[Taybeh: Qyteti i krishterë në Bregun Perëndimor]
Kolonët izraelitë përshkallëzojnë inkursionet e tyre në Taybeh, qytetin e fundit plotësisht të krishterë në Bregun Perëndimor, duke ngritur shqetësime për përvetësimin e mëtejshëm të tokës.
Prifti i famullisë, Atë Bashar Fawadleh, bën thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare, ndërsa banorët përballen me kufizime në rritje dhe bëjnë thirrje për paqe, drejtësi dhe mbrojtje.
Nga Alexandra Sirgant dhe Linda Bordoni [Vatican News Service]
Mes sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban, kolonët radikalë hebrenj kanë rritur sulmet e dhunshme ndaj civilëve dhe fshatrave palestinezë në Bregun Perëndimor.
Vendimet gjithëpërfshirëse nga kabineti izraelit për të zgjeruar vendbanimet po e tendosin më tej ekuilibrin tashmë të brishtë të territorit, ku bastisjet e koordinuara nga kolonët nuk e kanë kursyer as komunitetin e vetëm tërësisht të krishterë në zonë, të vendosur në lindje të Jerusalemit dhe në veri të Ramallahut.
Qyteti i Taybeh, i njohur gjerësisht si qyteti i fundit palestinez plotësisht i krishterë në Bregun Perëndimor, është përballur me sulme të përsëritura ndaj shtëpive dhe pronave, me një rritje të ndjeshme të inkursioneve që nga qershori i vitit 2025. Gjatë dy ditëve të fundit, një përshkallëzim i ri ka parë kolonët të hyjnë dhe të marrin kontrollin e një fabrike çimentoje dhe guroreje në periferinë perëndimore të qytetit.
Që nga mëngjesi i 19 marsit, thuhet se kolonët izraelitë kanë hyrë në vend, ku kanë kryer rituale dhe lutje talmudike. Prania e tyre ka vazhduar për të dytën ditë radhazi, duke ushtruar në mënyrë efektive kontrollin mbi zonën. Dëshmitarët raportojnë gjithashtu se një flamur izraelit ishte ngritur sipër njërit prej rezervuarëve të uzinës.
Duke folur për Radio Vatikanin, prifti latin i famullisë së Taybeh, Atë Bashar Fawadleh, përshkroi një ndryshim të dukshëm në modelin e sulmeve.
Ai shpjegoi se incidentet e mëparshme ishin përqendruar në pjesën lindore të Taybeh, por zhvillimet e fundit sinjalizojnë një fazë të re, me kolonët që synojnë infrastrukturën kyçe publike dhe ekonomike në zonën perëndimore.
Dëgjoni një fragment nga intervista me Atë Basharin
Atë Fawadleh tregoi se si kolonët hynë në gurore dhe në fabrikën e betonit, ngritën flamuj dhe u kthyen përsëri të nesërmen për të vazhduar lutjet dhe ritualet. Pavarësisht thirrjeve drejtuar policisë izraelite, e cila ndërhyri shkurtimisht, kolonët u kthyen menjëherë pasi ata u larguan.
“Policia,” tha ai, “erdhi një orë pas telefonatës sonë, por pas kësaj ata [kolonët] u kthyen pas 15 ose 30 minutash. Dhe tani ata janë brenda tokës.”
Ai paralajmëroi se veprime të tilla duket se janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zgjeruar kontrollin territorial në një zonë strategjike që shtrihet nga lindja e Jerusalemit drejt Luginës së Jordanit. Vetë Taybeh, vazhdoi ai, përfshin një sipërfaqe të madhe prej afërsisht 4,000 akrash, duke e bërë atë veçanërisht të prekshme nga pushtimi i mëtejshëm i tokës.
Prifti theksoi gjithashtu vështirësitë e përditshme me të cilat përballen banorët, duke përfshirë barrierat ushtarake dhe pikat e kontrollit që kufizojnë lëvizjen midis fshatrave dhe qyteteve në rajon.
Duke e përshkruar situatën si “shumë të vështirë”, Atë Fawadleh shprehu një lutje të ndarë nga shumë njerëz në komunitet.
«Ne ende kemi shpresë», tha ai. «Po ngremë zërin për të thënë se jemi një popull palestinez civil. Duam të jetojmë në paqe. Duam të jetojmë me drejtësi».
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta shohë situatën nga afër dhe të veprojë për të siguruar sigurinë dhe mbrojtjen e popullsisë lokale.
“Ne i kërkojmë botës të vijë e të shohë, të ndalojë këto veprime dhe të na lejojë të jetojmë në siguri dhe paqe.” [Përktheu: Dan GASHI]
