Serbia, është bërë pothuajse një fuqi rajonale. Pas më shumë se dy dekada të sulmit të NATO-s, një shqetësim tjetër është ngritur nga fqinjët e Serbisë.
Nga Dr. Selim IBRAIMI
Në dritën e shqetësimeve dhe kërcënimeve që paraqet Serbia për sigurinë në Ballkan, Kroacia ka vendosur, si një shtet anëtar i NATO-s, të njoftojë anëtarët e aleancës për blerjen ushtarake të raketave supersonike kineze nga Serbia.
Kjo u deklarua disa ditë më parë nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviç.
Pakti trepalësh midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, është bërë si shkas që Beogradi të fillojë një fushatë te re të propagandës.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të enjten se Beogradi po monitoron nga afër bashkëpunimin ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ata po presin një moment të favorshëm. Ne po përgatitemi për sulmin e tyre”, tha Vuçiç në një intervistë për kanalin televiziv kombëtar RTS. “Ne kemi raketa hipersonike kineze, ajër-tokë, me një rreze veprimi deri në 400 kilometra”, shtoi Vuçiç.
Në kundërpërgjigje kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se kjo është një tezë krejtësisht e shpikur, e sajuar për qëllime politike të brendshme.
“As Kroacia, as Kosova dhe as Shqipëria nuk rrezikojnë integritetin territorial të askujt”.
Fotografitë, të cilat filluan të qarkullonin në mediat sociale në fillim të kësaj jave, treguan raketa që besohet të jenë raketa CM-400AKG të prodhuara në Kinë, të bashkangjitura në aeroplanët MiG-29 të Serbisë.
“Ne kemi gjëra që nuk i tregojmë”, tha presidenti Aleksandar Vuçiç. “Ne kemi një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe do të kemi edhe më shumë”, shtoi ai.
Serbia duke shfrytëzuar këtë lidhje në mes tre shteteve miqësore, është armatosur me teknologjinë më të fundit ushtarake nga Franca, Kina, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj.
Serbia është bërë përdoruesi i parë i dronëve kinezë në Evropë që kur bleu mjetet ajrore pa pilot CH-92 dhe CH-95.
Gjithashtu në janar të vitit 2025, Serbia njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore FK-3 të prodhuara në Kinë janë në shërbim të Forcave Ajrore Serbe.
Si një vend jo anëtar i NATO-s që merr pjesë në Partneritetin për Paqe të NATO-s, me blerjet e fundit, Serbia i lë ushtritë e vendeve fqinje anëtare të NATO-s shumë prapa, madje të ekspozuara ndaj rreziqeve.
Gjatë javës së kaluar, u raportua se aeroplanë nga Izraeli në Serbi dhe anasjelltas kanë fluturuar pa ndalur, duke lënë hapësirë për raportime se armë janë transportuar nga Serbia në Izrael për të përmbushur nevojat ushtarake të qeverisë izraelite kundër objektivave ushtarake në Iran.
Megjithatë, këtu ka dalë në pah një paradoks. Kohë më parë, në vitin 2023, Serbia porositi nga Irani raketa Shahed. Loja e dyfishtë e Serbisë nuk mbaron këtu.
Serbia, në një marrëveshje me qeverinë izraelite, ka nënshkruar një kontratë që sipas raportimeve arrin deri në 1.6 miliardë dollarë, ku kompania Elebit Systems do të jetë furnizuesi kryesor i Serbisë.
Izraeli do ta furnizojë Serbinë me lloje të ndryshme armësh të teknologjisë së fundit, siç janë: sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi me precizion të lartë (PULS); dronë luftarakë Hermes 900 me inteligjencë artificiale dhe zbulim; sisteme lufte elektronike, etj.
Lëvizjet e fundit të Serbisë, veçanërisht këtë vit, nuk duhet të na habisin, pasi të gjitha programet serbe për ushtrinë janë të përcaktuara në strategjitë ushtarake dhe të sigurisë kombëtare.
Strategjia ushtarake e Serbisë është përcaktuar zyrtarisht në dy dokumente kryesore: Strategjia e Sigurisë Kombëtare e miratuar nga Kuvendi serb më 27 dhjetor 2019 dhe Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare e vitit 2020.
Nga dokumentet e publikuara shihet se Serbia synon të ndërtojë një ushtri të aftë për t’i dominuar ushtritë e shteteve fqinje.
Në këtë drejtim, pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 5 janar të këtij viti në Beograd, presidenti Vuçiç njoftoi masa konkrete për të arritur vetëmbështetjen.
“Ne duhet të mbështetemi te vetja. Nëse ata vijnë nga rajoni kundër nesh, askush nuk do të na ndihmojë”, tha ai.
Serbia ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje ushtarake për blerjen e avionëve ushtarakë francezë Rafale F4.
Avionët e parë pritet të mbërrijnë në tre vitet e ardhshme. Pavarësisht fokusit në Kinë, Izrael dhe BE, Serbia vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë për të blerë helikopterë dhe pajisje të tjera të nevojshme për ushtrinë serbe. Sipas të dhënave nga TradingEconomics, shpenzimet e mbrojtjes së Serbisë arritën në 2.32 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2024, të konsideruara si më të lartat në Ballkan.
Me blerjet e fundit dhe tregtinë që bën me shtetet tjera, Serbia sipas analistëve shfaq ambicie jo vetëm ushtarake por edhe të përdorimit të kapaciteteve ushtarake ndaj shteteve fqinj e sidomos ndaj Kosovës.
Për këtë gjendje të re të krijuar, kongresmenë dhe senatorë amerikanë i kanë kërkuar në një letër drejtuar Sekretarit Amerikan të Departamentit të Shtetit Marco Rubio që SHBA të mos kufizojë praninë ushtarake amerikane në Kosovë, duke theksuar nivelin e lartë të një destabilizmi të mundshëm nga jashtë të rajonit.
SHBA ka larguar nga lista e zezë dhe sanksionet ish liderin radikal të Srpska Republika Millorad Dodik. Andaj në kohën e krizës globale të naftës dhe luftës në Iran, të gjitha veprimet e pa menduara mund të kenë pasoja, duke përfshirë këtu dhe Ballkanin.
Bashkë me Serbinë, edhe shtetet tjera në Ballkan janë armatosur dhe furnizuar me armë të kohës së fundit duhet e bërë rajonin me rrezik të lartë të incidenteve ushtarake.
Se sa është zgjeruar ndikimi serb jo vetëm në rajon, tregon raporti i fundit i gazetës Le Monde, ku Serbia po sipas gazetës është bërë baza kryesore për shërbimet e inteligjencës ruse për të kryer operacione sabotimi në Evropë.
