Nga Prof. dr. Rami Memushaj
Prej 3-4 vjetësh në libraritë tona gjendet libri “Drejtshkrimi i gegnishtes ose gegnishtja e
standardizueme”, botim i Fondacionit ALSAR, i përgatitur nga Mehmet Elezi, që e ka
pajisur me një parathënie dhe shënimet.
Manualet e drejtshkrimit kudo në botë janë botime akademike që hartohen nga
institucione shkencore të cilat kanë tagër të merren me hartimin e kodeve të gjuhës
standarde. Prandaj, kur pashë në librari një libër të tillë të përgatitur nga një individ që
nuk është as gjuhëtar, u bëra kureshtar dhe e bleva. Pasi e shfletova, bëra atëherë një
shkrim, që nuk di pse nuk e botova. Po këto ditë, duke kërkuar në internet, ky libër më
doli në shumë faqe: në faqe me informacion bibliografik, si: “Drejtshkrimi i gegnishtes
ose gegnishtja e standardizueme. Author: Elezi, Mehmet. ISBN: 9789928319340.
Pages: 107. Published: 2021. Language: Albanian.”; në faqe me njoftime gazetash për
të; dhe në faqe komentesh e lavdesh “autorit” për këtë vepër. Nga këto, po përmend
vetëm portalin “ObserverKult”, ku në një shkrim të 18 korrikut 2025, lexojmë:
“Pas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të vitit 2006, që përmban rreth 41000 fjalë e rreth 54000
kuptime, të cilat nuk gjinden në fjalorët e Akademisë së Shkencave të viteve 1980 e
2002 e po ashtu edhe 5300 shprehje frazeologjike, gjuhëtari Mehmet Elezi ka gëzuar
lexuesit me Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe në gegnisht.”
Në të vërtetë, ky nuk është libër i M. Elezit, po publikimi prej tij i librit “Ortografija e
gjuhës shqipe” (Prishtinë, 1964). Në botimin e mësipërm, Elezi ka të vetat
“Parathanien” me titull “Gegnishtja i kishte rregullat e drejtshkrimit para standardit të
sotëm të shqipes” (5 faqe) dhe “Shënimet” gjuhësore (11 faqe). Ndërsa 83 faqet e tjera,
ose katër të pestat, i zë lënda e librit të botuar 61 vjet më parë në Kosovë. Pra,
“Drejtshkrimi i gegnishtes ose gegnishtja e standardizueme” është një libër i piratuar
dhe i botuar pa lejen e institucionit që ka të drejtën e botimit. Po ta kishte këtë leje,
Elezi do ta kishte përmendur. Pohimi në fund të “Parathanies”: “Gjithsesi të drejtën e
mshelcit (kapakut) e kanë ata që i hartuen rregullat: gjuhëtarët e specializuem”, nuk e
fsheh aspak piratimin.
“Ortografija e gjuhës shqipe” u përgatit në Prishtinë nga një grup autorësh nën kryesinë
e prof. Idriz Ajetit në kohën kur Kosova ishte krahinë autonome e Serbisë dhe kur
planifikuesit gjuhësorë të atjeshëm ishin orientuar nga faktori politik të krijonin një
gegërishte letrare për shqiptarët e ish-Jugosllavisë, krahas gjuhës zyrtare të Shqipërisë.
Mirëpo qenë vetë intelektualët e atyre trojeve që e braktisën projektin e një gegërishteje
letrare dhe, bashkë me të, edhe Ortografinë e 1964-s, pjellë e këtij projekti, duke
pranuar “njëzëri” në Konsultën e Prishtinës të prillit 1968 “si gjuhë të vetën letrare
gjuhën letrare të vendit ëmë”, gjë për të cilën ishin shprehur qysh para viteve ’60 prof.
Idriz Ajeti e dr. Petro Janura.
Atëherë lind pyetja: ç’vlerë ka ribotimi i Ortografisë së 1964-s? Përgjigjja është e
thjeshtë: Mehmet Elezi është provuar me një varg botimesh si kundërshtar i gjuhës
standarde dhe si luftëtar i vendosur i përçarjes gjuhësore të shqiptarëve. Duke botuar
Ortografinë e 1964-s, ai do të tregojë se ka dy gjuhë standarde: një standard toskë “me
nji mushkni” dhe një standard gegë. Kjo “gegnishte” ka edhe drejtshkrimin e vet, pra
është “gegnishte e standardizueme”. Dhe kështu shqipja na del me dy gjuhë standarde.
Nuk po ndalemi në arsyetimet e M. Elezit, që e barazon gjuhën standarde me
toskërishten letrare dhe i kundërvë kësaj “gegnishten e standardizueme”, si “mushknia”
tjetër e shqipes. Gjuha standarde është varianti më i lartë i shqipes, variant identifikues
dhe përbashkues i shqiptarëve, me të cilin këta përfaqësohen në komunikimin e tyre me
popujt dhe me kulturat e tjera. Te ky variant më i lartë i shqipes është arritur me
marrëveshjen e të gjitha krahëve të kombit në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
Nuk ka e nuk mund të ketë marrëveshje të dytë për një standard tjetër, sepse nuk mund
të ketë dy standarde paralele. Gjuha shqipe ka vetëm një standard. Po të shprehemi në
mënyrë të figurshme, “Kulla” e shqipes nuk duhet rrëzuar për ta ribërë, po duhet
lartësuar duke shtuar në ngrehinën e saj gurë të rinj.
Jemi të bindur që kjo nismë e M. Elezit e ka zanafillën në Prishtinë. I frymëzuar nga
pohimi i Ismajlit se ajo që “flasim në Kosovë…, në shoqëri, në familje, në situata
formale, më shpesh gjysmëformale, nuk është e folmja lokale e akëcilit prej nesh… por
thjesht një gegërishte relativisht e standardizuar”, edhe Elezi sheh një gegërishte të
standardizuar. Po çdo shqiptar e di se “gegërishtja relativisht e standardizuar” që flitet
në Kosovë, është e ndryshme nga ajo që flitet në Shkodër apo në Tiranë, pra i bie të
kemi disa gegërishte të standardizuara.
Edhe nxitja për botimin e drejtshkrimit të 1964-ës është e R. Ismajlit, të cilin M. Elezi e
falënderon që i “ofroi bujarisht botime me shumë vlerë të Akademisë së Shkencave dhe
të Arteve të Kosovës”. Ndër këto botime të ofruara “bujarisht” duhet të jetë patjetër
edhe libri i Ismajlit “Drejtshkrimet e shqipes” (Prishtinë, 2005), në pjesën e fundit të të
cilit gjenden tekstet e plota të ortografive të shqipes të botuara në Tiranë e Prishtinë,
ndër to edhe “Ortografija e gjuhës shqipe” e Prishtinës e vitit 1964 (në f. 321–356).
Besojmë fort edhe se materialet e ofruara bujarisht kanë qenë në formë elektronike,
sepse M. Elezi, si njeri që është marrë shumë me punët e gjuhës, nuk kishte pse të priste
për ta marrë nga Ismajli këtë libër të botuar 16 vjet më parë.
Nga kjo sipërmarrje M. Elezi del dyfish i fituar: shpalos edhe njëherë qëndrimin e vet
kundër gjuhës së përbashkët letrare, duke ngrohur zemrat e ca gegocentristëve, po ngroh
edhe xhepin, sepse siguron të ardhura nga shitja e librit (që kushton 1000 lekë të rinj) e,
ndoshta, edhe nga botuesi qesemadh, që jo njëherë është përzier në punë përçarëse në
lidhje me gjuhën.
Janë të njohura teoritë e R. Ismajlit për policentrizmin gjuhësor, dmth. për dy a tri gjuhë
standarde sipas modelit të ish-Jugosllavisë, sulmet e tij ndaj Konsultës së Prishtinës dhe
Kongresit të Drejtshkrimit, përpjekjet për të devijuar punën e Këshillit Ndërakademik
dhe për të marrë de facto në dorë drejtimin e tij, duke përjashtuar, me miratimin e
syleshëve të atëhershëm të Akademisë sonë të Shkencave, anëtarët e Këshillit që iu
kundërvunë përpjekjeve për ndryshimin e bazës së gjuhës standarde. Është kontributi i
tij dhe i beniaminëve që futi në Këshill për të përmbysur raportin e forcave, arsyeja pse
projekti ndërakademik pati një fund të turpshëm, duke u kritikuar ashpër nga
intelektualët më të shquar të trojeve shqiptare, gjuhëtarë e letrarë, dhe nga institucione
gjuhësore në Shqipëri e Kosovë.
Pasi ka dështuar në orvatjet e tij, ky akademik po bën edhe një përpjekje tjetër nën
rrogoz për t’ia arritur qëllimit përçarës dhe këtë kësaj radhe e bën me një ushtar tjetër.
Po, meqenëse në Prishtinë nuk e boton dot, se do të quhej vjedhje e pronësisë
intelektuale, gjen Shqipërinë, ku hyn derri e dosa e s’merret vesh. Pra, M. Elezi është
guri i hobesë me të cilën akademiku Ismajli vijon të qëllojë që nga Prishtina gjuhën
standarde.
Publikimi pas 61 vjetësh i Ortografisë së Prishtinës nuk është tjetër veçse një luftë
donkishoteske e ngasësit R. Ismajli dhe e dorasit M. Elezi për të përçarë gjuhësisht
shqiptarët. Përpjekjet e këtyre njerëzve me mendësi të kohës së pashallëqeve për ta
kthyer prapa rrotën e historisë do të dështojnë, siç kanë dështuar deri tani.
Mirëpo pa dëm ato nuk janë. Ato kanë cenuar rëndë punën e shkollës, duke e zbehur
kujdesin e saj për mësimin e shqipes standarde sidomos në Kosovë. Pasojat e kësaj
duken në ligjërimin e ngushtë krahinor të brezit të ri të atjeshëm, që e ndeshim në
shkrimet e tyre në faqet e internetit, në tekstet e këngëve pa kurrfarë gramatike të
këngëtarëve të rinj, të cilat duan përkthyes për t’u kuptuar, dhe e dëgjojmë në emisione
televizive nga të rinj kosovarë.
Më në fund, botimi i “Ortografisë” së Prishtinës ngre edhe një problem etik: M. Elezi
siguron të ardhura duke shitur një libër ku ka të vetën vetëm një të pestën. Por publikimi
i këtij libri mendojmë se ngre edhe një problem ligjor. “Ortografija e gjuhës shqipe” nuk
është pronë letrare e Akademisë kosovare të Shkencave dhe të Arteve, as e R. Ismajlit,
po e Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe e komisionit hartues, prandaj botimi i saj pa
lejen e kësaj Ministrie përbën shkelje të së drejtës së autorit. Nuk dimë a është në dijeni
për këtë botim kjo Ministri, po një reagim i saj për këtë çështje do të ishte i nevojshëm
për shqiptarët andej dhe këndej kufirit.
