Oferta e Zelenskyt për të ndihmuar SHBA-në kishte të bënte me teknologjinë e dronëve dhe e sulmon atë për mosarritjen e marrëveshjes me Putinin.
Trump fajëson sërish presidentin e Ukrainës për zgjatjen e luftës duke refuzuar pranimin e kërkesave të Rusisë
Nga John Bowden / Washington, D.C.
E hënë, 16 mars 2026
Donald Trump bëri të qartë se mënia e tij personale ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk është zbutur gjatë një interviste telefonike me NBC News.
Duke folur me moderatoren e “Meet the Press”, Kristen Welker, të shtunën, presidenti kritikoi Zelenskyn për ofrimin e asistencës ndaj SHBA-së dhe vendeve të Lindjes së Mesme, për këto të fundit presidenti ukrainas tha të premten se po kërkonin ndihmën e tij në ndarjen e teknologjisë për diktimin e dronëve.
“Personi i fundit nga i cili na nevojitet ndihmë është Zelensky,” i tha Trump Welker-it.
Irani vazhdon të bombardojë vendet fqinje me sulme me dronë dhe raketa, duke shënjestruar asetet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa lufta ka hyrë në javën e saj të tretë. Administrata Trump ka shpallur vazhdimisht fitoren, ndërkohë që SHBA dhe Izraeli kanë vijuar lëshimin e sulmeve ditët e fundit. Forcat iraniane, si përgjigje, kanë mbyllur kryesisht Ngushticën e Hormuzit, duke bllokuar trafikun global të anijeve.
Zgjatja e konfliktit kërcënon të bëhet pika qendrore e vitit të dytë të Trumpit në detyrë, ndërsa republikanët, përfshirë disa brenda administratës së tij, po i bëjnë thirrje presidentit të gjejë një rrugëdalje dhe të përfundojë luftën përpara se efektet mbi ekonominë amerikane të përkeqësohen më tej. Demokratët vazhdojnë ta kritikojnë luftën si të paligjshme, edhe pse disa anëtarë konservatorë të partisë kanë sinjalizuar mbështetje për qëllimet e saj.
Trump dhe udhëheqësi ukrainas kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të vështirë për shkak të afërsisë së perceptuar të Zelenskyt me ish-presidentin Joe Biden dhe refuzimit të Zelenskyt për të ndihmuar administratën e parë Trump në përpjekjet për të njollosur emrin e Bidenit, si pjesë e një përpjekjeje për të sabotuar fushatën zgjedhore të tij në vitin 2020.
Presidenti humbi ndaj kundërshtarit të tij demokrat atë vit, dhe ky episod çoi në të parin nga dy proceset e tij të shkarkimit (impeachment) nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Ajo marrëdhënie shpërtheu në fillim të vitit të kaluar, kur presidenti dhe zëvendëspresidenti JD Vance duket se inskenuan një përplasje me udhëheqësin ukrainas në Shtëpinë e Bardhë. Të dy e fajësuan atë se po luante bixhoz me “Luftën e Tretë Botërore”, ndërsa biseda degjeneroi në një debat me bërtitje para kamerave që shtangu gazetarët në dhomë.
Të shtunën, Trump i tha NBC News se Zelensky mbetet pengesa që parandalon arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes vendit të tij dhe Rusisë, të cilat janë në luftë aktive prej katër vitesh. Zyrtarët e administratës Trump ndoqën një marrëveshje paqeje vitin e kaluar dhe pretenduan se ajo ishte afër, por përpjekjet nuk duket se sollën asgjë.
“Jam i befshuar që Zelensky nuk dëshiron të bëjë marrëveshje. Thuajini Zelenskyt të bëjë marrëveshje sepse Putini është i vullnetshëm për të bërë marrëveshje,” tha Trump, duke përsëritur besimin e tij të hershëm se Vladimir Putini i Rusisë është kundër luftës që ai vetë nisi në Ukrainë.
“Me Zelenskyn është shumë më e vështirë të bësh marrëveshje,” vazhdoi presidenti i SHBA-së.
Trump dhe ekipi i tij e panë Ukrainën me frustrim vitin e kaluar, pasi konflikti atje u rezistoi me kokëfortësi tentativave të tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje, pjesë e fushatës publike të presidentit për Çmimin Nobel për Paqe. Ndër pikat e mosmarrëveshjes që e mbajnë marrëveshjen jashtë arritjes, sipas raporteve të lajmeve, përfshihen kërkesa e Rusisë që Ukraina të qëndrojë jashtë NATO-s dhe të mos lidhet me asnjë forcë sigurie evropiane, si dhe pretendimet territoriale të Moskës. Një pjesë e territorit të kërkuar nga negociatorët rusë aktualisht mbahet e pushtuar nga trupat ukrainase.
Presidenti amerikan, herë pas here, i ka cilësuar ato kërkesa territoriale në veçanti si çmime për të cilat ushtarët rusë kishin sakrifikuar.
“Epo, ai do të marrë diçka,” i tha Trump Maria Bartiromo-s së Fox vitin e kaluar. “Dua të them, ata luftuan dhe… ai ka shumë prona. Dua të them, e dini, ai ka fituar disa prona, nëse mund ta thuash kështu, ai ka fituar disa prona.”
Ukraina, nën udhëheqjen e Zelenskyt, ka refuzuar idenë e dorëzimit të çdo toke që forcat e saj mbajnë ndaj kërkesave ruse si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. [Përktheu: Dan GASHI]
