Kryeministri i Kanadasë mban një fjalim të paharrueshëm në Davos
Fjalë të jashtëzakonshme nga Kryeministri i Kanadasë në Davos: “Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla” është një gjë e së kaluarës, tha Mark Carney. Presioni nga superfuqitë agresive tani po krijon realitete të reja, por ata që janë në pushtet nuk duhet të frikësohen prej tij.
Die Welt – 21 janar 2026. Kryeministri kanadez Mark Carney e përdori paraqitjen e tij në Davos për një vlerësim kritik, por edhe për një apel të jashtëzakonshëm. Ngjarjet e fundit kanë treguar se “rendi i vjetër botëror është praktikisht i vdekur”, tha Carney në fjalimin e tij të njohur gjerësisht. Kjo do të thotë që Kanadaja dhe vendet e tjera të mesme tani nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të krijojnë aleanca të reja për t’iu kundërvënë presionit dhe frikësimit nga fuqitë kryesore të botës.
Fragmente të fjalimit qarkulluan menjëherë në X dhe u diskutuan atje, ndonjëherë në mënyrë kontraverse. Disa përdorues e lavdëruan Kryeministrin për “fjalimin e tij të drejtpërdrejtë” dhe duartrokitën Carney-n për adresimin e standardeve të dyfishta mbizotëruese në politikën botërore.
Të tjerë e interpretuan fjalimin si një thirrje zgjimi për udhëheqësit evropianë dhe një deklaratë të qartë lufte kundër SHBA-së dhe presidentit të saj aktual. Megjithatë, Kryeministri nuk e përmendi Presidentin e SHBA-së Donald Trump me emër në fjalimin e tij.
“Ndaloni së përmenduri ‘rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla’ sikur ai ende funksionon siç është premtuar”, tha Carney, për shembull. “Quajeni sistemin ashtu siç është: një kohë kur më të fuqishmit ndjekin interesat e tyre dhe përdorin integrimin ekonomik si mjet shtrëngimi.”
Carney vazhdoi, “Ne e dinim që historia e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla ishte pjesërisht e rreme, se më të fortët qëndrojnë jashtë tij kur është e nevojshme dhe se rregullat tregtare ndonjëherë zbatoheshin në mënyrë asimetrike”, tha Mark Carney. “Dhe ne e dinim që e drejta ndërkombëtare zbatohej me shkallë të ndryshme rigoroziteti në varësi të identitetit të të akuzuarit ose viktimës.”
“Ky trillim ishte i dobishëm dhe në veçanti hegjemonia amerikane ndihmoi në garantimin e të mirave publike, rrugëve të hapura detare, një sistemi financiar të qëndrueshëm, sigurisë kolektive dhe mbështetjes për mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”, vazhdoi ai. “Kështu që edhe ne e varëm tabelën në dritare. Ne morëm pjesë në rituale dhe dështuam të adresonim mospërputhjen midis retorikës dhe realitetit. Por ky pakt nuk funksionon më.”
Carney përfundoi: “Për të qenë i qartë, ne jemi në mes të një çarjeje, jo të një tranzicioni.” Gjatë dy dekadave të fundit, një seri krizash në sferën e financave, shëndetësisë, energjisë dhe gjeopolitikës kanë ekspozuar pa mëshirë rreziqet dhe anët negative të integrimit ekstrem global. “Por kohët e fundit, fuqitë e mëdha kanë filluar ta shndërrojnë integrimin ekonomik në armë”, nënvioi ai, këtë herë me sa duket duke iu referuar drejtpërdrejt Presidentit të SHBA-së Donald Trump. “Tarifat si leva. Infrastrukturat financiare si shtrëngim. Zinxhirët e furnizimit si dobësi që duhen shfrytëzuar. Nuk mund të jetosh në gënjeshtrën e përfitimit të ndërsjellë përmes integrimit kur vetë integrimi bëhet një burim nënshtrimi.”
Carney foli gjithashtu për pretendimin e SHBA-së ndaj Groenlandës. Kanadaja mbështet fuqishëm Groenlandën, ndërsa tensionet në Arktik përshkallëzohen për shkak të deklaratave të përsëritura të Trump se SHBA-të duhet ta zotërojnë territorin për arsye sigurie, tha Kryeministri të martën në Forumin Ekonomik Botëror. Ishulli gjysmë-autonom dhe Danimarka kanë një “të drejtë unike për të përcaktuar të ardhmen e Groenlandës”, tha ai.
Angazhimi ndaj NATO-s dhe parandalimi
Sipas Reuters, komentet e tij përbënin një thirrje për një arkitekturë të re bashkëpunimi midis vendeve të mesme. Kryeministri deklaroi se aleanca të tilla mund të jenë vija e fundit e mbrojtjes në një epokë ku shtetet dominuese përdorin fuqinë e tyre ekonomike dhe ushtarake për të imponuar vullnetin e tyre dhe bëri thirrje për investime të përbashkëta në parandalimin e konfliktit. Kanadaja po punon me partnerët e NATO-s për të siguruar krahët veriorë dhe perëndimorë të aleancës dhe angazhimi i saj ndaj Nenit 5 – klauzola e NATO-s mbi mbrojtjen kolektive – është “i palëkundur”, tha Carney.
Fjalimi i tij erdhi në sfondin e thellimit të përçarjes transatlantike dhe sulmeve të përsëritura nga Trumpi, përfshirë edhe ndaj vendit të tij. Për shembull, presidenti amerikan publikoi së fundmi një foto të një harte që tregon si Groenlandën ashtu edhe Kanadanë nën flamurin amerikan. Kanadaja dhe Meksika po përgatiten gjithashtu për negociata me Shtëpinë e Bardhë mbi marrëveshjen tregtare të Amerikës së Veriut, dhe zyrtarët amerikanë kanë shqyrtuar publikisht tërheqjen nga marrëveshja dhe ndjekjen e bisedimeve dypalëshe në vend të kësaj.
“Ata që nuk janë në tavolinë janë në menu”
Duke pasur parasysh taktikat agresive të kombeve më të mëdha, “ekziston një tendencë e fortë që vendet të përshtaten me qëllim që të shmangin konfliktin, duke shpresuar se bindja do të sjellë siguri”, vazhdoi Mark Carney në Forumin Ekonomik Botëror. “Nuk do të ndodhë.” Ai shtoi, “Fuqitë e mesme duhet të bashkëpunojnë, sepse ata që nuk janë në tryezë janë në menu.”
Më pas, Carney u bëri thirrje udhëheqësve botërorë dhe biznesmenëve që ta “quajnë realitetin me emrin e tij”. Ai citoi një ese të famshme të disidentit çek Václav Havel (“Pushteti i të Pafuqishmëve”), i cili përshkruante se si sistemi komunist arriti të mbante veten sepse njerëzit ishin të gatshëm të gënjenin njëri-tjetrin dhe veten për realitetin. Udhëheqësit ndërkombëtarë nuk duhet të bien në këtë kurth kur diskutojnë situatën gjeopolitike, tha Carney.
Komentet e Kryeministrit janë të vlefshme për t’u përmendur, sipas vëzhguesve, veçanërisht duke pasur parasysh integrimin ekonomik afatgjatë të Kanadasë me SHBA-në dhe cenueshmërinë që rezulton nga masa të mundshme hakmarrëse nga Trumpi. Vetë Mark Carney herë pas here ka zgjedhur ta qetësojë Presidentin e SHBA-së duke hequr shumë nga tarifat hakmarrëse të Kanadasë dhe duke kërkuar falje për një fushatë antitarifore të nisur nga provinca e Ontarios.
Kanadaja ka ndryshuar drejtimin e saj strategjik, argumentoi Carney. Ai po i referohej një marrëveshjeje të gjerë tregtare që nënshkroi javën e kaluar me Presidentin kinez Xi Jinping. Në të, Kina ra dakord të ulë tarifat për produktet bujqësore kanadeze, ndërsa Kanadaja uli tarifat për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë.
“Ne po angazhohemi gjerësisht, strategjikisht dhe me sy hapur”, njoftoi ai në fjalimin e tij në Davos. “Ne po përballemi në mënyrë aktive me botën ashtu siç është, dhe nuk po presim që ajo të bëhet ashtu siç duam ne.” Kanadaja po punon gjithashtu për partneritete të reja tregtare dhe sigurie me Indinë, Katarin, Tajlandën dhe Filipinet, si dhe për aleanca tregtare si Mercosur dhe Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Trumpi do të marrë pjesë në samit sot, të mërkurën, ditën kur Carney largohet. Nuk dihet nëse të dy udhëheqësit do të takohen. Përktheu: ISHGJ]
