Plani amerikan për paqe në Ukrainë duket se nuk ka të bëjë fare me përpjekjet serioze për paqe, por ai është një diktat për kapitullim. Nëse ai do të ketë sukses varet nëse Ukraina dhe partnerët e saj evropianë do të arrijnë ta bindin SHBA-në që ta braktisin atë. Ky hap është i ndërlidhur me presionin e pritshëm që Trumpi do të ketë nga Partia Republikane. Sidoqoftë, ky plan nuk do të sjellë paqe, përkundrazi, do të përgatisë terrenin për luftën e ardhshme.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Për kë po bien këmbanat?
Plani i SHBA-ve për paqen e imponueshme për Ukrainën rezulton të jetë ultimatum I lloit të vet për kapitullim. Ai mbanë firmën e ndërmjetësit pro-rus, Steve Witkoff.
Si i tillë bie ndesh me interesat e sigurisë evropiane, rrjedhimisht, një kontingjent politikanësh kryesorë nga BE dhe NATO-ja, ashtu si vepruan në gusht, duhet urgjentisht ta bindin Shtëpinë e Bardhë të ndryshojë kursin – kjo është në interesin e tyre më të mirë.
Këtë akt ata sikur e paralajmruan pikërisht nga takimi që kishin në kuadër të G20, në Johanesburg, të cilin Trump e bojkotoi, me ç’rast pohuan hapur se plani i paqes i SHBA-së për Ukrainën “do të kërkojë punë”.
Udhëheqësit evropianë thonë se rrjedhimisht propozimi i Uashingtonit ka nevojë për ndryshime të mëdha, ndërsa Macron paralajmëron se G20 rrezikon të humbasë rëndësinë.
Plani që po sjellim në shqip në faqen e ISHGJ-së, duket qartë se, mbështeti hapur disa nga kërkesat e Rusisë, të tilla si dorëzimi i zonave të rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës, kufizimi i ushtrisë së saj dhe heqja dorë nga ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n. Uashingtoni i ka dhënë Kievit një afat deri të enjten për t’u përgjigjur.
Në takimin e G20 udhëheqësit perendimor në një deklaratë të përbashkët, ata thanë se drafti “përfshin elementë të rëndësishëm që do të jenë thelbësorë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, por është “një bazë që do të kërkojë punë shtesë”. Ata ishin të qartë se “kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Ata shtuan se çdo element që lidhet me BE-në dhe NATO-n do të kishte nevojë për marrëveshjen e tyre dhe se ata “janë të gatshëm të angazhohen për të siguruar që një paqe e ardhshme të jetë e qëndrueshme”.
Duke folur me gazetarët në samitin në Johanesburg, kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se udhëheqësit ishin të shqetësuar për propozimet e SHBA-së për të kufizuar ushtrinë e Ukrainës “sepse është themelore që Ukraina të jetë në gjendje të mbrohet nëse ka një armëpushim”.
Ai e përshkroi takimin e Ukrainës në margjinat e samitit si midis “kryesisht aleatëve nga koalicioni i të vullnetshmëve” dhe përsëriti se “konsensusi ishte se ka elementë në planin 28-pikësh që janë thelbësorë për paqen e qëndrueshme, por kërkon punë shtesë, dhe ne do të angazhohemi për këtë”.1
Deklarata u nënshkrua nga udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Holandës, Irlandës, Finlandës, Norvegjisë dhe të BE-së, si dhe kryeministrat e Kanadasë dhe Japonisë.
Plani tronditës i Trumpit, të cilin askush në Evropë nuk e kishte parashikuar, paralizoi Bashkimin Evropian dhe anëtarët e NATO-s, të cilët kishin besuar se më në fund e kishin Trumpin në anën e tyre në lidhje me zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës – që konsistonte në mbështetje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme ushtarake dhe financiare për Ukrainën për aq kohë sa të ishte e nevojshme, si dhe një disfatë strategjike për Rusinë.2
Qëndrimi zyrtar i Zelensky-t
Reagimi i Kievit rreth planit amerikan prej 28 pikash për paqe duket të jetë kompleks dhe përfshin shumë dilema brenda elitave ukrainase. Zyra e Presidentit Zelensky konfirmon se ka marrë draft-planin nga SHBA.
Por, Ukraina e quan këtë plan “vlerësim nga ana amerikane” (“an assessment from the American side”) dhe jo një dokument të finalizuar me të gjitha garancitë që Kyiv dëshiron.
Zelensky ka thënë se Ukraina është “gati për punë të ndershme, konstruktive” me SHBA-në për të diskutuar pikat e planit. 3
Sidoqoftë, ai paralajmëron se ky plan paraqet një zgjedhje shumë të vështirë: sipas tij, Ukraina mund të humbasë dinjitetin, nëse pranohen të gjitha pikat.4 Ai thekson nevojën për “paqe dinjitoze” dhe është kundër një marrëveshje që i mohon sovranitetin apo integritetin territorial Ukrainës.
Në Ukrainë po flitet për “kapitulacion dhe tradhti” nga disa politikanë dhe veteranë: ligjvënës nga partia “European Solidarity” e kanë quajtur planin si të papërfaqësues të interesave të Ukrainës dhe të BE-së.5
Ndërkohë Ukraina po bashkëpunon me disa vende evropiane (p.sh. Francë, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar) për të hartuar një plani alternativ paqeje që të mos negociojë vetëm sipas modaliteteve të SHBA-së, por të marrë parasysh qëndrimet e aleatëve evropianë.
Kjo tregon se Ukraina nuk pranon automatikisht draftin amerikan pa i vlerësuar kostot strategjike dhe politike në kontekst evropian.
Disa prej liderëve ukrainas paralajmërojnë se këto pikat mund të jenë “kapitullim nën petkun e paqes” – pra paqe, por me humbje themelore.6
Reagimi i Ukrainës është kryesisht ligjor-diplomatik: nuk refuzon planin menjëherë, por është i kujdesshëm dhe kërkon kushte që nuk cenojnë sovranitetin.
Ukraina po qëndron në një rrugë negociimi të vështirë: nga njëra anë ka nevojë për paqe dhe siguri, por nga tjetra nuk do të pranojë kushte që e bëjnë më të dobët në aspektin ushtarak dhe territorial. Hapja e një alternative me BE-në tregon se Ukraina dëshiron të mos jetë vetëm “palë e dorës së dytë” në formimin e paqes — ajo kërkon një zgjidhje që të jetë legjitime jo vetëm diplomatikisht me SHBA-në, por edhe me aleatët evropianë.
Nëdrkohë mediat bëjnë me dije se Ukraina dhe SHBA-të do të takohen në Zvicër në ditët në vijim për të diskutuar planin e Uashingtonit, shkroi një zyrtar ukrainas në mediat sociale.
Mesazheshi i hapur i Putinit
Plani 28 pikësh duket se është koordinuar hap pas hapi me palën ruse. Për shumëçka mund të thuhet se ai përmbush kërkesat ruse.
Sipas raportimeve të pavarura (Reuters, AP, Kyiv Independent, Al Jazeera), plani 28-pikësh përfshin elemente që Rusia i kërkon që nga viti 2022:
Elemente që i afrohen kërkesave ruse:
- Mos-anëtarësimi i Ukrainës në NATO (kërkesë e hershme e Kremlinit)
- Një ushtri e kufizuar ukrainase (~600,000 ushtarë)
- Garanci sigurie të modifikuara, jo model NATO
- Hapje për heqje graduale të sanksioneve ndaj Rusisë
- Negociim mbi statusin e territoreve të okupuara
Këto janë qartësisht pika që Rusia i ka synuar prej kohësh.
Rrjedimisht ishte e pritshme deklarata e gjatë e Putinit dhënë mediave ruse që komenton këtë plan.
“Ne shohim se pas bisedimeve në Alaska, pati njëfarë pauze nga pala amerikane, dhe e dimë se kjo lidhet me refuzimin aktual të planit të zgjidhjes së paqes nga ana e Ukrainës, të propozuar nga presidenti Trump. Unë besoj se pikërisht për këtë arsye u shfaq një version i ri, në thelb një plan i modernizuar që përbëhet nga 28 pika. Ne e kemi këtë tekst, e morëm përmes kanaleve ekzistuese të ndërveprimit me administratën amerikane. Unë besoj se ai mund të shërbejë gjithashtu si bazë për zgjidhjen përfundimtare të paqes.”
Studjuesit që kanë si fushë interesi gjeopolitikën, nuk e kishin të vështirë ta vinin re se, bisedimet amerikano-ruse kishin vazhduar gjatë gjithë kohës, megjithëse kryesisht pa u vënë re dhe në nivele të ndryshme. Rreth një muaj më parë, Kirill Dmitriev, njeriu më i besuar i Putinit, foli hapur për këtë kur mbërriti në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar planin e paqes
Studjuesi kroat, Zoran Meter, shih për këtë, në analizën e tij të publikuar të shtunën që lamë pas, nënvizon:
“Motivimi për autorët e planit të paqes ishte padyshim shfaqja e fundit e Rusisë e armëve të saj më të fundit strategjike, të cilat mund të interpretohen vetëm si një paralajmërim rus se Moska do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur interesat e saj themelore kombëtare dhe të sigurisë, pasi e ka klasifikuar tashmë konfliktin e Ukrainës si ekzistencial në vetvete – domethënë, një konflikt që nuk mund dhe nuk do ta humbasë.”7
Evropa mund të kërkojë koordinim të ngushtë me SHBA për të mos lejuar ofertat bilaterale që mashtrojnë koalicionin perëndimor; marrëdhënia transatlantike do testohet.
Fotot e Vladimir Putinit me uniformë ushtarake zbukuruan faqet e para të gazetave shtetërore ruse të premten. Rasti: Të enjten, Putin vizitoi një qendër komande ushtarake pranë vijave të frontit, ku u informua mbi përparimin e luftës nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, dhe komandantë të tjerë.8
Në një video të BBC-së, gazetari britanik Steve Rosenberg analizon mesazhet që Kremlini po dërgon përmes këtyre imazheve në shtypin pro-Kremlin – dhe kujt i drejtohen ato.
Faqja e parë e gazetës ruse “Rossiyskaya Gazeta” tregon takimin e Putinit me gjeneralët e tij më të lartë. Pas presidentit rus varet një banderolë e madhe që përkthehet si: “Ai që lufton, fiton”. Sipas Rosenberg, mesazhi është i qartë: Rusia është e përgatitur të vazhdojë luftimet në Ukrainë – pa kompromis.
“Rossiyskaya Gazeta” titullohet në përputhje me rrethanat: “Avancimi Vazhdon”. Në artikullin shoqërues, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov njoftoi gjithashtu se ushtria ruse kishte pushtuar qytetin ukrainas të Kupyansk. Ukraina e mohon këtë – por Rosenberg thekson se kjo ka më pak të bëjë me faktet sesa me gjuhën.
Sipas Gerasimov, Kupyansk është “çliruar”. Rusia, e cila ka pushtuar një vend sovran fqinj, vazhdon ta paraqesë agresionin e saj ushtarak si një “çlirim”. Sipas Rosenberg-ut, ky rrëfim synon t’i përcjellë publikut rus se Moska ka të drejtë morale – dhe nuk po zhvillon një luftë agresioni, por përkundrazi po ndihmon vendin.
Sipas SHBA-së, Ukraina duhet të bjerë dakord për një shkëmbim që të ngjall frikë: do të duhet të heqë dorë nga një e pesta e territorit të saj, por nuk do të marrë asnjë mbrojtje të besueshme kundër agresionit të mëtejshëm rus. Kjo nuk është recetë për paqe të vërtetë.
“Lista e dëshirave të rusëve”
Gazeta Kyiv Independent ndërkohë pretendon se ka mësuar se Rubio, i cili më parë e ka quajtur edhe Putinin kriminel lufte, nuk ishte i përfshirë në procesin e hartimit të planit 28 pikësh. Kjo përputhet me raportet e disa ligjvënësve amerikanë që ka të bjë me një telefonatë me Rubion. Sipas senatorit republikan Mike Rounds, Rubio ishte “shumë i sinqertë” dhe e bëri “shumë të qartë” se plani 28-pikësh u “dërgua” nga një përfaqësues rus te i dërguari special i Trump-it, Witkoff. Nuk është plani i paqes i SHBA-së. Një ligjvënës deklaroi: “Plani 28-pikësh i publikuar – i cili, sipas Ministrit të Jashtëm Rubio, nuk pasqyron qëndrimin e administratës – është në thelb lista e dëshirave të rusëve, që tani po u paraqitet evropianëve dhe ukrainasve.”9
Por gjatë takimit të së dielës [23 nëntor] në Gjenevë, SHBA-të dhe Ukraina kanë hartuar një “plan paqeje të rishikuar dhe të ndryshuar” që për objektiv ka fundin e luftës me Rusinë. Të dy vendet njoftuan për këtë në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Gjenevë, në të cilat morën pjesë edhe përfaqësues evropianë. Sipas Reuters, plani duket se bazohet në një draft të mëparshëm, të cilin Kievi dhe aleatët e saj e konsideruan shumë pro-Moskës.
Ndërkohë është bërë publik kundërplani 24 pikësh europian përmes të cilit pretendohet t’i ipet fund luftës në Ukrainë. “Telegraph” ka siguruar atë dhe e ka bërë publik.[Shih këtu në rubrikën Aktualitete]. Në dallim nga drafti amerikan, dokumenti ofron mbështetje dukshëm më të fortë për Ukrainën.
Cilat pika janë të papranueshme për evropianët?
Plani i Trump ka 28 pika, shumë prej të cilave janë të papranueshme për evropianët sepse, sipas tyre, ato do të shpërblenin agresorin, Rusinë. Disa besojnë se pjesë të planit përbëjnë një kapitullim.
Këto janë pikat kryesore të cilat për europianët janë të papranueshme:
- Ukraina duhet të pranojë që një pjesë e konsiderueshme e territorit të saj do t’i përkasë Rusisë në të ardhmen – kjo përfshin edhe zona që ende nuk janë pushtuar nga forcat ruse.
- Ukraina duhet të bjerë dakord të kufizojë forcat e saj të armatosura në 600,000 ushtarë.
- Rusia nuk do të përballet me asnjë ndëshkim për krime lufte.
- Rusisë do t’i garantohet ripranimi në grupin e vendeve të mëdha të industrializuara. G7 do të kthehet në G8.
- NATO duhet të përmbahet jo vetëm nga pranimi i Ukrainës, por edhe nga pranimi i çdo anëtari tjetër të ri.
Si ndikon ky plan në Ballkan — veçanërisht në raportet Kosovë–Serbi?
Plani mund të ketë efekt të rëndësishëm indirekt dhe (në raste të veçanta) të drejtpërdrejtë në Ballkan — përmes dy mekanizmave kryesorë: (1) precedentimit politik-diplomatik (normalizimi i “koncesioneve territoriale” si zgjidhje), dhe (2) ndryshimit të balancës së fuqisë dhe leveve diplomatike (Rusia mund të ribëjë impaktin e saj dhe të shtyjë aleatët e saj në rajon). Kjo rrit rrezikun për Kosovën, por meqë Kosova tashmë e ka kontrollin e plotë në veri, nuk e bën humbjen e Veriut akt automatikisht të pashmangshëm — probability dhe skenari varet nga shpejtësia dhe kohezioni i reagimit tonë si Republikë e Komb dhe ai i BE/NATO/SHBA dhe sjelljet e Serbisë.
Serbia ka ndjekur prej kohësh një politikë që synon të ruajë/shtojë ndikimin në veri të Kosovës dhe tek komuniteti serb përgjithësisht; përpara shfaqjes së një “modus vivendi” ndërkombëtar që normalizon lëvizje territoresh, Belgradi mund të ristartojë aksione të tipit të Banjës [2023] për zgjidhje që i afrojnë pretendimet e tij (territoriale, diplomatike, administrative…).
Skenari A — Përkeqësim diplomatik, presion i shtuar, por jo humbje territoriale (më i mundshmi):
Plani i Ukrainës i jep Rusisë shtytje diplomatike; Serbia rrit presionin politik/diplomatik ndaj Kosovës për çështje lokale (veri), por humbja formale e Veriut kërkon më shumë se presion diplomatik — do të duhej një pakt ndërkombëtar ose një përplasje ushtarake që tani është e pamundur pa reagim të fuqishëm të NATO/BE. (Probabilitet i mesëm).10 Rrjedhimisht gjendja në veri pas veprimeve që ndërmori Qeveria Kurti 2 për katër vite rresht, mund të cilësohet e përmbyllur. Serbët do të gëzojnë qeverisjen lokale, duke u pajtuar të gëzojnë statusin e minoritetit gjithësesi të privilegjuar që ju garanton kushtetuta e Republikës së Kosovës si derivat i Planit të Ahtisarit.
Skenari B — Përkeqësim i madh: marrëveshje e imponuar që neutralizon mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës (më pak i mundshëm, por nuk përjashtohet dot në këtë ripërkufizim gjeopolitik të pritshëm): Nëse SHBA/BE ndryshojnë kohezionin dhe imponojnë një marrëveshje që i kërkon Kosovës koncesione (p.sh. status të veçantë për Veriun ose transfer kompetencash), atëherë humbja e kontrollit mbi disa zona bëhet realiste. Kjo kërkon një ndryshim të madh në politikën perëndimore dhe bashkëpunim aktiv të Serbisë me Moskën. (Probabilitet më i ulët, por i rrezikshëm).
Përfundimi
Trumpi, nëpërmjet zëdhënëses së tij, e ka mbështetur qartë dokumentin negociues nga ndërmjetësi i tij pro-rus, Steve Witkoff. Plani me 28 pika, tani i disponueshëm dhe i plotë, pasqyron kërkesat e Moskës në mënyrë të njëanshme dhe përbën një kapitullim nga Ukraina.11
Presidenti Volodymyr Zelenskyy po vepron taktikisht me zgjuarsi duke mos e hedhur poshtë drejtpërdrejt dokumentin e papranueshëm. Ai e kupton lojën e fshehtë që po luhet me të: nëse ai e refuzon propozimin amerikan, Trump do ta quajë atë një pengesë për paqen dhe vetëm sa do të rrisë presionin. Megjithatë, Kievi ka nevojë urgjente për mbështetjen e evropianëve. Ashtu si me një veprim të ngjashëm emergjent në gusht, një kontingjent politikanësh kryesorë nga BE dhe NATO duhet ta bindin Shtëpinë e Bardhë të ndryshojë kursin – është në interesin e tyre më të mirë, pasi Plani Witkoff bie ndesh me interesat e sigurisë evropiane.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy foli për një nga momentet më të vështira të presidencës së tij. Ukraina përballet me një zgjedhje: ose të humbasë dinjitetin e saj ose një partner të rëndësishëm. Zelenskyy foli në telefon me qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe të premten. Ata e siguruan Kievin se asnjë marrëveshje nuk do të pranohej pa miratimin evropian.
Eksperti gjerman i politikës së jashtme, Thomas Jäger, në një intervistë dhënë javores politike FOCUS online i thotë se përpjekjet e Donald Trump për paqe kanë më shumë gjasa të kenë efektin e kundërt. Sipas tij, ky paln nuk është përpjekje për paqe, por një diktat për kapitullim. Nëse ai do të ketë sukses varet nëse Ukraina dhe partnerët e saj evropianë do të arrijnë ta bindin SHBA-në që ta braktisin atë, veçmas pas presionit të pritshëm që Trump- do të ketë nga Partia Republikane me kushtin që ai ta braktisë projektin e Putinit. Sidoqoftë, kjo nuk do të sjellë paqe, por përkundrazi do të përgatisë terrenin për luftën e ardhshme.
Deklarata e Putinit pasqyron realitetin: plani amerikano-i propozuar përmban elemente që bien në përputhje me kërkesat ruse, ndaj Kremlini e sheh si bazë. Por dokumenti nuk është ende marrëveshje përfundimtare dhe po nënshkruhet/komentohet nga palë të shumta.
Për Ballkanin, dhe Kosovën veçanërisht, rreziku është real që mund të shpërfaqet në formën e presionit diplomatik dhe politik dhe për faktin se po krijohet precedent; megjithatë humbja e veriut nuk është skenar real. Ndërkaq probabiliteti i skenarëve të dëmshëm [rikthimi i luftës shqiptaro-serbe dhe jo vetëm] rritet nëse Perëndimi humbet kohezionin dhe nëse Serbia dhe Rusia bashkëpunojnë për shtrirjen e ndikimit rus në Europën Juglindore edhe përmes realizimit të projektit të “Botës serbe”.
_________
1. https://www.theguardian.com/world/2025/nov/22/us-peace-plan-ukraine-g20-changes?utm_source=chatgpt.com
2. https://www.geopolitika.news/analize/vojnopoliticka-analiza/zoran-meter-trump-zaledio-europu-rusi-ubrzano-osvajaju-teritorij-poziv-na-kapitulaciju/
3. https://kyivindependent.com/28-points-later-why-trumps-latest-peace-plan-for-ukraine-is-different/?utm_source=chatgpt.com
4. Po aty
5. https://kyivindependent.com/a-plan-of-capitulation-us-push-for-controversial-peace-plan-met-with-backlash-in-ukraine/?utm_source=chatgpt.com
6. https://kyivindependent.com/a-plan-of-capitulation-us-push-for-controversial-peace-plan-met-with-backlash-in-ukraine/?utm_source=chatgpt.com
7. https://www.geopolitika.news/analize/vojnopoliticka-analiza/zoran-meter-trump-zaledio-europu-rusi-ubrzano-osvajaju-teritorij-poziv-na-kapitulaciju/
8. https://www.focus.de/politik/ausland/in-debatte-um-friedensplan-welche-versteckten-botschaften-putin-jetzt-sendet_77e95b63-ca5d-4259-9faf-aae0caee84a7.html
9. https://www.focus.de/politik/ausland/in-trump-team-tobt-ukraine-machtkampf-mit-einer-spinne-im-netz_e1866350-5ab5-4f00-8a3c-30c1bdd68dce.html
10. https://www.reuters.com/world/us-peace-plan-contains-unpalatable-proposals-both-ukraine-russia-2025-11-21/?utm_source=chatgpt.com
11. https://www.focus.de/politik/ausland/russe-schleicht-durch-waelder-nach-finnland-dann-kommt-brisante-verbindung-ans-licht_2ffc84e0-83dd-43f9-b8a1-a9be4f9b5317.html
