Pse “Shoqëria Historike Ruse” e ravijëzon përkatësinë neosovjetike të Serbisë?
Nga Dr. Arben FETOSHI
Themelimi i degës së “Shoqërisë Historike Ruse” në Beograd është treguesi më i qartë i superstrukturës hegjemoniste të “vëllazërisë sllave”, që shënon kërcënimin më serioz për sigurinë dhe rendin demokratik.
Qendra “arsimore” e politikës ekpansioniste në epokën cariste (1866), e ringjallur nga Vladimir Putin më 2012 për të komanduar “të vërtetën” ruse nëpërmjet veglës së tij më të sofistikuar, drejtorit të Shërbimit të Jashtëm të Intelegjencës (SVR), Sergei Jaryshkin, e davariti mjegullën e “integrimit europian” të Serbisë, duke e nënshtruar plotësisht atë me “lakun” strategjik të Rusisë.
Shefi i degës në Beograd, Aleksandër Vulin, ish ministër i Brendshëm dhe ish shef i Shërbimit të Inteligjencës serbe (BIA), i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe lidhje me Kremlinin, e shpërfaqi të vërtetën e shoqërisë në Asamblenë Themeluese në Beograd, duke e prezantuar si një “pikë takimi për të gjithë ata të cilët e shohin Serbinë si një shtet që do të luftojë pa asnjë rezervë për krijimin paqësor të botës serbe dhe si aleat i vërtetë i Rusisë e Kinës”.
Strategjia e maskuar si “mbrojtje”
Për vetëm katër ditë (24-27 tetor), tri ngjarje të ndërlidhura shpërfaqën tri nivele të një strategjie të maskuar: Aleksandër Vuçiq amplifikoi narrativën “Serbia drejt BE-së, por pa e njohur Kosovën”; Aleksandër Vulin institucionalizoi “nënshtrimin” strategjik ndaj Rusisë përmes shoqërisë “historike”; dhe Sergei Lavrov propozoi një model të ri të sigurisë për Euro-Azinë, duke “garantuar” se nuk kanë pasur dhe nuk kanë qëllim të sulmojnë ndonjë anëtar të NATO-s dhe BE-së.
Ky trinom Lavrov-Vuçiq-Vulin riformuloi qëndrimin ndaj komunitetit euro-atlantik (duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor) sipas alternativës: ose lejoni realizimin e interesave ruso-serbe në Europë ose do të përballeni me luftë. Një strategji e maskuar që përbën bazën e zbatimit të idesë gjeopolitike të Aleksandër Duginit për Neo-Euroaziatizmin.
Megjithatë, nëse “Qendra Humanitare Ruso-Serbe” në Nish (2012) ishte hapi i parë drejt “putinizimit” të Serbisë, themelimi i “Shoqërisë Historike” paraqet zgjatimin më të sofistikuar të saj, që synon ta mishërojë “të vërtetën” e fabrikuar përmes politikës së kujtesës.
Një qendër spiunazhi e kamufluar me mision humanitar, që e ka përgatitur infrastrukturën operative përmes rekrutimit, trajnimit e rrjetëzimit, u përforcua me një qendër “akademike” të lidhjes serbo-ruse për t’u “mbrojtur” nga NATO, demokracia dhe Perëndimi – “armiqtë” e “botës së tyre” (Bota Ruse dhe Bota Serbe). Në kuadër të strategjisë, “Shoqëria Historike” që ushëhiqet nga veglat “intelegjente” të Putinit – Jaryshkin dhe Vulin, do të shërbejë si platformë për:
- rishkrimin e historisë në përputhje me narrativat për NATO-n si “agresore” dhe Serbinë si “viktimë”;
- përhapjen e propagandës kulturore dhe diplomatike nën petkun e “akademizmit”, dhe
- përgatitjen e terrenit për depërtim në institucionet arsimore dhe mediatike.
Nëse deri tani ndikimi rus në Serbi kalonte përmes energjisë, mediave dhe politikës, tani ai po institucionalizohet me “historiografinë” dhe kujtesën kolektive, teksa është paralajmëruar të zgjerohet edhe përmes një asociacioni të universiteteve ruso-serbe.
Ndërkaq, karakteri shtetëror i “Shoqërisë Historike” në Beograd, përveç me Aleksandër Vulin si “autor” i projektit të “Botës Serbe” dhe jo rastësisht i emëruar edhe senator për Republikën Serbe, vërtetohet nga pjesëmarrja e gjerë politike dhe institucionale me ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiq, zëvendëskryetarin e Parlamentit, Neveda Gjuriq, patriarkun e Kishës Ortodokse, Porfirije, etj.
Taktizimi me “neutralitetin”
Në kuadër të “armatosjes” së Serbisë si pika perëndimore e frontit euro-aziatik të Putinit, Aleksandër Vuçiq vazhdon të përfaqësojë “neutralitetin” e fasaduar, me qëllim përfitimi nga procesi i integrimit europian. Me qasjen e përsëritur se “nuk do ta njohë kurrë Kosovën” dhe i gatshëm për anëtarësimin e Serbisë në BE, ai në fakt prezanton instrumentin perfid të Kremlinit për ta mbajtur Serbinë të lidhur me Brukselin, duke e konceptuar si portë për interesat strategjike të saj.
Ndryshe nuk ka si të shpjegohet militarizimi që i ka bërë Serbisë me diversifikim të burimeve (avionët francezë Rafale, sistemet ruse dhe armët kineze FK-3/HQ-22 të mbrojtjes ajrore), duke e përdorur taktikisht Francën për “balancim” me Perëndimin.
Militarizimi nuk është “neutralitet”, ashtu siç nuk janë as vizitat e tij në Moskë e Pekin, angazhimi për “Botën Serbe” dhe vendosmëria për të mos iu bashkuar vendeve të tjera kandidate me sanksionet ndaj Rusisë. Përkundrazi, realiteti ka treguar një angazhim gjithnjë më të hapur në kuadër të politikës revizioniste përmes sinkronizimit të luftës hibride, duke kombinuar propagandën, religjionin, diplomacinë dhe veprimet e kontrolluara ushtarake në Kosovë dhe rajon. Deklaratat e Vuçiçit për “ndryshimin e rrethanave gjeopolitike” konfirmojnë objektivat për destabilizim dhe rrënim të infrastrukturës aktuale të sigurisë, si një parakusht për realizimin e “Botës Serbe”.
Në këtë kuadër, Shoqëria Historike Ruse në Serbi është një projekt që sendërton infrastrukturën ideologjike për fazën finale të përplasjes ruso-serbe me Perëndimin.
Alarmi i “kujtesës së manipuluar”
Nëse “Shoqërinë Historike Ruse” e vendosim në kontekstin e qëllimeve të Serbisë ndaj Kosovës, përtej kërcënimit për sigurinë, ajo duhet të shihet si elementi më sfidues ndaj përpjekjeve perëndimore për normalizim nëpërmjet Procesit të Brukselit.
Një shoqëri “shkencore” që udhëhiqet nga njerëz të inteligjencës nuk konsiston në prodhimin e dijes por të ndikimit. Në këtë kontekst, dega e saj në Beograd do t’i shërbejë etablimit të “kujtesës së manipuluar” si një instrument mobilizimi.
Këtë qasje e ka përdorur Serbia duke kombinuar aktorët shtetërorë dhe jo shtetërorë si Lista Serbe, strukturat ilegale, grupet terroriste, mediat, kisha dhe rrjeti i spiunazhit, për ta forcuar “unitetin” serb në Kosovë kundër “shtetit të përkohshëm” dhe “agresionit” të NATO-s.
Ka provuar me sulme terroriste duke i arsyetuar si “reagime” me narrativën e “perspekutimit të serbëve”, ka ndërhyrë në zgjedhje për ta minuar demokracinë, ka fuqizuar propagandën mashtruese të viktimizimit për të thelluar ndarjet etnike dhe ka mohuar krimet për ta imponuar të “të vërtetën” e saj duke pretenduar “ilegalitetin” sipas të drejtës ndërkombëtare pavarësisht vendimit të GJND-së (ICJ, 2010).
Kësaj strategjie tani i duhet “shoqëria historike” për ta internalizuar në vetëdijen kolektive Rusinë si “shpëtimtare” dhe për ta konsoliduar rezistencën ndaj NATO-s, Perëndimit e demokracisë si “kërcënim” për vlerat, identitetin dhe “vllazërinë sllave”.
Në këtë kuadër, Kosova rrezikohet nga qëllimet e “shoqërisë historike” për ta formësuar vetëdijen e komunitetit serb sipas këtyre parametrave. Prandaj, themelimi i degës në Beograd duhet të shihet si një alarm për mbrojtjen e të vërtetës historike, duke mos lejuar që historia të kthehet në armë për qëllimet hegjemoniste.
