Donald Trump dhe liderë të 19 vendeve morën pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, pjesë e planit të presidentit të SHBA-së për të rindërtuar Gazën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte në mesin e nënshkruesve, pasi Kosova ka pranuar të jetë pjesë e Bordit. Ceremonia u zhvillua në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror
22 janar 2026
Kosova është përfshirë në grupin e 19 shteteve që do të jenë pjesë e Bordit të Paqes, i themeluar dhe i drejtuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Në ceremoninë e zyrtarizimit të kësaj organizate ndërkombëtare mbajtur në Davos të Zvicrës mori pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka falënderuar presidenti Trump për ftesën, ndërsa ka bërë të ditur se marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Bord do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim.
“Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt! Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit. Faleminderit presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë!”, ka shkruar Osmani në Facebook pas ceremonisë së nënshkrimit.
Osmani ka folur për rëndësinë e Bordit të Paqes në zgjidhjen e konflikteve dhe e ka krahasuar me kompleksitetin e vendimmarrjes në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“A është më mirë të jesh në një organizatë ndërkombëtare ku Rusia ka të drejtën e vetos dhe shkakton luftëra që ajo nuk dëshiron kurrë t’i ndalë duke përdorur të drejtën e vetos? Apo të jesh në një organizatë ndërkombëtare ku Rusia nuk ka të drejtën e vetos dhe ku mund t’i besojmë lidershipit të vendosur, që është lidershipi amerikan, kur bëhet fjalë për vendosjen e paqes në botë”, ka thënë Osmani.
Përveç Kosovës, në ceremoninë në Davos të Zvicrës morën pjesë udhëheqës nga Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani. Që të gjitha këto shtete janë pajtuar që t’i bashkohen Bordit të Paqes.
Ky trup i ri fillimisht ishte i përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gazë, ashtu siç është miratuar nëntorin e vitit të kaluar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por, Karta e Bordit nuk e kufizon rolin vetëm në Gazë.
Iniciuesi dhe drejtuesi i Bordit të Paqes, Donald Trump, ka thënë pas nënshkrimit se do të pranojë të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara.
“Ne do të punojmë me shumë të tjerë, përfshirë OKB-në”, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump gjatë ceremonisë në Davos të Zvicrës, duke iu referuar me gjasë shqetësimeve se Bordi do të synojë të zëvendësojë OKB-së, institucion që Trump e ka kritikuar shpesh.
“Gjithmonë kam thënë se Kombet e Bashkuara kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Nuk e kanë përdorur, por kanë një potencial të jashtëzakonshëm”.
Në Bord ka pranuar të jetë edhe Rusia
Bordi do të udhëhiqet nga Trumpi, ndërkaq ai do të ketë edhe Bordin Ekzekutiv ku janë emëruar si anëtarë: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, miliarderi Mark Rowan, biznesmeni amerikan Ajay Banga dhe këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert Gabriel. Ndërkaq Nickolay Mladenov, politikan bullgar, do të jetë përfaqësues i Bordit të Paqes në Gazë.
Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa në më shumë se 50 vende. Anëtarët janë ftuar që të kenë një mandat prej tre vjetësh. Pas përfundimit të këtij mandati, ata do të vendosin nëse duan të jenë anëtarë të përhershëm dhe për një status të tillë duhet të paguajnë 1 miliard dollarë.
Përveç shteteve që morën pjesë në ceremoninë në Davos, edhe Shqipëria, Izraeli, Egjipti, Bjellorusia dhe Vietnami janë pajtuar që të bëhen pjesë e Bordit.
Trump ka thënë se edhe Rusia ka pranuar të jetë pjesë e tij, porse ajo është kundërshtuar nga Ukraina.
Ceremonia e nënshkrimit të “Bordit të Paqes” nga presidenti Donald Trump është mbajtur pa praninë e asnjërit nga aleatët tradicionalë të saj në Evropë.
Çka thuhet në Kartën e Bordit të Paqes (dokumenti)
2 d. më parë / 22 jan 2026 16:31

Kosova përfshihet në mesin e 19 shteteve që e kanë nënshkruar të enjten pjesëmarrjen në Bordin e Paqes së iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në një ceremoni në Davos të Zvicrës.
Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.
Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes përmes një rezolute të hartuar nga SHBA-ja në muajin nëntor, duke i dhënë këtij mekanizmi peshë dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Por çka thuhet në këtë dokument të nënshkruar edhe nga presidentja Vjosa Osmani?
KOHA ka siguruar dokumentin. Në preambulë theksohet se dokumenti shërben si udhërrëfyes i orientuar drejt rezultateve për të siguruar paqen në vende ku prej kohësh ka rezultuar e paarritshme.
Dokumenti përmban 13 nene. Neni i parë flet për misionin, qëllimet dhe funksionet.
Në këtë nen theksohet se Bordi i Paqes është “organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitet, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme e të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
“Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe siç mund të miratohen në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira që mund të zbatohen nga të gjitha kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe”, thuhet në këtë nen.
Në kapitullin e dytë flitet për anëtarësinë. Aty theksohet se anëtarësimi është i kufizuar në shtetet që ftohen për pjesëmarrje nga kryetari dhe fillon me njoftimin se shteti ka pranuar të jetë i lidhur nga kjo kartë, në përputhje me kapitullin XI. Secili shtet duhet të përfaqësohet nga kryetari i shtetit apo kryeministri. Secili shtet anëtar duhet të mbështesë dhe të ndihmojë operacionet e Bordit të Paqes në përputhje me autoritetet e tyre përkatëse të brendshme. Asgjë në këtë Kartë nuk duhet interpretuar si diçka që i jep Bordit juridiksion brenda shteteve anëtare ose t’u kërkojë atyre të marrin pjesë në misione të caktuara të ndërtimit të paqes, pa pëlqimin e tyre.
Çdo shtet anëtar mund të shërbejë për mandat jo më të gjatë se tre vjet që nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me mundësi rinovimi nga kryetari. Mandati trevjeçar i anëtarësimit nuk do të zbatohet për shtetet anëtare që kontribuojnë më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë në fonde në para të gatshme për Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi.
Sa i përket përfundimit të anëtarësisë, aty theksohet se përfundon në rastin më të hershëm, qoftë nga skadimi i mandatit trevjeçar apo tërheqjen, që është vendim nga kryetari në varësi të vetos nga një shumicë prej dy të tretash të shteteve anëtare ose shpërbërjen e Bordit të Paqes. Atij që i përfundon mandati, pushon së qeni palë në Kartë, por një shtet i tillë mund të riftohet për të qenë sërish anëtar.
Çdo shtet theksohet se mund të tërhiqet me vendim të menjëhershëm, duke ofruar njoftim me shkrim te kryetari.
Kapitulli i tretë flet për qeverisjen. Aty theksohet se Bordi përbëhet nga shtetet anëtare dhe se ky bord voton mbi propozimet në agjendë përfshirë ato për çështjet e buxhetit të përvitshëm, themelimin e subjekteve ndihmëse, emërimin e zyrtarëve të lartë dhe përcaktimet kryesore të politikave, qoftë ato për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndjekjen e nismave të reja për ndërtim të paqes.
Bordi i Paqes do të thërrasë mbledhje votimi të paktën një herë në vit dhe në kohë apo vende shtesë kur kryetari i konsideron të përshtatshme. Rendi i ditës përcaktohet nga bordi ekzekutiv, në varësi të njoftimit dhe komenteve prej shteteve anëtare e miratimit nga kryetari. Çdo shtet anëtar ka të drejtën e një vote. Vendimet merren me shumicën e votave të shteteve të pranishme dhe që votojnë, në varësi të miratimit nga kryetari, i cili gjithashtu mund të hedhë votë në cilësinë e tij si kryetar, kur ka raste të votave të barabarta.
Bordi i Paqes do të mbajë takime të rregullta pa të drejtë vote në Bordin Ekzekutiv. Në këto takime shtetet anëtare mund të paraqesin rekomandime e udhëzime për aktivitetet dhe Bordi Ekzekutiv do t’i raportojë Bordit të Paqes mbi operacionet dhe vendimet e Bordit Ekzekutiv. Takime të tilla thirren të paktën një herë në tremujor me kohën dhe vendin që përcaktohen nga drejtori ekzekutiv i Bordit Ekzekutiv. Shtetet anëtare mund të zgjedhin të përfaqësohen nga një zyrtar alternativ i rangut të lartë në të gjitha takimet, varësisht nga miratimi i kryetarit. Kryetari mund të lëshojë ftesa për organizatat përkatëse rajonale të integrimit ekonomik për të marrë pjesë në punimet e Bordit të Paqes, sipas kushteve dhe afateve që ai i konsideron të përshtatshme.
Te pika për kryetarin theksohet qartë se Donald J. Trump do të shërbejë si kryetar inaugurues i Bordit të Paqes dhe do të shërbejë veçmas si përfaqësues inaugurues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aty theksohet se ai ka të drejtën ekskluzive për të krijuar, modifikuar ose shpërndarë subjekte ndihmëse sipas nevojës dhe përshtatjes për ta përmbushur misionin e Bordit të Paqes.
Kryetari duhet të caktojë në çdo kohë një pasues për rolin e kryetarit. Zëvendësimi mund të ndodhë vetëm pas dorëheqjes vullnetare ose si rezultat i paaftësisë, siç përcaktohet me votë unanime nga Bordi Ekzekutiv, kohë në të cilën zëvendësi duhet të marrë menjëherë pozicionin e kryetarit dhe të gjitha detyrat dhe autoritetet përkatëse të kryetarit.
Kryetari ka të drejtë të themelojë nënkomitete e t’ua caktojë mandatin, strukturën dhe rregullat qeverisëse secilës.
Bordi Ekzekutiv do të përbëhet nga kryetari dhe përmban liderë botërorë. Anëtarët e Bordit Ekzekutiv kanë mandat dyvjeçar, me mundësi shkarkimi nga kryetari dhe mandat të rinovueshëm, në diskrecion të tij. Bordi Ekzekutiv duhet të ketë një Drejtor Ekzekutiv, i emëruar nga kryetari dhe i konfirmuar me shumicë votash nga Bordi Ekzekutiv. Ky drejtor mban mbledhje të Bordit Ekzekutiv çdo dy javë për tre muajt e parë pas themelimit dhe më pas çdo muaj. Po që se ka nevojë thërret mbledhje më shpesh. Vendimet aty merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë, përfshirë drejtorin ekzekutiv. Vendimet hyjnë menjëherë në fuqi, përpos kur përdoret vetoja nga kryetari në çfarëdo kohe. Ky Bord Ekzekutiv i përcakton rregullat e veta të procedurës.
Bordi Ekzekutiv i raporton Bordit të Paqes mbi aktivitetet e vendimet e tij çdo tremujor. Ai ka për detyrë t’i ushtrojë kompetencat për ta zbatuar misionin e Bordit të Paqes.
Financimi i organizatës bëhet në baza vullnetare. Bordi i Paqes autorizon hapjen e llogarive sipas nevojës për ta kryer misionin e tij. Bordi Ekzekutiv do të autorizojë krijimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes në lidhje me buxhetet, llogaritë financiare dhe shpenzimet.
Karta përfshin edhe kapitullin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare. Kjo thuhet se duhet të zgjidhen nëpërmjet bashkëpunimit miqësor, në përputhje me autoritetet organizative të caktuara nga Karta. Kryetari është autoriteti përfundimtar në lidhje me kuptimin, interpretimin dhe zbatimin e Kartës.
Ndryshimet e Kartës mund të propozohen nga Bordi Ekzekutiv ose të paktën një e treta e shteteve anëtare të Bordit të Paqes që veprojnë së bashku. Ndryshimet u shpërndahen të gjithë anëtarëve 30 ditë para votimit. Ato duhet të miratohen me shumicë prej dy të tretash të Bordit të Paqes dhe konfirmimin nga kryetari. Disa ndryshime kërkojnë miratim unanim.
Kryetari në emër të Bordit të Paqes është i autorizuar të miratojë rezoluta e direktiva të tjera për ta zbatuar misionin e Bordit të Paqes.
Bordi i Paqes mund të shpërbëhet kur kryetari e konsideron të nevojshme ose të përshtatshme, ose në fund të secilit vit kalendarik me numër tek, përveç se nëse rinovohet nga kryetari jo më vonë se 21 nëntori i atij viti kalendarik me numër tek.
Karta hyn në fuqi me shprehjen e pëlqimit për t’u lidhur nga tri shtete. Shtetet që duhet ta ratifikojnë ose miratojnë përmes procedurave të brendshme dakordohen që të zbatojnë përkohësisht kushtet e kësaj karte, përveç nëse shtetet e kanë njoftuar kryetarin e Bordit të Paqes se në kohën e nënshkrimit nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. Këto shtete që nuk e zbatojnë përkohësisht mund të marrin pjesë si anëtarë pa të drejtë votimi në procedurat e Bordit të Paqes, në pritje të ratifikimit, pranimit ose miratimit të Kartës në përputhje me kërkesat e tyre ligjore të brendshme, në varësi të miratimit nga kryetari.
Teksti origjinal i kartës dhe ndryshimet depozitohen në SHBA, që caktohen si depozituese të Kartës. Kopja e vërtetuar e tekstit origjinal u dorëzohet të gjithë nënshkruesve.
Gjuha zyrtare është anglishtja.
Bordi i Paqes dhe subjektet ndihmëse mund të krijojnë seli dhe zyra terreni.
Bordi i Paqes do të ketë edhe vulë zyrtarë që miratohet nga kryetari.
Osmani: Përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes do të dërgohet për ratifikim në Kuvend
2 d. më parë / 22 jan 2026 15:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se përfshirjen e Kosovës në themelimin e Bordit të Paqes, do ta dërgojë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, në përputhje me kushtetutën e vendit.
Presidentja Osmani deklaroi se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në interesin më të lartë të Kosovës.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, ka thënë Osmani në një postim në Facebook. [KOHA]
