[HISTORI]
Nga Dr. Nikollë LOKA
Osmanët shfrytëzuan fuqinë bashkuese të fesë për të integruar grupe të ndryshme. Mileti i parë i themeluar zyrtarisht ishte ai ortodoks në vitin 1454, pasuar nga Armenët në 1461 dhe Hebrenjtë në 1839, të cilët u përfaqësuan nga një udhëheqës i zgjedhur nga komuniteti hebre i Stambollit në 1453. Secili milet jomysliman kishte të drejtën të përfaqësonte anëtarët e tij para gjykatës osmane dhe të vetëqeverisej brenda. Ata kishin të drejta për të mbledhur taksa, gjykuar dhe rregulluar jetën e anëtarëve të tyre, për sa kohë këto të drejta nuk binin ndesh me ligjin islam dhe strukturën e ndjeshme të qeverisë myslimane(Hupchick, 2001:134). Sipas mendimit të pranuar gjerësisht, pas pushtimit osman, shoqëritë indigjene të Ballkanit u lanë pa elitën e tyre sunduese, e cila ose u detyrua të largohej nga vendet e saj, ose u shkatërrua nga osmanët. Në këto kushte, Kisha përfaqësoi strukturën e vetme të mbetur që ishte në gjendje të administrojë çështjet e përditshme të popullsisë jo-fetare(Kursar, 2013:98).
Osmanët nuk bënin dallime mes besimtarëve ortodoksë grekë, bullgarë, serbë, maqedonas apo rumunë, duke i grumbulluar të gjithë në një milet të vetëm. Megjithatë, autoritetet myslimane ishin të vetëdijshme për dallimet etnike mes këtyre grupeve. Kjo bashkësi, megjithatë, përfaqësonte një unitet fetar më shumë se sa etnik(Detrez, 2015: 3; Yılmaz, Erdem , 2020: 2564).
Koncepcit i sistemit të milletit ishte një burim ankesash për qeverinë osmane, fuqitë evropiane dhe komunitetet jo-myslimanë. Për qeverinë osmane, ai ishte një pengesë për osmanizimin, pasi mbante fuqinë e komuniteteve jo-myslimane urbane, klerit dhe liderëve lokalë të komunitetit. Po ashtu, për intelektualët jo-myslimanë, sistemi i milletit e pengonte lindjen e vetëdijes kombëtare dhe zhvillimin e një kulture etnike dhe sekulare mes individëve që ndanin të njëjtën kulturë, gjuhë dhe komb (Karpat, 2011: 173;Yılmaz, 2020: 2565)
Nëse, siç mendojnë shumica e historianëve, vetëdija kombëtare në Ballkan filloi të formohej në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, lind pyetja se cilin identitet kishin njerëzit para kësaj periudhe. Ata identifikoheshin kryesisht me grupe etnike, fetare, lokale ose profesionale, si shqiptarë, bullgarë, grekë, myslimanë, katolikë dhe të tjerë. Këto forma identiteti kolektiv mund të bashkëjetonin dhe nuk përjashtonin njëra-tjetrën, dhe në varësi të situatës dhe pranisë së “tjetrit të rëndësishëm”, një prej këtyre identiteteve mund të merrte dominance(Gaitanos, 2022: 60-61). Në periudhën midis shenjave të para të identitetit modern kombëtar në Ballkan, nga vitet 1780 deri në fillimin e shekullit të njëzetë, kur të gjitha nacionalizmat e mëdha ballkanike (përveç atij shqiptar) ishin tashmë të formuara dhe të konsoliduara, ekzistonin dy lloje identitetesh që zhvilloheshin paralelisht: identiteti etno-religjioz (proto-kombëtar) mes fshatarëve dhe identiteti kombëtar mes grupeve të patriotëve(Markovich, 2013: 246-247). Edhe pse shumica e historianëve priren ta pranojnë fenë si faktor vendimtar të formimit të komuniteteve në periudhën para-kombëtare, historiografia ballkanike, dhe sigurisht jo vetëm ajo, vazhdon ta trajtojë të kaluarën nga një këndvështrim pak a shumë etnocentrik ose kombëtar(Detrez, 2015: 1-2). Identitet, i bazuar në përkatësi etnike dhe fetare, mund të vendoset në kuadër të studimeve mbi nacionalizmin modern, veçanërisht në teoritë e Anthony Smith mbi etnitë. Siç e diskuton Victor Roudometof, grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët dhe rumunët në Ballkanin Osman mund të konsiderohen etnitë e këtij rajoni dhe ata ishin të vetëdijshëm për dallimet e tyre etnike. izjen (taksën mbi kokë) (Karpat, 1985; Mpalta, 2006; Gaitanos, 2022: 60).
Fillimet e reformave të Tanzimatit përkojnë me revolucionet kombëtare që ndikuan në strukturën dhe marrëdhëniet e millet-eve, duke përfshirë ndryshimin e pozitave të tyre në skenën politike. Revolucioni grek shënoi rënien e botës fanariotike dhe bëri që osmanët të rishikojnë privilegjet e millet-it Rum, duke përmirësuar pozitën e millet-eve të tjera, veçanërisht të Armenëve, dhe duke njohur për herë të parë një millet katolik. Përveç krijimit të milleteve protestant dhe katolik, shpërbërja e milletit ortodoks shpërtheu me formimin e kishave kombëtare si në Greqi, Serbi, Rumani dhe Bullgari(Gaitanos, 2022: 68). Kishat “nacionale” ortodokse që u formuan gjatë sundimit osman, e ruajtën pushtetin e tyre falë rolit që iu ishte caktuar në sistemin e milletit dhe u bënë mbështetësit kryesorë të lëvizjeve nacionaliste që filluan nën ndikimin e huaj, veçanërisht atij rus(Baskin,1994:308)
Shqiptarët ishin kombi i fundit ballkanik që u prek nga nacionalizmi. Lëvizja e tyre u pengua seriozisht nga organizimi shoqëror paramodern, i cili ishte krejtësisht fisnor në veri. Për më tepër, si autoritetet osmane ashtu edhe Kisha Ortodokse në jug kishin arsyet e tyre për të shtypur zhvillimin e arsimit dhe kulturës në gjuhën shqipe. Teksa për nacionalizmat e tjerë të Ballkanit, feja si një faktor i unfikimit të popujve, ka luajtur një rol pozitiv në zhvillimin e nacionalizmit në lëvizjet kombëtare të vendeve të Ballkanit, në rastin e Shqipërisë feja padyshim ka luajtur më tepër një rol përçarës(Clayer, 2012:138). Brenda një sistemi të tillë, grupi më i madh i shqiptarëve – myslimanët ishin konsideruar nga Porta e Lartë sisi turq, ndërsa shqiptarët ortodoksë, që nuk e patën kishën e tyre kombëtare, siç e kishin grekët, bullgarët apo serbët, dhe si të tillë i takuan kishës greke, u kosnideruan nga Stambolli dhe Patrikana si grekë, kurse shqiptarët katolikë formalisht përfaqësoheshin nga patriarku armen(Demjaha& Peci, 2016:16). Pra autoritetet osmane i identifikuan njerëzit vetëm në bazë të fesë, duke eliminuar të gjitha konsideratat e përkatësisë etnike. Nga ana tjetër, identifikimit si pjesë e një mileti i mungonte plotësisht kuptimi territorial, i lidhur me konceptin evropianoperëndimor të kombit(Hupchick, 2002:134). Mbështetur edhe në konceptin osman të sitemit të milleteve, komunitetet etnike nuk kishin kufij gjeografikë, prandaj çdo komunitet kulturor i konsideronte si të vetat të gjitha territoret bashkësia fetare e të cilit përbënte shumicën. Si rezultat, pasi Perandoria Osmane filloi të shpërbëhej, nacionalistët grekë filluan t’i rivendikojnë territoret e Shqipërisë së Jugut si të tyret, pasi sipas tyre banoheshin nga ortodoksë. Me tw njwjtwt argument, serbët i pretenduan nw pjesët veriore, territoret e banuara me shqiptarë(Demjaha& Peci, 2016:16). Është e qartë, se derisa sistemi i mileteve ka ofruar një tokë të frytshme për grekët, serbët dhe bullgarët për krijimin e shteteve të tyre kombëtare me mbështetjen e drejtpërdrejtë të kishave përkatëse, për nacionalizimin shqiptar ai ka paraqitur një pengesë serioze. Vetëm shkëputja radikale nga ky system bëri të mundur ndryshimin e paradigmës , e cila u mundësoi tri komuniteteve fetare shqiptare të shiheshin si një komunitet, i ndarë nga grekët, latinët dhe turqit, dhe jo si grek latin apo turk me tipare tjera gjuhësore(Demjaha& Peci, 2016:16). Ndërkohë që Perandoria Osmane dhe fqinjët e saj këmbëngulnin që Shqipëria të ndahej në bazë të linjave fetare, për rilindësit shqiptarë ishte vendimtare t’i tejkalonin ndasitë fetare, duke këmbëngulur për një identitet sekular të shqiptarëve, të bazuar në “unitetin kulturor dhe gjuhësor”, prandaj, sekularizmi u bë tipari kryesor i Rilindjes Kombëtare shqiptare.
Rilindja Shqiptare, si lëvizje sekulare, promovoi bashkimin e shqiptarëve mbi baza kulturore dhe gjuhësore, duke e theksuar unitetin kombëtar përtej ndarjeve fetare. Ajo ishte themelore për zhvillimin e identitetit shqiptar dhe krijimin e një shteti të pavarur shqiptar.
