Drejtësia për viktimën nuk është çështje e pushtetit apo e opozitës. Është çështje e shtetit dhe e dinjitetit të shoqërisë.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Vrasja e një gruaje nuk është vetëm një krim kundër jetës së një individi. Kur paraprihet nga kërcënime, dhunë e paralajmërime të shpërfillura, ajo shndërrohet edhe në një aktakuzë të rëndë ndaj institucioneve që kanë detyrimin kushtetues dhe ligjor për ta mbrojtur jetën e qytetarit.
Rasti tragjik i zonjës Arlinda Zekaj e rikthen në qendër të debatit publik një pyetje që shoqëria jonë, për fat të keq, e ka shmangur për shumë kohë e vite: sa jetë duhet të shuhen që institucionet e drejtësisë, policisë dhe të politikës ta kuptojnë se nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por me një problem që kërkon përgjegjësi sistemike?
Nuk është e mjaftueshme të shprehet keqardhje, të mbahen konferenca shtypi, të bëhen homazhe apo të premtohen hetime të gjithanshme vetëm pasi një grua të jetë vrarë. Shteti ekziston pikërisht për të parandaluar që kërcënimi të shndërrohet në vrasje dhe që paralajmërimi i viktimës të mbetet një dokument pa pasoja.
1. Shifrat që nuk duhet të harrohen: Të dhënat për periudhën 2015–2024
Raporti i Rrjetit të Grave të Kosovës, From Words to Action? Monitoring the Institutional Response to Gender-Based Violence in Kosovo (2018), publikon të dhëna të Policisë së Kosovës për viktimat e krimeve sipas gjinisë.
Për kategoritë e vrasjes dhe vrasjes së rëndë, tabela paraqet:
| Viti | Viktima gra – vrasje | Viktima gra – vrasje e rëndë |
|---|---|---|
| 2015 | 11 | 3 |
| 2016 | 10 | 5 |
| 2017 | 13 | 7 |
Burimi: Rrjeti i Grave të Kosovës, 2018, tabela “Victims of Crimes by Gender, as Reported to the Kosovo Police, 2015–2017”.
Një dokument shumë i rëndësishëm është raporti i vitit 2024 i Qendrës AIRE që përmban të dhënat për femicidin 2018–2022: Femicide in the Republic of Kosovo: Legal Framework and Judicial Practice (2018–2022).
Ky studim është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë të drejtësisë dhe organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave. Ai përdor të dhënat e Policisë së Kosovës dhe aplikon një përkufizim të gjerë të femicidit.
Të dhëna të dokumentuara në studimin e vitit 2024
| Viti | Femicidet e dyshuara | Përpjekje për femicid |
|---|---|---|
| 2018 | 6 | 1 |
| 2019 | 4 | 0 |
| 2020 | 4 | 1 |
| 2021 | 3 | 1 |
| 2022 | 3 | 1 |
| Gjithsej | 20 | 4 |
Raporti thekson se këto janë shifra të përafërta, jo statistika përfundimtare zyrtare. Përkufizimi i përdorur përfshin vrasjet e qëllimshme të grave nga burrat, ndërsa mungesa e të dhënave mbi motivin e kufizon saktësinë e klasifikimit.
Ndërkaq raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2025 përmban një grafik të bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës:
| Viti | Femicidet |
|---|---|
| 2022 | 3 |
| 2023 | 4 |
| 2024 | 3 |
| Gjithsej | 10 |
Këto të dhëna janë në përputhje me serinë e mëparshme të raportit AIRE për vitin 2022.1
Raporti i Amnesty International i vitit 2023 evidentoi mangësi në mbrojtjen e viktimave, trajtimin e tyre nga policia dhe politikën ndëshkimore. Ndërkaq, raporti i OSBE-së i vitit 2024, i bazuar në monitorimin e 141 rasteve të dhunës në familje gjatë vitit 2023, evidentoi vonesa procedurale dhe përdorim të shpeshtë të dënimeve alternative ose të buta.2
2.Nga statistika e vrasjeve te përgjegjësia e shtetit
Problemi i Kosovës nuk qëndron vetëm te numri i grave të vrara, por edhe te mungesa historike e një sistemi të besueshëm të llogaridhënies që do të na tregonte sa prej këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar. Prandaj, hetimi retrospektiv nuk është kërkesë për hakmarrje ndaj institucioneve të së kaluarës, por domosdoshmëri për reformimin e shtetit të së ardhmes.
Këto shifra, përpara se të përdoren si statistikë zyrtare, qoftë edhe pa i trajtuar ato si një seri statistikore të konfirmuara, ato e shtrojnë një çështje thelbësore: dhuna ndaj grave nuk mund të analizohet vetëm në momentin kur një rast i caktuar trondit opinionin publik.
Duhet të kthehemi te historia e këtyre rasteve. Duhet të hulumtojmë se çfarë ka ndodhur, si janë trajtuar denoncimet, çfarë masash mbrojtëse janë ndërmarrë, cilat kanë qenë vendimet e prokurorive dhe gjykatave dhe, mbi të gjitha, a është ndëshkuar neglizhenca eventuale institucionale?
Prandaj, pyetja pse do të duhej të hetoheshin rastet e vrasjeve të grave, së paku që nga viti 2008, është plotësisht legjitime.
Nuk bëhet fjalë për ta trajtuar çdo rast të së kaluarës sikur të kishte ndodhur sot, as për t’i rihapur automatikisht të gjitha dosjet gjyqësore. Bëhet fjalë për një rishikim retrospektiv institucional, për të identifikuar modelet e përsëritura të dështimit, neglizhencën, shpërfilljen e denoncimeve, mangësitë në vlerësimin e rrezikut dhe mungesën e koordinimit ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe mekanizmave të mbrojtjes sociale.
Nëse një sistem ka dështuar disa herë në të njëjtën mënyrë, atëherë problemi nuk mund të shpjegohet pafundësisht me gabime individuale.
3. Një histori rastesh që kërkon përgjigje: nga Diana Kastrati te Sebahate Morina
Nëse duam ta kuptojmë seriozisht krizën e llogaridhënies institucionale në Kosovë, duhet të kthehemi te disa prej rasteve që kanë tronditur shoqërinë tonë gjatë viteve të fundit.
Rasti i Diana Kastratit, më 2011, është një ndër dëshmitë më të rënda të dështimit të mekanizmave shtetërorë të mbrojtjes. Ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por kërkesa e saj nuk ishte trajtuar në kohë. U vra nga ish-partneri i saj. Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas përgjegjësinë e institucionit gjyqësor për mosveprimin. Megjithatë, edhe pas shumë vitesh, procedura penale ndaj të dyshuarit nuk kishte marrë epilog, ndër të tjera për shkak të mosrealizimit të ekstradimit të tij.
Rasti i Antigona Morinës, po në vitin 2011, zbuloi një tjetër dimension të krizës. Jo vetëm që procedura fillestare gjyqësore përfundoi me lirimin e të akuzuarit, por ankesa e Prokurorisë nuk arriti fare në Gjykatën e Apelit. U desh ndërhyrja e mediave dhe presioni i organizatave të grave që procedura të rifillonte. Përfundimisht, bashkëshorti i saj u dënua me dy vjet burgim për shkelje të detyrimeve familjare.
Në vitin 2021, rasti i Sebahate Morina-Sopit e riktheu në mënyrën më dramatike këtë problem. Edhe pse dhuna ishte raportuar paraprakisht, institucionet nuk arritën ta mbronin. Gjykata Kushtetuese konstatoi shkeljen e së drejtës për jetë nga Policia dhe Prokuroria. U ndërmorën masa disiplinore ndaj prokurores përgjegjëse dhe u raportua për procedura ndaj zyrtarëve policorë, por mbetet e rëndësishme që publiku të informohet për përfundimin e plotë të procesit të llogaridhënies.
Edhe rasti i Marigona Osmanit, megjithëse përfundoi me konfirmimin e dënimeve të rënda në vitin 2025, kaloi nëpër anulim të aktgjykimit dhe rigjykim. Rasti i Sabile Mavrovqanit, ndërkaq, shënoi kalimin nga burgimi i përjetshëm në një dënim prej 25 vjetësh pas rigjykimit.
Këto raste nuk janë identike dhe nuk mund të trajtohen me të njëjtën masë juridike. Por ato kanë një emërues të përbashkët: nevojën që institucionet të japin përgjigje të plota, transparente dhe të verifikueshme.
Prandaj, kërkesa për një hetim retrospektiv të rasteve të vrasjeve të grave që nga viti 2008 nuk është as hakmarrje politike, as përpjekje për të rihapur arbitrarisht dosjet e përfunduara. Është kërkesë për të kuptuar nëse shteti ka bërë gjithçka që ka qenë juridikisht dhe institucionalisht e mundur për ta mbrojtur jetën e qytetareve të tij.
Nuk mjafton të dënohet dorasi. Duhet të hetohet edhe çdo dështim institucional që ka mundur ta bëjë vrasjen të parandalueshme.
4. Përgjegjësia penale, institucionale dhe politike
Në këtë debat duhet të bëjmë një dallim themelor: përgjegjësia penale nuk është e njëjtë me përgjegjësinë institucionale dhe as me atë politike.
Përgjegjësia penale përcaktohet nga gjykata, mbi bazën e provave dhe procedurës së rregullt.
Përgjegjësia institucionale kërkon të zbulohet se ku ka dështuar sistemi: kush e ka pranuar denoncimin, kush e ka vlerësuar rrezikun, çfarë masash janë ndërmarrë dhe pse mekanizmat mbrojtës nuk kanë funksionuar.
Ndërkaq, përgjegjësia politike ka një dimension tjetër. Ministrat nuk mund të mbajnë përgjegjësi penale për çdo krim që ndodh nën juridiksionin e ministrive të tyre. Por ata kanë detyrimin të shpjegojnë funksionimin e institucioneve që mbikëqyrin, të garantojnë mbikëqyrje efektive dhe të marrin masa kur evidentohen dështime sistemike.
Në këtë kuptim, suspendimi i zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e një rasti është masë e nevojshme për të krijuar kushtet e hetimit të paanshëm. Por suspendimi nuk është as dënim dhe as përfundim i llogaridhënies.
Pyetja që duhet të shtrohet tashmë më zëshëm është: a kemi të bëjmë me një dështim individual apo me një kulturë institucionale që ka lejuar përsëritjen e të njëjtave gabime?
Nëse kjo e dyta vërtetohet, atëherë përgjegjësia duhet të shkojë përtej nivelit operativ.
5. Protesta qytetare dhe rreziku i instrumentalizimit politik
Protesta për vrasjen e një gruaje është shprehje e një të drejte demokratike dhe e një kërkese legjitime për drejtësi. Dhimbja e familjes, zemërimi qytetar dhe kërkesa për llogaridhënie nuk mund të reduktohen në kalkulime partiake.
Megjithatë, duhet bërë kujdes që tragjedia të mos shndërrohet në instrument të përplasjes politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Synimi i protestës duhet të jetë i qartë: drejtësi për viktimën, hetim i pavarur, identifikim i përgjegjësive dhe reforma institucionale. Por, duke ruajtur kufinjtë e qëndrimit human, pa kaluar në histeri.
Nëse protesta shndërrohet në një betejë për kapital politik, siç ka shenja të qarta se po ndodhë, rrezikohet të humbasë pikërisht thelbi i saj. Rasti individual mund të përvetësohet nga agjenda partiake, ndërsa pyetjet thelbësore për funksionimin e policisë, prokurorisë dhe gjykatave mbeten pa përgjigje. Kjo nuk guxon të ndodhë asesi.
6. Kur tragjedia shndërrohet në kauzë politike: dorëheqjet ministrore dhe interesi i shtetit
Një dimension tjetër i kësaj krize, që nuk mund të anashkalohet, është mënyra se si opozita po e trajton politikisht rastin e vrasjes së zonjës Zekaj. Kërkesat për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, të parashtruara në një moment të ngarkuar emocionalisht për shoqërinë, shtrojnë një pyetje që shkon përtej përgjegjësisë individuale të këtyre dy bartësve të funksioneve publike: a po synohet realisht vendosja e një standardi të ri të llogaridhënies institucionale, apo tragjedia po shndërrohet në pretekst për ndërtimin e një kauze politike që do t’i paraprinte rrëzimit të qeverisë?
Kjo pyetje nuk është e parëndësishme. Në një demokraci parlamentare, opozita ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen e ministrave, të iniciojë mocion mosbesimi dhe të synojë ndryshimin e qeverisë. Këto janë instrumente legjitime të konkurrencës politike. Por legjitimiteti i instrumentit nuk e bën automatikisht legjitim çdo përdorim të tij, sidomos kur në qendër të debatit qëndron një tragjedi njerëzore dhe një familje që përballet me humbjen e pakthyeshme të njeriut të saj të dashur.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet opozitarizmit konstruktiv dhe instrumentalizimit të një tragjedie. E para synon ta detyrojë pushtetin të japë llogari, të korrigjojë dështimet dhe të garantojë që raste të tilla të mos përsëriten. E dyta rrezikon ta zhvendosë vëmendjen nga viktima, nga përgjegjësia institucionale dhe nga reforma e domosdoshme, drejt një beteje për mbijetesën ose ndryshimin e pushtetit.
Nëse kërkesa për dorëheqjen e dy ministrave nuk mbështetet në një analizë të qartë të kompetencave të tyre, të informacionit që kanë pasur, të masave që kanë ndërmarrë apo të mosveprimit eventual, atëherë ajo rrezikon të shndërrohet në një akt të paracaktuar të gjykimit politik. Përgjegjësia politike nuk mund të jetë e shkëputur nga faktet dhe as të reduktohet në logjikën se, sa herë ndodh një krim i rëndë, duhet të largohet automatikisht ministri përkatës.
Pyetja që duhet t’i shtrohet opozitës është: nëse qëllimi është drejtësia për viktimën dhe mbrojtja e grave të tjera, pse debati duhet të përqendrohet para së gjithash te rrëzimi i qeverisë dhe jo te një platformë konkrete për hetimin e të gjitha rasteve, identifikimin e përgjegjësive dhe reformimin e institucioneve?
Një opozitë që synon ta ushtrojë rolin e saj si alternativë qeverisëse do të duhej ta shndërronte këtë tragjedi në një mundësi për të propozuar standarde më të larta të sigurisë publike, mekanizma më efikasë të mbrojtjes së viktimave dhe mbikëqyrje më të fortë institucionale. Kërkesa për dorëheqje mund të jetë pjesë e këtij debati, por nuk mund të jetë zëvendësim për të.
7. Pse instrumentalizimi politik i tragjedisë mund ta dëmtojë interesin e shtetit?
Këtu çështja merr një dimension edhe më të gjerë, atë të interesit shtetëror.
Kosova nuk ndodhet në një realitet të zakonshëm politik e gjeopolitik. Ajo përballet me sfida të vazhdueshme të sigurisë, të konsolidimit institucional, të njohjes ndërkombëtare dhe të integrimit euroatlantik. Në një kontekst të tillë, stabiliteti institucional, besueshmëria e sistemit të drejtësisë dhe kohezioni shoqëror nuk janë vetëm çështje të politikës së brendshme. Ato janë pjesë e kapacitetit të shtetit për të mbrojtur interesat e veta strategjike.
Kjo nuk do të thotë se qeveria duhet të mbrohet nga kritika në emër të interesit shtetëror. Përkundrazi, një qeveri që nuk jep llogari për dështimet institucionale e dobëson vetë shtetin që pretendon ta përfaqësojë. Por është po aq e papërgjegjshme që një tragjedi njerëzore të shndërrohet në instrument të një përplasjeje politike, pa u përcaktuar më parë përgjegjësitë konkrete dhe pa u ndërtuar një alternativë serioze për zgjidhjen e problemit.
Një proces i tillë instrumentalizimi mund ta dëmtojë interesin e shtetit në disa drejtime.
Së pari, duke e zëvendësuar llogaridhënien me polarizimin politik. Në vend që të krijohet një konsensus minimal për mbrojtjen e jetës së grave dhe reformimin e institucioneve, shoqëria ndahet në kampe politike që garojnë se kush do të përfitojë më shumë nga tragjedia.
Së dyti, duke e dobësuar besimin në institucionet e drejtësisë. Nëse prokuroria, policia dhe gjykatat trajtohen kryesisht si instrumente të betejës ndërmjet pushtetit dhe opozitës, atëherë rrezikohet të dëmtohet pavarësia e tyre dhe besimi i publikut në procedurat ligjore.
Së treti, duke e zhvendosur vëmendjen nga reforma sistemike. Dorëheqja e një ministri, edhe nëse ndodh, nuk garanton vetvetiu ndryshimin e kulturës institucionale. Nëse pas saj mbeten të njëjtat struktura, të njëjtat praktika dhe të njëjtat mangësi, atëherë shoqëria do të ketë fituar një episod të ri politik, por jo siguri më të madhe për qytetarët.
Së katërti, duke e ekspozuar Kosovën ndaj një imazhi të paqëndrueshmërisë institucionale. Partnerët ndërkombëtarë presin që institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të trajtojnë krizat përmes sundimit të ligjit, transparencës dhe mekanizmave demokratikë të përgjegjësisë. Një debat i reduktuar në akuza të ndërsjella dhe kalkulime për rrëzimin e qeverisë nuk e ndihmon këtë objektiv.
Prandaj, interesi i shtetit nuk mbrohet duke heshtur përballë dështimeve, por as duke i shndërruar ato në instrumente të një beteje partiake. Ai mbrohet duke ndërtuar një standard të përbashkët: asnjë pushtet nuk është mbi përgjegjësinë dhe asnjë opozitë nuk duhet ta vendosë interesin e vet elektoral mbi të drejtën e qytetarëve për drejtësi.
Në këtë kuptim, çështja nuk është nëse qeveria duhet të mbetet apo të largohet. Kjo është çështje që zgjidhet përmes mekanizmave kushtetues dhe vullnetit parlamentar. Çështja është nëse tragjedia e zonjës Zekaj do të shërbejë për të ndërtuar një standard të ri të llogaridhënies apo do të mbetet vetëm një episod tjetër i konfliktit politik kosovar.
8. Përfundim: Interesi i shtetit kërkon drejtësi, jo kalkulim partiak
Në fund, duhet të jemi të qartë: kërkesa për drejtësi nuk mund të jetë monopol i opozitës, sikurse përgjegjësia institucionale nuk mund të jetë monopol i pushtetit. Asnjëra palë nuk mund ta përvetësojë dhimbjen e familjes së viktimës dhe as ta përdorë atë si kapital politik.
Opozita ka të drejtë të kërkojë dorëheqje dhe të synojë ndryshimin e qeverisë. Por ajo duhet të dëshmojë se përtej kësaj kërkese ka një koncept për reformimin e shtetit dhe për parandalimin e tragjedive të ardhshme. Pushteti, nga ana tjetër, nuk mund të fshihet pas argumentit të politizimit për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe llogaridhënies.
Interesi i Kosovës kërkon që kjo tragjedi të mos shndërrohet as në mburojë për pushtetin, as në shkallë për ambiciet e opozitës.
Ajo duhet të shndërrohet në pikënisje të një procesi të thellë institucional: hetim të pavarur, auditim retrospektiv të rasteve të vrasjeve të grave që nga viti 2008, identifikim të përgjegjësive dhe reformim të mekanizmave të mbrojtjes.
Kjo do të ishte një kauzë me interes të vërtetë shtetëror. Çdo kauzë tjetër që e vendos fatin e një qeverie mbi të drejtën e viktimës për drejtësi rrezikon ta humbasë thelbin e kësaj tragjedie.
_____
1. https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/127563ea-4c03-44a4-b56c-2d569afd86a5_en?filename=kosovo-report-2025.pdf&utm_source=chatgpt.com
2. https://www.amnesty.org/en/latest/news/2023/08/kosovo-authorities-are-failing-domestic-violence-victims/?utm_source=chatgpt.com
