[06 gusht, 2025]
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, mbërriti në Moskë dhe u prit nga i dërguari rus i investimeve, Kiril Dmitriev, tha një burim për Reuters, pasi Kremlini tha se nuk e përjashtonte takimin e Witkoff-it me Presidentin Vladimir Putin.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione ndaj Rusisë nëse Moska nuk pranon një armëpushim në Ukrainë deri të premten, tha më parë se Witkoff mund të udhëtojë për në Moskë këtë javë në një përpjekje tjetër diplomatike për t’i dhënë fund armiqësive.
Një burim rus i përfshirë në përgatitjen e vizitës nuk tha se me kë do të takohej Witkoff në Moskë, por një burim i njohur me planin i tha Reuters në Uashington të martën se Witkoff do të takohej me udhëheqjen ruse të mërkurën, ndërsa Kremlini tha të hënën se takimi i Witkoff me Putinin mund të zhvillohet.
Trump tha se nëse Rusia nuk pranon një armëpushim në Ukrainë deri të premten, ajo do të përballet me sanksione të reja. Masat do të përfshijnë tarifa të larta për vendet që blejnë naftën e saj, më të mëdhatë prej të cilave janë India dhe Kina.
Analistët skeptikë për rezultatin e bisedimeve
Por Putini nuk ka gjasa të bjerë dakord me një ultimatum sepse beson se po fiton luftën dhe se qëllimet e tij ushtarake janë më të rëndësishme sesa dëshira e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, thanë për Reuters tri burime pranë Kremlinit.
“Vizita e Witkoff-it është një përpjekje e fundit për të gjetur një zgjidhje që do të shpëtonte fytyrën për të dyja palët. Por nuk mendoj se do të ketë ndonjë kompromis midis tyre”, tha Gerhard Mangott, një analist austriak dhe anëtar i një grupi akademikësh dhe gazetarësh perëndimorë që janë takuar rregullisht me Putinin gjatë viteve.
“Rusia do të këmbëngulë se është gati për një armëpushim, por (vetëm) sipas kushteve që ka formuluar gjatë dy ose tre viteve të fundit”, tha ai në një intervistë telefonike. “Trump-i do të jetë nën presion për të bërë atë që ka njoftuar – të rrisë tarifat për të gjitha vendet që blejnë naftë dhe gaz, dhe ndoshta uranium, nga Rusia”, përfundoi ai.
Burime ruse i thanë Reuters se Putin-i është skeptik se sanksionet e reja të SHBA-së do të kenë një ndikim të madh pas valëve të njëpasnjëshme të ndëshkimeve ekonomike gjatë tre viteve e gjysmë të luftës.
Udhëheqësi rus nuk dëshiron ta zemërojë Trumpin dhe e kupton se mund të jetë duke humbur një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Perëndimin, por qëllimet e tij të luftës janë më të rëndësishme për të, thanë dy nga burimet. [GN/ISHGJ]