Bomba bërthamore B61 në ndarjet e armëve të një F-35. (Imazh simbolik)
Laboratori Kombëtar i Los Alamos
E diel, 29 nëntor 2026
Nga Cedric Kienhöfer [Focus.de]
Një bombë e re atomike amerikane shfaqet në projektbuxhet me një financim prej miliona dollarësh. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse ajo është projektuar për shkatërrimin e bunkerëve të fortifikuar.
SHBA-ja mund të zhvillojë, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, një bombë atomike krejtësisht të re.
Në projektbuxhetin për vitin 2027 shfaqet për këtë qëllim emërtimi B94, i shoqëruar me një buxhet prej 77,1 milionë dollarësh (rreth 66 milionë euro).
Sipas portalit amerikan të specializuar The War Zone (TWZ), kjo armë mund të jetë projektuar për të goditur bunkerë dhe objekte komanduese të vendosura thellë nën tokë. Megjithatë, deri më tani, kjo nuk është konfirmuar.
Dokumenti buxhetor nuk përmban asnjë shpjegim lidhur me funksionin që duhet të ketë kjo armë. Menjëherë pas zërit B94, tabela paraqet edhe një zë tjetër të ri, të emërtuar „Programet e ardhshme“ (Future Programs), me një shumë prej 122,9 milionë dollarësh.
Ndërkohë, zëri buxhetor ekzistues për modernizimin e bombës atomike B61-12 është reduktuar në zero.
Si funksionon sistemi amerikan i emërtimit të armëve bërthamore?
Komisioni për Buxhetin i Senatit amerikan e paraqiti projektin më 12 nëntor për Departamentin e Energjisë. Në kuadër të këtij departamenti funksionon Administrata Kombëtare për Sigurinë Bërthamore (NNSA), e cila është përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e arsenalit bërthamor amerikan.
Ky rekomandim ende nuk përbën një shpenzim të miratuar. Projektbuxheti duhet t’i nënshtrohet shqyrtimeve të mëtejshme dhe të miratohet nga Kongresi.
Në sistemin amerikan të emërtimit të armëve bërthamore, shkronja „B“ përdoret për bombat që lëshohen nga avionët. Ndërsa shkronja „W“ shënon një kokë luftarake të destinuar për raketa ose sisteme të tjera bartëse.
Variantet e reja të armëve ekzistuese zakonisht marrin një numër pas emërtimit origjinal.
Prandaj, një numër i ri, siç është B94, sugjeron se bëhet fjalë për një armë të veçantë, të projektuar si sistem i pavarur dhe jo thjesht për një variant të modernizuar të një arme ekzistuese.
NDS-A konsiderohet një kandidat i mundshëm
Një kandidat i mundshëm është Sistemi i Parandalimit Bërthamor – me Bazë Ajrore (Nuclear Deterrent System – Air-delivered, NDS-A), një program për të cilin deri më tani nuk ka pasur shpjegime të hollësishme publike.
Sipas vlerësimit të portalit të specializuar Migflug, mund të bëhet fjalë për një bombë të projektuar për të goditur objektiva shumë të fortifikuara, të vendosura thellë nën tokë.
Megjithatë, nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar për lidhjen e këtij programi me emërtimin B94. Po ashtu, mbeten të panjohura fuqia shpërthyese, mënyra e ndërtimit dhe lloji i avionit që do ta bartë këtë armë.
Administrata Kombëtare për Sigurinë Bërthamore (NNSA) ka deklaruar se NDS-A synon t’i ofrojë presidentit amerikan „mundësi shtesë bërthamore“ për goditjen e objektivave shumë të mbrojtura dhe të vendosura thellë nën tokë.
Në këtë mënyrë, kundërshtarët nuk do të mund t’i fshehin më objektet e tyre të rëndësishme jashtë rrezes së veprimit të forcave bërthamore amerikane.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse B94 i përket vërtet këtij programi.
B61-11 mbetet e vetmja bombë amerikane për goditjen e objektivave në thellësi
Emërtimi i fundit i ri për një bombë amerikane ishte B90. Ajo ishte planifikuar si bombë bërthamore për depërtim në thellësi dhe sulme ndaj objektivave të fortifikuara, por programi i saj u ndërpre në vitin 1991.
Kështu, B94 do të ishte emërtimi i parë i ri për një bombë atomike amerikane që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Kohët e fundit, një emërtim të ri mori edhe koka luftarake W93, e cila është projektuar për raketat e lëshuara nga nëndetëset.
Aktualisht, SHBA-ja disponon bombën B61-11, e cila është projektuar posaçërisht për goditjen e objektivave të vendosura në thellësi të mëdha nën tokë.
Fuqia e saj shpërthyese vlerësohet të jetë ndërmjet 340 dhe 400 kilotonëve.
Një projekt tjetër pasues, i emërtuar „Depërtuesi Bërthamor i Përforcuar për Tokën“ (Robust Nuclear Earth Penetrator), u ndërpre në vitin 2005.
Bomba më e re B61-13 bazohet në modelin B61-12 dhe nuk është projektuar për të depërtuar në tokë.
Edhe bomba B83-1, e cila ka fuqi shpërthyese dukshëm më të madhe, mund të përdoret kundër objekteve të mbrojtura fort. Megjithatë, as ajo nuk është projektuar për të depërtuar thellë në tokë.
SHBA-ja disponon gjithashtu bomba konvencionale për shkatërrimin e bunkerëve
Në qershor të vitit 2025, SHBA-ja ndërmori sulme kundër objekteve bërthamore të Iranit, gjatë të cilave përdori edhe bombën konvencionale për shkatërrimin e bunkerëve GBU-57A/B.
Kjo armë, me peshë rreth 13,6 tonë, është në gjendje të depërtojë në disa metra beton dhe të godasë objektiva që, në varësi të përbërjes së tokës, ndodhen në thellësi prej më shumë se 60 metrash.
Ajo lëshohet nga bombarduesit strategjikë B-2 Stealth, të cilët kanë teknologji të avancuar për zvogëlimin e dukshmërisë ndaj radarëve, dhe drejtohet përmes sistemit GPS.
Megjithatë, GBU-57 nuk është bombë atomike. Ajo konsiderohet si e vetmja armë konvencionale amerikane e aftë për të goditur objekte të tilla si kompleksi nëntokësor bërthamor iranian në Fordo.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, bombat izraelite për shkatërrimin e bunkerëve nuk kanë fuqi të mjaftueshme depërtuese për të arritur objektiva të tilla.
Përveç bombave GBU-57, gjatë këtij sulmi SHBA-ja përdori edhe 30 raketa lundruese Tomahawk.
