NGA NDUE DEDAJ
1.
Askush nuk e kishte parashikuar se do të ndodhte zhbërja e qindrave viteve histori në malet shqiptare, në një kohë të shkurtër, pa e mbajtur askush shënim se si dhe çfarë ndodhi. Veçse, si me një “urdhër” të pashkruar, sot ikte një familje e nesër një tjetër, derisa erdhi një ditë që u zbrazën krejt arealet malore. Askund nuk dilte më tym. Shkollat u shkretuan. Pyjet në fillim u prenë dhe pastaj morën flakë. Ujërat u futën në tubat grabitqarë për të prodhuar tashmë dritën e kapitalizmit.
Arat mbetën djerr, ndërkohë që mbilleshin dhe korreshin me hashash “kopshtet” e fshehura mes maleve të thella. U “larazatizua” çdo pëllëmbë tokë, shpesh nën kujdesin e uniformave blu. Një retorike dhe patetikë e përgjithshme shterpë për braktisjen, ikjet masive të njerëzve përtej detit e këndej detit, “apokalipsin” e dytë, pas gjashtëqind vjetësh, që nga vërshimi i arbëreshëve drejt brigjeve italiane, veçse atëherë ikja kishte ndodhur për shkak të pushtimit otoman, kurse kësaj here nga “pushtimi” i vetvetes, ngaqë nuk dinim se çfarë të bënim me lirinë e lëvizjes, që na kishte munguar për një gjysmë shekulli. Kësaj here s’kishim se kujt t’i qaheshim. Historia nuk na kishte asnjë borxh, i kishim ne borxh asaj, pasi ia kishim ndryshuar rrjedhën e natyrshme.
Askund nuk kishte ndodhur si tek ne, o brenda “katundit” të gjithë, o jashtë tij të gjithë. Dhe askush nuk ndihet fajtor për këtë hata, as politika që gjithkund tjetër në botën e qytetëruar projekton zhvillimin, pa e lejuar rrënimin masiv të territorit. “Le t’ia mbathin të gjithë, shkojnë për një jetë më të mirë”, kjo qe deviza politike e gjithë tranzicionit shqiptar. Pra, politika lau duart me njerëzit e malësive, nga Jugu në Veri, por jo me pasuritë e tyre natyrore të trashëguara në shekuj, atyre ajo u doli për zot, por jo si pasuri kombëtare. Tashmë mineralet e çmuara, bakri e kromi, nuk çanin më bllokadën kapitalisto-revizioniste, por do të ishin grazhdi i oligarkëve dhe shtetarëve të majmur.
E gjitha kjo duket si një “nekrofili” fjalësh të përgjithshme, nëse nuk iu drejtohesh fakteve, që në vetvete janë tronditëse dhe nuk janë gjithnjë ato që mund të marrësh nëpër bashki, komuna, njësi administrative etj.. “Kur shkova për here të parë në fshatin X, në vitin 1994, kishte katërqind fëmijë, kur u riktheva sërish atje mbas afro një çerek shekulli, nuk kishte asnjë”, – thotë një motër kosovare, që shërben në Shqipëri. Këtu s’ka vend për fjalë. Disa fshatra të largët që në vitin dymijë nuk ekzistonin më, çka do të thotë se kishin ikur të gjitha familjet dhe banorët, e prapë bash atje, mes grykash të nëmura, pati raste që pushka shkaktoi viktima për kufijtë e bashtinave të braktisura, ara, kullota, pyje, burime uji etj..
E jo vetëm në katundet epike të maleve pa njerëz, por edhe në qendrat urbane dhe rrethinat e tyre, ku u mbartën konfliktet për pronën dhe njëherësh u krijuan të reja, si rrjedhojë e përpjekjeve për zaptim trojesh e tokash si në shoqërinë primitive. Kjo nuk është një legjendë, por një realitet absurd i viteve ‘90, kur tokat e lira shtetërore u rrethuan me gardhe, që pastaj iu shitën ndërtuesve të pallateve, si t’i kishin pasur në tapinë e tyre prej shekujsh. Zor të ketë pasur ndokund tjetër një “kadastër” të tillë, që i ishte mbivendosur asaj të shtetit. A nuk e dinin qeveritarët këtë? A nuk mund ta ndalonin? Për njëzet e katër orë, po të donin! Por qëllimi i tyre ishte vetëm një, pushteti dhe vetëm pushteti, votat dhe vetëm votat, me çdo mënyrë e me çdo çmim. Përndryshe, theqafja nuk ishte vetëm në male, ku njerëzit rronin në kufijtë e mbijetesës kooperativiste, si gjyshërit e tyre, me “tri pëllambë tokë varur në brijë” dhe “tre muej bukë ma e mira shtëpi”, pa kurrë një kilometër asfalt, por edhe në zonat fushore, që dikur kishin qenë hambari i Shqipërisë.
Kjo sepse “apokalipsi” ishte në radhë të parë në institucionet e shtetit, që nisi t’i gërryente nga themelet armiku i çdo pushteti dhe qytetërimi, korrupsioni, që e qindrafishoi atë ryshfetin (ana)kronik të nëpunësisë shqiptare e ballkanase, ku nëpunësin e shtetit e blen për pesë lekë. Nisi një psikologji e re e mbrapshtë, asnjë punë nuk mund të mbarohet në zyra pa luajtur gishtat dhe shkundur xhepat, që vazhdon për “mrekulli” dhe sot e kësaj dite dhe nuk ka shpresë se kur do të ndalet. Diku njerëzit nuk kanë lekë për të blerë bukë e gjizë, e as ilaçet e kushtueshme, ndërkohë që në tubat e stufave të Tiranës mund të harrohet dhe një gjysmë milioni lekë, ngaqë hajdutët pa maska të pushtetit nuk kanë se ku t’i fshehin “verdhushkat”!? Kjo për ata, si të thuash, të vegjlit, nëpunësit ministrorë, se të mëdhenjtë, këto shifra nuk i kanë në hesap. Pastrimi i parave nuk është një mit, por një realitet… qindrakatësh, rreth e përreth përmendores së Heroit Kombëtar.
2.
Çfarë po ndodh dita-ditës? Pasi i përfshimë si i përfshimë emigrantët në votimet e fundit, duke iu shkuar në “shtëpinë” e tyre në Europë e Amerikë, tash po i presim me këngë e valle në shtëpinë tonë, që dikur ishte dhe e atyre, me koncerte në çdo shesh qyteti e fshati. Pra, po i trajtojmë si miq, më të cilët shihemi njëherë në vit dhe jo si bashkëqytetarët tanë, pavarësisht pasaportës që mbajnë si nënshtetas të një vendi tjetër! Se në të vërtetë, ne që rrojmë këtu e kemi “privatizuar” vendin, e kemi të gjithin për vete dhe jo më dhe për ata, se po të ishte ndryshe, emigrantëve që janë rikthyer për të investuar këtu, nuk do t’ua kishim “mbyllur derën” me një mijë e një burokraci, kinse ligjore, sa njëri prej tyre, shprehej me sarkazëm në një forum biznesi, aq lehtësira na ka krijuar qeveria, sa për me investue në vendlindjen tonë, na duhet me ble nga e para tokën e gjyshit!?
E para gjë që burokratët e zyrave iu vënë përpara emigrantëve të kthyer me dëshirën për të investuar në ekonomi, agroturizëm, vreshtari etj., janë “pengesat ligjore”. Po ku ka shtet demokratik që e pengon individin e suksesshëm të mos punojë tokën, të mos mbjellë hardhi, të mos ndërtojë stalla lopësh e dhish në male, të mos krijojë fermën e tij? Le t’u biem më pak daulleve festive për dashurinë që kemi për emigrantët dhe t’i ftojmë ata që të mos “ikin”, dhe pse kanë ikur. Nuk është e rastit që janë disa të huaj, që na është bërë zakon t’i quajmë më shqiptarë se shqiptarët, që nuk rreshtin prej tridhjetë vjetësh duke kontribuar në malësitë tona për ndalimin e braktisjes së mëtejshme dhe zhvillimin e tyre. Neve na kanë dalë tepër kullat tona, pasi na ka kapluar “qytetërimi” i hyrjeve në pallate, si dikur ai i shtëpive model “elbasançe”, përkundrazi ata janë të dhënë pas ruajtjes dhe rivitalizimit të kullave tona, që si fillim iu heqin çatitë e kalbura, duke ua zëvendësuar me të reja, në bashkëpunim me banorët. Energjinë e gjithanshme që malet tona kanë, donatorët dhe investitorët seriozë e kthejnë në dobi të komunitetit dhe jo të disa përfituesish të paligjshëm, që gllabërojnë për interesat e tyre fitimprurëse pyje, ujëra, gurore etj.. Sot kanë filluar të dalin këmbët e urave, nesër koha do të zbulojë anomali të tjera të shkatërrimit pa mëshirë të natyrës, ku as zogjtë nuk do të kenë se ku të pinë ujë.
Tubacionizimi skandaloz i përrenjve dhe lumenjve, në çdo grykë mali, nuk mund të përligjet me asnjë slogan të tipit “për ta bërë vendin tonë të parin në rajon për prodhimin e energjisë elektrike”, çka nuk do të thotë të mos ndërtohen hidrocentrale, aq sa janë të nevojshëm për sistemin tonë energjetik. Ka një bastardim të gjësë publike, pronës publike, interesit publik, të cilin askush nuk e ka seriozisht, pasi si mund të ndërtohen lagje të tëra të kryeqytetit, veç me pallate, pa shkolla, kopshte, çerdhe, biblioteka, qendra rinore e kulturore etj.. A di ndokush të thotë pse janë zvetënuar, ende pa u formalizuar, plazhet publike, një nismë për t’u përshëndetur? Nuk jemi ne për të gjetur se ku ka ngecur, që nuk vihen çadra në to, por mbase dhe atje ka hyrë korrupsioni, pasi në kupon apo faturë e të shënuar tri mijë lekë, por do të japësh pesë, se ashtu është një punë! Ëh, gjëra të vogla, mund të thotë ndokush, por nuk është kështu. Doemos që pronarëve të hoteleve kështu u intereson, pasi me hir a me pahir, pushuesit do të kthehen te çadrat dhe shezlonet e tyre, por shteti ka inspektorë e inspektorate pafund për ta çuar në vend dinjitetin e tij dhe të drejtat e qytetarëve.
3.
Një popull kurrë nuk e bjerr vetëdijen e tij për atë çka është, përfaqëson dhe trashëgon, aq më tepër ne shqiptarët, me aq shumë sprova qëndrese nëpër histori. Qëndresë është edhe ndalimi i zhbërjes së mëtejshme sociale, kulturore, thuaj po deshe dhe kombëtare. Nëse demografia ka pësuar ndryshime rrënjësore, shqiptarët janë sërish, ndonëse të shpërndarë e jo të “përbashkuar”, siç na e kërkon himni i flamurit jo vetëm në kohë lufte; sot përbashkimi do të ishte bashkëveprimi ekonomik e kulturor i shqiptarëve kudo që janë e pikë së pari, midis dy shteteve shqiptare. Për shqiptarinë, po të shprehemi në mënyrë të figurshme, askush nuk merr porosi nga lart, por vetëm nga ndërgjegjja e vet. Një mik yni, veprimtar politik dhe konsull shqiptar në një land verior të Gjermanisë, na tregon me emocion se si kishin hapur atje para shumë vitesh 16 shkolla shqipe, që vazhdojnë dhe sot, me abetare të dërguara nga Tirana. Siç, me trishtim, na duhet të themi se këtë verë kemi takuar emigrantë, fëmijët e të cilëve nuk dinin të flisnin shqip! Por a do të dyndet politika shqiptare, me Abetare në duar, në Athinë, Milano, Berlin, Frankfurt, Londër, Nju Jork, siç u dynd për vota në pranverë?
Nuk do të ishte e drejtë që çdo gjë që nuk ka funksionuar ta lidhnim vetëm me qeveritë dhe qeverisjen, qendrore apo lokale, por kambana bie në radhë të parë për institucionet që janë votuar për të ideuar politikat dhe realizuar platformat e projektet e zhvillimit bashkëkohor. Në kohën e duhur! Pse e nënvizojmë këtë? Pasi “apokalipsi” ka ndodhur dhe se gjërat nuk janë bërë në kohën e duhur. Nëse rruga e Lurës, për të marrë një shembull, nuk do të ishte zvarritur për tridhjetë vjet, sot atje do të kishim një nga qytezat turistike më të zhvilluara të vendit. Por ndoshta është kuptuar kjo vonesë e pafalshme për të gjitha qeveritë, përderisa me rrugën e re të Dukagjinit po ecet dhe në një tjetër krah e aks drejt zemrës së Alpeve Shqiptare, që janë super “deti” ynë përrallor i bjeshkëve. Veçse nuk e dimë, a ka përtej kësaj dhe një projekt turistik për territoret alpine, a ka një grup projektues që është ulur në tavolinë, ku arkitektët hedhin viza në letër dhe inxhinierët e ekonomistët bëjnë llogari? Askush nuk ka folur. Ne shohim vetëm fadromat dhe policët që prishin ndërtimet pa leje, por jo edhe grupet e projektimit në terren, siç i shihnim dikur për hidrocentralin e Fierzës etj..
Nuk është vetëm çështje transparence me publikun, por edhe e seriozitetit të shtetit, që nuk gjendet para të “papriturave”, si rasti i Thethit, që befas një mëngjes na u gdhi me tetëdhjetë ndërtime pa leje, apo krejt Shqipëria me hapësirat publike të zëna, që duheshin dhënë ultimatume nga kreu i qeverisë me u lirue më sot e më nesër. Jo, një shtet kurrë nuk gjendet para befasish të tilla ç’urbane, pasi ai është pikërisht për rregullsinë e gjërave e jo të veprojë me “hënë të mirë” kur është fushata elektorale dhe jo të mirë, kur sapo kanë përfunduar zgjedhjet e tash duhen plotësuar kushtet e BE-së për 2027-ën. Për një shtet të konsoliduar nuk janë të papritura as tërmetet, përmbytjet, zjarret dhe fuqi të tjera të mbinatyrshme, që shkaktojnë zhbimje apokaliptike, pasi të gjitha zyrat punojnë që t’i shmangin sa më shumë dëmet e mundshme nesër. Shkurt, qeveritë përgatiten si përpara një “lufte” për të përballuar natyrën e demonizuar, që nuk dihet se kur shpërthen ana e errët e saj…
[Gazeta Panorama]