Nga Gazeta Haaretz
Ish-ndihmësi pretendon një ‘stilmendim sjelljeje kriminale’ në zyren e Netanyahut dhe u bën thirrje hetuesve të kërkojnë regjistrimet e plota, duke paralajmëruar se transkriptet e kohës së luftës mund të jenë ndryshuar.
Deshmia prej 55 faqesh e Kryeministrit Benjamin Netanyahu mbi dështimet që çuan në sulmet e 7 tetorit “nuk pasqyron atë që ka ndodhur me të vërtetë,” tha ish-sekretari i tij ushtarak në një intervistë të publikuar pjesërisht të enjten, duke paralajmëruar se transkriptet zyrtare mund të jenë ndryshuar.
“Është pjesë e së vërtetës, por jo e gjitha,” tha Gjeneral Major (me rezervë) Avi Gil – i cili shërbente si sekretar ushtarak i Netanyahut më 7 tetor 2023 – në një intervistë për Israel Hayom. Një fragment i intervistës u publikua të enjten, ndërsa intervista e plotë pritet të publikohet të premten.
“Ajo që po i thuhet publikut nuk është ajo që ka ndodhur me të vërtetë,” akuzoi Gil.
Gjeneral Major Avi Gil, sekretari ushtarak i kryeministrit
Gil iu referua një dokumenti që u dorëzua nga Netanyahu në Zyren e Kontrollorit të Shtetit më 5 shkurt. Në një njoftim për shtyp atëherë, Netanyahu tha se dokumenti “përfshin transkripte të takimeve të sigurisë dhe dokumente të tjera që mbulojnë një periudhë 12-vjeçare, duke filluar me Operacionin Mbrojtës (Lufta e Gazës në 2014) e deri në mëngjesin e 7 tetorit.”
Më mirë akoma, në atë kohë, Haaretz raportoi se procesverbalet dhe përmbledhjet e shumë prej diskutimeve të referuara në dokument tregojnë për një manipulim të fakteve, gjysmë të vërteta dhe harresa/lënie jashtë.
“Ka tepër shumë gënjeshtra në ajër,” i tha Gil gazetares Israel Hayom. “Shpresoja se do të krijohej një komision shtetëror hetimor dhe do të hetonte gjithçka, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, dhe kam dyshime se do të ndodhë,” shtoi ai, duke shpjeguar pse kishte zgjedhur të fliste tani.
Ish-sekretari ushtarak pritet gjithashtu të flasë me Channel 12 News të enjten në mbrëmje.
Në fragmentin e publikuar të enjten, Gil zbuloi detaje të reja rreth ndryshimit të pretenduar të regjistrimit të bisedave midis Netanyahut dhe zyrtarëve të lartë. Sipas Gil, dy javë pas fillimit të luftës, ai filloi të vërejë se njerëzit në rrethin e ngushtë të Netanyahut po mblidhnin material në mënyrë “joproporcionale”.
“Vendosa t’i drejtohem prokurores së përgjithshme,” kujton Gil. “I thashë se jemi në luftë, dhe se nuk po kërkoj të fajësoj askënd dhe nuk dua që kjo të bëhet personale. I kërkova të sqarojë udhëzimet rreth asaj se çfarë është e lejuar dhe çfarë është e ndaluar lidhur me stenogramet, dhe kjo është ajo që ndodhi,” tha ai.
Pasi Gil iu drejtua prokurores së përgjithshme, Policia e Izraelit filloi të hetojë nëse zyrtarë të lartë në Zyren e Kryeministrit u përpoqën të ndryshonin protokollet e mbledhjeve të kabinetit të mbajtura gjatë luftës, si dhe transkriptet e telefonatave të bëra nga vendimmarrësit – përfshirë Netanyahut – gjatë ditëve të para të luftës. Një nga të dyshuarit e hetuar nga policia ishte shefi i stafit të Netanyahut, Tzachi Braverman.
“Kjo përfshin një model sjelljeje kriminale nga njerëz që besojnë se mund të bëjnë çfarë të duan, dhe shefi i stafit u soll si dikush që ndiente se mund të bënte gjithçka që dëshironte,” tha Gil.
“Mund të jetë që edhe atëherë ata po punonin mbi narrativën që shohim sot, se kryeministri ishte i vetmi që funksionoi kur nisën [sulmet e 7 tetorit],” tha Gil. “Ky është një skenar i rëndë, por është i besueshëm. Ka edhe një skenar tjetër shumë të rëndë,” shtoi ai.
“Çdo komision hetimor që krijohet duhet të këmbëngulë në marrjen e shiritave të plotë dhe jo të transkripteve, sepse nuk e di se çfarë është ndryshuar,” tha Gil, duke përsëritur shqetësimin e tij se transkriptet nuk reflektojnë saktë realitetin. “Do të prisja që kontrollori të bënte të njëjtën gjë, dhe të mos mbështetej në stenograme partiale të siguruara nga kryeministri.”
Tzachi Braverman dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu në shtator 2025
Tzachi Braverman dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu në shtator 2025. Krediti: Sraya Diamant
Gil foli gjithashtu për paralajmërimet që Netanyahu mori përpara sulmit vdekjeprurës të Hamasit. Ndërsa ai nuk konfirmoi se Egjipti e paralajmëroi kryeministrin, siç është raportuar më parë, ai tha se vizita e zyrtarit të inteligjencës në Izrael kishte një arsye.
“Një avion i inteligjencës egjiptiane u ul në Izrael dhe qëndroi këtu për pak më shumë se 60 minuta. Kjo është një fakt. Një avion i tillë nuk vjen këtu pa asnjë arsye,” i tha ai Israel Hayom. “Ose dikush erdhi në Izrael me të për t’u takuar me Netanyahun, ose dikush erdhi për të dorëzuar diçka, një mesazh apo një zarf,” shtoi ai.
“Dikush u takua me dikë ose mori diçka, dhe nuk e raportoi atë,” akuzoi Gil. “Dhe nëse kjo ka ndodhur, e duket se ka ndodhur, kjo duhet të raportohet. Dhe kushdo që u takua me dikë ose mori diçka po e fsheh ende sot.”
Partia Likud e Netanyahut iu përgjigj intervistës së medias në një deklaratë ku thuhej se raporti është “propagandë politike e fabrikuar kundër Kryeministrit Netanyahu dhe Likud, me synim rrëzimin e pushtetit të së djathtës dhe dërgimin drejt një qeverie të së majtës që do të krijojë një shtet palestinez.”
Kryetari i Knesset-it, Amir Ohana, një anëtar i Likud, akuzoi “të gjithë ish-gjeneralët dhe shefat e shtabit të IDF-së” për komplot për të rrëzuar Netanyahun. Duke folur me radion publike Kan, ai tha se ata po përpiqen t’i “hedhin hi syve publikut dhe ta mashtrojnë atë.”
Gadi Eisenkot, i cili sipas sondazheve është pretenduesi kryesor për të zëvendësuar Netanyahun në zgjedhjet e ardhshme të Izraelit më 27 tetor, iu përgjigj intervistës së Gil në mediat sociale. “Netanyahu mashtroi, gënjeu dhe tradhtoi besimin e një kombi të tërë, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve të tij,” shkroi ai. [Përktheu: Dan GASHI]
