Ali Sh. Mehmeti
Viti 1968 mbahet mend për shkak të një vale të protestave dhe demonstratave anë e mbanë Evropës. Edhe pse filluan në fund të vitit 1967 në Torino të Italisë, historikisht mbahen mend sikur demonstratat e vitit 1968 sepse atëherë u përhapën në mbarë Evropën. Nëpër Paris, Pragë, Varshavë, Berlin, Madrid, Romë deri në Beograd dhe Prishtinë. Jo gjithnjë për arsye të njëjta.
Në shtetet e bllokut lindor, studentët protestuan kundër censurës dhe kërkonin më shumë liri politike, demokraci, reforma ekonomike dhe universitare, respektivisht një socializëm më demokratik. Të gjitha protestat u shuan me dhunë, madje në Çekosllovaki edhe me ndërhyrje ushtarake ruse.
Në shtetet perëndimore kapitaliste, fusha e kërkesave ishte më e shumëllojshme. Nga kërkesa për reforma universitare që përfshinin heqjen e disiplinës autoritare, heqjen e ndalesave që djemtë dhe vajzat të jetojnë në të njëjtin konvikt që lidheshin pastaj edhe me liritë seksuale që përfshinin qasje në kontracepsion dhe të drejtën në shmangie të shtatzënive të padëshiruara dhe të drejtat e grave që përfshinin barazi në arsim, punësim dhe vendimmarrje; zvogëlimi i pabarazive që përfshinin kërkesa për paga më të larta, kushte më të mira punë, kundër privilegjeve të elitave; liri në veshje, muzikë, art deri te kundërshtimi i luftës në Vietnam. Shumë nga këto kërkesa u aprovuan dhe zbatuan viteve në vijim, përveç njërës: zvogëlimin e pabarazive!
Protestat në Jugosllavi, që nuk i takonte as lindjes as perëndimit, ishin më ndryshe, varësisht nga vendi ku zhvilloheshin. Në Beograd dhe Zagreb kërkesat ishin po thuaj identike: zhdukja e privilegjeve të funksionarëve komunistë, demokratizimi i Lidhjes së Komunistëve, liria e shtypit, liria e tubimeve dhe të demonstratave, përfaqësimi i studentëve në universitet, punësim për të diplomuarit, luftimi i pasurimit të padrejtë dhe korrupsionit.
Në Kosovë kërkesat ishin më specifike se në Beograd: kërkohej statusi i republikës, universiteti në gjuhën shqipe, kushtetuta, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe.
Demonstratat u shtypën me dhunë policore, kurse pati të vrarë dhe të plagosur, qindra të burgosur dhe të dënuar.
Pra, edhe pse të gjitha këto lëvizje njihen si pjesë e gjeneratës së vitit 1968, ato nuk luftonin për të njëjtën gjë. Një i ri në Paris mund të kërkonte lirinë për të jetuar me partneren e vet pa martesë në konvikt studentor, ndërsa një student shqiptar në Prishtinë kërkonte të drejtën për të studiuar në gjuhën e vet dhe për njohjen e Kosovës si republikë.
Vala e protestave nëpër Evropë sigurisht që ishte katalizator edhe për protestat dhe kërkesat e shqiptarëve në Kosovë, jo pse ato nuk do të ndodhnin ndonjë vit më pas. Por, siç ishin këto katalizator për Kosovën, ashtu demonstratat e Kosovës ishin katalizator për demonstratat dhe kërkesat e protestuesve në Zagreb 3 vjet më vonë, kur studentët dhe intelektualët kroatë në Zagreb kërkonin më shumë sovranitet politik, pavarësi ekonomike, barazi kombëtare dhe njohjen e veçantë të gjuhës kroate brenda Jugosllavisë.
Protestat e Zagrebit të vitit 1971 u shuan kryesisht përmes represionit policor, ndërhyrjes politike të Titos, shkarkimit të udhëheqjes reformiste kroate dhe arrestimit të drejtuesve studentorë.
Sipas të gjitha gjasave dhe ngjarjeve aktuale në Evropë, viti 2026 do të mbahet mend sikurse edhe viti 1968, sipas valës së protestave gjithë evropiane! Por, ku është dallimi?
Derisa në vitin 1968 kërkesat studentore dhe të qytetarëve në përgjithësi ishin mjaft heterogjene, këtë vit kërkesat janë më uniforme, në pajtim edhe me globalizimin që ka ndodhur në 3-4 dekada të fundit.
Aktualisht protestohet kundër rritjes enorme të çmimeve, respektivisht kundër uljes kritike të aftësisë blerëse të qytetarit evropian dhe pakënaqësisë me shërbimet publike, kurse në disa shtete, siç ishin apo janë Mali Zi, Hungaria, Serbia dhe Shqipëria, duhet shtuar edhe kundër udhëheqësve autoritar, kundër korrupsionit, nepotizmit dhe arrogancës të pushtetit.
Siç u theksua më lartë, po thuaj të gjitha kërkesat e vitit 1968 janë realizuar, përveç asaj për zvogëlimin e pabarazisë pasurore. Kjo vërtetohet edhe nga shënimet nga World Inequality Report 2026, ku thuhet se 10% e popullatës në botë, në vitin 2025 zotëronin 74% të pasurive botërore, kurse në vitin 1995 zotëronin 77%. Pra, një diferencë minimale për të mirë. Ndryshimi ka ndodhur brenda atyre më të pasurve prej 10%, nga të cilët vetëm 0,001% sot zotërojnë 6,1% të pasurisë kurse në vitin 1995 zotëronin 3,8% !
Në nivelin evropian, situata është pak më e mirë në krahasim me atë botëror. Por trendi është më i keq. Në nivelin botëror 3% të pasurisë ka kaluar nga duart e të pasurve në duart e të varfërve, kurse në nivelin evropian 2% të pasurisë ka kaluar nga duart e të varfërve në duart e të pasurve.
Pra, në Evropë, pabarazia si pasojë e padrejtësisë, jo vetëm se nuk është zvogëluar, por është thelluar. A ka ardhur koha që të pasurit edhe njëherë ta lexojnë librin e ekonomistit me famë botërore dhe laureatit të çmimit Nobel për ekonomi Joseph Stiglitz, “Çmimi i pabarazisë”, ku thotë “Të pasurit nuk jetojnë në vakuum. Atyre ju duhet shoqëria që funksionon, për ta mbajtur pozitën e tyre. Shoqëritë ku pabarazia është tepër e madhe nuk funksionojnë me efikasitet, ndërsa ekonomitë e tyre nuk janë as stabile, as të qëndrueshme në planin afatgjatë. Dëshmitë që na ofron historia dhe përvojat e sotme nga shumë pjesë të botës janë të qarta dhe të padyshimta: në një moment të caktuar, kur pabarazia arrin nivele të papërballueshme, nis një spirale rënieje – e gjithë shoqëria rrëshqet drejt mosfunksionimit”!
A jemi në prag të kësaj situate dhe si arritëm këtu?
Në 3-4 dekada të fundit janë disa momente që ndikuan në mënyrë vendimtare në uljen e aftësisë blerëse të qytetarëve evropian, që është thelbi i protestave aktuale.
Dështimi i sistemit socialist sovjetik diktatorial, të cilin disa e quajnë komunist, në Bashkimin Sovjetik, është momenti i parë. Mund të tingëllon absurde, por qytetarët evropian ia kanë pa sherrin rënies së sistemit socialist sovjetik. Sepse rënia e këtij sistemi ua ka lënë duart e lira kapitalistëve perëndimor që të sillen si të duan, sepse nuk kishin më nevojë të dëshmohen para qytetarëve të vet, se sistemi i tyre është më i mirë se ai sovjetik. Me fjalë tjera sistemi kapitalist ka mbetur pa konkurrencë! Kapitalisti pa konkurrencë, dihet si sillet.
Futja e euros në vitin 2002 është momenti i dytë që shënoi plaçkitje masive të qytetarëve evropian, sidomos atyre në €uro zonë. Kur valuta € u fut në qarkullim filloi me raport 1:2 në krahasim me markën gjermane (DM) dhe 1:6,56 në krahasim me frangun francez (FF). Sikur sot të ekzistonin këto dy valuta 1 € do vlente 1,2-1,4DM dhe 4,03-4,2 FF (qershor 2024).
Arsyet e zhvlerësimit të euros janë të shumta: kriza më e madhe ekonomike në botë, e shkaktuar me kolapsin e tregjeve botërore në vitin 2008 që filluan me krizën e patundshmërive në ShBA që pas vetës tërhoqën edhe tregje tjera botërore; kriza e borxhit grek (2009); dalja e Britanisë së Madhe nga BE dhe Pandemia (2020).
Por, plaçkitja nuk ndodhi me vet faktin e futjes së euros dhe zhvlerësimit të tij, por më shumë për shkak se iu dha rasti prodhuesve dhe sidomos tregtarëve, për lloj lloj marifetesh. Filluan të ndryshojnë emrat aktual me emra të ri pa ndryshuar fare produktin; ndryshuan paketimet, sasinë, gabaritet e ambalazhimeve, ambalazh më të madhe për sasi më të vogël, koloritin e ambalazheve … dhe të gjitha këto për të gjetur arsye për ndryshimin e çmimeve, lexo, për ngritjen e çmimeve.
Lufta në Ukrainë i dha edhe një goditje të fuqishme rritjes së çmimeve për të gjitha llojet e energjisë, shumë lëndëve të para, grurit, misrit, lulediellit, plehrave artificial dhe shkaktoi nervozë nëpër tregjet, sidomos në vitin e parë të fillimit të kësaj lufte.
Por, edhe pas pandemisë edhe pas fillimit të luftës në Ukrainë, pasi tregjet u qetësuan dhe furnizimet u stabilizuan, çmimet nuk u kthyen. Kjo, edhe për arsye se duhej financuar rezistencën e Ukrainës përballë Rusisë, që po e kushton Evropën me qindra miliardë euro.
Faktori Tramp dhe lufta me Iranin janë pika e fundit që mbushi kupën. Çmimi i karburanteve gati u dyfishua, që ndikoi edhe në shpenzimet e transportit dhe prodhimit, duke rritur edhe çmimet e ushqimit. Kur kësaj i shtohen edhe lloj lloj marifetesh të Trampit me taksa dhe kufizime tjera tregtare dhe sidomos rritja e shpenzimeve ushtarake të anëtarëve të NATO nga 3% në 5% të bruto prodhimit vendor, barra mbi supet e qytetarëve do të rritet edhe më tej.
PËRFUNDIM
Deri sa krizat nuk bien mbi supet e të pasurve, atij 10%-i që zotëron rreth 60-70% të pasurisë, dhe sidomos atyre shumë të pasurve 0,001%-i, mos të çuditemi pse po ndodhim këto protesta dhe pse nuk do ndalen, pavarësisht se pushtetet, si duket, kanë vendosur ti shuajnë me masa represive. Nëse kjo është e vërtet, atëherë mosbesimi ndaj klasës politike aktuale evropiane, veçse do të thellohet edhe më shumë!
Në ndërkohë, e djathta ekstreme po përhap tezën se normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë, përfundimi i shpejtë i luftës në Ukrainë, rikthimi i bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në sektorin e energjisë do të përmirësonte mirëqenien e evropianëve, që ka një logjikë ekonomike. Kundër argumenti është se rikthimi i varësisë nga gazi rus mund ta bëjë Evropën përsëri të cenueshme ndaj presioneve politike, kurse për shtetet që janë në kufi me Rusinë, Ukrainën dhe Bjellorusinë, është më me rëndësi siguria sesa mirëqenia.
Establishmenti aktual evropian kundërshton marrëveshjet që shpërblejnë agresionin rus me ndryshime territoriale dhe argumenton se mbështetja e Ukrainës është investim në sigurinë evropiane. Në të kundërtën do ishte një precedent i rrezikshëm nga i cili druajnë shtete kufitare.
Me fjalë tjera, sot në Evropë ekzistojnë dy qasje ndaj Rusisë: qasja e normalizimit dhe qasja e sigurisë (lexo konfrontimit).
Qasjen e normalizimit e përkrah edhe politika aktuale amerikane, për t’u liruar nga barra e Ukrainës dhe për t’u përqendruar në “luftë” kundër Kinës dhe luftë kundër Iranit
Për cilën qasje do të deklarohen qytetarët evropian mbetet të shihet nëpër zgjedhjet e ardhshme nacionale. Duke pasur parasysh mosbesimin e thellë që qytetarët kanë ndaj establishmentit aktual evropian, duke e ditur se në fund të fundit e shikojnë interesin personal dhe momental dhe duke mos e ditur sa janë të gatshëm ta “shtrëngojnë rripin”, nuk duhet të habitemi nëse deklarohen për normalizim, që do e sjell në pushtet të djathtën ekstreme, s’paku në disa shtete evropiane. Kushdo që fiton brenda shteteve nacionale, diferenca do jetë shumë e ngushtë. Nëse edhe në nivel evropian do ketë shtete që do deklarohen për opsione të ndryshme, atëherë ky mund të jetë edhe fundi i Bashkimit Evropian. Pikërisht, çka do Rusia!
Besimi i qytetarëve mund të rikthehet vetëm nëse ata binden se edhe të pasurit, ai 10%-i ku hynë edhe shumica e elitës politike, janë të gatshëm të “sakrifikojnë”, duke ulur profitin apo pagat e tyre dhe këtë pasuri t’ua rishpërndajnë atyre nga 60-70%-i! Kështu do krijohej një front unik mbarë evropian, i qartë edhe për Rusinë, që do e dekurajonte nga ambiciet e saj dhe do e bënte që ajo të kërkon normalizim dhe jo Evropa.
Në të kundërtën, “fitorja” e Rusisë është e sigurt!
