Pikat kryesore:
- Parlamenti i Malit të Zi nuk arriti ta respektojë afatin për miratimin e amendamenteve kushtetuese të nevojshme për mbylljen e Kapitullit 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Kjo vonesë pengon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të synimit të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2028.
- – Vonesa erdhi pas përpjekjes së pasuksesshme për shkarkimin e kryetarit të Parlamentit, Andrija Mandić, pasi ai shprehu ngushëllime për vdekjen e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladić. Mocioni për shkarkimin e tij dështoi me 37 vota pro dhe 41 kundër, pas së cilës opozita u largua nga salla e Parlamentit.
- – Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimi i Kushtetutës kërkon tri votime të njëpasnjëshme me shumicë prej dy të tretash, ndërsa pas refuzimit të një amendamenti duhet të kalojë një periudhë njëvjeçare pritjeje. Për rrjedhojë, mbyllja e këtij kapitulli brenda këtij viti tashmë varet nga arritja e shpejtë e një marrëveshjeje ndërmjet partive politike dhe nga mundësia që BE-ja të tregojë fleksibilitet lidhur me afatet e përcaktuara.
(EurActiv) — Parlamenti i Malit të Zi humbi afatin për miratimin e amendamenteve kushtetuese që do t’i mundësonin mbylljen e një kapitulli tjetër në procesin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2028.
Parlamenti ishte i përqendruar te përpjekja për shkarkimin e kryetarit të tij, Andrija Mandiç, pasi ky i fundit i kishte shprehur ngushëllime familjes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiç, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar. Si pasojë, nuk u iniciua procesi i nevojshëm për amendimin e kushtetutës.
Amendamentet – të domosdoshme për përmbylljen e Kapitullit 23, i cili përfshin drejtësinë dhe të drejtat themelore – parashikonin një verifikim të integritetit të kryeministrave dhe anëtarëve të ardhshëm të kabinetit qeveritar. Ky mekanizëm do t’ua pamundësonte personave të dënuar për korrupsion të merrnin postin e kryeministrit ose të ministrit.
Nevenka Vuksanoviq, drejtoreshë e Qendrës për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, një institut kërkimor me seli në Podgoricë, deklaroi se kapitulli tani mund të mbyllet brenda këtij viti vetëm përmes “një marrëveshjeje të shpejtë politike dhe, ndoshta, njëfarë fleksibiliteti nga Brukseli lidhur me afatet kohore”.
Ajo shtoi se afati është politik, e jo ligjor. Megjithatë, ndryshimi i Kushtetutës kërkon tri votime me shumicë prej dy të tretash: fillimisht votohet propozimi, pastaj projektamendamentet, të cilat pasohen nga një konsultim publik, dhe në fund votohet për amendamentet përfundimtare. Në rast të refuzimit, amendamentet nuk mund të paraqiten sërish për shqyrtim për një periudhë prej një viti.
Johan Sattler, ambasador i BE-së në Mal të Zi, i bëri thirrje Parlamentit që të bashkëpunojë për miratimin e amendamenteve. Ai theksoi presionin kohor, duke i kërkuar opozitës ta shohë çështjen në një perspektivë më të gjerë, ndërsa shumicës parlamentare t’i hapë rrugë dialogut me partitë e krahut tjetër politik.
Megjithatë, opozita këmbënguli që fillimisht të trajtohej çështja e Mandiçit dhe, pas një seance që zgjati deri vonë në mbrëmje, kryetari e ruajti postin e tij me një votim 37-41. Kjo bëri që opozita të largohej nga salla.
“Nuk mund t’i shtrish dorën Evropës ndërkohë që mbron lavdinë e Mlladiçit,” tha Aleksandra Vukoviç Kuç, nga partia opozitare DPS.
Ndërkohë, Mandiçi e akuzoi opozitën se mendonte se ishin evropianë më të mirë sesa shumica. “Ata në Bruksel po ju presin, po ju vëzhgojnë, por ‘evropianët’ thonë se çështja e Ratko Mlladiçit është çështja vendimtare,” tha ai. [ISHGJ]
