Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka hyrë në një ngërç të ri politik, pasi kryetari Dimal Basha e shpalli të “përmbyllur” seancën konstituive të së shtunës, megjithëse nuk u zgjodh nënkryetari nga komuniteti serb. Ky veprim u cilësua nga Lëvizja Vetëvendosje si hap drejt funksionalizimit të institucioneve, por u kundërshtua nga partitë e tjera dhe ekspertët ligjorë, të cilët paralajmërojnë se vendi mund të përballet me një krizë të re kushtetuese.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ka shpallur “të përmbyllur” seancën konstituive, pavarësisht se Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë nënkryetarin e vet nga komuniteti joshumicë serb të shtunën. Përcaktimi i Bashës se Kuvendi është konstituuar është kundërshtuar nga parti të tjera parlamentare dhe ekspertë ligjorë.
Dy deputetë e Listës Serbe Miljana Nikolliq dhe Igor Simiq nuk morën asnjë votë në tri runde votimi secili, pasi u hodhën në votim përmes shortit nga kryetari Basha. As deputeti tjetër nga ky komunitet, Nenad Rashiq, nuk arriti të zgjidhej, pasi i mori 56 vota për, pesë më pak se të paktën 61 votat e nevojshme.
Dështimi për ta zgjedhur njërin nga deputetët e hedhur në votim sot nënkupton se Kuvendi nuk ka më askënd nga komuniteti joshumicë serb për ta votuar për nënkryetar. Ditë më parë, Kuvendi zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarë.
Kryetari Basha theksoi se seanca konstituive “mbyllet këtu”, megjithëse Rregullorja e punës së Kuvendit thotë se seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë në lidhje me nënkryetarin që vjen nga pakica serbe, prandaj, në këtë rast, konsiderojë se e kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës, konsideroj se kjo seancë konstituive është e mbyllur”, tha Basha.
Basha e thirri një mbledhje të kryesisë së Kuvendit për të hënën e 1 shtatorit.
“Në emër të funksionalizimit të Kuvendit dhe materializimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, konsiderojnë se moszgjidhja e njërit prej gjashtë anëtarëve të kryesisë së Kuvendit nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit”, theksoi Basha.
LVV e cilëson Kuvendin të konstituuar, të tjerët e kundërshtojnë
Për Lëvizjen Vetëvendosje, fituesen e zgjedhjeve të shkurtit, Kuvendi i Kosovës “është konstituuar”, por ky qëndrim i tyre është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare dhe nga ekspertë ligjorë.
Dy deputetë të LVV-së, Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiu, thanë pas seancës se vendi tani duhet të vazhdojë me formimin e Qeverisë së re.
“Situata është kushtetuese, sepse kemi shterur të gjitha mundësitë. Janë tentuar të gjithë kandidatët, dhe asnjë nuk ka marrë votat. Në situatë të tillë nuk mund të bllokohet vendi. Të vijmë te situata e mandatarit, pastaj shohim. Të vazhdohet me institucionet, krijimin e tyre. A i kemi numrat do ta shihni në seancën kur votohet Qeveria”, tha Murati.
Haxhiu tha se “është e rëndësishme të ecim përpara me kryesinë, kryetarin dhe nënkryetarët e zgjedhur, jemi të interesuar të ecim përpara ose me Qeverinë e re, ose me zgjedhje”. […]
[REL]