28 janar 2026
Nga Bajram Begaj
President i Republikës së Shqipërisë
Në traditën e shqiptarit, mikpritja është më shumë se një akt protokollar dhe ceremoni zyrtare. Për shqiptarin, shtëpia i përket Zotit dhe mikut. Kur ne hapim dyert dhe ndajmë bukën, ne nuk ndajmë thjesht hapësirën, por ndajmë besimin. Ndaj, sonte ju ftoj ta shihni këtë sallë si një vatër ku mbizotëron miqësia ndaj çdo llogarie diplomatike.
Sot, bota po përjeton një periudhë tranzicioni. Rendi i vjetër i pasluftës po zbehet, ndërsa i riu ende nuk ka marrë formë. Është një kohë ku jemi dhe ku kemi ndjesinë se busullat tona po devijojnë nën presionin e krizave që nuk njohin kufij gjeografikë. Shqipëria, që ka provuar stuhitë më të egra të historisë, e sheh këtë tranzicion global me përgjegjësi dhe vëmendje të shtuar. Kjo ndjenjë përgjegjësie udhëheq mënyrën se si Shqipëria mendon, se si ajo formulon dhe se si ajo ushtron politikën e saj të jashtme.
Politika e jashtme e Shqipërisë pasqyron mënyrën se si e kuptojmë veten si shoqëri. Ajo buron nga përvoja jonë historike dhe shoqërore. Ne jemi një popull që e kemi kultivuar bashkëjetesën në mënyrë jetese. Në një botë ku feja apo etnia mund të përdoren për ndasi, Shqipëria ofron me modesti përvojën e saj të harmonisë fetare dhe etnike. Kjo harmoni nuk është një slogan, por fryma me të cilën ne paraqitemi, duke e pranuar tjetrin si pjesë të vetes.
Për Shqipërinë, diplomacia ndërtohet mbi vlera dhe parime të qarta e të qëndrueshme. Për ne, miqësia është elementi afatgjatë i marrëdhënieve tona ndërkombëtare. Përkatësia jonë Euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët tanë strategjikë nuk janë thjesht llogari gjeopolitike. Ato janë zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme. Ne kemi zgjedhur të jemi aty ku janë vlerat e paqes dhe demokracisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor, sepse këto i japin kuptim qenies sonë si shtet.
Parimet tona nuk mbeten vetëm në nivel deklarativ, por përkthehen në zgjedhje të qarta strategjike dhe aleanca të qëndrueshme. Marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe përkatësia jonë në Aleancën e Atlantikut të Veriut përbëjnë themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar.
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më shumë se një aleancë politike e ushtarake, është një marrëdhënie e veçantë historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë.
Pak ditë më parë, marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës u pasurua me një tjetër zhvillim domethënës përmes ftesës së Presidentit Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë kjo mjaft e rëndësishme, që synon forcimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Ky angazhim pasqyron vlerësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë si një partner i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i përkushtuar.
Po kaq e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë tonë qëndron për ne marrëdhënia jonë me Bashkimin Evropian.
Aspirata e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një zgjedhje strategjike dhe një kthim në familjen tonë natyrore. Evropa për ne mbetet një projekt paqeje dhe vlerash që ndërtohet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin për liritë individuale.
Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është një proces transformues, që synon të forcojë institucionet, të rrisë standardet dhe të konsolidojë stabilitetin. Hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave konfirmoi njohjen nga Bashkimi Evropian të reformave të ndërmarra, duke shënuar kalimin, nga aspirata, në një angazhim, në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të mbetet në krye të agjendës sonë, dhe kjo jo si kërkesë e partnerëve, por si një nevojë jetike për të ardhmen e vendit.
Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë të pjekurisë institucionale. Sot, institucionet e reja të drejtësisë flasin me gjuhën e rezultateve, duke thyer mitin e pandëshkueshmërisë dhe duke forcuar gradualisht besimin e qytetarëve te shteti i së drejtës. Ne jemi të vetëdijshëm se pritshmëritë janë më të larta se kurrë dhe pikërisht kjo është shenja e një shoqërie që nuk kënaqet më me simbolikë, por kërkon drejtësi funksionale.
Në kontekstin e politikës së jashtme, Shqipëria është në linjëzim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, çka dëshmon besueshmërinë e Shqipërisë si një partner evropian dhe Euroatlantik.
Shqipëria shpreh mirënjohje të veçantë për Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian për ekspertizën dhe partneritetin e vazhdueshëm në procesin e reformave dhe integrimit.
Me këtë rast, dua të shpreh të gjithë mirënjohjen time dhe të popullit shqiptar për atë mbështetje ndërkombëtare, teknike, institucionale, politike dhe ekonomike të vendeve mike dhe ato partnere, duke kontribuar kështu drejt përmbylljes me sukses të këtij procesi integrimi kaq jetik për vendin.
Ndërkohë, NATO për Shqipërinë nuk është vetëm një mekanizëm mbrojtjeje, por një komunitet vlerash, ku siguria kolektive ecën paralelisht me përgjegjësinë individuale të çdo vendi anëtar. Si një vend i vogël, ne e matim kontributin tonë me qëndrueshmërinë e angazhimit dhe besueshmërinë si aleat.
Në një epokë ku siguria nuk mund të merret më si e mirëqenë, forcimi i Aleancës Euroatlantike mbetet prioritet. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë aktivisht në NATO, jo vetëm si përfituese, por si një kontribuuese e besueshme për sigurinë kolektive. Investimet në mbrojtjen kibernetike, në inovacion dhe në kapacitetet moderne të mbrojtjes janë pjesë e këtij angazhimi për t’u përshtatur me sfidat e shekullit XXI.
Në këtë mjedis kompleks ndërkombëtar, Shqipëria nuk zgjodhi rolin e spektatorit, por atë të një aktori të përgjegjshëm. Ne konfirmuam se jemi një spirancë e qartë e orientimit Euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, duke dëshmuar koherencë, stabilitet dhe besnikëri, besnikëri ndaj vlerave që na bashkojnë me familjen evropiane.
Ballkani Perëndimor mbetet një hapësirë me potencial të madh, por edhe me ndjeshmëri historike që kërkon vizion, kërkon përgjegjësi dhe kërkon bashkëpunim të qëndrueshëm. Në nivelin e marrëdhënieve rajonale, Shqipëria vazhdon të mbetet promotore e stabilitetit dhe dialogut konstruktiv në rajon, duke avancuar në lidhjet me Kosovën dhe komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe Malin e Zi.
Në kontaktet e saj me vendet e rajonit, Shqipëria ka treguar mirëkuptim dhe një qasje të bazuar në partneritet, ndërsa promovon arsyet dhe interesat e saj me ndershmëri dhe integritet, duke rritur numrin e projekteve infrastrukturore me fqinjët dhe fuqizimin e lidhjeve me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria e sheh stabilitetin e rajonit të lidhur ngushtë me forcimin e bashkëpunimit ekonomik, përmirësimin e lidhshmërisë dhe avancimin e integrimit evropian si horizont i përbashkët.
Mbështetja e Shqipërisë për Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka qenë dhe do të mbetet e qartë, konsistente dhe e palëkundur, në funksion të rritjes së vizibilitetit ndërkombëtar të saj, forcimit të subjektivitetit shtetëror dhe avancimit të saj në integrimin Euroatlantik.
Shqipëria mbetet e angazhuar në mbështetjen e Republikës së Kosovës për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe për përfaqësim të barabartë në komunitetin ndërkombëtar demokratik.
Po kaq e rëndësishme mbetet edhe vëmendja e Shqipërisë ndaj shqiptarëve në të gjithë rajonin, si pjesë e përgjegjësisë sonë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, lirive themelore dhe identitetit kulturor në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Shqipëria kërkon që të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të respektohen, që ata të mos diskriminohen, por të integrohen dhe të jenë të lirë të promovojnë kulturën, gjuhën dhe identitetin e tyre.
Shqipëria do të vijojë të mbështesë rolin pozitiv të shqiptarëve në rajon si faktor stabiliteti, bashkëjetese dhe integrimi evropian, në dobi të shoqërive ku ata jetojnë dhe të rajonit në tërësi.
Në këtë frymë, mesazhi ynë për fqinjësinë dhe bashkëpunimin rajonal është i qartë: Shqipëria mbetet një promotor i palëkundur i fqinjësisë së mirë dhe dialogut, duke besuar se stabiliteti rajonal dhe integrimi evropian janë procese të pandalshme dhe të ndërlidhura.
Parimet dhe zgjedhja Euroatlantike reflektohen edhe në mënyrën se si Shqipëria vepron në arenën ndërkombëtare. Me përgjegjësi dhe besueshmëri në organizatat dhe forumet ndërkombëtare, ne kemi mbështetur dialogun, respektin për të drejtën ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve. Në kontekstin aktual ndërkombëtar, roli ynë mund të duket modest, por është konkret dhe domethënës.
Kontributi ynë buron nga bindja se edhe vendet e vogla kanë detyrimin të mbrojnë parimet që mbajnë rendin ndërkombëtar funksional, për paqen, sigurinë dhe begatinë në mbarë botën. Në këtë dritë mund të shihet edhe qëndrimi i Shqipërisë ndaj Ukrainës. Ne qëndrojmë krah sovranitetit dhe të drejtës së popullit të Ukrainës për të zgjedhur lirisht të ardhmen e tij.
Shqipëria po rizbulon veten edhe në sytë e botës. Rritja e vizitorëve nuk është vetëm një tregues ekonomik, por shenjë besimi ndaj një vendi të sigurt, mikpritës dhe të hapur. Turizmi është shndërruar në një formë të rëndësishme të diplomacisë publike, duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe duke afruar njerëzit përtej marrëdhënieve zyrtare.
Në këtë proces hapjeje dhe lidhjeje me botën, një rol të pazëvendësueshëm luan diaspora shqiptare. Ajo është ura jonë më e fortë njerëzore me vendet ku jeton duke sjellë përvojë, dije dhe energji që pasurojnë shoqërinë tonë dhe forcojnë lidhjet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Ndërsa shohim përpara, viti 2026 përfaqëson për Shqipërinë një moment të rëndësishëm konsolidimi institucional dhe afrimi me standardet evropiane. Synimi ynë është të thellojmë këtë hapje, të forcojmë besimin dhe të krijojmë kushte që lidhja mes Shqipërisë, diasporës dhe partnerëve tanë të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të mëtejshëm evropian.
Shkëlqesi ambasadorë,
Në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe shpesh me pasiguri, ajo që mbetet e qëndrueshme janë zgjedhjet që bëjmë dhe parimet që nuk i negociojmë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme, e parashikueshme dhe e përkushtuar ndaj vlerave që na bashkojnë, duke besuar se paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi ndërtohen çdo ditë, çdo ditë me përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë.
Shqipëria do të mbetet një shtëpi e hapur për të gjithë miqtë e saj.
—-
Fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës, SH. T. Z. Bajram Begaj, me rastin e takimit të përvitshëm me trupin diplomatik
