Nga Dr. Enver Bytyçi
Ura e Ibrit ka hyrë në historinë e Ballkanit si ura e ndarjes. Eshtë e vetmja urë që ndan njerëzit. Kudo në botë urat ndërtohen për të lidh dhe bashkuar njerëzit, në veri të Kosovës kjo urë ka shërbyer deri më sot thjesht për t’i mbajtur të ndarë në lokacionet e veta shqiptarët dhe serbët.
Janë bërë 27 vite që kjo urë ka marrë simbolin e ndarjes, urrejtjes dhe përçarjes, me shpresën e Beogradit se do të shërbejë edhe si një kufi i ardhshëm midis Kosovës dhe Serbisë. Në fillim këtë dhuratë ia dhanë Serbisë francezët, më saktë KFOR-i francez.
Nga viti 2012 kontrollin e kësaj ure e ka marrë KFOR-i italian. Kur ishin francezët Thaçi dhe Veseli e pranuan faktin që Ura e Ibrit e ndan Kosovën në lumin Ibër. Kur erdhën italianët ndodhi që të nënshkruhej Marrëveshja Thaçi-Daçiq e vitit 2013 dhe entusiazmi i rremë e mashtrues qe shumë i madh. Thoshin se “Veriu iu bashkua Kosovës”!
Ndërkohë ajo urë ishte jo vetëm nën kontrollin e KFOR-it, por edhe të rojave serbe, të cilat kanë vrarë jo pak shqiptarë, pse ata guxuan të shkelnin mbi të.
Para dy – tri vitesh qeveria e Kosovës tentoi që ta hapë urën kryesore dhe veriu të lidhej me pjesën qendrore e jugore të Kosovës. Pra që njerëzit dhe mallrat të qarkullonin lirshëm në territorin e Kosovës. Kjo iniciativë erdhi pasiqë qeveria Kurti thuajse e pastroi pjesën veriore nga bandat kriminale e terroriste serbe.
Por KFOR-i italian u shfaq menjëherë me forca të shtuara. Thanë se kjo është në kompetencën e tyre dhe nuk lejuan të hapej ura.
Kryeministri Kurti u tërhoq. Ndodhi kjo për shkak të ankesave të presidentit të Serbisë tek europianët dhe amerikanët. E quajti këtë si “dhunim të serbëve”!
Ndëkaq për tri-katër vite Vuçiq dhe Rama e kishin lut Albin Kurtin t’i bashkohej Open Balkan-it, me të cilin “garantohej” lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave.
Çfarë ironie dhe hipokrizie, çfarë ligësie! Por Kurti nuk ndenji duarlidhur. Filloi menjëherë ndërtimin e dy urave tjera të reja, të cilat nuk mund t’i merrte nën kontroll KFOR-i.
Duke ndërtuar dy urat e reja, Ura kryesore e ruajtur nga karabinierët italianë nuk kishte më funksionin kryesor të kalimit të lumit Ibër. Ajo u zhvleftësua praktikisht, por nuk u largua simbolika e saj.
Nga pikëpamja e simbolikës Ura e Ibrit i shërben narrativës së çmendur të Aleksandër Vuçiq për gjoja “kontrollin serb” në veri të Kosovës. Në fakt presideti i Serbisë thjesht dëshiron të mbajë gjallë mitin për Kosovën, sepse edhe ai e di se tashmë pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet nuk ka më asnjë lloj kontrolli në Kosovë.
Gabim jam!
Nuk ka kontroll institucional dhe territorial, por vazhdon ta kontrollojë Listën Srpska dhe jo pak deputetë e politikanë të Kosovës, sidomos ata të opozitës.
Ka ditë e ndoshta javë që komandanti i KFOR-it, ai turku, siç e etiketon Aleksandër Vuçiq, ka lajmëruar se siguria në Kosovë është forcuar dhe kjo ka krijuar kushtet për hapjen e Urës së Ibrit, të asaj urës mit, e cila u dashka t’ia kthejë Serbisë sovranitetin në Kosovë.
Por presidenti i Serbisë është ankuar në qendrën e NATO-s te Mark Rutte. Ky i fundit ka kërkuar që ura të hapet në pajtim dhe bashkëbisedim me të gjitha palët. Dmth se nuk ia ka qejfi që ta hapë urën, sepse duket se Rutte më shumë parapëlqen të respektojë vullnetin e një shovinisti serb, si Vuçiq, sesa të japë sinjalet e paqes në Kosovë dhe në Ballkan.
Ndërkaq miku i Rutte-s, kryeministri i Shqipërisë, Rama, nuk ka ndërmend ta lusë as vëllain e tij në Beograd, as mikun e tij në Bruksel, që të bëjnë gjënë e duhur. I mjafton Ramës Rutte për t’ia reklamuar atletet në samite.
Gjëja më e shëmtuar në këtë mesele është heshtja e politikanëve opozitarë.
E vërteta është se ata janë në mision, që t’i bllokojnë institucionet e Kosovës. Pra që ta luajnë rolin e Urës së mbyllur në Ibër për shtetin e Kosovës.
Duket qartë se ata nuk e duan hapjen e kësaj ure.
Megjithatë ura do të hapet.
Se “ai turku” është i vendosur ta lirojë atë, ashtu siç është i vendosur Albin Kurti ta hapë atë.
Ura hapet patjetër, në mos sot, nesër dhe institucionet e Kosovës do të formohen, deshën ose nuk deshën Ramushi dhe Lushtaku.
Këta të dy duhet të përgatiten që t’ia kthejnë Kosovës pasurinë që ia kanë grabitur!
