Me dy seanca të njëpasnjëshme të mërkurën (11.02.2026) në mbrëmje, u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe u formua qeveria e re me kryeministër Albin Kurti. Qeveria e re do të ketë 19 ministri.
Kuvendi i Kosovës me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim, zgjodhi qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin. Kurti mori mandatin e dytë të plotë katërvjeçar si kryeministër i Kosovës, pasi në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025, partia të cilën ai e drejton, Lëvizja Vetëvendosje, mori mbi 51% të votave. Qeveria e re e Kurtit do të ketë 19 ministri. Albin Kurti, duke paraqitur prioritetet e qeverisë së tij të re, ekspozenë e nisi me zhvillimet në Gjykatën Speciale,duke thënë se “propozimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim të ish-krerëve të UÇK-së me nga 45 vjet burgim, bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës”.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës që unë drejtoj mbetet i qartë, në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare, ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm”, tha Kurti. Ai prezantoi më pas edhe prioritetet kryesore të kabinetit të ardhshëm qeveritar, duke premtuar investime të mëdha në energji të ripërtëritshme dhe burime ujore, zhvillim të industrisë së prodhimit në Kosovë, mbështetje për punësimin e grave, rritje të pagës minimale në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe investime të mëdha në fushën e mbrojtjes që kap shifrën e mbi një miliard eurosh.
Raportet me Serbinë
Kurti foli edhe për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke kërkuar dialog konstruktiv. “Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do ta ndjekim përmes dialogut konstruktiv, marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve si raport i jashtëm, e jo ndërhyrje në çështje të brendshme”, tha Kurti.Në qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, serbët e Kosovës përfshihen përmes Nenad Rashiq, por jo nga përfaqësuesit e Listës Srpska, që ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës. Sllavko Simiq, nga Lista Srpska, tha se “në qeverinë e Kosovës, është një ministër serb, por që nuk përfaqëson shumicën e serbëve të Kosovës”.
Para formimit të qeverisë së re të Kosovës, fillimisht u mbajt seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku u zgjodh kryetarja Albulena Haxhiu dhe kryesia e Kuvendit. Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetare Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia më e madhe që fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje. Zonja Haxhiu mori 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenuan. Në seancën konstituive, e cila u mbajt një muaj e gjysmë pas përfundimit të zgjedhjeve, kuvendi zgjodhi edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe përfaqësuesin e Listës Srpska. Nënkryetarët janë Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Emillija Rexhepi dhe Sllavko Simiq. Për këtë të fundit dhe nënkryetarët tjerë shqiptarë dhe të pakicave jo serbe kishte një marrëveshje politike që të gjithë nënkryetarët të votohen në pako, në mënyrë që mos të ketë më vonesa eventuale të konstituimit të kuvendit. Gjatë vitit të shkuar, pikërisht çështja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb solli bllokada, pasi shumica e deputetëve shqiptarë refuzonte votimin e kandidatëve të propozuar nga Lista Serbe.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë së re me kryeministër Albin Kurti, hapet rruga për zgjedhjen edhe të presidentes apo presidentit të vendit, afati i fundit për këtë votim në parlament është 4 marsi. Presidentja aktuale Vjosa Osmanika mandat deri më 4 prill dhe sipas Kushtetutës, presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date. Vjosa Osmani tashmë është deklaruar se dëshiron edhe një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit, por tash për tash, ende nuk dihet nëse arrin të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në rast se deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti, vendi, sipas Kushtetutës, automatikisht shkon në zgjedhje të reja. [DW]
Përbërja e qeverisë së re
Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti do të ketë 19 dikastere qeveritare, tri më shumë sesa në mandatin e kaluar.
Përbërja qeveritare:
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka
Ministër i Financave, Hekuran Murati
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
