolla, dhe në Kosovë, ku ushtria serbe, me taktika hibride ruse, e mban situatën dhe kufirin verior të tensionuar.
Disa shtete ballkanike anëtare të NATO-s, kanë ndërmarrë veprime për të forcuar marrëdhëniet ushtarake të integruara në “aleanca rajonale”, të cilat shihen si veprime të nevojshme, por nuk mund të zëvendësojnë fuqinë e NATO-s. Në këtë drejtim, Serbia dhe aktorët e saj të ngushtë me synim të destabilizimit të rajoneve të nxehta, e bën NATO-n të qëndrojë gati. Për momentin, nuk ekziston, ndonjë kërcënim i madh, por meqenëse rendi liberal, veçanërisht SHBA-ja, po ndjek një qasje të ndryshme, BE-ja, përfshirë NATO-n, duhet të marrin një rol qendrorë për hir të paqes pa u frikësuar nga konfliktet, dhe sabotazhet e së ardhmes.
