[Në foto: Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR), Sonja Biserko]
Serbia e Aleksandar Vuçiçit nuk po e përdor “Kosovën” si çështje kombëtare, por si strategji mbijetese për regjimin. Raporti “Srbija 2025 – Studentski i građanski bunt: Strah je promenio stranu”, i publikuar nga Komiteti i Helsinkit nën drejtimin e Sonja Biserkos, e përshkruan qartë këtë realitet: një shtet që flet për integrim në BE, por funksionon si klon politik i Rusisë.
Pas vitit 2012, Beogradi ndërtoi një regjim autoritar me fasadë demokratike, kontroll mbi drejtësinë, mediat, policinë, arsimin dhe Kishën Ortodokse Serbe. Nën retorikën e “vlerave tradicionale” e “stabilitetit”, Serbia po prodhon një version të përditësuar të doktrinës së “Serbisë së Madhe”, sot e quajtur “Srpski svet” (bota serbe). Sipas raportit lidhja me Moskën është tipike ideologjike por që kalon në projekt gjeopolitik me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Moska: një rrjet ndikimi që përfshin Kishën, mediat, strukturat e sigurisë dhe bizneset e lidhura me pushtetin dhe të gjithë me narrativë anti-perëndim.
Sipas raportit, pushteti i Vuçiçit është model rus në miniaturë. Ligji nuk mbron qytetarin, por partinë. Gjyqësori është shërbim teknik i politikës. Prokurorët që prekin njerëzit e afërt të pushtetit ndëshkohen. Protestat shtypen, ndërsa retorika zyrtare përdor “rrezikun nga Kosova” për të justifikuar çdo formë kontrolli. Çdo zë që kërkon dialog e njohje të realitetit etiketohet “tradhtar”, “huligan” apo “agjent i huaj”.
Sistemi i sigurisë është politiizuar dhe kriminalizuar. Agjencia e Sigurisë (BIA), policia dhe ushtria nuk mbrojnë shtetin, mbrojnë regjimin. Rasti Banjska e tregon më qartë se çdo raport ndërkombëtar: grupet paramilitare të lidhura me Milan Radoiçiqin, njeri i afërt me Vuçiqin, kryen sulm të armatosur ndaj policisë së Kosovës. Në vend të hetimit, Beogradi heshti. Ky ishte sinjali i qartë se Serbia nuk kontrollon krimin por është bashkëpjesëmarrëse në të.
Në fushën e mediave, propaganda është shndërruar në realitet zyrtar. RTS dhe tabloidët si Informer apo Srpski Telegraf prodhojnë narrativën e përhershme të viktimizimit: “Kosova sulmon, Serbia mbron.” Ndërkohë, Sputnik Srbija dhe RT Balkan shpërndajnë çdo ditë mesazhe anti-BE, anti-Kosovë dhe pro-Rusi. Kjo është luftë informative hibrid, një kombinim rus i manipulimit, frikës dhe kultit të liderit.
Në arsim e kulturë, pushteti ka ngritur infrastrukturën e indoktrinimit. Tekstet e historisë glorifikojnë luftërat dhe minimizojnë krimet. Universitetet janë kthyer në hapësira konformizmi, ku profesorët kritikë margjinalizohen dhe studentët disidentë penalizohen. Kultura financohet vetëm nëse afirmon nacionalizmin, Kishën dhe “Serbinë e përjetshme”. Gjeneratat e reja nuk edukohen për liri, por për bindje.
Kisha Ortodokse Serbe është bërë shtylla morale e regjimit. Patriarku Porfirije mbështet politikën e Vuçiçit dhe retorikën pro-ruse, duke e paraqitur Moskën si “mbrojtëse të ortodoksisë”. Përmes “teologjisë së kombit”, SPC shenjtëron nacionalizmin dhe e kthen konfliktin me Kosovën në doktrinë shpirtërore. Kështu, feja nuk mëson më falje e paqe, por justifikon dominimin dhe frikën.
Në këtë sistem të kapur, Kosova është oksigjeni politik i regjimit serb. Çdo krizë e brendshme neutralizohet përmes “rrezikut nga jashtë”. Frika kolektive mbahet gjallë nga ekranet, nga predikimet dhe nga tekstet shkollore. Serbia nuk mund të rrojë pa “armiq”, sepse vetëm përmes tyre ekziston.
Raporti e përmbyll saktë: Serbia e sotme nuk është faktor stabiliteti, por laboratori më aktiv i destabilizimit të kontrolluar në Ballkan. Nga Moska merr frymëzimin, nga “bota serbe” justifikimin, dhe nga Kosova legjitimitetin. Kjo është forma më e sofistikuar e pushtimit përmes narrativës, fesë dhe frikës. [GK]


