INDEPENDENT
Presidenti amerikan duket se sapo është zgjuar ndaj faktit se është joshur në një luftë pa fund, shkruan Robert Fox
E premte, 27 mars 2026,
Përplasja publike mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu për mënyrën e zhvillimit të luftës me Iranin ka ringjallur një akuzë të njohur: se të dy tashmë janë përfshirë në “zgjerim misioni” (mission creep).
Ky term – i cili nuk është dëgjuar shumë në këtë konflikt deri tani – ka qenë një klishe e preferuar në komentimin e shumicës së luftërave gjatë 75 viteve të fundit, nga Suez-i dhe Vietnami, deri te ndërhyrjet ndërkombëtare dhjetëvjeçare në Irak dhe Afganistan në këtë shekull.
“Zgjerimi i misionit” ndodh kur një operacion ushtarak shtrihet përtej qëllimit dhe fushës fillestare – duke shkelur mandatin dhe buxhetin fillestar.
Sipas televizionit izraelit Channel 12, Trump është i zemëruar me thirrjen e Benjamin Netanyahu për një kryengritje të përgjithshme në Iran pas vrasjes së negociatorit kryesor Ali Larijani dhe komandantit të milicisë së rendit publik Basij, Gholamreza Soleimani.
Megjithëse kishte bërë thirrje për ndryshim regjimi në orët e para të luftës më 28 shkurt, Trump e kritikoi ashpër kryeministrin izraelit për sugjerimin që SHBA-ja t’u bëjë thirrje iranianëve të dalin në rrugë për të përmbysur regjimin, i cili sipas inteligjencës izraelite po shpërbëhet.
“Pse dreqin duhet t’u themi njerëzve të dalin në rrugë kur thjesht do të shuhen me zjarr?”, raportohet t’i ketë thënë Trump Netanyahut gjatë një bisede telefonike.
Ata ranë dakord të presin për të parë nëse iranianët do të shfrytëzojnë festivalin vjetor të zjarrit, Chaharshanbe Suri, për protesta masive në rrugë.
“Avionët tanë po godasin operativët terroristë në terren, në kryqëzime dhe sheshe qytetesh”, pretendohet të ketë thënë Netanyahu. “Kjo synon t’u mundësojë njerëzve të guximshëm të Iranit të festojnë Festivalin e Zjarrit.”
Për Trumpin, kjo përbën zgjerim të misionit. Shtëpia e Bardhë sugjeron se kryengritja popullore dhe revolucioni nuk kanë qenë pjesë e planit fillestar të luftës edhe pse për qeverinë në Jerusalem ndryshimi i regjimit është një objektiv thelbësor. Këtë javë, Trump u ka thënë republikanëve në Kongres se synimi i tij ishte shkatërrimi i forcave balistike të Iranit, potencialit të tij bërthamor, flotës detare iraniane dhe mbështetjes për grupet terroriste përfaqësuese. Ai nuk e ka përmendur ndryshimin e regjimit prej javësh.
Nga frika se Trump dëshiron të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund armiqësive këtë fundjavë, raportohet se Netanyahu u ka kërkuar gjeneralëve të tij të ndërmarrin një “goditje të përgjithshme ndaj objektivave kryesore” në Iran brenda 48 orëve të ardhshme.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit dhe bllokimi i eksporteve të naftës dhe gazit nga Gjiri Persik duket se kanë goditur bindjen e Trumpit se “ekskursioni” i tij ndaj Iranit mund të përfundonte shpejt. Edhe ai vetë duket se është në prag të zgjerimit të misionit, pasi ka urdhëruar dërgimin në Gjirin Persik të dy grupeve ekspedicionare të Marinës dhe një grupi parashutistësh nga Divizioni i 82-të Ajror – mbi 10,000 ushtarë në total. Sipas rrjedhjeve nga Pentagoni, forcat tokësore mund të marrin dhe të pushtojnë terminalin kryesor të naftës në Ishullin Kharg në Gjirin e sipërm, si dhe Ishullin Larak pranë ngushticës kritike.
Zbarkimi i komandove dhe parashutistëve pa një marrëveshje armëpushimi dhe përpjekja për të detyruar kalimin nëpër ngushticë është një rrezik i madh. Operacionet tokësore nuk ishin pjesë e planit fillestar, i cili në vetvete ishte mjaft i paqartë. Po ashtu, nuk ishte parashikuar nevoja për sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore, si THAAD, të cilat u zhvendosën me ngut nga Koreja e Jugut për të përforcuar mbrojtjen kundërraketore në Izrael dhe shtetet e Gjirit.
Zgjerimi i misionit sjell probleme. Pasi forcat angazhohen në zona të nxehta, planet duhet të përshtaten dhe zgjerohen për t’u përballur me kërcënime të reja. Por zgjerimi i madh i misioneve – si ai i Britanisë në Irak pas vitit 2003 dhe në Afganistan pas vitit 2001 – përfundimisht u vu në pikëpyetje. Brenda 10 vitesh, Britania e rriti praninë e saj në Helmand nga 3,000 në gati 20,000 trupa.
Duket se po shohim një zgjerim të ngjashëm në përpjekjet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe aleatëve të tij, si Hezbollah në Liban. Të dyja palët flasin për “menaxhim të përshkallëzimit” – bazuar në idenë e pasigurt se duhet të përshkallëzosh dhe të përforcosh për të dalë më shpejt nga konflikti.
Megjithatë, pak izraelitë presin një zgjidhje të shpejtë të përballjes me Iranin. Këtu hyn në lojë një tjetër term strategjik modern: “kositja e barit”. Kjo nënkupton se duhet të luftosh vazhdimisht, në mënyrë ciklike dhe brez pas brezi, kundër kundërshtarëve si Hamasi, Hezbollah, Garda Revolucionare Iraniane dhe vetë shteti iranian. Që nga viti 2018, kjo u bë doktrinë e pranuar për komandantët izraelitë në Gaza: lufta me Hamasin si një cikël i përsëritur vazhdimisht.
Ekziston një pranim i heshtur se regjimi dhe rrjeti i tij i sigurisë janë larg shkatërrimit. Disa nga komandantët më vizionarë britanikë në Helmand, si John Lorimer dhe Mark Carleton-Smith, e kuptuan se po përfshiheshin në një fushatë “kositjeje bari” dhe se talebanët përfaqësonin një kulturë të qëndrueshme dhe të rrënjosur.
Dy terma të tjerë ushtarakë, dikur shumë të përdorur, meritojnë të rikthehen: “strategjia e daljes” dhe, më teknikisht, “gjendja përfundimtare operative”. Sot dëgjojmë për zgjidhje “off-ramp” – një term për një dalje të shpejtë dhe të improvizuar nga një krizë e vështirë si ajo e Iranit dhe Ngushticës së Hormuzit. Në vend të kësaj, plani për “ekskursionin” e Trump-it duhej të kishte një objektiv të qartë përfundimtar dhe një strategji të mirëfilltë daljeje. Dyshoj se në mendësinë e papjekur, si videolojë, të Pentagonit të Pete Hegseth, një gjë e tillë ka ekzistuar.
Tani po afrohet hija e një tjetër klisheje ushtarake: mos e përforco kurrë dështimin. Në mjegullën e luftës që ka mbështjellë Lindjen e Mesme, ekziston frika se forcat e operacioneve “Roaring Lion” dhe “Epic Fury” janë gati të bëjnë pikërisht këtë – të përshkallëzojnë misionet e tyre dhe të përforcojnë dështimin. [Përktheu: Dan GASHI]
