[Foto: Presidenti Donald Trump takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë më 22 tetor 2025.]
Publikuar: 8 prill 2026
Nga Gabe Whisnant [Newsweek]
Administrata Trump po shqyrton një plan për të ndëshkuar disa aleatë të NATO-s që i konsideron si jo mjaftueshëm mbështetës gjatë luftës me Iranin, duke përfshirë zhvendosjen e trupave amerikane larg vendeve që shihen si të padobishme, sipas zyrtarëve të administratës të cituar nga The Wall Street Journal.
Propozimi që po diskutohet do të zhvendoste forcat amerikane nga disa shtete anëtare të NATO-s drejt vendeve që gjykohet se e kanë mbështetur më fuqishëm fushatën ushtarake amerikane, raportoi Journal. Ndërsa plani do të ndalonte kërcënimet e fundit të Presidentit Donald Trump për të tërhequr plotësisht Shtetet e Bashkuara nga NATO një veprim që do të kërkonte miratimin e Kongresit ai do të përfaqësonte një përshkallëzim të ndjeshëm të tensioneve brenda aleancës.
Newsweek i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë me anë të një email-i të mërkurën në mbrëmje për komente shtesë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, ideja ka qarkulluar midis zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe të sigurisë kombëtare në javët e fundit, por mbetet në fazat e hershme. Ky është një nga disa opsionet që po diskutohen për të ushtruar presion mbi aleatët e NATO-s. Diskutimet nënvizojnë një përçarje në rritje midis administratës Trump dhe partnerëve evropianë pas vendimit të presidentit për të nisur luftën kundër Iranit pa mbështetjen e gjerë të aleatëve.
Takimi Donald Trump-Mark Rutte: Çfarë duhet të dini
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, udhëtoi drejt Uashingtonit këtë javë për bisedime me Trump-in, ndërsa zyrtarët u përpoqën të menaxhonin tensionet brenda aleancës transatlantike. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump planifikoi një bisedë “të sinqertë dhe të hapur” me Rutte-n të mërkurën dhe akuzoi aleatët e NATO-s për dështim në mbështetjen e popullit amerikan, pavarësisht angazhimeve afatgjata të mbrojtjes nga ana e SHBA-së.
Në përgjigje të një pyetjeje nga Leonardo Feldman i Newsweek gjatë konferencës për shtyp të së mërkurës, Leavitt tha se Trump planifikon të diskutojë masën ekstreme të tërheqjes nga NATO drejtpërdrejt me Rutte-n gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë.
“Është diçka që presidenti e ka diskutuar dhe mendoj se do ta diskutojë pas pak orësh me Sekretarin e Përgjithshëm Rutte,” tha Leavitt kur u pyet nëse Trump mbetet i hapur për largimin nga aleanca.
Pas takimit me Rutte-n, në një mesazh me shkronja kapitale në Truth Social të mërkurën mbrëma, presidenti pasqyroi sulmet e tij të gjera ndaj NATO-s për luftën në Iran dhe përsëriti zhgënjimin me Danimarkën dhe aleancën për Grenlandën.
Ai postoi: “NATO NUK ISHTE ATY KUR NE KISHIM NEVOJË PËR TA DHE ATA NUK DO TË JENË ATY NËSE DO TË KEMI PËRSËRI NEVOJË. KUJTONI GRENLANDËN, ATË COPË AKULLI TË MADHË DHE TË MENAXHUAR KEQ!!! Presidenti DJT”
Rutte, duke folur të mërkurën mbrëma për Jake Tapper të CNN-it, tha se takimi i tij me Trump-in ishte një “diskutim shumë i sinqertë, shumë i hapur, por ishte gjithashtu një diskutim midis dy miqve të mirë”. Ai shtoi se presidenti është “shprehimisht i zhgënjyer” me aleatët e NATO-s.
Grindja në rritje e Trump-it me NATO-n
Tensionet janë intensifikuar që kur lufta me Iranin filloi në fund të shkurtit. Trump ka argumentuar vazhdimisht se sigurimi i Ngushticës së Hormuzit është kryesisht përgjegjësi e vendeve që mbështeten më shumë te flukset e naftës nga Lindja e Mesme, dhe jo e Shteteve të Bashkuara.
Zhgënjimi i tij është përshkallëzuar nga vendimet e aleatëve, përfshirë Francën dhe Spanjën, për të kufizuar ose mohuar aksesin e SHBA-së në hapësirën e tyre ajrore ose në objektet ushtarake për operacionet e luftës. Ndërsa këto vende kanë sinjalizuar gatishmëri për të marrë pjesë në një përpjekje ndërkombëtare pas konfliktit, ato refuzuan të mbështesin operacionet aktive luftarake.
Prezenca ushtarake e SHBA-së në vendet e NATO-s
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 84,000 trupa të stacionuara në të gjithë Evropën. Gjatë konfliktit me Iranin, disa qeveri evropiane vendosën kufizime në aksesin ushtarak, duke përfshirë kufizimin e përkohshëm të Italisë për përdorimin e një baze ajrore në Sicili dhe kushtet e Francës për fluturimet që uleshin në një bazë në jug të vendit.
Përveç ripozicionimit të trupave, administrata po shqyrton mbylljen e të paktën një baze amerikane, ndoshta në Gjermani ose Spanjë. Vendet që shihen si mbështetëse — duke përfshirë Poloninë, Rumaninë, Lituaninë dhe Greqinë — mund të shohin rritje të pranisë së trupave amerikane. Këto kombe kanë nivele më të larta të shpenzimeve për mbrojtjen dhe ishin ndër të parat që mbështetën përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit.
[Përktheu: Dan GASHI]
