Problemi me Bullgarinë nuk është më arsyetim pasi këto probleme i ka pasur edhe Kroacia me Slloveninë, edhe Mali i Zi i ka me Kroacinë, edhe Shqipëria me Greqinë…Çështja është nëse do të përdorësh këto probleme si arsyetim për të mos lëvizur drejt anëtarësimit në BE, apo do t’u qasesh me seriozitet për t’i zgjidhur. Për të dytën duhet orientim i palëkundur dhe vullnet i madh, nga të gjitha forcat politike – maqedonase dhe shqiptare, të djathta e të majta, centriste e liberale.
Shkruan: Xhelal Neziri
Edhe pa bllokadën nga Bullgaria, Maqedonia e veriut nuk do ta kishte hapur as grupkapitullin (Kllasterin) e parë “Themelet” (Fundamentals), i cili hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Pra, edhe të ishin miratuar ndryshimet kushtetuese dhe të ishin përfshirë bullgarët etnik në preambulë – që është parakusht kryesor specifik për hapjen e negociatave në përputhje me Propozimin Francez (2022) – vendi sërish nuk do të kishte nisur me hapjen e kapitujve. Arsyeja? Për hapjen e çdo kllasteri kërkohet përmbushja e disa parakushteve bazike.
S’KA REFORMA AS PËR NJË KLLASTER

Për hapjen e kllasterit të parë vendi duhej të kishte miratuar dhe zbatuar dy udhërrëfyes (roadmaps) dhe Planin e Veprimit për Mbrojtjen e Pakicave. Këto dokumente specifike synojnë drejtimin e reformave kyçe lidhur me vlerat dhe detyrimet thelbësore të BE-së, për shkak se pikërisht kllasteri “Themelet” mbulon sferat e gjyqësorit, të drejtave fondamentale, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, si dhe kapitujt e prokurimeve publike, kontrollit financiar dhe statistikave. Udhërrëfyesi i parë është për forcimin e ligjit, ku fokusi vihet në forcimin e pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit, dhe rritjen e luftës kundër korrupsionit. Udhërrëfyesi i dytë është për reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, që ka për qëllim përmirësimin e efikasitetit dhe llogaridhënies së administratës publike dhe sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm të proceseve dhe institucioneve demokratike. Plani i Veprimit për Mbrojtjen e Pakicave përcakton masa konkrete për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave brenda Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut ka hartuar dhe miratuar këto dokumente të kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE), por problemi qëndron në atë që quhet defekt kronik i sistemit politik të vendit – mungon zbatimi i tërësishëm tyre dhe rezultatet konkrete nga ai zbatim.
Raporti i fundit i progresit i Komisionit Evropian (KE), i publikuar në fillim të nëntorit, shpalosi një të vërtetë të madhe se problemi me Bullgarinë përdoret vetëm si arsyetim për moszbatimin e reformave. Është e vërtetë se Propozimi Francez, që është tashmë pjesë e kornizës për negocim me BE-në, është parakusht specifik për progresin e negociatave, por nuk është pengesë për reformat e kërkuara në çdo raport progresi.
SHKUPI APO TIRANA – KUSH MË AFËR BE-SË?
Se sa prapa Shqipërisë është Maqedonia e Veriut nuk duhet parë vetëm fakti se Shqipëria ka hapur të gjitha kllasteret, duke përmbushur të gjitha parakushtet e hapjes së tyre. Shihni edhe fondet që ka tërhequr Shqipëria nga instrumenti më i ri i BE-së, i quajtur Plani i Rritjes dhe Reformave. Qeveria në Tiranë ka përfituar rreth 100 milionë euro, kurse ajo në Shkup – afër 25 milionë euro. Ky plan, i promovuar në maj të vitit të kaluar, ka për qëllim të “shpërblejë” me mjete financiare vendet që zbatojnë reformat. Edhe pse duket si një qasje edukatorëve në shkolla, ku nxënësit shpërblehen për çdo detyrë të kryer, megjithatë është një mjet shumë efikas nëse merret parasysh papjekuria politike që mbizotëron në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Andaj, deklaratat e qeveritarëve, apo ekspertëve nga shoqëria civile që janë kundër Propozimit Francez, se Maqedonia e Veriut është para Shqipërisë jo të paargumentuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Nëse për një vit Shqipëria ka përmbushur parakushtet për hapjen e të gjithë gjashtë kllasterëve, Maqedonia e Veriut nuk ka përmbushur as për një. Nëse Shqipëria ka realizuar e saj të reformave duke marrë maksimumin prej 100 milionë euro për një vit, Maqedonia e Veriut ka arritur vetëm çerekun e saj.
Vonesat e reformave shkaku i joefikasitetit të Parlamentit, mungesa e progresit në zbatimin e rekomandimeve të OBSE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut për zgjedhjet, mungesë reformash në fuqizimin e pushtetit lokal, mungesa e progresit në reformat gjyqësor…janë vetëm një pjesë e kritikave nga raporti i fundit. Më tutje, cenimi i pavarësisë së gjyqësorit nga ndërhyrja politike dhe presioni nga Parlamenti, mungesa e resurseve njerëzore në gjykata dhe prokurori, korrupsioni i përhapur (raporti nënvizon tragjedinë e Koçanit si rast që ekspozoi korrupsionin e rrënjosur në instirucione) shfaqin realitetin e zymtë në një shtet që aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane, ku drejtësia është e shenjtë. Në funksionimin e shtetit nënvizohet se reformat në administratë ngecin prapa afateve të përcaktuara, vetëm një e treta e reformave kanë buxhet të siguruar dhe mungesë transparence në punën e qeverisë. Edhe ekonomia nuk është lënë pa kritika, ndërkohë që nënvizohet se dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve vazhdojnë. Sipas BE-së, s’ka progres në zbatimin e reformave në ekologji, s’ka hetime për krimet ekologjike. Gati të gjitha sferat janë të kalbura dhe kërkohet ndërhyrje urgjente.
Ndaj këtyre defekteve Shkupi reagoi me inat – thuajse bëhet fjalë për reforma që do t’ua bënin më të mirë jetën e evropianëve. Derisa kryeministri shqiptar Edi Rama festonte në Bruksel me një tortë të vogël hapjen e kllasterit të fundit, në Shkup u hap debati se cili vend është më para në proces, thuajse bëhen fjalë për Tour de France. Një debat shterp që reflekton ose projekton një deluzion kolektiv në të cilin ka kohë që vendi është futur.
REFORMAT JANË PËR QYTETARIN, JO PËR BRUKSELIN
Nga perspektiva e qytetarëve të BE-së, ndërkaq, është mirë të mos shpenzohen paratë nga taksat e tyre për të nxitur reforma në shtete me elita të papjekura politike. Është mirë që Maqedonia e Veriut ka shfrytëzuar vetëm 25 milionë euro nga Plani i Rritjes dhe Reformave, se ka humbur rreth 160 milionë vetëm vitin e kaluar nga mosgatishmëria për të aplikuar me projekte kualitative, se janë humbur miliarda euro nga vonesat e hapjes së kllasterëve. Por, nga perspektiva e qytetarit të Maqedonisë së Veriut kjo është, apo duhet të ishte, më shumë se shqetësuese. Nuk bëhet fjalë vetëm për fondet e humbura, aq të nevojshme për zbatimin e reformave, por te reformimi i sistemit korruptiv dhe joefikas, i cili në dhjetë vitet e fundit ka bërë të largohen mbi 300.000 njerëz. Pra, për një dekadë janë fshirë nga harta e vendit tre qytete sa Manastiri apo Tetova.
Kjo Qeveri duhet të jetë e sinqertë dhe të dalë para qytetarëve e ta thotë troç se është apo nuk është për integrim në BE. Pastaj t’i rendisë arsyet se pse por edhe planet se si më tej. Problemi me Bullgarinë nuk është më arsyetim pasi këto probleme i ka pasur edhe Kroacia me Slloveninë, edhe Mali i Zi i ka me Kroacinë, edhe Shqipëria me Greqinë…Çështja është nëse do të përdorësh këto probleme si arsyetim për të mos lëvizur drejt anëtarësimit në BE, apo do t’u qasesh me seriozitet për t’i zgjidhur. Për të dytën duhet orientim i palëkundur dhe vullnet i madh, nga të gjitha forcat politike – maqedonase dhe shqiptare, të djathta e të majta, centriste e liberale.
