[8 gusht 2025]
Kabineti izraelit i sigurisë miratoi planin për të pushtuar Qytetin e Gazës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të mposhtur Hamasin, ndërsa një propozim alternativ, i cili, sipas mediave, u prezantua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gjeneral Lejtnant Eyal Zamir, u refuzua, shkruan The Guardian.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se kabineti miratoi me shumicë dërrmuese propozimin e tij bazuar në pesë parime për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Këto parime përfshijnë: çarmatimin e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve (të gjallë dhe të vdekur), demilitarizimin e Gazës, vendosjen e kontrollit të sigurisë izraelite dhe formimin e një administrate alternative civile që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez.
“Shumica dërrmuese e ministrave të kabinetit të sigurisë besojnë se plani alternativ nuk do të çojë as në humbjen e Hamasit dhe as në kthimin e pengjeve”, njoftoi zyra e Netanyahut në rrjetin social X.
Një pjesë e udhëheqjes ushtarake kundër planit
Media izraelite raporton se “plani alternativ” ka shumë të ngjarë t’i referohet propozimit të Shefit të Shtabit Zamir, i cili paralajmëroi se pushtimi i të gjithë Rripit të Gazës mund ta fusë Izraelin në një rebelim afatgjatë, përgjegjësi humanitare dhe kërcënim shtesë për pengjet e mbetura, nga të cilët vlerësohet të jenë rreth njëzet.
Kjo është arsyeja pse vendimi përfundimtar i kabinetit të sigurisë është i kufizuar në marrjen e kontrollit të Qytetit të Gazës, dhe jo të të gjithë territorit, siç ishte njoftuar më parë. Netanyahu tha të enjten se Izraeli planifikon të marrë kontrollin e plotë të Rripit të Gazës dhe më pas t’ia dorëzojë atë “forcave miqësore arabe që kundërshtojnë Hamasin”. Megjithatë, ideja ka tërhequr kritika si brenda udhëheqjes ushtarake izraelite ashtu edhe midis familjeve të pengjeve.
IDF (Forcat Mbrojtëse Izraelite) do të fillojnë përgatitjet për operacionin për të kapur Gazën, me shpërndarjen paralele të ndihmës humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit, sipas një deklarate nga Zyra e Kryeministrit.
Njoftimi i një qeverie alternative në Gaza shkaktoi gjithashtu reagime në rajon. Një zyrtar i Hamasit i tha rrjetit televiziv Al Jazeera Mubasher se çdo forcë e formuar sipas propozimit të Netanyahut do të konsiderohej “okupuese” dhe e lidhur drejtpërdrejt me Izraelin. Një zyrtar jordanez, duke iu përgjigjur Reuters, tha se vendet arabe “do të mbështesin vetëm atë për të cilën bien dakord dhe vendosin palestinezët”. [GN/ISHGJ]