Nga Xhafer SHATRI
Gjykata Speciale, e cila nesër do ta japë verdiktin e rrezikshëm, është themeluar në përputhje me Memorandumin e dytë të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, ku thuhej:
1. Duhet ta rishkruajmë historinë: nuk ka pasur popuj xhelatë e popuj viktima. Të gjithë ishim e jemi të njëjtë, bashkë e në një thes, vetvetiu të barabartë në faje e në krime.
2. Përmes verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare, kriminalizimit, duhet ta kontestojmë shtetësinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe të Kosovës, në pritje të krijimit të rrethanave të reja gjeopolitike, për t’i bërë, me rastin e parë, fërtele si njërën, ashtu edhe tjetrën.
…
Grushtin e parë Gjykata Speciale e mori kur doli në shesh se e ashtuquajtura tregti me organe ishte një sajim i neveritshëm i Serbisë, po edhe i Dick Martyt, të cilit, për shërbimet që ia kishte bërë Serbisë, kjo e fundit ia pati çuar një komando kriminelësh për ta vrarë, me qëllim që t’ua mvishte shqiptarëve vrasjen e tij.
Grushtin e dytë, po ashtu dërrmues, Gjykata Speciale e mori kur, gjatë krejt procedurës hetimore e gjyqësore që zgjati 17, gjegjësisht 27 vjet, nuk i përmendi as me një fjalë të vetme as masakrat e mëdha, si ajo e Likoshanit, e Prekazit, e Abrisë, e Mejës, e Krushës së Madhe, e Izbicës etj., as krimin në kafiterinë “Panda”, ku u vranë gjashtë të rinj serbë, shumica fëmijë.
Me këtë u dëshmua synimi paradoksal i themeluesve të Gjykatës Speciale: të ndajnë drejtësi në mënyrë selektive e mbi baza njëetnike.
Historia nuk do t’ia falë Kuvendit të Kosovës përligjjen e këtij kufizimi dhe nënshtrimi të turpshëm.
***
Historia nuk do ta harrojë as strategjinë mbrojtëse të të akuzuarit të parë në Hagë, e cila, në vazhdimësi, ishte vetëposhtëruese; i mungonte vetëdija se aty nuk po gjykohej ai me të tjerë, e as UÇK-ja, por Kosova – historia, e sotmja dhe e ardhmja e saj.
Nga ky këndvështrim duhen parë edhe brigadat e langojve të Prontomafisë, të cilat nuk kanë lënë shqiptar që i ka dy vlera pa u përpjekur t’ia mveshin mëkatet e Gjykatës Speciale, pa pasur ata as hak e as hile në këtë çështje.
Në këtë fushatë të turpshme linçimi kanë marrë pjesë kanalistë, bukëpërmbysë, kryegjyqtar, ish-rektor, bythlëpirës, besëpremë e puthadorë të të gjithë kalibrave e titujve.
***
Nesër është një ditë e rëndë për Kosovën. Asaj po i bëhet gjyqi dhe verdikti do të jetë i rëndë e themelisht i padrejtë, sepse Kosova është ulur me përdhunë në bankën e të akuzuarve, me qëllim që t’i njolloset historia, t’i merren territoret e t’i cenohet e ardhmja.
E për krimet, abuzimet dhe dëmet kolosale që i shkaktuan Kosovës cubat e saj, fjalën e fundit, meqë nuk e thanë me kohë organet tona të drejtësisë, do ta thotë një ditë – dhe patjetër – historia, e cila nuk ka e nuk njeh as avokatë, as para, as kulisa diplomatike, as matrapazë medialë e politikë.
Sidomos këta të fundit, që janë kategoria më e neveritshme e shoqërisë, kanë nxjerrë e po nxjerrin përfitime kolosale gjatë gjithë kësaj procedure të gozhdimit të Kosovës në kryq.
Por nga krejt kjo përfitimin më të madh do ta nxjerrë Serbia, sepse ishte dhe është ideatorja e kësaj Gjykate dhe tash, në fund, do të përpiqet që, sapo të shpallet verdikti, përmes rrjeteve të veta të krijojë kaos në Kosovë.
Mirëpo, Kosova duhet ta marrë verdiktin me qetësi e dinjitet dhe të reagojë jo përmes partive e as përmes turmës pa tru, por përmes logjikës dhe organeve të shtetit.
Në këso rastesh duhet të dëshmojmë se jemi komb dhe se dimë e jemi të vendosur të reagojmë si të tillë, pa interesa meskine, pa dallime partiake dhe pa luftë bërrylash e brirësh.
Sidomos në këso rastesh nuk guxon të ketë mëri e inate, sepse kushdo që i gëzohet një lajmi të keq nga Haga, e vë egon e tij mbi Kosovën.
Ndërsa ata që përpiqen ta përdorin verdiktin për të krijuar kaos në Kosovë, le të dihet se janë armiq të saj.
