Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, dhe presidenti rus, Vlladimir Putin, u takuan në Alaskë të premten për të arritur një përfundim të mundshëm të luftës në Ukrainë. SHBA-të, më shumë se një shekull, në vitin 1867, blenë Alaskën nga Rusia. Pozicioni i SHBA-së në atë kohë ishte i fortë, me shenja se po bëhej një fuqi e madhe. Tani, kurthi i borxhit të SHBA-së dhe vështirësitë financiare kanë ngritur dyshime për ruajtjen e statusit të saj global, me pasoja për vendet që kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në.
Borxhi i lartë i SHBA-së, i cili këtë javë arriti në 37 trilionë dollarë amerikanë, mund të duket shqetësues, ndoshta vetëm për SHBA-në, por në realitet nuk është. Vendet dhe kombet që kanë qenë të varura nga SHBA-ja për dekada të tëra duhet të brengosen më shumë. Borxhi i lartë i SHBA-së dhe dobësimi global janë disa nga problemet serioze për botën dhe Ballkanin me efekte afatgjata.
Pyetja kryesore është nëse SHBA-të mund t’i mbështesin aleatët e tyre dhe për sa kohë? Mandati i parë i presidentit Donald Tramp dhe tani i dyti tregojnë mungesën e mbështetjes së hapur dhe retorikën e ashpër kundër BE-së dhe vendeve të tjera mike të SHBA-së. Por, siç e përmenda, borxhi i SHBA-së është një realitet që nuk mund të fshihet; ai duhet të kuptohet seriozisht nga qeveritë që mbështeten në ndihmën aktuale amerikane, dhe kur bëhet fjalë për SHBA-të në organizatat ndërkombëtare.
Në veçanti, shtetet e dobëta që deri më tani kanë qenë nën varësi diplomatike, ekonomike dhe ushtarake nga SHBA-ja do të përballen me probleme të reja. Dhe këtu, sigurisht, janë shtetet e Ballkanit, të cilat në forma të ndryshme janë mbështetur nga SHBA-ja që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore (LDB) dhe veçanërisht që nga viti 1991. Ndërsa SHBA-ja po përballet me sfida të mëdha të brendshme, racore, sociale, arsimore dhe ekonomike, për më tepër, në krye të problemeve aktuale është borxhi kombëtar, i cili vazhdon të rritet dita-ditës.
Në situatën aktuale, SHBA-ja nuk mund t’i mbështesë të gjithë miqtë dhe aleatët për shkak rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare në të cilat ndodhet SHBA-ja. Me 37 trilionë dollarë borxh publik, SHBA-ja e ka të vështirë të projektojë forcë dhe të udhëheqë demokracitë e botës. Sipas një raporti të CFR-së, rritja e kostove të shërbimit të borxhit që parashikohet të rritet nga rreth 2.5 përqind e PBB-së në gati 7.5 përqind gjatë tre dekadave të ardhshme, po i devijon fondet nga mbrojtja, arsimi, politika e jashtme, ndihma humanitare dhe të tjera.
Rritja e paqëndrueshmërisë së brendshme, dështimi për të përmbushur të gjitha angazhimet diplomatike dhe rritja e vazhdueshme e borxhit kombëtar të SHBA-së, do ta dobësojnë më tej pozicionin e SHBA-së në Evropë dhe në Ballkan. Nga ana tjetër, besueshmëria e stabilitetit financiar të SHBA-së për dekada të tëra i siguroi dollarit amerikan një status global, duke u bërë mjet këmbimi kryesori. Por tani besueshmëria po bie, pasi vendet e BRICS po e ndërlikojnë aftësinë e SHBA-së dhe aftësinë e dollarit për të mbetur shtylla kryesore e tregtisë globale.
Sipas CFR-së, roli i Kinës si kreditori më i madh në botë për vendet në zhvillim ngre shqetësime për një kurth borxhi, ku Kina mund t’i nënshtrojë partnerët e saj. SHBA-të, për arsye të njohura mirë, janë të detyruara të shkurtojnë burimet financiare në fushat ku është e nevojshme të jenë të pranishme. Tani pas kësaj përmbledhjeje, është mirë t’i hedhim një vështrim disa rasteve nga antikiteti dhe mesjeta, ku borxhi publik dhe barra fiskale ndikuan në aftësinë e shteteve në politikën e jashtme, ekonomike, ushtarake, etj.
Kështu, mund të nxjerrim në pah borxhin publik të qyteteve-shteteve në Greqinë e Lashtë gjatë shekullit të 4-të para Krishtit. Në Romën e lashtë, ai zgjati për disa shekuj, në një kohë kur perandoria ishte në kulmin e zgjerimit dhe nevoja për shpenzime të mëdha po rritej. Kjo ndodhi nga shekulli i 1-të deri në shekullin e 4-të pas Krishtit kur filloi rënia e perandorisë.
Më vonë, si zakonisht, Perandoria Bizantine ballafaqohet më të njëjtat tronditje në shekullin e 12-të-13-të me një fund katastrofal në vitin 1453 me pushtimin osman të Konstandinopojës. E varrosur thellë në borxhe të jashtme, dhe nga pushtimi osman, Perandoria Bizantine u shpërbë përfundimisht, për të mos u ringjallur kurrë. Mund të vazhdohet më tej me Spanjën, Portugalinë, Andaluzinë, Kalifatet Islamike, Britaninë e Madhe, etj., të cilat në forma të ndryshme u shpërbënë si forca globale.
Shembujt e mësipërm tregojnë modele që mund të përsëriten sot, sepse borxhi publik i një vendi me madhësinë e SHBA-së padyshim se e rrëzon një fuqi. Krahasuar me sot, inflacioni dhe borxhi ndaj vendeve të huaja ofron paralele të mira për ngjarjet e sotme që po kalon SHBA-ja dhe Perëndimi, me ndikim në të gjithë botën, dhe në veçanti për vendet që kanë pasur marrëdhënie të mira ekonomike, diplomatike dhe ushtarake me SHBA-në. Siç e kemi theksuar më sipër, vendet e Ballkanit kanë qenë drejtpërdrejt ose tërthorazi pjesë e financave të SHBA-së, dhe borxhi në SHBA, sigurisht, duhet të merret seriozisht nga qeveritë e Ballkanit, të cilat ende shohin vazhdimin e lidhjeve strategjike me SHBA-në tani dhe në të ardhmen.
Por në këtë kohë, qeveritë e shteteve të Ballkanit dhe më gjerë nuk duhet të mendojnë se paratë do të rrjedhin aq lehtë nga SHBA-ja si më parë. Sa i përket mbështetjes në krizat rajonale dhe globale dhe në institucionet ndërkombëtare, aleatët e SHBA-së nuk duhet të presin ndonjë mbështetje të madhe. Kjo ndodh për shkak të dobësimit të pozicionit të SHBA-së në botë. Në këtë situatë, e cila nuk dihet se kur do të përfundojë, lind pyetja nëse SHBA-të mund të bëjnë më shumë për aleatët dhe miqtë e tyre në dekadat e ardhshme.
Ndërsa të gjitha parashikimet thonë se pas vitit 2050 sistemi politik botëror do të jetë i ndryshëm nga ai i sotmi, do t’u mbetet shteteve të vendosin për aleancat dhe partnerët e tyre. Humbja e statusit global historikisht është shkaktuar nga mungesa e zbulimeve të reja, dobësimi i arsimit, shpenzimeve të tepërta, rënies ekonomike etj. Dhe në fund, duke qenë të pavëmendshëm, fuqitë e tjera janë ngritur për të konkurruar posaçërisht SHBA-të.
Pasojat janë të qarta, për shtetet që u mbështetën shumë në SHBA-në që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (LDB). Në vitet që vijnë, si asnjëherë më parë që nga shpërbërja e perandorive në Evropë dhe në Ballkan, qeveritë do të duhet t’i bëjnë llogaritë më ndryshe me SHBA-të dhe pa. Kuptohet gjithnjë në kornizat e interesave kombëtare dhe duke shmangur ndikimin e shteteve autoritare.
Por, dilema do të vazhdojë të mbetet nëse këtë do të mund ta bëjnë tani ose kur përfundimisht kur SHBA-të do të hyjnë në një krizë ende më të thellë të rënies, dhe përfaqësimit global. Rasti i Ukrainës dhe bisedimet me Rusinë, nxjerrin në pah këto shenja të theksuara, të cilat janë analizuar, dhe aleatët e SHBA-së mund të përballen me to herë pas here.