Nga Nga Mahmud Ibrahimi / Sociolog dhe politolog
ish-ambasador
Ka një të vërtetë në Maqedoninë e Veriut që të gjithë e dinë, por pak kush ka guxim ta thotë hapur: një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk identifikohen emocionalisht as me shtetin, as me simbolet e tij, as me narrativën zyrtare që ky shtet ka ndërtuar për veten. Ata jetojnë këtu, punojnë, paguajnë taksa dhe kontribuojnë në çdo qelizë të jetës publike. Por, kur vjen puna te flamuri, himni dhe identiteti politik i shtetit, shumë shqiptarë nuk ndihen bashkëpronarë. Ata janë të pranishëm juridikisht, por shpesh të përjashtuar emocionalisht. Ky problem nuk është zgjidhur kurrë. Përkundrazi, është mbuluar me patriotizëm të rremë, me marrëveshje politike dhe me pazare pushteti që më shumë kanë shërbyer për ndarje funksionesh sesa për ndërtimin e një shteti të përbashkët.
Kur Parlamenti nuk i rregullon çështjet themelore me zgjidhje kushtetuese dhe institucionale, por lejon miratimin e ligjeve që vetëm i arnojnë problemet deri në krizën e radhës, atëherë politika e humb seriozitetin. Çdo herë përsëritet e njëjta melodi: ligje të kontestuara, vendime të Gjykatës Kushtetuese, akuza të ndërsjella dhe garë nacionalizmi. Kjo nuk është shtetformim; është teatër politik.
Gjuha shqipe, fantazmat e së kaluarës dhe një problem më i thellë
Në krye të herës duhet theksuar ajo që duket haptas: qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut, e dominuar nga VMRO-ja, e ka ashpërsuar klimën politike në vend. Tensionet ndëretnike, prej vitesh, nuk kanë qenë kaq të larta. Është bërë normale ajo që nuk duhet të ishte normale: fushata kundër shqiptarëve, sidomos në rrjetet sociale.
Thirrjet për dhunë ndaj shqiptarëve janë shpeshtuar. Qeveria hesht ndaj kësaj gjuhe. Heshtin edhe institucionet e tjera. Heshtin intelektualët. Heshtin, me ndonjë përjashtim, edhe aktivistët maqedonas të shoqërisë civile. Një shtet që hesht para gjuhës së urrejtjes nuk është shtet i fortë; është shtet që i trembet të vërtetës së vet.
Në Europën e sotme është e paimagjinueshme që studentët të studiojnë katër vjet në gjuhën e tyre dhe, në fund, për provimin final të jurisprudencës, t’u thuhet se duhet ta japin provimin në një gjuhë tjetër. Në këtë rast, në gjuhën maqedonase. Ky nuk është vetëm problem administrativ. Është problem dinjiteti, barazie dhe besimi në shtet.
Ka dy vjet që studentët shqiptarë po luftojnë kundër kësaj padrejtësie, pa përkrahjen e duhur politike. Qeveria aktuale maqedonase po përpiqet ta zhvlerësojë atë që është arritur në çerekshekullin e fundit në avancimin e gjuhës shqipe. Pas protestës së fundit, njëri nga krerët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, deklaroi publikisht se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe. Ky është një premtim i madh dhe opinioni duhet ta mbajë përgjegjës për realizimin e tij. Një politikan duhet të matet me nivelin e përmbushjes së premtimeve të veta, jo me aftësinë për t’i paketuar dështimet si suksese.
Ligji për gjuhët dhe politika e arnimëve
Realiteti në Maqedoninë e Veriut është edhe ky: shqipja po hiqet nga tabelat e rrugëve nacionale. Ka përpjekje për ta hequr atë edhe nga vulat, ndonëse ligji për gjuhët, i hyrë në fuqi në vitin 2019, e ka lejuar përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në Parlament, në Qeveri, në gjykata, në ndërmarrje publike dhe në të gjitha komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë. Formulimi “20 për qind” u përdor për të shmangur përmendjen e drejtpërdrejtë të gjuhës shqipe, sikur emri i saj të ishte problem politik dhe jo realitet historik, kulturor e shoqëror i këtij vendi. Pse u pengon nacionalistëve maqedonas kaq shumë gjuha shqipe? Pse politikanët shqiptarë e kanë pranuar këtë formulim? Pse çështja e provimit të jurisprudencës nuk është zgjidhur deri më tani? Qeveria e tanishme dhe partnerët e saj shqiptarë mund dhe duhet të kritikohen për këtë neglizhencë. Por, për të qenë korrekt, duhet thënë se problemin me provimin e jurisprudencës nuk e ka zgjidhur as BDI-ja sa ishte në pushtet. Dhe ajo nuk ishte në pushtet disa muaj apo disa vjet, por mbi dy dekada. Nëse qëllimi final i qeverisë aktuale maqedonase është minimi i Marrëveshjes së Ohrit, atëherë ky vend mund të rrëshqasë drejt krizave më të thella. Tashmë është hequr mekanizmi që siguronte kuota punësimi për shqiptarët në institucionet shtetërore. Në javët në vijim pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për disa pjesë të ligjit për gjuhët. Kjo nuk është çështje teknike. Është çështje e rendit kushtetues, e barazisë dhe e stabilitetit afatgjatë të vendit.
Kryeministri maqedonas dhe partia e tij duhet ta kuptojnë një fakt thelbësor: shqiptarët janë ndër të paktët që nuk e mohojnë identitetin maqedonas. Një bullgar mund të ketë problem me gjuhën maqedonase dhe ta quajë dialekt bullgar. Ka serbë që Maqedoninë e shohin si zgjatim të Serbisë. Por nuk ka politikan serioz shqiptar që e mohon identitetin nacional të maqedonasve. Prandaj shqiptarët nuk duhet të trajtohen si element i përkohshëm, si dekor statistikor apo si numër në kalkulimet elektorale. Ata janë qytetarë, taksapagues dhe bashkëpronarë të shtetit. Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s edhe me përkrahjen e shqiptarëve. Edhe përparimet e kufizuara drejt Bashkimit Europian janë meritë edhe e tyre.
Qeveria në Shkup mund ta ndryshojë kursin e gabuar vetëm nëse përballet me një reagim të organizuar, racional dhe dinjitoz të shqiptarëve, të mbështetur nga Prishtina dhe Tirana. Por edhe këtu kemi një problem: terreni shqiptar është i ndarë. Bajraktarët e Tiranës rreshtohen me një grup politik, bajraktarët e Prishtinës me grupin tjetër. Reagimi unik nuk duhet të nënkuptojë parulla folklorike; duhet të nënkuptojë strategji, argumente, institucion dhe veprim të koordinuar.
Servilizmi ndaj pushtetit dhe lypja e dinjitetit
Si politolog, ndiej një neveri të thellë kur shoh se sa poshtë ka rënë vlera e deputetit shqiptar, edhe kur lexojnë një tekst të përgatitur paraprakisht, duket se djersitin dhe tregojnë një nivel katastrofal të përfaqësimit. Një numër i konsiderueshëm nga ata që pretendojnë se kanë ndjekur studime të larta në profesione si mësues, mjekë apo hoxhallarë, janë tanimë ngjitur në politikë pa arritur të tregojnë asnjë sukses në fushat e tyre. Nuk e kuptoj se si mund të mendojnë se fatet e popullit dhe e ardhmja e shtetit varen prej tyre. Këta njerëz janë aq të dobët, saqë nuk i kalojnë dot standartet e adoleshentëve politikë. Kanë zero njohuri për politikën dhe, më e keqja, janë plot arrogancë, duke e çuar më tej përbuzjen ndaj popullit. Atëherë, çfarë janë realisht? Janë thjesht të pavlerë, pa asnjë kontribut, dhe para shefave të tyre, si Mickovski, janë thjesht figura që përfaqësojnë shqiptarët, por në të vërtetë nuk janë asgjë tjetër veçse “pleh” për kombin shqiptar. Poshtërimi më i madh për shqiptarët fillon pikërisht nga këta individë, të cilët, si pasqyra e politikës shqiptare, nuk kanë ndonjë ndryshim të vërtetë përballë popullit maqedonas. Ky ndryshk i perfaqsimit të shqiptarëve duhet të ndryshojë urgjentisht!
Institucioni i përfaqësimit është shndërruar shpesh në skenë mediokriteti, ku nuk mbizotëron as dija, as vizioni, as dinjiteti politik. Sot, secili dhe secila mendon se mund të bëjë politikë vetëm duke ngritur zërin, duke recituar akuza apo duke prodhuar mllef publik. Por politika nuk është britmë. Politika është dije, përgjegjësi, strategji dhe aftësi për të mbrojtur interesin kolektiv.
Është hipokrizi, ështe edhe qesharake kur sheh deputetë që mezi artikulojnë mendim politik, që e kuptojnë Kuvendin si skenë personale dhe jo si tempull të përfaqësimit qytetar. Akuzat, mllefi dhe hakmarrja ndaj kundërshtarit nuk mund ta zëvendësojnë vizionin shtetformues.
Këtu duhet bërë një dallim i qartë parimor. BDI-ja, si subjekt të cilit i takoj që nga fillimi dhe për të cilin ndihem krenar, kishte një thelb, një profil dhe një strukturë politike që solli ndryshime radikale në këtë shtet. Natyrisht, unë jam ndër të parët që e kritikoj me tonin më të ashpër për destruksionet, keqpërdorimet, klientelizmin dhe korrupsionin brenda saj. Por, pavarësisht dështimeve dhe mossukseseve, ajo mbajti një qëndrim politik. Kritikën ndaj “shtëpisë sime” politike e bëj nga dëshira për reflektim dhe korrigjim. Ajo që shohim sot te koalicioni VLEN është diçka tjetër: zbrazëti politike, servilizëm institucional dhe mungesë orientimi shtetformues.
Kur analizon sjelljen e disa liderëve të VLEN-it, vëren një garë të padenjë se kush do të duket më i afërt me Hristijan Mickoskin, kush do të dalë më pranë tij në fotografi dhe kush do ta paraqesë nënshtrimin si sukses politik. Të deklarosh me triumf se “kërkuam leje” për çështje elementare, apo se pas disa muajsh “do të lejohet” përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, nuk është sukses. Është kapitullim politik i paketuar si arritje.
Si diplomat, ndiej zhgënjim të thellë kur shoh se sa poshtë është sjellë niveli i përfaqësimit shqiptar. Dinjiteti nuk kërkohet me lutje. Të drejtat nuk merren me mirësinë e tjetrit. Në politikë dhe diplomaci vlejnë dija, strategjia dhe njohja e thellë e kundërshtarit politik. Pa këto, je i dështuar që në fillim. Prandaj shtrohet pyetja: kush është armiku më i madh i shqiptarëve? Pala maqedonase që mbron interesat e veta, apo përfaqësuesit shqiptarë që e kanë shndërruar politikën në akt lypësie?
Në vend që politikanët shqiptarë të marrin përgjegjësinë për dështimet e tyre, ata vazhdimisht hedhin fajin te oponentët politikë ose përpiqen të shfajsojnë veten dhe subjektin që përfaqësojnë. Një ministër duhet të jetë ai që zgjidh problemet, që ofron një orientim të qartë në politikë, jo të sillet si një i mjerë. Duhet të ketë guximin e sakrifikimit dhe të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Le të bëjë një apel shumë të thjeshtë: “Nëse ne nuk jemi në gjendje të zgjidhim problemet e shtetit, atëherë të bëjmë thirrje popullsisë shqiptare, që që nga sot të mos mësojmë e të mos flasim më maqedonisht, të bojkotojmë pagesat dhe kontributet ndaj këtij shteti, të tregojmë pasojat e rezistencës sonë derisa të vlerësojmë nëse ky shtet mund të funksionojë.” Kështu, duhet të pasivizojmë dhe të rezistojmë, të bojkotojmë, e jo të sillemi si sharlatane. Kjo është koha e duhur për veprim të vendosur dhe të qëndrueshëm!
Kriza demografike dhe ikja e shpresës
Në gjithë këtë debat të ngarkuar me emocione dhe retorikë apokaliptike, po harrohen problemet më të rënda. Vendbanimet shqiptare në Maqedoninë e Veriut po boshatisen. Nataliteti, si kudo në Ballkan, po bie. Njëkohësisht, vendi nuk është mjaftueshëm atraktiv për t’i mbajtur të rinjtë.
Keqqeverisja shumëvjeçare, korrupsioni dhe kriminaliteti po i prekin shoqëritë në palcë. Sipas analizave akademike mbi migrimin, përmasat e emigrimit nga Maqedonia e Veriut janë alarmante, veçanërisht te të rinjtë dhe të arsimuarit. Pagat e ulëta, mungesa e sigurisë juridike, kushtet e dobëta të punës dhe mungesa e perspektivës i shtyjnë njerëzit të largohen nga vendi. Me këtë trend, rreziku është i qartë: në Maqedoninë e Veriut mund të mbeten vetëm politikanët, klientela e tyre dhe ata që nuk kanë mundësi të largohen. Ky është dështim kombëtar, shoqëror dhe shtetëror.
Politikanët flasin vazhdimisht për kthimin e diasporës. Por diaspora nuk kthehet me thirrje boshe, me fotografi aeroportesh apo me fjalime festive. Ajo kthehet kur ka drejtësi, meritokraci, siguri juridike, administratë funksionale dhe ekonomi reale. Diaspora shqiptare sot është më e informuar se kurrë. Ajo e sheh qartë se ky vend nuk vuan nga mungesa e resurseve, por nga mungesa brutale e vizionit, përgjegjësisë dhe ndershmërisë politike. Është hipokrizi të flitet për patriotizëm ndërsa vendi zbrazet. Është hipokrizi të flitet për të drejta kombëtare ndërsa njerëzit nuk kanë punë, nuk kanë shëndetësi cilësore, nuk kanë drejtësi dhe nuk kanë dinjitet. Stabiliteti nuk ndërtohet me gënjeshtra, as me komente të paguara në rrjete sociale, as me liderë që e shohin shtetin si pronë private.
Kur feja mbush boshllëkun e politikës së dështuar
Në këtë zbrazëti politike dhe ideologjike, feja po merr hov marramendës. Xhamitë ndërtohen shpesh pa plan, minaret ngrihen gjithnjë e më lart, në një konkurrencë absurde simbolike me kishat maqedonase. Ky fenomen nuk është thjesht fetar. Është politik, sociologjik dhe identitar. Kur politika dështon të prodhojë shpresë, kur arsimi dështon të prodhojë dije dhe kur shteti dështon të prodhojë drejtësi, boshllëkun e mbush feja, emocioni dhe simbolika. Niveli i vetëdijesimit qytetar është në pikën më të ulët. Mjafton de dikushi një telefon te kete me veti dhe shpalos portalet lokale apo kroniken e zeze te lajmeve, e të mendojë se është i informuar, ndërkohë që dija reale po shuhet. Feja nuk mund ta zëvendësojë kombin, as shtetin, as zhvillimin ekonomik. Por ajo po mbush hapësirën që ka lënë pas politika e dështuar dhe kriza e identitetit kolektiv. Shteti ka nevojë për industri, prodhim, zhvillim real, drejtësi funksionale dhe administratë të përgjegjshme. Jo për broshura propagandistike, slogane ministrash dhe fotografi boshe kabinetesh. E vërteta që nuk thuhet është kjo: asnjë qytetar, shqiptar apo maqedonas, nuk do të besojë në shtet përderisa ai vazhdon të prodhojë varfëri, padrejtësi dhe largim masiv. Para se të mbroni liderin, para se të ngrini flamurin dhe para se të flisni për patriotizëm, pyeteni veten: çfarë vlere ka patriotizmi në një vend prej nga të gjithë duan të ikin?
