Prof. Ass. Dr. Gurakuç Kuçi
Profesor në Kolegjin Universum dhe Bashkëpunëtorë i Jashtëm në ISLH “OCTOPUS” dhe ISHGJ
Energjia dhe rrugët e furnizimit të saj kanë qenë prej kohësh pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve të fuqisë ndërmjet shteteve. Që nga koha kur nafta dhe hidrokarburet në përgjithësi u shndërruan në burime strategjike, jo vetëm vendet që i zotërojnë ato, por edhe ato nëpër të cilat kalojnë korridoret energjetike, kanë fituar një peshë të veçantë gjeopolitike. Megjithatë, pasja e burimeve natyrore nuk ka qenë gjithmonë bekim. Për disa shtete ato kanë sjellë zhvillim dhe ndikim, ndërsa për të tjera janë kthyer në burim varësie, rivaliteti dhe konfliktesh. Këtë realitet po e shohim edhe sot, me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe përshkallëzimet në Lindjen e Mesme, ku energjia dhe siguria e rrugëve të furnizimit janë bërë pjesë e drejtpërdrejtë e përplasjeve gjeopolitike.
Mirëpo, në këtë tablo po shfaqet edhe një qasje e tretë strategjike, ajo e Kaukazit Jugor dhe veçanërisht e Azerbajxhanit. Këto tri qasje dallojnë nga mënyra se si energjia ndërthuret me luftën, presionin dhe diplomacinë, jo nga ekzistenca apo mungesa e konflikteve. Ndryshe nga lufta Rusi–Ukrainë, ku energjia është përdorur si instrument presioni dhe është bërë objektiv i sulmeve, apo Lindja e Mesme, ku konfliktet kërcënojnë arteriet kryesore të furnizimit ndërkombëtar, Azerbajxhani po përpiqet ta zgjerojë ndikimin e tij përmes diplomacisë energjetike dhe ndërlidhjes së tregjeve. Edhe në një hapësirë të përshkuar nga rivalitetet e fuqive të mëdha, energjia mund të shërbejë si instrument bashkëpunimi dhe i ndërtimit të fuqisë gjeoekonomike, duke e vendosur Bakunë në rolin e një aktori aktiv që menaxhon balancën mes korridoreve, tregjeve dhe varësive të reja që sjell vetë zgjerimi i ndikimit.
Arkitektura e dyfishtë energjetike e hidrokarbureve dhe korridoreve të gjelbra
Për vendet që mbështeten fuqishëm në hidrokarbure, si Azerbajxhani, eliminimi i tyre në afat të shkurtër do të sillte rreziqe të konsiderueshme ekonomike, pasi vetë eliminimi i tyre i shpejtë mund të nënkuptojë më shumë ngecje ekonomike sesa zhvillim. Mirëpo, ndryshimet strukturore dhe substanciale karshi rrethanave gjeopolitike dhe mjedisore janë elemente të cilat kërkojnë një balancë dhe mençuri në përshtatjen e rrethanave gjeoekonomike me ato gjeopolitike.
Për Azerbajxhanin, zhvillimi i energjisë së gjelbër nuk është një largim domosdoshmërisht nga hidrokarburet, por një zhvillim në dy drejtime paralele që përforcojnë njëra-tjetrën. Kjo qasje mund të interpretohet si një strategji e qëllimshme për të ruajtur rëndësinë energjetike dhe gjeopolitike të Azerbajxhanit edhe në kushtet e ndryshimit të strukturës së tregjeve globale.
Kjo për faktin se gazi natyror vazhdon të sigurojë të ardhura dhe rëndësi strategjike për Bakunë, por investimet në energjinë e rinovueshme krijojnë mundësinë që rëndësia e vendit të mos mbetet e kufizuar vetëm te rezervat e gazit dhe naftës, por edhe te alternativat që zhvillohen me rrjedhën historike. Andaj, kjo mundëson një model që zgjat ndikimin energjetik përtej kufijve të modelit tradicional të eksportit të hidrokarbureve.
Rëndësia e këtij orientimi u rrit pas pushtimit rus të Ukrainës, ku përmes Korridorit Jugor të Gazit, Azerbajxhani u bë pjesë e rëndësishme e diversifikimit energjetik evropian. Në vitin 2025, ky shtet bashkë me kompaninë shtetërore SOCAR, furnizuan BE-në me 12.5 miliardë metra kub gaz. Marrëveshja e vitit 2022 kishte për objektiv zgjerimin e kapacitetit të Korridorit Jugor të Gazit për të mundësuar furnizimin me të paktën 20 miliardë metra kub gaz në vit drejt BE-së deri më 2027. Por arritja e këtij objektivi kërkon investime të konsiderueshme në prodhim dhe transmetim, duke treguar se, përkundër rëndësisë politike të gazit, ajo nuk mund të shndërrohet automatikisht në kapacitet të ri të furnizimit.
Nga ana tjetër, energjia e gjelbër Bakusë i krijon dy mundësi strategjike. Së pari, përdorimi i burimeve të rinovueshme për konsumin e brendshëm mund të lirojë një pjesë të gazit natyror për eksport. Për shembull, centrali diellor Garadagh, me kapacitet 230 MW, është projektuar të kursejë rreth 110 milionë metra kub gaz në vit. Së dyti, projektet e transmetimit të energjisë elektrike mund ta zgjerojnë rolin e Azerbajxhanit nga prodhues dhe eksportues në një nyje ndërlidhëse ndërmjet Azisë Qendrore, Kaukazit dhe Evropës.
Një ambicie e tillë po merr formë përmes korridorit të gjelbër Azerbajxhan–Gjeorgji–Deti i Zi–Rumani–Hungari, studimi i fizibilitetit të të cilit përfundoi në korrik 2026. Ndërkohë, marrëveshja e nëntorit 2026 ndërmjet Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Turqisë dhe Bullgarisë krijon bazën për zhvillimin e një rruge tjetër të transmetimit të energjisë së pastër. Bashkëpunimi me Kazakistanin dhe Uzbekistanin e zgjeron më tej këtë perspektivë drejt burimeve energjetike të Azisë Qendrore. Sidoqoftë, këto korridore mbeten kryesisht projekte në zhvillim, jo kapacitete tashmë funksionale, andaj edhe ambiciet duhet mbajtur nën kontroll, pasi vonesat në realizim, mungesa e financimit apo pasiguria e korridoreve mund të prodhojnë jo vetëm humbje ekonomike, por edhe dobësim të besueshmërisë strategjike të projekteve.
Kjo arkitekturë e dyfishtë nuk është vetëm një përshtatje ndaj tranzicionit energjetik, por edhe një përpjekje për të ndryshuar bazën e fuqisë gjeoekonomike të Azerbajxhanit, nga një shtet që rëndësia e tij mbështetet tek burimet që zotëron, drejt një aktori që mund të përfitojë edhe nga korridoret të cilat i lidh mes vete. Prandaj, realizimi i këtyre transformimeve nuk varet vetëm nga potenciali energjetik, por edhe nga kapaciteti për të siguruar tregje, investime, partneritete të qëndrueshme dhe siguri për infrastrukturën që do ta mbështesë këtë transformim.
Ndërvarësia energjetike Azerbajxhan–BE: Kush fiton më shumë ndikim?
Në marrëdhëniet energjetike ndërmjet shteteve, zotërimi i burimeve nuk mjafton që ke edhe gjithë fuqinë negociuese e madje as fuqinë më të madhe negociuese. Në çështje të tilla ka shumë rëndësi edhe se kush i kontrollon tregjet, kush i siguron investimet dhe sa alternativa ka secila palë në rast të një ndërprerje bashkëpunimi. Në këtë kuptim edhe Azerbajxhani me Bashkimin Evropian po zhvillon një ndërvarësi e cila u shërben të dyja palëve edhe pse jo domosdoshmërisht me përfitime dhe ndikim të barabartë.
Gazi azerbajxhanas është shumë i rëndësishëm për Brukselin për të zvogëluar varësinë nga Rusia, megjithatë në shkallë të BE-së ai mbulon vetëm 4% të kërkesës për gaz. Por rëndësia e saj rritet jashtëzakonisht shumë kur arrin të furnizojë disa vende nga Evropa Juglindore dhe Qendrore nga Kaspiku, veçanërisht ato që kanë pasur varësi historike nga gazi rus ose që vazhdojnë të kenë alternativa të kufizuara furnizimi. Andaj kjo i jep Bakusë një pozicion që nuk matet më vetëm me sasinë e gazit të eksportuar, por edhe me rëndësinë që këto furnizime kanë për sigurinë e vendeve të caktuara.
Por kjo marrëdhënie ka edhe anën tjetër të medaljes, përderisa Evropa merr gjysmën e eksporteve të gazit të Azerbajxhanit dhe BE mbetet partneri më i madh tregtar dhe investitor i rëndësishëm. Kjo do të thotë se Bakuja nuk varet vetëm nga tregu evropian si blerës i gazit, por edhe nga mundësitë për të siguruar investime dhe kapital për zgjerimin e kapaciteteve energjetike. Mirëpo, investimet e tilla kërkojnë një perspektivë afatgjatë të tregut, pasi zgjerimi i prodhimit dhe i infrastrukturës nuk mund të mbështetet vetëm në kërkesën e sotme. Pikërisht këtu merr rëndësi edhe fakti se BE-ja synon të zvogëlojë përdorimin e hidrokarbureve në dekadat e ardhshme.
Kjo ngre çështjen se Azerbajxhani duhet të sigurojë që investimet e sotme të mos e lidhin ekonominë e tij me një treg që gradualisht mund të ndryshojë strukturën e konsumit. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se investimet në gaz janë domosdoshmërisht të gabuara apo të paqëndrueshme. Qëndrueshmëria e tyre do të varet nga kërkesa e ardhshme, kontratat afatgjata dhe mundësitë që Azerbajxhani ka për të zgjeruar ose diversifikuar tregjet e eksportit. Pikërisht, për këto arsye, Bakusë mund t’i shërbejë energjia e gjelbër si një instrument për ta ruajtur marrëdhënien strategjike me Evropën edhe përtej gazit natyror, duke i zgjeruar instrumentet e ndikimit, edhe pse kjo nuk do ta zvogëlonte domosdoshmërisht varësinë nga tregu evropian.
Gjeopolitika e korridoreve dhe rishpërndarja e fuqisë në Kaukazin Jugor
Në marrëdhëniet gjeopolitike, kontrolli mbi burimet energjetike është një përparësi strategjike, por po aq rëndësi ka edhe kontrolli mbi rrugët nëpër të cilat ato arrijnë te konsumatori. Kjo e vendos Azerbajxhanin në një pozitë interesante, pasi ky shtet zotëron burime të rëndësishme energjetike dhe për t’i shndërruar ato në ndikim ndërkombëtar ka nevojë edhe për shtetet që mundësojnë tranzitin. Në këtë kuptim, korridoret e reja nuk po ndikojnë vetëm në marrëdhëniet Azerbajxhan–BE, por edhe në ekuilibrat gjeopolitikë të Kaukazit Jugor dhe hapësirës përreth tij.
Turqia është një nga përfituesit strategjikë pasi përmes TANAP-it, Ankaraja tashmë ka një rol të rëndësishëm në transportimin e gazit azerbajxhanas drejt Evropës. Ndërsa zhvillimi i korridorit të gjelbër përmes Gjeorgjisë, Turqisë dhe Bullgarisë mund ta zgjerojë këtë rol edhe në transmetimin e energjisë elektrike. Andaj, Turqia nuk po tregohet e rëndësishme vetëm nga pozita gjeografike por edhe nga aftësia për t’u bërë pjesë e domosdoshme e lidhjeve energjetike ndërmjet Kaspikut dhe tregjeve evropiane. Korridori i cili është planifikuar përmes Detit të Zi dhe që nuk kalon nga Turqia, tregon se Bakuja nuk i ka vënë gjitha vezët në një shportë dhe po kërkon alternativa që nuk e përqendrojnë gjithë transitin në një drejtim.
Gjeorgjia po ashtu mbetet një hallkë e rëndësishme pasi përmes territorit të saj kalojnë rrugët ekzistuese të hidrokarbureve dhe parashikohen edhe korridore të reja të energjisë së gjelbër. Kjo i jep Tbilisit një peshë të veçantë negociuese, pasi pozicioni i tij si nyje e përbashkët e korridoreve e bën të rëndësishëm për vazhdimësinë e furnizimit dhe zhvillimin e projekteve të ardhshme. Kjo pozitë Tbilisit i krijon edhe përgjegjësi për sigurinë e infrastrukturës. Tensionet e brendshme politike dhe përkeqësimi i marrëdhënieve me BE-në potencialisht ndikojnë edhe në besueshmërinë e këtij vendi si partner afatgjatë i ndërlidhjes energjetike.
Zgjerimi i korridoreve energjetike paraqet zhvillime me implikime tjera strategjike për Rusinë dhe Iranin. Moska përballet me krijimin e lidhjeve lindje-perëndim që shmangin territorin e saj duke ia kufizuar ndikimin në rrugët e furnizimit dhe transportit. Megjithatë, kufizimi i kontrollit mbi këto rrugë nuk nënkupton domosdoshmërisht dobësim në të njëjtën masë të ndikimit politik dhe të sigurisë që Rusia vazhdon të ushtrojë në rajon. Irani, nga ana tjetër, ka interes të ruajë rëndësinë e vet në lidhjet rajonale, veçanërisht ndërmjet Azerbajxhanit, Armenisë dhe Nahçivanit. Për Teheranin, çështja nuk kufizohet vetëm te konkurrenca energjetike, por lidhet edhe me korridoret territoriale dhe ndryshimin e mundshëm të pozitës së tij në ndërlidhjen rajonale, veçanërisht në raport me Armeninë.
Në këtë strukturë shfaqet edhe SHBA-ja, e cila veçanërisht përmes nismës TRIPP po ndikon në ndërlidhjen e Azerbajxhanit me Nahçivanin përmes Armenisë. Kjo përfshirje i jep Uashingtonit mundësinë të ndikojë jo vetëm në zhvillimin e infrastrukturës, por edhe në konfigurimin e marrëdhënieve të reja rajonale. Në këtë rast, edhe Armenia fiton rëndësi strategjike, pasi nuk është thjesht territor nëpër të cilin mund të kalojë një korridor, por shtet, sovraniteti, interesat dhe vendimmarrja e të cilit janë pjesë e realizimit të projektit. TRIPP është një nismë e ndërlidhjes multimodale, me rëndësi potenciale edhe për infrastrukturën energjetike, por nuk përbën sot një korridor funksional energjetik. Ajo mund të krijojë mundësi të reja infrastrukturore dhe të ndryshojë rëndësinë e rrugëve ekzistuese, duke ofruar hapësirë për ndërlidhje më të gjerë rajonale ku Bakuja ruan peshën e saj si nyje kyçe.
Andaj kjo arkitekturë e re nuk po ndikon vetëm në rritjen e rëndësisë së Azerbajxhanit, por po krijon një sistem ku fitojnë rëndësi edhe shtetet tranzite. Për Bakunë sfidë nuk është vetëm krijimi i korridoreve, por edhe sigurimi i zgjerimit të tyre në më shumë alternativa strategjike, pa e zëvendësuar një varësi me një tjetër dhe pa u vendosur përballë qendrave të reja të ndikimit mbi të cilat nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë.
Paradoksi i fuqisë energjetike si avantazh dhe varësi
Për Azerbajxhanin, varësitë e korridoreve marrin peshë strategjike kur një vendim jashtë Bakusë mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizim. Vonesat në lejet e transitit, kufizimi i kapaciteteve apo mungesa e bashkërendimit për sigurinë e infrastrukturës mund të shndërrohen nga çështje teknike në kosto ekonomike dhe presion politik.
Një ndër rreziqet më të rëndësishme është siguria e vetë korridoreve, pasi tubacionet ekzistuese të hidrokarbureve dhe linjat e kabllot e planifikuara të transmetimit të energjisë elektrike përbëjnë infrastrukturë kritike, ku çdo ndërprerje tejkalon pasojat e humbjeve ekonomike. Në këtë rajon ku ndërthuren interesat e Rusisë, Iranit, Turqisë dhe aktorëve perëndimorë, infrastruktura energjetike mund të bëhet objekt i presionit politik, sabotimit apo sulmeve kibernetike. Kështu, një cenueshmëri infrastrukturore mund të shndërrohet edhe në mjet presioni politik.
Arkitektura e gjelbër sjell edhe një dimension të ri të cenueshmërisë. Tubacionet e gazit tashmë kanë një infrastrukturë funksionale dhe marrëdhënie të konsoliduara tregtare, por korridoret e reja elektrike kërkojnë investime të mëdha, përshtatje teknologjike dhe bashkërendim në mes disa shteteve. Veçanërisht infrastruktura nënujore në Detin e Zi kërkon jo vetëm mbrojtje fizike dhe kibernetike, por edhe mirëmbajtje dhe rikuperim të vazhdueshëm. Andaj, nuk mjafton që një projekt të jetë teknikisht i realizueshëm; ai duhet të jetë edhe ekonomikisht i qëndrueshëm dhe strategjikisht i mbrojtshëm.
Kjo i jep kuptim edhe çështjes së kush i financon, administron dhe i siguron këto korridore, pasi edhe pse Azerbajxhani i zotëron burimet energjetike, kontrolli i tij nuk shtrihet mbi të gjitha hallkat e transmetimit, funksionimit dhe financimit, çka do të thotë se këtë kontroll e ndan me aktorët e tjerë — gjë që nuk duhet parë si dobësi. Kjo ndërlidhje krijon në të njëjtën kohë interesa të përbashkëta për ruajtjen e stabilitetit, pasi ndërprerja e korridoreve do të dëmtonte jo vetëm Azerbajxhanin, por edhe shtetet tranzite dhe konsumatorët evropianë. Pikërisht këtu qëndron mundësia që diplomacia energjetike të shndërrohet në një mekanizëm më të gjerë sigurie dhe bashkëpunimi.
Andaj, nuk është interesi i Bakusë që të shmangë çdo varësi, por të sigurojë që këto varësi të mos përqendrohen në pak aktorë dhe të mos shndërrohen në instrumente presioni ndaj saj. Për këtë duhen alternativa reale të transitit, marrëveshje të qarta përgjegjësie dhe mekanizma të përbashkët reagimi ndaj ndërprerjeve.
Fuqi e qëndrueshme apo ndërvarësi e re?
Azerbajxhani ka tashmë ndikim real përmes eksporteve të hidrokarbureve dhe rolit të tij në sigurinë energjetike evropiane. Kalimi drejt një nyje më të gjerë të ndërlidhjes energjetike euroaziatike mbetet një proces në zhvillim, ku korridoret e gjelbra përfaqësojnë mundësi të rëndësishme për të ardhmen. Kjo e bën strategjinë e dyfishtë një qasje pragmatike që ruan peshën e sotme të Bakusë dhe ndërton burime të reja ndikimi në afat të gjatë.
Ndërkohë, varësia e përbashkët e disa korridoreve të planifikuara nga Gjeorgjia tregon se shtimi i projekteve nuk e eliminon automatikisht rrezikun e transitit, duke bërë që menaxhimi i balancës mes aktorëve dhe rrugëve të jetë vendimtar.
Rruga që po ndërton Azerbajxhani përmes diplomacisë energjetike përfaqëson një model bashkëpunimi dhe ndërlidhjeje, i cili e forcon pozitën e tij rajonale dhe ndërkombëtare. Qëndrueshmëria e këtij modeli varet nga aftësia e Bakusë për ta shndërruar këtë ndërlidhje në ndikim të qëndrueshëm, duke ruajtur lirinë e vendimmarrjes dhe duke mos lejuar që rëndësia e tij për të tjerët të kthehet në varësi të dëmshme për vetë vendin.
_____________
Shënim editorial: Ky artikull është pjesë e edicionit special të Argumentum.al kushtuar njohjes së Azerbajxhanit, kulturës, zhvillimeve dhe rolit të tij në marrëdhëniet me botën, Ballkanin dhe Shqipërinë.
