Meqenëse nuk na i blejnë shqiponjat, çiftelitë as qeleshet, të shesim çka na blejnë – tokën, detin, historinë, kulturën!
Ali Sh. Mehmeti / 16.09.2026
Shqipëria është një vend i vogël, ndër më të varfëritë në Evropë, me territor të kufizuar, me një popullsi që po tkurret dhe me një histori ku kufijtë, sovraniteti dhe ekuilibrat me fqinjët, kanë qenë vazhdimisht çështje ekzistenciale, jo rrallë të kontestuar.
Pikërisht për këtë arsye propozimi i kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi brenda Tiranës meriton shumë më tepër debat sesa ai që është bërë deri më tani. Dhe debati nuk duhet të jetë kundër bektashinjve. Bektashizmi është pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare. Mjafton ti kujtojmë vëllezërit Frashëri. Pyetja nuk është nëse bektashinjtë meritojnë respekt, mbështetje dhe një rol ndërkombëtar. Sigurisht që po. Por, sikur të ekzistonte respekti i vërtet dhe dashamirësia nga kjo qeveri ndaj këtij komuniteti, nuk do ishte suprimuar dekorata me emrin e bektashiut më të njohur shqiptar Urdhëri “Naim Frashëri”.
Pyetja është krejt tjetër dhe fare e thjesht: Përse duhet krijuar shtetin sovran Urdhri Bektashi brenda kufijve ekzistues të Shqipërisë dhe çka fiton Shqipëria nga ky “shtet”?
Në shtator 2024, nga foltorja e Samitit të së Ardhmes në Kombet e Bashkuara, Edi Rama deklaroi se Shqipëria mbështet transformimin e Qendrës Botërore të Urdhrit Bektashi në “një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës”, me synimin që ai të bëhej qendër e moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore.
Dy vjet më vonë projekti vazhdon të diskutohet, por deri tani nuk është bërë publik një akt themelues që të përcaktojë qartë territorin, kompetencat, juridiksionin, shtetësinë, sistemin fiskal, marrëdhënien me policinë shqiptare, sistemin gjyqësor apo mënyrën e njohjes ndërkombëtare. Edhe pse është thënë se një komision po punën në këtë drejtim.
Kjo mungesë qartësie është vetë një problem. Një projekt që prek sovranitetin nuk mund të shpjegohet pasi të jetë realizuar. Duhet shpjeguar para se të merret vendimi.
Kushtetuta përcakton se Republika e Shqipërisë është një “shtet unitar dhe i pandashëm”, se sovraniteti i përket popullit dhe se integriteti territorial, identiteti kombëtar dhe bashkëjetesa fetare janë ndër bazat e shtetit.
A do të vazhdojë territori të jetë plotësisht nën sovranitetin shqiptar? Nëse po, në çfarë kuptimi do të jetë shtet sovran? Nëse jo, mbi çfarë baze kushtetuese Republika e Shqipërisë mund t’ia kalojë sovranitetin një autoriteti fetar?
Vatikani
Përkrahësit e këtij “projekti”, edhe pse plotësisht të paqartë, si shembull marrin modelin e Vatikanit.
Por Vatikani nuk u krijua sepse Italia vendosi një ditë t’i japë territor një komuniteti fetar për të promovuar tolerancën. Në pak fjalë, Shteti i Vatikanit u krijua në vitin 1929, si trashëgimtar i ish-shteteve Papnore të pushtuara nga Mbretëria italiane në vitin 1870, sipas Traktati të Lateranit. Selia e Shenjtë kishte prej kohësh subjektivitet dhe marrëdhënie ndërkombëtare; shteti territorial u krijua për t’i garantuar asaj pavarësi të dukshme dhe efektive nga pushteti italian. Prandaj Vatikani nuk është një formulë që mund të kopjohet.
Nëse Shqipëria dëshiron t’i japë Kryegjyshatës mundësi të ketë përfaqësi ndërkombëtare, privilegje diplomatike apo autonomi administrative, le t’i diskutojë ato në mënyrë transparente dhe në pajtim me Kushtetutën e Shqipërisë.
Precedenti që ndryshon parimin
Krijimi i një shteti bektashi nuk do të thotë juridikisht se të nesërmen ndonjë pakicë etnike apo bashkësi fetare do ta fitojë automatikisht të drejtën për të krijuar enklavën e tyre. Por precedenti politik dhe kushtetues do të krijohej.
Për herë të parë Shqipëria do të pranonte parimin se një komunitet i veçantë fetar mund të marrë një formë sovraniteti territorial brenda Republikës.
Dhe atëherë pyetja bëhet e pashmangshme: përse ky komunitet dhe jo një tjetër? Cili është kriteri objektiv? Numri i besimtarëve? Rëndësia historike? Selia botërore? Roli ndërkombëtar?
Një shtet serioz me politikanë përgjegjës, duhet të mendojë jo vetëm se çfarë dëshiron të bëjë sot, respektivisht çka i përshtatet sot për lloj, lloj interesi, por edhe se çfarë argumenti juridik krijon për nesër.
Harmonia fetare
Argumenti më paradoksal në favor të projektit është se shteti bektashi do të simbolizonte tolerancën fetare shqiptare. Sepse toleranca shqiptare është e veçantë pikërisht sepse myslimanë sunitë, bektashinj, katolikë dhe ortodoksë nuk kanë pasur nevojë për territore të ndara për të jetuar së bashku. Ata kanë qenë qytetarë të të njëjtit shtet. Në një Ballkan, ku feja dhe etnia kanë shërbyer shpesh si vija ndarëse, modeli shqiptar ka qenë pothuajse i kundërt: fe të ndryshme, familje të përziera, identitet kombëtar i përbashkët dhe një sovranitet i vetëm.
Prandaj, është vështirë të besohet se territorializimi i një feje e forcon tolerancën fetare shqiptare. A mos është e kundërta më afër të vërtetës?!
Rreziku nuk është domosdoshmërisht një konflikt fetar i menjëhershëm. Rreziku është krijimi i ndjenjës së privilegjit institucional të një komuniteti ndaj të tjerëve. Dhe për një vend që e konsideron harmoninë ndërfetare një nga pasuritë e tij më të mëdha, edhe perceptimi ka rëndësi.
Kush (duhet) i përfaqëson bektashinjtë e botës?
Censi shqiptar i vitit 2023 regjistroi 115.644 persona që u deklaruan myslimanë-bektashinj. Ndërkohë në Turqi jeton një komunitet Alevi-Bektashi mbi dhjetë milionësh. Dhe pikërisht këtu lind një problem legjitimiteti.
Presidenti i Federatës Alevi-Bektashi të Turqisë, Zeynel Abedin Koç, e kundërshtoi publikisht projektin dhe deklaroi se nuk miratojnë një shtet të bazuar mbi fenë. Në vitin 2025, baballarë dhe dervishë nga Turqia, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe diaspora dolën gjithashtu kundër projektit, duke pretenduar se Bektashizmi nuk synon krijimin e pushtetit shtetëror.
Edhe pse është historikisht e vërtetë, se pas ndalimit të urdhrave fetarë në Turqinë republikane nga Kemal Ataturk, qendra drejtuese bektashiane u vendos në Shqipëri, që i jep Tiranës një peshë të veçantë historike dhe institucionale, por jo edhe një mandat politik për miliona besimtarë jashtë Shqipërisë.
Në qershor të vitit 2025 disa media raportuan se kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit turk, Fuat Oktay, gjatë vizitës në Tiranë i përcolli palës shqiptare kundërshtimin ndaj krijimit të shtetit bektashi. Këtë e konfirmoi edhe deputeti i opozitës Kreshnik Çollaku. Është e vërtet se Shqipëria nuk ka pse t’i kërkojë leje Turqisë për vendimet e saj. Por politika e jashtme nuk bëhet vetëm me pyetjen “a kemi të drejtë?”, por edhe me pyetjen “çfarë fitojmë dhe çfarë rrezikojmë?”.
Turqia është sot një nga partnerët kryesorë ushtarakë të Kosovës. Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB2 nga Turqia dhe mijëra dronë kamikazë Skydagger kurse në vitin 2024 nënshkroi me kompaninë shtetërore turke MKE marrëveshjen për ngritjen e fabrikës së municionit sipas standardeve të NATO-s. Vetë Qeveria e Kosovës e cilëson Turqinë ndër partnerët e saj kryesorë në mbrojtje.
Për Shqipërinë, ky fakt do duhej të kishte shumë rëndësi. Kapaciteti mbrojtës i Kosovës është interes i drejtpërdrejtë strategjik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
Në krizën e tmerrshme shqiptare të vitit 1997, kur shteti pothuajse ishte shpërbërë dhe ekzistonte rreziku i ndërhyrjes greke në jug, që tashmë kishte precedent, qeveria turke paralajmëroi kundër “ndarjes” së Shqipërisë. Më 29 mars 1997, Tansu Çiller, atëherë zëvendëskryeministre dhe ministre e Jashtme, deklaroi se “Turqia është e vendosur të ruajë integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive përballë ngjarjeve që kërcënojnë ndarjen e Shqipërisë.”Ankaraja pra, nuk do të toleronte ndërhyrjen e shteteve të tjera në punët e brendshme të Shqipërisë.
Intervenimi i Turqisë kishte alibi të fortë. Një ngjarje e mëhershme kishte ndodhur me 10 prill 1994 në postin kufitar në Peshkëpi. Një grup i armatosur hyri nga territori grek, vrau dy ushtarakë shqiptarë dhe plagosi tre. Shqipëria e denoncoi në OKB; Greqia mohoi përgjegjësinë shtetërore. Edhe atëherë Turqia ishte në mbrojtje të Shqipërisë.
Pra, historia tregon se në momentet më të vështira të sigurisë shqiptare, Turqia ka qenë një faktor i rëndësishëm mbështetës, kurse sot mbështet edhe Kosovën.
Atëherë, është legjitime të pyesim: çfarë interesi strategjik shqiptar justifikon krijimin e një problemi të ri me Ankaranë rreth një shteti fetar, kur as miliona Alevi-Bektashinj në Turqi nuk e kërkojnë atë?
Mbështetja e Paolo Zampollit
Në shtator 2026, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për Partneritetet Global, Paolo Zampolli, vizitoi Kryegjyshatën dhe e quajti idenë e shtetit bektashi “projekt të shkëlqyer” dhe se “populli shqiptar e dëshiron këtë”.
Ky është një zhvillim politik që duhet t’ua kishte prish gjumin atyre që mendonin se iniciativa e Ramës është vetëm një shashkë për të orientuar diskutimin diku tjetër, larg problemeve “reale”. Edhe pse nuk duhet harruar as pjesën tjetër të deklaratës së tij kur tha, se “shqiptarët duhet të vendosin” dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë vendimin e tyre. Nëse populli shqiptar duhet të vendosë, atëherë kur dhe si do të pyetet populli shqiptar?
Për një ndryshim kushtetues të kësaj natyre, një debat parlamentar formal nuk mund të jetë i mjaftueshëm. Aq më pak kur dihet fuqia politike e Edi Ramës dhe mos ngurrimi i tij të bëj presion mbi këdo që i kundërvihet, pa përjashtuar as Gjykatën Kushtetuese. Një konsultim i gjerë kushtetues, ndërfetar dhe publik, duke përfshirë patjetër edhe referendumin, do të ishte i domosdoshëm.
Spitali dhe trajtime të avancuara
Gjatë të njëjtës vizitë të z. Zampolli, u bë publik bashkëpunimi ndërmjet spitalit që ndodhet në kompleksin e Kryegjyshatës dhe kompanisë amerikane të bioteknologjisë ImmunityBio, për trajtime të avancuara kundër kancerit dhe kompanisë të ngjashme Epitopoietic ResearchCorporation nga Belgjika, me idenë të krijohet një lloj konsorciumi ndërkombëtar onkologjik rreth qendrës mjekësore të Kryegjyshatës.
Zampolli përmendi edhe filozofinë amerikane të aksesit në terapi të reja. Pse jo? Pse mos të sillen teknologji të avancuara onkologjike amerikane në Shqipëri.
Por, shtrohet pyetja: Çfarë lidhjeje juridike ka një projekt mjekësor me nevojën që një spital të ndodhet brenda “shtetit sovran bektashi”? Një spital i ri nuk ka nevojë për një shtet të ri që të funksionojë.
Nëse në atë spital në të ardhmen parashikohen prova klinike, terapi hulumtuese apo rregulla të posaçme; nëse autoriteti përkatës do t’i miratojë ato; nëse ekziston komiteti etik përkatës që do t’i mbikëqyrë; nëse e gjithë veprimtaria është transparente dhe në pajtim me ligjet shqiptare, atëherë pse ky spital mos të ndërtohet në cilin do vend tjetër të Shqipërisë?
A kemi të drejtë të dyshojmë se po tentohet të krijohet një “Guantanamo mjekësor”, ku do zhvillohen eksperimente të lejuara dhe të palejuara, apo edhe më keq, që shqiptarët të shfrytëzohen për prova klinike të barnave të reja?!
Roli i Izraelit
Janë disa momente domethënëse, pse Izraeli nuk mund të përjashtohet nga ky shkrim.
Afërsia e zyrtarëve të shtetit hebre me Kryegjyshatën është e habitshme. Rreth vizitave të Baba Mondit në Izrael ai vet ka deklaruar në një intervistë se e “kishte vizituar Izraelin disa herë, se kishte udhëtuar nëpër gjithë Izraelin me miq të tij atje dhe se kishte marrë pjesë edhe në martesën hebraike të një miku”. Nga ana tjetër ekzistojnë edhe lidhjet e dokumentuara institucionale mes Kryegjyshatës dhe shtetit izraelit. Presidenti izraelit Isaac Herzog vizitoi Shqipërinë më 12 shtator 2024 meç’rast u takua edhe me Baba Mondin. Vetëm nëntë ditë më vonë, më 21 shtator 2024, Edi Rama bëri publik projektin e shtetit Bektashi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork.
Më 17 nëntor 2025, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme izraelite, Irit Amitai, së bashku me ambasadoren izraelite në Shqipëri, Galit Peleg, zhvilluan një vizitë zyrtare në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Deri sa Izraeli ndërton fabrikë të dronëve në Serbi dhe e furnizon me armatim më modern sulmues, në ndërkohë në Shqipëri ndërton muzeun hebraik në Vlorë, ngjit me murin e Muzeut etnografik të Vlorës, ndërtesë kjo historike e klubit “Labëria”, duke e eklipsuar në tërësi dhe duke krijuar një paralelizëm vizual mes historisë hebraike dhe asaj shqiptare, që filloi me herret me një deklaratë skandaloze kur u tha se në shekullin XV në Vlorë paskan jetuar 90% hebre dhe vetëm 10% të tjerë. Mos të flasim pastaj edhe për lakminë e blerjes së tokave bujqësore. Dy ditë pas përurimit të një ferme moderne në Cërrik me teknologji izraelite, në praninë e Edi Ramës dhe ambasadores izraelite, me 14 maj 2026 Ministria e bujqësisë hap konsultimin publik për projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”. Vetëm edhe pak ditë më vonë, me 1 qershor Shqipëria dhe Izraeli nënshkruajnë një memorandum të ri për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.
E gjitha sipas “strategjisë” të Edi Ramës: Meqenëse nuk na i blejnë shqiponjat, çiftelitë as qeleshet, të shesim çka na blejnë – tokën, detin, historinë, kulturën!
Sigurisht se nuk mund ta akuzojmë Izraelin për asgjë, por ka shumë “rastësi” për ta përjashtuar nga analiza.
Shqipëria nuk ka nevojë të zgjedhë midis miqve të saj
Shqipëria duhet të mbetet aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara, duhet të ruajë marrëdhëniet strategjike me Turqinë dhe duhet të ketë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim ekonomik me të gjitha shtetet e botës, sipas interesave të veta, pra edhe me Izraelin.
Megjithatë, duhet të jetë e aftë t’u thotë njëkohësisht të gjithëve:
Interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve vendoset nga shqiptarët.
Kjo është politika e një shteti sovran me politikanë të përgjegjshëm. Jo armiqësi ndaj të huajve por aleanca, ama as nënshtrim ndaj kapitalit, ndikimit apo interesit të tyre.
Jo të zgjedhë midis Izraelit dhe Turqisë, as mos të bëhet fushë ku interesat e miqve të saj më të fuqishëm përplasen ose eksperimentojnë. Me kokëfortësi duhet ti përmbahemi fjalës të Zampollit, të dërguarit të posaçëm të presidentit Donald Trumpt, se“shqiptarët duhet të vendosin”! Ndoshta ai edhe nuk e kishte aq sinqerisht, por ne duhet ta kemi sinqerisht.
Përfundimi
Krijimi i një shteti Bektashi nuk është një çështje simbolike dhe as “mustaqet e Çelos”. Ai ngre dy probleme serioze.
I pari është precedenti: sapo një komuniteti fetar t’i njihet sovranitet territorial brenda Shqipërisë, hapet një rrugë juridike dhe politike që nesër mund të përdoret si argument nga të tjerët. Një tregim popullor më së miri e ilustron këtë situatë, me miun që e mësoi rrugën.
Problemi i dytë është barazia fetare. Privilegji shtetëror për një komunitet të vetëm rrezikon të cenojë pikërisht atë që Shqipëria e ka konsideruar prej kohësh një vlerë të saj: trajtimin e barabartë dhe bashkëjetesën ndërmjet besimeve. Harmonia fetare nuk forcohet duke ngritur njërin mbi të tjerët, por duke mos e vendosur asnjërin mbi të tjerët. Shteti duhet të mbaj baraslargësi ndaj të gjithë komuniteteve fetare.
Dhe ndoshta pyetja më e thjeshtë është edhe më e rëndësishmja:
Çfarë problemi të Shqipërisë zgjidh realisht krijimi i shtetit bektashi që nuk mund të zgjidhet pa e krijuar atë shtet të ri?
Në këtë pyetje deri sot nuk ka përgjigje! Lere më të jetë ajo bindëse!
