Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Raportimi i Neue Zürcher Zeitung (NZZ) mbi një gjoja “takim të fshehtë” mes zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe një përfaqësuesi të lartë serb në Solothurn ofron një rast studimor domethënës për mënyrën se si kornizimi mediatik mund të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin publik të proceseve diplomatike. Ky vështrim pretendon të analizojë kontradiktat brenda vetë raportimit të NZZ-së, tranzicionin nga një narrativë insinuative drejt një sqarimi faktik, si dhe pasojat politike që mbeten edhe pas korrigjimit editorial.
1. Nga raportimi në narrativë politike
Në hapësirën ballkanike, diplomacia shpesh perceptohet jo si proces teknik i menaxhimit të konflikteve, por si terren i dyshimeve dhe konspiracioneve. Media ndërkombëtare, përfshirë edhe ato me reputacion të lartë, nuk janë gjithmonë imune ndaj kësaj logjike. Rasti i raportimit të Neue Zürcher Zeitung mbi një takim të supozuar “të fshehtë” në Solothurn mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë ilustron se si një kornizë narrative e ndërtuar mbi dyshim mund të prodhojë efekte politike që tejkalojnë faktet fillestare.
NZZ, si një nga gazetat më autoritative të hapësirës gjermanofolëse, gëzon një kapital të lartë besueshmërie. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si ajo e ndërtoi këtë histori meriton vëmendje të veçantë analitike.
2. Faza e parë e raportimit: insinuata si kornizë interpretimi
Në raportimet fillestare,[1] NZZ sugjeroi se në Zvicër po zhvilloheshin kontakte “joformale” dhe “jo transparente” mes zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar përshtypjen e një kanali paralel diplomatik jashtë kornizave të njohura institucionale. Edhe pse në aspektin teknik gjuha e përdorur ishte e kujdesshme dhe e mbështetur në burime të paemërtuara, struktura diskursive e tekstit i shtynte lexuesit drejt një përfundimi të qartë: se bëhej fjalë për një proces të dyshimtë, potencialisht problematik nga pikëpamja e transparencës demokratike.
Kjo është një praktikë e njohur në studimet e komunikimit politik si framing by implication – një kornizim ku media nuk pohon drejtpërdrejt diçka, por e sugjeron atë përmes zgjedhjes së fjalorit, kontekstit dhe renditjes së informacionit.
3. Faza e dytë: korrigjimi faktik dhe përgënjeshtrimi implicit
Në raportimet dhe sqarimet e mëvonshme, vetë NZZ pranoi elementin kyç që relativizonte narrativën fillestare: takimet në Solothurn nuk ishin të fshehta, as të improvizuara, por pjesë e një formati diplomatik të njohur, të organizuar dhe të ndërmjetësuar nga diplomacia zvicerane. Në terminologjinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, bëhej fjalë për atë që quhet track 1.5 diplomacy – një ndërmjetësim institucional i dialogut joformal, praktikë e zakonshme në konfliktet e ngrira ose të menaxhuara.
Në këtë pikë, NZZ në mënyrë implicite e përgënjeshtroi veten: ajo që më herët u ndërtua si “takim i fshehtë” u ripozicionua si proces diplomatik i strukturuar. Megjithatë, korrigjimi erdhi pa një reflektim të thellë editorial mbi efektet e raportimit të parë, duke e lënë të hapur hendekun mes faktit të sqaruar dhe perceptimit publik tashmë të kristalizuar.
4. Paradoksi i korrigjimit: kur faktet vijnë vonë
Nga perspektiva e teorisë së komunikimit politik, ky rast ilustron qartë fenomenin e asymmetry of influence [asimetria e ndikimit]: raportimi i parë ka peshë disproporcionale në formësimin e opinionit publik, ndërsa korrigjimet e mëvonshme, sado të sakta, rrallë arrijnë të prodhojnë të njëjtin efekt.
Në kontekstin kosovar, ku çështja e dialogut me Serbinë është tejet e politizuar, kjo asimetri bëhet edhe më problematike. Narrativa e “takimeve të fshehta” përforcon një diskurs të vjetër të mosbesimit ndaj elitave politike dhe ndaj vetë idesë së diplomacisë si mjet racional i zgjidhjes së konflikteve. Në këtë kurth, për fat të keq, ranë jo vetëm një lagje e medias e predisponua të shfrytëzoj çdo “lajm” a “raport” kundër Qeverisë Kurti, por edhe figura jo pak të njohura për kontributin që kanë dhënë në dobi të lirisë.
5. Media si aktor politik: nga pasqyrë në arkitekt
Rasti i NZZ-së , e njohur si përfaqësuese e neoliberalëve dhe qarqeve të fuqishme financiare jo vetëm në CH, tregon se media ndërkombëtare nuk është thjesht pasqyrë e realitetit diplomatik, por shpesh shndërrohet në aktor normativ, që përmes kornizimit të ngjarjeve ndërton standarde të caktuara interpretimi. Kur diplomacia në Ballkan paraqitet kryesisht përmes prizmit të dyshimit dhe konspiracionit, krijohet një mjedis diskursiv ku çdo kontakt politik shihet apriori si kompromis i dyshimtë. Në këtë linjë vazhdon më tj ta thellojë këtë kurs mediatik një media e re në Kosovë, VOX Kosova, duke publikuar foto të dy politikaneve që ecin krah njëra – tjetrës në një rrugë të qytetit të vogël të CH – Solothurn.
Kjo qasje nuk e ndihmon as transparencën reale, as stabilitetin rajonal. Përkundrazi, ajo prodhon një cikël vetëpërmbushës:
– diplomacia paraqitet si e errët;
– publiku bëhet më skeptik;
– politika reagon në mënyrë defensive;
– dhe kështu përforcohet perceptimi fillestar i errësirës.
6. Përfundim: përtej gabimit editorial
Çështja këtu nuk është thjesht nëse NZZ gaboi dhe më pas e korrigjoi veten. Në një kuptim formal, kjo ndodhi. Problemi thelbësor është se narrativa e parë mbijetoi korrigjimin dhe vazhdoi të jetojë në diskursin politik të Kosovës dhe rajonit.
Rasti i Solothurnit duhet lexuar si një paralajmërim për raportimin ndërkombëtar mbi Ballkanin: kur gazetaria serioze i nënshtrohet tundimit të dramatizimit, respektivisht rreshtimit me çdo kusht kundër të majtës progresive kudo e kurdo, ajo rrezikon të bëhet pjesë e problemit që pretendon ta analizojë. Diplomacia, sidomos në kontekste të brishta, kërkon qartësi konceptuale dhe ndjeshmëri diskursive – jo thjesht korrektësi faktike të vonuar.
Në fund, korrigjimi është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Por këtë korrigjim e bën NZZ si gazetë prestigjioze, por jo edhe ajo lagje mediash në Prishtinë e Tiranë që mbanë në jetë oligarkia shqiptare apatride.
Që nga formimi i Qeverisë Kurti II, dhe tani edhe në pragun e asaj që do të dalë nga zgjdhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 – Kurti III, në hapësirën publike shqiptare është kristalizuar një përplasje strukturore që shkon përtej cikleve zgjedhore: ajo ndërmjet një projekti qeverisës që synon rivendosjen e sovranitetit funksional të shtetit dhe një klase ekonomike që operon sipas logjikës së kapitalit pa atdhe. Këta oligarkë “apatridë”, të integruar më shumë në rrjete transnacionale sesa në ekonominë kombëtare, me një fuqi mediatike të pashembullt në historinë e medias sonë, e shohin çdo përpjekje për rregullim institucional, transparencë fiskale dhe sundim të ligjit si kërcënim ekzistencial për modelin e tyre të akumulimit.
Në këtë kuptim, konflikti me qeveritë Kurti nuk është as personal dhe as episodik; ai është struktural. Ai pasqyron përplasjen mes dy racionaliteteve politike: njërit që synon shtetin si instrument të interesit publik dhe tjetrit që e trajton shtetin si pengesë për interesin privat.
Ajo që kërkohet është një reflektim më i thellë mbi përgjegjësinë narrative të mediave të mëdha, sepse në politikën ndërkombëtare, shpeshherë jo faktet, por mënyra se si ato tregohen, e formësojnë realitetin.
____________________________
1. https://www.nzz.ch/schweiz/solothurn-statt-genf-die-schweiz-vermittelt-zwischen-kosovo-und-serbien-ld.1918220?fbclid=IwY2xjawPMU-JleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFNblZEQUVNTTFvUEVsVkxMc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHjRmhya0QC0JB70uz1OQ_Av4Lwat20NkC1QiYhDRZU21L18ReP2e9HBR3DOP_aem_nobU36DV2-7ekVGedQOAyQ
