Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se sulmoi dy rafineri nafte në rajonet Saratov dhe Samarë të Rusisë gjatë natës së 20 shtatorit, duke konfirmuar raportimet e mëparshme nga banorët rusë në mediat sociale.
Shtabi i Përgjithshëm shtoi në deklaratën e tij se kishte dëmtuar një strukturë të madhe të infrastrukturës së transportit në Samara. Tutje njofton se u regjistruan shpërthime dhe zjarre, ndërsa rezultatet përfundimtare të sulmeve ende po përcaktohen. “Të gjitha objektet e goditura janë të përfshira në furnizimin e forcave të armatosura ruse”, shkroi Shtabi i Përgjithshëm, sipas Kyiv Independent.
Lajmi vjen ndërsa Kievi vazhdon të përshkallëzojë fushatën e tij kundër infrastrukturës së naftës dhe gazit të Rusisë, një burim kyç i të ardhurave të Moskës që ndihmon në financimin e makinës së saj të luftës. Analistët dhe mediat perëndimorë kanë shkruar për mungesat e benzinës në Rusi dhe radhët në stacionet e benzinës, por disa njoftime zyrtare nga gjigantët rusë të energjisë kanë sugjeruar gjithashtu një rënie të prodhimit dhe mungesa. [ISHGJ/GN]
