[Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i Hudson Institute, John Walters dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti]
29 shtator 2025
“Partneriteti ynë është ndërtuar mbi tre shtylla: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci, ndonjëherë kemi dallime, veçanërisht rreth Serbisë dhe strukturave të paligjshme që ajo mban në Kosovë. Por këto dallime lidhen me taktikat dhe operacionet, jo me vlerat apo qëllimet strategjike. Në këto aspekte jemi plotësisht të rreshtuar. Në zhvillim, progresi është po aq i rëndësishëm.”
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në diskutimin e organizuar nga Hudson Institute në New York me temë “Partneriteti në rritje Kosovë – ShBA në mbrojtje dhe zhvillim”.
Në këtë diskutim të pranishëm ishin Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i Hudson Institute, John Walters dhe hulumtues të lartë të Institutit nga Qendra për Evropë dhe Euroazi dhe Qendra për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme.
Hudson Institute është një institut kërkimor i themeluar në vitin 1961 nga Herman Kahn. Ai zhvillon analiza strategjike në fusha si mbrojtja, marrëdhëniet ndërkombëtare, ekonomia, energjia, teknologjia dhe e drejta. Qëllimi është të mbështeten politikëbërësit dhe drejtuesit institucionalë dhe ekonomikë me takime dhe rekomandime konkrete.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti :
Faleminderit për mundësinë për të qenë këtu dhe të angazhohem në këtë diskutim të rëndësishëm mbi partneritetin strategjik në zhvillim ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Në fjalën time do të përqendrohem në dy fusha me rëndësi kryesore: bashkëpunimin në mbrojtje dhe bashkëpunimin në zhvillim. Por, përpara se të kalojmë te politika aktuale, është e rëndësishme të kujtojmë themelet e harmonizimit/rreshtimit tonë.
Në vitin 1999, NATO nisi Operacionin Forca Aleate për të ndaluar mizoritë masive dhe gjenocidin e kryer nga regjimi i Miloševiqit në Kosovë. Gjatë 78 ditëve, NATO kreu më shumë se 38,000 misione ajrore, duke detyruar tërheqjen e forcave serbe dhe duke krijuar kushtet për administrimin ndërkombëtar dhe tranzicionin demokratik të Kosovës. Për popullin tonë, ky ishte çlirimi — momenti vendimtar kur u hap rruga drejt lirisë. NATO është pjesë e ADN-së politike të Kosovës. Ato mizori ishin të dukshme për botën. Imazhet e masakrave, fshatrave të djegura dhe dëbimeve masive nuk mund të mohoheshin. Gati një milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova dhe brutaliteti u transmetua ndërkohë që po ndodhte. Ky ekspozim e nxiti vendimin e NATO-s për të vepruar — për stabilitetin e Evropës dhe nga përgjegjësia morale. Shtetet e Bashkuara udhëhoqën këtë akt përgjegjësie, i mbështetur përtej linjave partiake: Presidenti Bill Clinton në 1999 dhe më vonë Presidenti George W. Bush në 2007, kur shpalli mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës.
Kosova sot nuk është thjesht një shtet pas-konflikti nën mbrojtjen e NATO-s. Është një aleat i besueshëm dhe kontribues i sigurisë. Gjatë katër viteve të fundit, më shumë se një mijë anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar në programe amerikane, përfshirë West Point dhe U.S. Army War College. Në 2021, një njësi e FSK-së u angazhua së bashku me Gardën Kombëtare të Iowa-s në Kuvajt nën Operacionin Inherent Resolve — misioni ynë i parë ndërkombëtar paqeruajtës. Ne kemi qenë nikoqir të tri edicioneve të Defender Europe, së fundmi me Divizionin e 28-të të Këmbësorisë të vendosur në Kosovë.
Shpenzimet tona të mbrojtjes pasqyrojnë këtë transformim. Ne e kemi katërfishuar buxhetin tonë të mbrojtjes gjatë mandatit tonë, me pothuajse të gjithë fondin shtesë të destinuar për sisteme të reja. Mes këtyre pajisjeve janë sistemet anti-tank Javelin, UAV-të, ASV-të, si dhe furnizimi i plotë i Forcës me armë të vogla të reja; diskutimet për blerjen e helikopterëve Black Hawk janë në vazhdim. Gjithashtu, kemi nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA-n, duke u bërë vendi i 33-të në botë me këtë status besimi. Bashkëpunimi ynë përfshin edhe mbështetjen për Ukrainën: kemi trajnuar personel ukrainas, dhuruar pajisje, i jemi bashkuar Operacionit Interflex në Mbretërinë e Bashkuar dhe kemi vendosur sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë, Iranit dhe Hezbollahut.
Mbrojtja është vetëm një pjesë e tregimit. Partneriteti ynë është ndërtuar mbi tre shtylla: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci, ndonjëherë kemi dallime, veçanërisht rreth Serbisë dhe strukturave të paligjshme që ajo mban në Kosovë. Por këto dallime lidhen me taktikat dhe operacionet, jo me vlerat apo qëllimet strategjike. Në këto aspekte jemi plotësisht të rreshtuar. Në zhvillim, progresi është po aq i rëndësishëm.
Qeveria ime uli në mënyrë të njëanshme tarifat e importit në 0 % për të gjitha mallrat e prodhuara në SHBA, duke forcuar lidhjet tona tregtare dhe duke inkurajuar investimet amerikane. Shtetet e Bashkuara avancuan Programin Kompakt të Millennium Challenge Corporation me Kosovën — granti më i madh amerikan në historinë tonë, mbi 200 milionë USD. Fokusi në ruajtjen e energjisë me bateri do të modernizojë sektorin energjetik, do të ndihmojë në reduktimin e importeve dhe në integrimin e burimeve të reja rinovueshme, dhe do të sigurojë qëndrueshmëri afatgjatë. Ndërkohë, General Electric dje përfundoi modernizimin e një prej njësive të termocentralit tonë kryesor Kosova B, dhe do të vazhdojë punën në njësinë tjetër vitin që vjen. Kjo është politikë zhvillimi, por edhe siguri energjetike.
Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesave të SHBA-së në fusha të tjera, përfshirë strehimin përkohshëm të deri në 50 shtetasve të vendeve të treta në vitin 2025, në përputhje me standardet ndërkombëtare humanitare. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të mbështetur prioritetet globale të përbashkëta.
E gjithë kjo ndodh në një mjedis rajonal të ndërlikuar. Presidenti Putin llogarit në përçarjen perëndimore. Presidenti Vuçiq në Beograd po përpiqet të fitojë kohë, duke shfrytëzuar përçarjet midis institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare, ndërsa refuzon të sanksionojë Rusinë dhe mban lidhje të forta me Moskën në fushën e sigurisë dhe ekonomisë. Kritikat javore ndaj regjimit të tij rrallë rezultojnë në veprime vendimtare të BE-së. Ndërkohë, në Serbi dhe më gjerë po përhapen narrativa që portretizojnë udhëheqës si Xi Jinping dhe Vladimir Putin si alternativë më të mirë ndaj modeleve demokratike perëndimore. Kjo retorikë risjell idenë e “mos-rreshtimit”, por praktikisht kjo do të thotë përdorim i ombrellave të panumërta derisa të vijë momenti për lëvizje destabilizuese në synim të një Serbie të Madhe. Brenda vendit, autoritetet serbe i trajtojnë aktorët civilë dhe protestuesit si “kukulla të OJQ-ve perëndimore,” një gjuhë që përçon metoda të ngjashme me Lukashenkon dhe synon delegjitimimin e shoqërisë civile të pavarur. Këto trende janë kërcënuese. Një fitore e Rusisë në Ukrainë do të fuqizonte ambiciet revizioniste në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.
Në këtë kontekst, Kosova është një vijë e parë mbrojtëse kundër ndikimeve të këqija. Institucionet tona janë rezistente, transparente dhe të lidhura ngushtë me partnerët perëndimorë. Me Camp Bondsteel, praninë e vazhdueshme të KFOR-it dhe bashkëpunimin tonë dypalësh me SHBA-në që po zgjerohet, Kosova është një forcë stabilizuese në Evropën Juglindore. Për këto arsye, nuk mund të jemi pasivë. Rreshtimi ynë me SHBA-në dhe NATO-n është parimor dhe pragmatic. Ne vendosim sanksione kur është e nevojshme, mbështesim Ukrainën, forcojmë mbrojtjen tonë dhe ndërtojmë zhvillim të qëndrueshëm. Dallime me Uashingtonin mund të dalin në çështje taktike, por sa i përket strategjisë dhe vlerave, jemi plotësisht të rreshtuar. Drejtimi është i qartë: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara në interesa dhe po ecim së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta.
Kosova nuk po kërkon të shihet vetëm si përfituese e mbështetjes së NATO-s dhe SHBA-së. Ne jemi një kontribuese sigurie, një partner zhvillimi dhe një aleate e palëkundur. Në një rajon ku ndikimi rus shfrytëzon përçarjet, Kosova qëndron fuqishëm me Shtetet e Bashkuara — në fjalë, në politika dhe veprime. Pres me padurim diskutimin e sotëm për mënyrat se si mund ta thellojmë më tej këtë bashkëpunim, në mbrojtje, në zhvillim dhe në sigurimin e sigurisë së qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor.
Faleminderit!