Kjo është më e pakta që analistët dhe politologët më të njohur anembanë botës po e thonë me zë të lartë pas përfundimit të Takimit të shumëpritur midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin më 15 Gusht në Anchorage, Alaska.
Ng Dr. Jorgji KOTE
Në shtypin dhe median e sotme ndërkombëtare ndesh tituj trishtues : « kambanë alarmi, e premtja e zezë, samit pa rezultat, i turpshëm, fitore për Putinin, asgjë për Ukrainën, samit zhgënjyes për Europën!
Si zakonisht, pritshmëritë për Samite të tilla priten dhe përcillen me interesimin më të madh politik, publik, diplomatik dhe mediatik. Ca më tepër këtë radhë, si për formatin, ashtu dhe problematikat e nxehta, e sidomos fatin e luftës në Ukrainë. Mirëpo paralajmërimet kontradiktore të Presidentit Trump, të shoqëruara me deklarimet e Putinit/Lavrovit që të mos shpresohej për ndonjë dokument i shuan shpresat ende pa filluar Samiti, duke ua lënë vendin hamendësimeve, pyetjeve dhe aludimeve të shumta mediatike, të cilat për fat të keq u vërtetuan.
Këtë radhë në tryezë nuk ishin as europianët dhe as Ukraina. Pavarësisht nga premtimi për praninë e tyre në një Samit të dytë që mbetet mister dhe « hallvë e ftohtë », sidomos po të zhvillohet në Moskë, europianët tashmë nuk konsiderohen më si aktorë madhorë por anësorë dhe spektatorë në një proces të tillë, ndonëse ai lidhet direkt me fatet e tyre. Me këtë rast, të vjen ndërmend thënia e frikshme gjeopolitike se « kush nuk është në tryezë, është në kartën e menusë».
Por, megjithatë, Europianët, padyshim humbësit më të mëdhenj të këtij Samiti bënë çmos për të kompensuar mungesën e tyre fizike në këtë Samit, duke u mobilizuar dhe ushtruar trysni maksimale mbi Trump dhe Putinin. Krahas videokonferencës së liderëve kryesorë europianë me Presidentin Trump dhe Zelenski më 13 Gusht, Europa doli me një paketë konkrete me pesë pika madhore, që janë dhe « linjat e saj të kuqe » për çdo negociatë me Rusinë – asnjë marrëveshje pa armëpushim paraprak, Kievi të mos privohet nga e drejta për anëtarësim në BE dhe në NATO, edhe pse këtu ka vend për të parë afatet; Kievi të vazhdojë të ketë ushtrinë e tij. Sa për territoret që diskutohen për t’iu lënë Rusisë, kjo mund të njihet përkohësisht por vetëm « de facto » me kushtin që mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare, kjo të rishihet në afate të mëvonshme. Mbi të gjitha, asnjë ujdi dhe negociatë pa Kievin dhe Europën! Tjetër gjë që Trump i harroi premtimet e asaj videokonference !
Gjithsesi, bisedat e tij dhe pas Samitit, tregojnë se Trumpi e ka kuptuar se nuk mund të ketë shans për asnjë ujdi, ca më tepër të shpejtë, pa mbështetjen e aleatëve europianë, më të besueshmit, siç ka pohuar dhe Ish Komandanti i NATO-s për Europën, Gjenerali Ben Hodges. Ca më tepër, se BE-ja do të mbajë peshën dhe barrën kryesore të blerjes nga SHBA-të të armëve për Ukrainën, të garancive të sigurimit dhe sidomos të rindërtimit të Ukrainës me 850 miliard Euro. Gjithashtu, në kuadrin e doktrinës së tij transaksionaliste, Trump ka nevojë për Europën, sidomos për interesa tregtare.
Padyshim, fituesi më i madh i takimit, madje qysh përpara tij është Rusia dhe Presidenti Putin, i cili shoqërohej nga një ekip elitar politik dhe diplomatik shumë më superior se Presidenti Trump. Theksojmë me këtë rast se gjatë 25 viteve të tij në krye të shtetit dhe qeverisë, Putin ka takuar 5 presidentë amerikanë, përfshirë Trumpin, fillimisht duke i marrë me të mirë dhe pastaj duke u treguar derën».
Pa dyshim që arritja më e shënuar historike për Putinin në këtë Samit ishte thyerja e izolimit ndërkombëtar perendimor. Ishte vizita e parë e një presidenti rus në SHBA nga viti 2010 kur atje ishte ish Presidenti Medvedev. Gjithë bota e pa se ai u takua lehtësisht dhe si i barabartë me Trump, madje me tapet të kuq, i mikpritur me duartrokitje nga Trump, sikur Putini të ishte çlirimtar dhe jo agresor i Ukrainës! Çfarë kontrasti i madh dhe tejet domethënës midis pritjes së Putinit dhe Zelenskit.
Sukses tjetër i madh për Putinin është zhvillimi i takimit në një ish territor rus, që ruan lidhjet shpirtërore dhe fetare ruse në SHBA.
Mbi të gjitha, Putin shkoi në Alaska me një bilanc të suksesshëm sidomos në frontin vendimtar të luftimeve. Sa për humbjet njerëzore nuk e ka problem, sepse Rusia rekruton çdo vit 200.000 trupa, shifër që e kanë zili të gjitha vendet anëtare të NATO-s. As sanksionet dhe masat e ndryshme ekonomike nuk e kanë gjunjëzuar atë, falë ndihmave nga Kina, India, Korea e Veriut dhe vende të tjera të BRICS.
Madje, Rusia është në prag të ofensivës së përgjithshme për të zaptuar dhe më shumë toka në Ukrainë. Moska është e gatshme për një luftë të gjatë deri në realizimin e synimit të saj madhor gjeopolitik, rikrijimin e ish Bashkimit Sovjetik.
Me këtë rast, le ta bëjmë të qartë dhe për disa naivë, përfshirë dhe ndonjë diplomat se Rusia kërkon patjetër territor, sa më shumë dhe sa më shpejt. Putini e ka deklaruar se shembja e ish BS-së më 1990 ishte katastrofa më e rëndë gjeopolitike e vendit dhe se ai është i vendosur ta rikrijojë atë. Këtë mesazh e dha fare hapur dhe pa fjalë Krydiplomati rus Lavrov kur doli përpara gazetarëve në Anchorage me bluzën me mbishkrimin CCCP ose në shqip BRSS, dmth Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, bluza të cilat shiten në internet me 110 Euro copa. Ndërsa verën e kaluar, Lavrov në një intervistë e tha troç se « Ukraina do të flasë rusisht, ajo e ka vendin në botën ruse dhe fëmijtë e saj do të mësojnë në rusisht »
Ja pse, Putini nuk ka si të jetë i kënaqur vetëm me 20 për qind të Ukrainës, ai e do të tërën dhe më tej. Por nga halli dhe për ta mbajtur sa më mirë me Trumpin ai mund ta pranojë përkohësisht këtë version, në pritje të zhvillimeve dhe sulmeve të reja. Pse Ukrainën? Sepse ajo është vendi më i afërt, më i madh, më i vështirë, më pro-perendimor, më domethënës dhe shembull për të tjerët. Pushtimi i saj do t’i çelë rrugën përparimit të mëtejshëm rus.
Këtë sukses si fitore 1:0 të të Putinit në Alaskë e ka pohuar edhe diplomati emblematik gjerman Wolfgang Ischinger, ish ambasador në Uashington dhe ish Kryetari i Konferencës së Sigurisë së Munihut. Këtë « rezultat të ngushtë » ndoshta e thotë për të mos poshtëruar Trumpin, se fitorja Putinit është akomë më e thellë!
Për fat të keq, mesazhi pas këtij fakti është se dikush si Putini tashmë mund të ndërmarrë një agresion apo sulm të paprovokuar ndaj një vendi tjetër; fillimisht do të ketë vërejtje dhe qortim e sanksione, por me kalimin e kohës, gjërat do të qetësohen dhe agresori do të dali i fituari më i madh, për shkak dhe të përplasjes së interesave madhore gjeopolitike. Siç është në këtë rast etja e madhe e Trump për bashkëpunimim ekonomik me Rusinë, pasi të ketë lënë mënjanë Ukrainën, në kuadrin e dotrinës së tij transaksionaliste, pa përjashtuar fitimet për Organizatën Trump, siç e pohoi ditët e fundit edhe Kurt Wolker, ish i Dërguari Special i Trump për Ukrainën në vitin 2017 – 2018. Samiti i Alaskes e bëri fare të qartë se Trump kërkon fundin e luftës në Ukrainë jo se ka ndonjë interes për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme atje, por si dëshmi të madhështisë së tij paqebërëse, për të fituar Nobelin për paqe si fiksim të tij, për të bërë biznes fitimprurës me Rusinë dhe Ukrainën dhe mbi të gjitha për ta ndarë botën si dikur në tri zona influence – SHBA, Rusi dhe Kinë, me Europën « prapa liste » dhe gjithmonë « E para Amerika» !
Për pasojë, ky takim i hap shtegun një kërcënimi të madh jo vetëm mbi ndarjen e territoreve, por mbi të gjitha të krijimit të një « precedenti « të rrezikshëm gjeopolitik. Kështu, do të zbatohet parimi i zbatuar deri në vitin 1945 që « vendet e mëdha mund të bëjnë ç’të duan, ndërsa ato më të vogla të bëjnë atë që duhet ose që u thonë ata, ndryshe…»! Mirëpo ky përbën cënim të hapur të së drejtës ndërkombëtare, baza e rendit të sotëm botëror. Kjo mund të kudo, dhe në Ballkan « Kutinë neoimperialiste të Pandorës » Imagjinoni për një moment Kinën lidhur me synimin e saj për Tajvanin, pavarësisht nga premtimi i Presidentit kinez sipas Trumpit për të mos e bërë këtë gjatë Presidencës së tij se sa pasoja katastrofike do të kishte një rast i ngjashëm atje tani që « forca e të drejtës po zëvendësohet me të drejtën e forcës ».
Ndaj ky sukses i madh në Kremlin u festua me hare, fanfara dhe shampanjë me vlerësimin 10/10 për /Moskën dhe Putinin.
Ndërkohë, që Trumpit po i ikën koha dhe po i rrëshqet situata nga duart lidhur me ndalimin e luftës në Ukrainë, Putini e ka në dorë situatën, ai luan me kohën, me vetë Trumpin dhe « në fushën « e vet. Putini është mësuar me paralajmërimet serioze dhe ultimatumet e Trumpit që mbeten në letër dhe vazhdon punën « business as usual». E vetmja gjë që i ka mbetur është të bindet nëse Trump do ta zbatojë Nenin 5 të NATO-s mbi mbrojtjen kolektive, në rast se Rusia sulmon një vend anëtar të NATO-s. Këtë e ka lënë për më vonë, pa ngut. Ndaj dhe BE-ja po e shkrin gjithë mjeshtërinë e diplomacisë së saj që të mbajë « on board » SHBA-të dhe Trumpin, sa më gjatë të jetë e mundur, që Rusia t’i shtyjë sa më shumë planet e saj agresive deri sa Europa të jetë sa gati për mbrojtje deri në vitin 2029.
Kësisoj, mikpritësi dhe i privilegjuari i Samitit, Presidenti Trump nuk rezulton të jetë fitues të paktën sa i takon imazhit. Kjo për shkak të angazhimit, vonesës së tij për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës dhe rritjes së trysnisë nga MAGA për të mos u përzier në luftra jashtë SHBA-ve. Ndaj ai kërkon që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt, por kur dhe me çkushte ? Janë këto dy pyetje madhore që e bezdisin atë, sepse nuk ka asnjë përgjigje. Problemi është se dhe në rastin e dorëzimit të 1/5 të territorit ukrainës, diçka yejet problematike për Kievin, Brukselin dhe vetë Uashingtonin, a ka garanci të sigurt se më vonë Moska nuk do të sulmojë sërish Ukrainën apo një vend tjetër, me lloj lloj justifikimesh, ku ata shquhen ? Dhe a do të futen SHBA serish në lojë ? Kjo është çështja dhe dilema më e madhe hamletiane. Shto këtu dhe hendekun e thellë midis Trump dhe Putin; i pari do ujdi fitimprirëse, ndërsa Putini kërkon me çdo kusht fitore.
Nisur nga sa sipër, ka shumë mendime se një Samit i tillë ishte i nxituar dhe mund të ishte lënë për më vonë. Themi kështu sepse takime të tilla kërkojnë kohë të përgatiten, me ekipe negociatorësh, me oferta dhe kundërofertta, projekte, me konsultime të gjera me aleratët, etj. Mbi të gjitha me mbështetje ushtarake për Ukrainën, që kur të ulen në tryezën e negociatave, ajo të jetë në pozita më të favorshme, për të diktuar ajo dhe jo Moska kushtet e paqes. Që kjo e fundit të mos kthehet në pushtim të ri ose nënshtrim të Ukrainës.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë që takimi i një presidenti amerikan me atë rus të reduktohet në një dëgjesa, në orë këshillimore apo test psikologjik; përkundrazi, aty merren vendime epokale, çka nuk ndodhi në Alaskë. Ogur ky jo i mirë dhe i mbarë për më tej. Kambanë e vërtetë alarmi për Europën dhe Ukrainën, që të vijojnë kursin e tyre për krijimin e një bashkimi të madh mbrojtës, për të vazhduar mbështetjen e gjithanshme për Kievin por dhe për vetë sigurinë e tyre.
Në kushtet e këtij afrimi të madh ruso-amerikan krijohen natyrshëm pikpyetje e pse jo dhe rreziqe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin dhe në Ballkanin Perendimor, sidomos nga ana e Serbisë kundrejt Kosovës dhe më gjerë. Natyrisht diplomacia europiane do të vijojë të bëjë të vetën me SHBA-të, por tashmë nuk ka më pikë dyshimi se SHBA-të do të jenë më shumë aleatë me Rusinë se sa me Europën.
Kjo u pa qartë në takimin Trump -Putin, i cili, siç shprehet politologu i njohur amerikan Jonathan Kristal i «më shumë i ngjante një takimi midis dy shokëve të shkollës, të cilët i kishte ribashkuar një mundësi të majme biznesi se sa dy liderëve botërorë që kanë në duar fatet e njerëzimit». Ja pse me të drejtë, liderët europianë kanë ndërprerë pushimet verore, po mbledhin kabinetet e tyre qeveritare dhe janë në komunikim intensiv me njeri tjetrin; me qëllim që të intensifikohen masat dhe reformat madhore për të shmangur rreziqet që u kanosen dhe mobilizimin total për të mbrojtur në një plan afat-gjatë paqen, stabilitetin, sigurinë dhe vlerat themelore.[Panorama]