Trumpi dhe Putini në samitin në Alaskë. Josef Braml analizon motivet e Trump për afrimin me Rusinë.
FOCUS online/Wochit
Nga Peter Althaus [Focus.de]
E shtunë, 16 gusht 2025, ora 20:27
Ndërsa konferenca për shtyp midis dy presidentëve nuk ishte informuese, disa tema të ndjeshme me shumë gjasa u trajtuan pas dyerve të mbyllura. Këtu përmbledhim atë që dihet deri më tani.
Sipas Kremlinit, negociatat në samitin Putin-Trump zgjatën 2 orë e 45 minuta, dhe deklaratat pasuese nga Trumpi dhe Putini zgjatën gjithsej 12 minuta. Megjithatë, si Presidenti i SHBA-së Donald Trump ashtu edhe udhëheqësi rus Vladimir Putin mbetën të paqartë gjatë konferencës për shtyp.
Në deklaratat e tyre pas samitit, nuk u përmend asnjë armëpushim i mundshëm. Trumpi më vonë shkroi në shërbimin e tij online Truth Social se “të gjithë” ranë dakord se mënyra më e mirë përpara ishte arritja e një marrëveshjeje paqeje e drejtpërdrejtë, jo një marrëveshje armëpushimi. Kjo shënoi një ndryshim në qëndrimin e Trumpit, pasi ai gjithmonë kishte këmbëngulur për një armëpushim të menjëhershëm.
Trumpi i telefonoi Zelensky-t nga Air Force One pas samitit në Alaskës
Trumpi fillimisht i telefonoi Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nga Air Force One dhe raportoi për takimin. Sipas Axios, telefonata zgjati një orë e gjysmë dhe “nuk ishte e lehtë”. Trumpi kaloi orën e parë duke folur me Zelenskyn. Më vonë, krerët më të rëndësishëm të shteteve dhe qeverive evropiane iu bashkuan telefonatës. I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, shpjegoi gjithashtu për kërkesat territoriale të Putinit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e konfirmoi këtë në një intervistë. Rusia duket e gatshme të zhvillojë negociata përgjatë vijës aktuale të frontit në vend të kufijve administrativë, raportoi Merz në një intervistë për ZDF. “Ky është një ndryshim i madh.” Deri më tani, Rusia ka bërë pretendime për territore që as nuk i ka pushtuar ushtarakisht.
Samiti Trump-Putin – Çfarë u diskutua pas dyerve të mbyllura
Por mediat ndërkombëtare po raportojnë gradualisht më shumë për detaje të takimit me dyer të mbyllura midis Trumpit dhe Putinit. Pikat kryesore janë:
- Putin refuzon një armëpushim të thjeshtë dhe këmbëngul në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës. Trump thuhet se është dakord me të.
- Kremlini kërkon që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga rajoni i Donetskut dhe në mënyrë efektive të dorëzojë të gjithë Donbasin. Sipas Axios, Putinu u mburr në samit se ushtria ruse do ta pushtonte Donbasin gjithsesi.
- Moska dëshiron të sigurojë kontrollin mbi territoret që ka pushtuar në rajonet Zaporizhia dhe Kherson.
- Në këmbim, Putini thuhet se premton të mos sulmojë ose pushtojë asnjë territor të ri. “Përshtypja ishte se në këmbim të lëshimeve territoriale, Putini është i gatshëm t’i japë fund luftës dhe të zotohet të mos pushtojë asnjë territor të mëtejshëm në Ukrainë ose të mos sulmojë asnjë vend tjetër”, tha një burim për Axios.
- Në takim, Trumpi foli për garanci të mundshme sigurie të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, por pa anëtarësimin e Ukrainës në aleancë. Sipas raportimeve, Putin gjithashtu dëshiron të “garantojë” sigurinë e Ukrainës.
- Putini dëshiron që rusishtja të bëhet gjuhë zyrtare në Ukrainë dhe kërkoi garanci për sigurinë e kishave ortodokse ruse.
[Përktheu: ISHGJ]