Nga Emin AZEMI / Shkrimtar
Kur shkenca dhe elita intelektuale e merr rolin e projektuesit gjeoekonomik, politikanëve u mbetet vetëm roli i zbatuesve teknikë, duke bërë që pasuritë natyrore, nga burime të grabitjes individuale, të kthehen më në fund në shtylla të qëndrueshmërisë kombëtare. Ndonëse deklaratat publike priren drejt integrimit, në praktikë dy shtetet funksionojnë si entitete tregtare të ndara. Kjo pengesë e mban të bllokuar nismën për krijimin e një Fondi të përbashkët Sovran, i cili do të integronte pasuritë nëntokësore, detare dhe turistike të të dyja vendeve.
Ideja e integrimit ekonomik dhe shpirtëror ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës shpesh ka mbetur e ngujuar në kufijtë e retorikës romantike, pa arritur të shndërrohet në një projekt strategjik institucional. Ndonëse gjeografia dhe historia diktojnë një fat të përbashkët zhvillimor, projektet e mëdha që do të bashkonin potencialet e të dyja vendeve po zbehen përballë burokracive dhe kalkulimeve afatshkurtra politike. Fakti që dy shtetet ende nuk kanë një Agjenci të përbashkët për menaxhimin e resurseve natyrore buron nga mungesa e vullnetit politik real, asimetria në legjislacionet kombëtare dhe pengesat nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ndonëse deklaratat publike priren drejt integrimit, në praktikë dy shtetet funksionojnë si entitete tregtare të ndara. Kjo pengesë e mban të bllokuar nismën për krijimin e një Fondi të përbashkët Sovran, i cili do të integronte pasuritë nëntokësore, detare dhe turistike të të dyja vendeve.
Ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës vuajnë nga një sindromë që shkenca politike e njeh si fragmentim institucional brenda një hapësire homogjene kombëtare. Ndërtimi i një agjencie ndërshtetërore kërkon transferim të pjesërishëm të sovranitetit mbi burimet strategjike, një hap që as Tirana dhe as Prishtina nuk janë treguar të gatshme ta hedhin. Siç vëren profesori dhe studiuesi i njohur ndërkombëtar i ekonomisë politike, Dani Rodrik, shtetet në zhvillim shpesh dështojnë jo për shkak të mungesës së resurseve, por sepse institucionet e tyre vendore janë të programuara për të mbrojtur rentën afatshkurtër të elitave sesa për të jetësuar koordinimin strategjik në shkallë të gjerë. Në vend të kapitalizimit të vlerës së pasurive minerare përmes një fondi të përbashkët, të dyja shtetet aplikojnë modele të fragmentuara ku burimet jepen me koncesione afatgata te kompani të treta, duke shpërbërë potencialin e një baze të përbashkët kapitale.
Hapësira gjeografike Shqipëri-Kosovë përbën një nga zonat me dendësinë më të lartë të mineraleve strategjike dhe potencialeve zhvillimore në Evropë. Sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, vendi zotëron rreth 12.5 miliardë tonë rezerva të provuara të linjitit, duke u renditur e pesta në botë, ndërsa kompleksi Trepça mban rezerva të konsiderueshme plumb-zinku, argjendi e ari. Në anën tjetër, Shqipëria dominon me rezervat e kromit përmes brezit ofiolitik të Bulqizës dhe zotëron fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, një nga rezervat më të mëdha tokësore në Evropën kontinentale. Në këtë mozaik, baseni i Adriatikut ofron një pasuri kombëtare për peshkimin industrial dhe akuakulturën, ndërsa lidhja e bregdetit me turizmin malor të Kosovës (Brezovica, Rugova) do të krijonte një korridor të integruar turistik Alpet-Adriatik për tregun ndërkombëtar.
Në praktikën ndërkombëtare ekzistojnë modele të suksesshëm si Autoriteti i Përbashkët i Detit të Timorit midis Timorit Lindor dhe Australisë, apo Autoriteti i Zhvillimit të Lumit Senegal, që dëshmojnë se shtetet mund të menaxhojnë bashkërisht resurset ndërkufitare.
Për të funksionuar pa rënë ndesh me kornizën ligjore të Bashkimit Evropian dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë, Fondi i Përbashkët Sovran Shqipëri-Kosovë do të duhej të ndërtohet si një Korporatë ndërshtetërore me pjesëmarrje publike, e strukturuar si shoqëri aksionare, me seli në një juridiksion financiar evropian me reputacion të lartë, si Luksemburgu, bie fjala. Përmes modelit të ortakërisë së kryqëzuar (Cross-Shareholding), ku dy ministritë e financave zotërojnë nga 50%, aplikohet parimi evropian i ndarjes së pronësisë nga menaxhimi. Shtetet mbajnë pronësinë formale mbi tokën dhe asetet gjeologjike, duke tejkaluar edhe kufizimet e Pakos së Ahtisaarit për Kosovën, ndërsa të drejtat komerciale të shfrytëzimit ia delegojnë kësaj korporate ndërkombëtare përmes një marrëveshjeje të ratifikuar në dy parlamentet.
Bilanci i kombinuar energjetik zgjidh direkt asimetrinë prodhuese dhe varësinë nga klima të dy ekonomive. Shqipëria prodhon energji pothuajse 100% nga burimet hidro (Kaskada e Drinit), gjë që e bën të ndjeshme ndaj periudhave të tharjes, ndërsa Kosova mbështetet mbi 90% në termocentralet me linjit, duke pasur prodhim bazë të qëndrueshëm, por duke vuajtur nga kostot e larta të ndotjes dhe mungesa e fleksibilitetit për pikat kritike të konsumit. Përmes Bursës së Përbashkët ALPEX, Kosova do të furnizonte Shqipërinë me energji bazë gjatë natës, duke lejuar kursimin e ujit në liqenet e Kaskadës, ndërsa Shqipëria do të hapte portat e hidrocentraleve në pikat e pikut për të mbuluar mungesat e Kosovës. Ky optimizim do të kursente midis 150 dhe 200 milionë euro në vit nga shmangia e importeve të shtrenjta, fluks ky që do të kalonte si kapital fillestar i Fondit Sovran për të financuar kalimin drejt energjisë së gjelbër dhe zbutur penalitetet e BE-së për emetimet e karbonit.
Arkitektura e ndarjes së përfitimeve financiare duhet të bazohet në një formulë shkencore të Ponderimit Tre-Dimenzional të kapitalit: 40% e dividendit mbi bazën e kontributit gjeologjik dhe volumit të lëndës së parë të nxjerrë, 40% mbi bazën e kapitalit të investuar fillestar për infrastrukturën mbështetëse (rrjetet e transmetimit, portet, rrugët) dhe 20% si bonus solidariteti zhvillimor për projekte ndërkufitare. Pjesa e mbetur e fitimit të pastër, sipas parimeve të Santiago-s për Fondet Sovrane, do të grumbullohej në një fond gjeneratash të bllokuar në tregjet ndërkombëtare, duke e mbrojtur atë nga konsumi elektoral i qeverive. Paralelisht, menaxhimi i resurseve imponon rregulla të rrepta mjedisore, ku për linjitin aplikohen teknologji të kapjes dhe depozitimit të karbonit (CCS), kurse për kromin në Shqipëri vendoset kolaterali i detyrueshëm për riparimin paralel të peizazhit. Në Adriatik, planimetria parashikon ndërtimin e dy porteve moderne të peshkimit industrial në Shëngjin dhe Vlorë, me linjë logjistike të ftohtë drejt Kosovës dhe zhvillim të akuakulturës për eksport në BE, duke rritur katërfish vlerën e produkteve detare.
Inicimi i kësaj agjencie dhe i fondit sovran nuk mund t’u lihet në dorë qeverive ekzekutive, pasi ato udhëhiqen nga kalkulime elektorale afatshkurtra dhe populizëm mediatik. Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës duhet të jenë nismëtaret kryesore dhe të vetme të këtij projekti. Akademitë duhet të pushojnë së funksionuari si institute thjesht honorifike apo gjuhësore. Ato kanë autoritetin shkencor dhe moral për të formuar një Komision ndërakademik të ekspertëve të jashtëm që do të hartonte Librin e Bardhë të integrimit ekonomik, përfshirë Draft-Ligjin e përbashkët dhe Statutin e Fondit Sovran. Ky dokument teknik, si një platformë kombëtare e panegociueshme për interesa partiake, duhet t’u dorëzohet dy parlamenteve. Kur shkenca dhe elita intelektuale e merr rolin e projektuesit gjeoekonomik, politikanëve u mbetet vetëm roli i zbatuesve teknikë, duke bërë që pasuritë natyrore, nga burime të grabitjes individuale, të kthehen më në fund në shtylla të qëndrueshmërisë kombëtare.
