Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka përdorur mjete të inteligjencës artificiale (AI) në luftën e vazhdueshme kundër Iranit. Megjithatë, bashkëpunimi i Pentagonit me kompanitë teknologjike daton prej dekadash.
Nga Korab BLAKAJ
Ushtria amerikane konfirmoi të mërkurën përdorimin e disa mjeteve të inteligjencës artificiale në luftën e vazhdueshme SHBA–Izrael kundër Iranit. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë kur ushtria amerikane mbështetet te kompanitë teknologjike. Për dekada me radhë, kompani të teknologjisë dhe universitete kanë bashkëpunuar me ushtrinë amerikane në zhvillimin e armëve. Për shembull, interneti komercial e ka origjinën në një projekt të financuar nga ushtria amerikane, të quajtur ARPANET, i cili synonte të siguronte komunikim të mbrojtur gjatë Luftës së Ftohtë.
Në këtë shpjegues shohim se si Pentagoni ka bashkëpunuar historikisht me firmat teknologjike dhe si kompanitë e mëdha të teknologjisë (Big Tech), si Google, Amazon, Microsoft, Meta dhe Palantir, janë bërë gjithnjë e më shumë pjesë integrale e sistemit ushtarak amerikan.
Si po e përdor SHBA-ja inteligjencën artificiale në luftën kundër Iranit?
Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), deklaroi në një video mesazh : “Luftëtarët tanë po përdorin një sërë mjetesh të avancuara të inteligjencës artificiale. Këto sisteme na ndihmojnë të analizojmë sasi të mëdha të dhënash brenda sekondash, në mënyrë që udhëheqësit tanë të shmangin ‘zhurmën’ e informacionit dhe të marrin vendime më të zgjuara e më të shpejta se kundërshtari.”
Për përdorim ushtarak dhe mbrojtës, mjetet e AI – si modelet e mëdha gjuhësore (LLM) – mund të përmbledhin sasi të mëdha teksti, të analizojnë të dhëna, të përkthejnë, të transkriptojnë dhe të hartojnë dokumente apo memorandume. Në teori, ato mund të përdoren edhe për të mbështetur sisteme autonome ose gjysmëautonome të armëve, të cilat mund të identifikojnë dhe godasin objektiva pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë njerëzore.
Megjithatë, shumica e kompanive të inteligjencës artificiale kanë vendosur kufizime që e ndalojnë një përdorim të tillë.
“Njerëzit do të marrin gjithmonë vendimet përfundimtare se mbi çfarë të qëllohet dhe mbi çfarë jo, si dhe kur të qëllohet. Por mjetet e avancuara të AI mund t’i shndërrojnë procese që dikur zgjatnin orë, madje edhe ditë, në vetëm pak sekonda”, tha Cooper.
Ushtria amerikane përdori modelin “Claude” të kompanisë Anthropic në operacionet për rrëmbimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro më 3 janar, pavarësisht se politika e përdorimit e kësaj kompanie e ndalon përdorimin e tij për mbikëqyrje, zhvillim armësh ose “nxitje të dhunës”.
Media amerikane ka raportuar gjithashtu se Anthropic është partnerizuar me Palantir Technologies, mjetet e së cilës përdoren nga Departamenti i Mbrojtjes dhe nga agjencitë federale të zbatimit të ligjit.
Anthropic u vendos në listën e zezë nga Pentagoni pasi refuzoi kërkesën për të hequr mekanizmat mbrojtës të AI, të cilët parandalojnë përdorimin e teknologjisë së saj për mbikëqyrje të brendshme në SHBA dhe për programimin e armëve autonome.
Organizata e punonjësve shëndetësorë me seli në Mbretërinë e Bashkuar, Medact, ka kundërshtuar gjithashtu kompaninë Palantir, e cila është ngarkuar me ndërtimin e Platformës së të Dhënave të Federuara (FDP) për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS) në Angli. Palantir është kritikuar për furnizimin me produkte dhe shërbime të inteligjencës artificiale për ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës izraelite gjatë luftës së vazhdueshme në Gaza, të cilën shumë studiues dhe aktivistë e cilësojnë si gjenocid.
Në fillim të këtij muaji, kompania mëmë e ChatGPT, OpenAI, ndryshoi marrëveshjen e saj me qeverinë amerikane për të ndaluar shprehimisht përdorimin e teknologjisë së saj për përgjimin e qytetarëve amerikanë, pas reagimeve kritike publike.
A është ushtria amerikane e vetmja që vepron kështu?
Me përparimin e shpejtë të inteligjencës artificiale, janë shtuar shqetësimet për përdorimin e saj nga ushtritë në konfliktet e armatosura.
Raporte të shumta kanë konfirmuar se Izraeli është mbështetur gjerësisht te AI gjatë luftës në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 72 000 palestinezë që nga tetori i vitit 2023 dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit.
Në korrik 2025, Francesca Albanese, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, publikoi një raport ku listoheshin korporatat që ndihmonin Izraelin në zhvendosjen e palestinezëve dhe në operacionet ushtarake në Gaza, në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Palantir ishte një nga kompanitë e përmendura në raport.
Si e ka përdorur ushtria amerikane teknologjinë ndër dekada?
Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939–1945), kompania amerikane IBM prodhoi llogaritës elektromagnetikë me shpejtësi të lartë për ushtrinë. Ushtria i përdori këta llogaritës për të përllogaritur trajektoret balistike, duke shënuar një nga shembujt e hershëm të automatizimit të matematikës së fushëbetejës.
Shumë teknologji që sot përdoren gjerësisht u krijuan fillimisht për qëllime ushtarake. Një shembull është Sistemi Global i Pozicionimit (GPS), i cili mbështetet në një rrjet satelitësh dhe marrësish. Teknologjia u zhvillua nga ushtria amerikane në vitet 1970 për të mundësuar bombardime më precize. Satelitët e parë u lëshuan në vitet 1980 dhe sistemi u testua për herë të parë gjatë Luftës së Gjirit në vitet 1990–1991.
Në kulmin e garës hapësinore me ish-Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, Departamenti i Mbrojtjes themeloi në vitin 1958 Agjencinë e Projekteve të Kërkimit të Avancuar (ARPA). Në vitin 1962, një shkencëtar i kësaj agjencie propozoi krijimin e një rrjeti kompjuterësh që mund të komunikonin me njëri-tjetrin.
Gjithashtu gjatë Luftës së Vietnamit dhe periudhës së Luftës së Ftohtë, kompanitë e hershme të Silicon Valley, si Fairchild Semiconductor dhe Hewlett-Packard (HP), u mbështetën në kontrata me NASA-n dhe Pentagonin për zhvillimin e radarëve, sistemeve të drejtimit të raketave dhe pajisjeve të komunikimit.
CIA mbështeti një fond sipërmarrjeje që çoi në zhvillimin e kompanisë Palantir rreth vitit 2003. Softueri i saj “Gotham” u bë një mjet kyç për forcat amerikane në Irak dhe Afganistan. Ky sistem përpunon sasi të mëdha të dhënash – si pamje mbikëqyrjeje – dhe i kthen ato në baza të dhënash të kërkueshme.
Në vitin 2017, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së nisi Projektin Maven, duke përdorur inteligjencën artificiale të Google për të automatizuar analizën e imazheve të marra nga dronët dhe satelitët.
Në vitin 2021, ushtria amerikane bashkëpunoi me Microsoft për zhvillimin e sistemit IVAS, një kufje inteligjente që synon të përmirësojë ndërgjegjësimin situacional të ushtarëve dhe të rrisë sigurinë e tyre në terren.
Si pjesë e kontratës së Pentagonit “Joint Warfighting Cloud Capability”, Amazon Web Services menaxhon infrastrukturën e sigurt “cloud” për forcat amerikane, duke mbështetur gjithçka – nga sistemet logjistike deri te ngarkesat e punës së inteligjencës artificiale – në rrjete të klasifikuara, sekrete dhe tepër sekrete.
Në vitin 2022, kompania SpaceX e miliarderit Elon Musk zhvilloi Starshield, një rrjet satelitor të dedikuar për spiunazh dhe përdorim ushtarak.
