Haaretz / 8 prill 2026
Gideon Levy: Fijasko i jetës së tij
Netanyahu, i cili e futi Izraelin në këtë luftë, kryeministri që të martën u detyrua t’i japë fund asaj pa u konsultuar me askënd, njeriu që mendonte se kjo luftë do ta fuste në librat e historisë si shpëtimtar, mban përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për dështimin e saj. Ishte një dështim i tmerrshëm, çmimi i të cilit ende nuk është paguar plotësisht.
Ky është dështimi më i madh i jetës së tij, shumë më i rëndë se shtatë tetori. Rrënimi i mëparshëm i Netanyahut kishte shumë baballarë; për këtë, përgjegjësia rëndon mbi të, dhe vetëm mbi të. Nëse projekti jetësor i Netanyahut ishte, dhe është, lufta kundër Iranit, obsesioni i një njeriu të vetëm, atëherë kjo luftë është fijasko i jetës së tij. Nga kjo luftë Izraeli del me më shumë plagë se sa duket, më i dobët dhe më i izoluar se sa hyri në të. Irani del i tronditur, por i forcuar dhe i shpërblyer shtatëfish. Pikërisht kështu duket një mision jetësor i dështuar.
Netanyahu, i cili e futi Izraelin në këtë luftë, kryeministri që të martën u detyrua t’i japë fund asaj pa u konsultuar me askënd, njeriu që mendonte se kjo luftë do ta fuste në librat e historisë si shpëtimtar, mban përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për dështimin e saj. Ishte një dështim i tmerrshëm, çmimi i të cilit ende nuk është paguar plotësisht.
Filloi me idenë megalomane se Izraeli mund të përmbysë regjime, vazhdoi me iluzionin se lufta është zgjidhja për çdo problem, gjithmonë e miratuar e para dhe e vetmja e provuar, dhe përfundoi me dështimin për të arritur asnjë qëllim lufte, asnjë të vetëm. E nuk kemi folur ende për kostot. Një muaj e gjysmë terror për dhjetë milionë banorët e Izraelit, shkatërrim dhe vështirësi financiare, humbja e një tjetër viti shkollor, zhdukja e atyre mbetjeve të fundit të arsyes dhe intensifikimi i izolimit ndërkombëtar të Izraelit.
Më shtatë tetor ishte e pamundur të hidhej e gjithë faji mbi supet e Netanyahut. Bashkë me të dhe nën urdhrat e tij ishin një ushtri e dështuar dhe shërbime inteligjence inekzistente, një politikë e pengimit të çdo procesi diplomatik, politikë e mbështetur nga shumica, përfshirë opozitën, dhe një rrethim brutal që nuk e imponoi Netanyahu i vetëm.
Ngjashëm me këtë, Netanyahu nuk mban përgjegjësinë ekskluzive për luftën e çmendur hakmarrëse që Izraeli zhvilloi pas shtatë tetorit. Edhe gjenocidi ka shumë baballarë. Netanyahu ishte i pari, por jo i vetmi. Historia, e mbase edhe bota, do t’i lajë hesapet me të gjithë ata: komandantët ushtarakë, pilotët e forcave ajrore, ushtarët, agjentët e shërbimit të sigurimit Shin Bet, shkatërruesit e Gazës, vrasësit e fëmijëve, kasapët e mjekëve dhe gazetarëve, mediat kolaboracioniste izraelite dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë në krimet në Gazë, të cilat nuk mund dhe nuk do të falen kurrë.
Netanyahu hyri në këtë luftë duke krijuar përshtypjen se e gjithë bota qëndron pas tij. New York Times përshkroi të mërkurën se si ai e magjepsi presidentin amerikan Donald Trump, duke e mashtruar sipas zakonit të tij, duke dhënë premtime të rreme të cilat sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, i quajti “pllëqe” (sranja). Si një shitës mjegulle veçanërisht i paskrupullt, Netanyahu arriti sërish të bëjë për vete administratën Trump me ato pllëqe. Por këtë herë ai humbi. Administrata do t’i kërkojë llogari, mbase edhe së shpejti.
Nga ana tjetër, opozita izraelite nuk ka të drejtë ta kritikojë. Të gjithë ata që brohoritën për luftën në fillimin e saj, të gjithë ata Yair Lapidë dhe Yair Golanë që nuk guxuan të thonë asnjë fjalë negative për hyrjen në luftë, që u rreshtuan si një trup i vetëm në justifikimin e saj, kanë humbur të drejtën për ta kritikuar. E mbështetët? Atëherë heshtni tani. Të gjithë ata që përshëndetën luftën, disa nga frika, të tjerët nga dritëshkurtësia, e shumica nga të dyja arsyet, që propozuan bombardime dhe shkatërrime ndërsa themelonin “dhoma lufte hasbara” groteske, nuk mund ta sulmojnë tani Netanyahun për luftën.
Fati ynë që kemi zotin e botës. Pa Trumpin, Netanyahu do të këmbëngulte në Iran drejt një dështimi edhe më shkatërrues. Pikërisht ashtu siç tentoi në Gazë derisa Trump e ndaloi, pikërisht ashtu siç dëshiron të bëjë tani në Liban, në rrugën drejt një tjetër fijaskoje.
Por ndërsa lufta po i afrohet fundit, për një gjë mund të jemi të sigurt: Izraeli nuk ka mësuar asgjë. “Bibistët” do të vazhdojnë të mbështesin idhujt e tyre, ata që janë kundër tij do të vazhdojnë të sulmojnë Djallin e tyre (ndërkohë që adhurojnë ushtrinë që zbaton planet e tij), dhe Izraeli do të vazhdojë të turret drejt luftës së ardhshme me të njëjtën verbëri dhe entuziazëm me të cilin u hodh në këtë luftë.
Të shtunën zbrita në strehimoren publike që na priti aq mirë për gati gjashtë javë, për të fikur dritat. Kur e bëra këtë, e dija se ato nuk do të mbeteshin të fikura për shumë kohë. [Përktheu: Dan GASHI]
