Nga Lirim Gashi, shkrimtar
Ideja e “Botës Serbe”, nëse analizohet përtej termave nacionalistë, është një përpjekje për të rikthyer kontrollin hegjemonik të Serbisë mbi popujt fqinjë — një kontroll i brendshëm psikologjik, politik dhe kulturor i maskuar si bashkëpunim rajonal.
Kjo ide nuk është e re: ajo është varianti ballkanik i asaj që filozofja Hannah Arendt e quante “totalitarizëm i përshkallëzuar ngadalë”, ku dhuna nuk hyn me kërcitje armesh, por me ndërtimin e narrativave të rreme, me rikrijimin e miteve historike dhe me krijimin e frikës kolektive.
Në këtë logjikë, Serbia e sotme ndjek një model të dyfishtë:
1. Modelin rus të ndikimit të padukshëm, ku shërbimet sekrete shantazhojnë ish-bashkëpunëtorët, pushtojnë mediat, dhe krijojnë klasa politike të varura.
2. Modelin gjermano-lindor të viteve ’80-ta, ku pushteti kontrollon popullin jo përmes frikës, por përmes strehimit në “stabilitet” — një stabilitet që në fakt është dështim i lirisë.
Argumenti historik
Për ta kuptuar mënyrën e veprimit të aparatit serbo-rus sot, duhet analizuar dështimi i Millosheviqit. Millosheviqi besonte se historia e shekullit XIX mund të përmbyllej me sukses në shekullin e XX — me forcë brutale, me gjak, me spastrim etnik dhe me djegie fshatrash.
Por ai nuk kuptoi se bota kishte ndryshuar, se NATO ishte realitet dhe se barbaria e hapur vetëm përshpejton ndërhyrjen perëndimore.
Vuçiqi e kuptoi këtë. Ai kuptoi se në epokën e informacionit, barbaria duhet të jetë inteligjente, e heshtur dhe e padukshme. Kjo është arsyeja pse strategjia e tij nuk është ekspansion ushtarak, por infiltrimi dinak në politikën e vendeve fqinje.
Ajo që Millosheviqi nuk arriti me tanke, Vuçiqi përpiqet ta arrijë me mjete e rrugë më të sofistukuara:
a) Me rrjete të shtrira të shërbimeve sekrete,
b) Me investime të kontrolluara,
c) Përmes marrëveshjeve të dyshimta nën tavolinë,
ç) Me krijimin e partive të varura,
d) Përmes blerjes së mediave,
dh) Me fabrikimin e krizave të përhershme…
Argumenti filozofik
Në filozofinë politike, kjo quhet hegjemonia e butë — një pushtim që nuk të kërkon territor, por ndërgjegje.
Platoni e përshkruante këtë fenomen si sundim të mentalitetit të shpellës, ku njerëzit nuk e shohin realitetin, por hijet që u shfaqen para syve.
Vuçiqi, me aparatin e tij mediatik, u jep popujve të rajonit pikërisht këtë: hije të prodhuara, ku Serbia paraqitet si viktimë, të tjerët si kërcënim, ndërsa e vërteta si diçka “komplekse”.
Machiavelli, nga ana tjetër, do ta admironte brutalitetin e gjakftohtë të kësaj strategjie: nevoja për të kontrolluar pa shkaktuar rebelim; për të manipuluar pa zbuluar dorën; për të fituar pa shpallur luftë.
Argumenti etik dhe moral
Etika politike nuk e mat të keqen me mënyrën si kryhet, por me synimin e saj. Në këtë aspekt, Vuçiqi është po aq i rrezikshëm sa Millosheviqi, sepse synimi i tij është i njëjtë: dominimi mbi popujt që Serbia i ka nënçmuar historikisht.
Nëse Millosheviqi ishte kirurg që punonte me sharrë elektrike, Vuçiqi është kirurg plastik që buzëqesh dhe thotë “është për të mirën tuaj”, ndërsa operon pa anestezi morale.
Ama dhuna e “butë” është më e rrezikshme sepse krijon iluzionin e paqes. Dhe pikërisht këtu është rreziku i vërtetë: Kur e keqja vishet si stabilitet, ajo nuk sfidohet më, por pranohet.
Argumenti politik
Gjeopolitikisht, Serbia është bërë porta hyrëse e Rusisë në Ballkan dhe porta dalëse e influencës së saj drejt Evropës. Nga kjo bindje politike buron edhe strategjia e shantazhimit ndaj individëve në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi — njerëz të cilët janë gati të sakrifikojnë interesin e popullit të tyre për të shpëtuar nga dosjet, për të ruajtur pasuritë ose selitur tutje në karrierë.
Në fund, konkluzioni që mbetet i paevitueshëm dhe i përforcuar me argumente të pamohueshme është ky : Vuçiqi nuk është vazhdimi i Millosheviqit — ai është evolucioni i tij.
Millosheviqi ishte i hapur, Vuçiqi është i rafinuar. Millosheviqi ishte brutal, Vuçiqi është inteligjent.
Por qëllimi është i njëjtë: dominimi.
Dhe historia na mëson se forma më e rrezikshme e pushtimit është ajo që nuk shpallet.
