Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka quajtur të pavërteta dhe të papërgjegjshme pretendimet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsiloviq, se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të përdoret kundër popullit serb në Kosovë.
Maqedoni ka thënë se deklaratat e Mojsiloviqit janë në kundërshtim më realitetin në terren.
Deklaratat e bëra nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë,gjenerali Mojsiloviq, të cilat tentojnë ta paraqesin Forcën e Sigurisë së Kosovës si kërcënim për komunitetin serb në Kosovë, janë të pavërteta, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me realitetin në terren.
Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Ajo vepron nën kontroll të plotë civil dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me obligimet tona ndërkombëtare. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.
Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon.
Narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.
Kosova ndërton ushtri për mbrojtje.
Kosova ndërton siguri për të gjithë.
