Nga Dr. Jorgji KOTE
Strategjia e re e sigurisë kombëtare amerikane e shpallur më 5 dhjetor, edhe pse vetëm me 33 faqe, ishte zilja e fundit e alarmit për vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Sepse sipas shumë politologëve, ajo mund të ndryshojë botën dhe gjithë rendin ndërkombëtar, kjo për shkak të ndryshimeve epokale që pritet të shkaktojë lidhur me tërheqjen e SHBA-ve nga roli i tyre si polic ndërkombëtar, pakësimin e angazhimeve të saj gjeopolitike, heqjen dorë nga promovimi i demokracisë liberale dhe shtetit ligjor etj.
Mbi të gjitha, me dyshimet serioze që kjo strategji ka krijuar për një shkëputje apo edhe thyerje të aleancës tradicionale amerikane me Bashkimin Europian, madje ca më keq akoma, duke mbështetur “rezistencën/kundërshtimin patriotik” dmth., ekstremin e djathtë në Europë për të çrrënjosur të këqijat, të cilat po sipas kësaj strategjie, rrezikojnë ta fshijnë qytetërimin europian brenda 20 viteve të ardhshme. Ndaj, ekspertët dhe politika europiane, por jo vetëm, po u bien fort kambanave të alarmit me paralajmërimin që nëse kjo strategji do të realizohej kështu siç është, atëherë do të vihej në rrezik edhe vetë mbijetesa e BE-së! Sikur të mos mjaftonte kjo, bashkë me lançimin e strategjisë në fjalë, Pentagoni u dha ultimatumin vendeve europiane që brenda vitit 2027 të sigurojnë vetë mbrojtjen e tyre konvencionale, mision ky pothuajse i pamundur në kohë.
Ndërkohë, qysh përpara publikimit të kësaj strategjie, e cila “i vjen shumë pas midesë” Moskës, kjo e fundit, krahas përshkallëzimit të agresionit të saj në Ukrainë, ka shtuar shantazhet, incidentet dhe kërcënimet në hapësirat ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, si pjesë përbërëse të luftës së saj hibride. Synimi gjeostrategjik rus është kapitullimi i Ukrainës, vazhdimi i ofensivës së saj ushtarake kundër Europës; me shpresa të shtuara se shumë shpejt Europa do të jetë e vetme dhe pa mbrojtjen amerikane, duke ia lehtësuar kësisoj ndjeshëm objektivin final – ringritjen e Perandorisë së dikurshme cariste apo sovjetike. Në këto kushte dhe rrethana të reja tejet kërcënuese, në Europë vazhdojnë të ngrihen me të drejtë me tone përherë e më të larta shqetësimet mbi sigurinë, aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të vendeve europiane anëtare të NATO-s, për t’u bërë ballë dhe sprapsur sulme të tilla ruse, të cilat tanimë janë bërë evidente dhe eminente. Si edhe për të vazhduar mbështetjen ekonomike, ushtarake dhe njerëzore ndaj Ukrainës deri sa të realizohet paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme. Lajmi i mirë është se në përgjithësi, duke iu referuar të dhënave zyrtare pranohet se nuk ka arsye për frikë dhe panik, mbasi Europa dhe NATO kanë epërsi të mëdha kundrejt Rusisë, jo vetëm për nga madhësia e popullsisë, niveli dhe të zhvillimi ekonomik, por edhe për nga kapacitetet ushtarake mbrojtëse në shumë fusha. Për këtë mjafton t’u hedhësh dhe një sy qoftë kalimthi shifrave lidhur me kapacitetet ushtarake europiane dhe ruse.
Europa ka më pak tanke, 4365 nga 5.630 që ka Rusia, por ajo ka më shumë avionë lufte, 1.643 nga 1.052 që ka Moska dhe rreth 100 anije lufte ndaj vetëm 34 të Rusisë. Edhe lidhur me pajisjet e rënda ushtarake, Europa ka epërsi, ndonëse të lehtë ndaj Rusisë. Lidhur me shpenzimet, krahu europian i NATO-s, pa përfshirë Turqinë shpenzon 450 miliardë dollarë, pra më shumë se sa Rusia. Gjithsesi, këtu shumë analistë dhe studime të institucioneve me emër paralajmërojnë se këta tregues dhe masat e njohura që po ndërmerr Europa nuk duhen marrë apriori të mirëqena, ca më tepër kur në terrenin praktik të luftimeve ato kanë mungesa dhe mangësi jo të vogla, të cilat në një luftë të vërtetë me intensitet të lartë mund ta “lënë në baltë”. Gjithashtu, këto të dhëna fshehin brishtësinë dhe dobësitë kur vjen puna te heterogjeniteti i parqeve ushtarake dhe disponibiliteti i pajisjeve luftarake, mungesa e municionit (gjithë BE-ja prodhonte deri vitin e kaluar 2 milionë predha artilerie, ndërsa vetëm Rusia prodhon 3 milionë të tilla në vit) dhe sidomos e dronëve, të cilat mund të kompromentojnë kapacitetet europiane në një luftë reale.
Ndërkohë, është e vërtetë se BE-ja ka mobilizuar fonde kolosale për mbrojtjen, por vetëm ana financiare nuk mjafton dhe as nuk duhet fetishizuar, mbasi efektiviteti i prodhimit dhe përdorimit të tyre le mjaft për të dëshiruar. Ca më tepër se Europa përballet me të paktën katër sfida të mëdha, ku duhet të intensifikojë përpjekjet e saj – bashkëpunimi i industrive mbrojtëse në vendet europiane anëtare të NATO-s, krijimi i ushtrive më të mëdha në numër, novacioni teknologjik, prodhimi dhe përdorimi masiv i dronëve dhe mbrojtja prej tyre. Mirëpo ndryshimi i shpejtë në këta katër sektorë nuk është aq i lehtë sa mendohet. Këtë e ka konfirmuar javët e fundit edhe Instituti i mirënjohur francez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare (Ifri) në një studim të plotë mbi gjendjen, epërsitë, dinamikat dhe dobësitë e vendeve europiane të NATO-s kundrejt Rusisë dhe për rrjedhojë, aftësive të saj ushtarake për t’i bërë ballë një sulmi të mundshëm rus. Sipas Elie Tenenbaum, drejtor i Qendrës Studimore të “Ifrit” dhe një ndër autorët e këtij studimi, edhe pse Europa ka epërsi ushtarake ndaj Rusisë, kur hyn në detaje, sheh se në shumë zëra, ajo ka pika të dobëta, që duhen riparuar sa më shpejt. Kështu, Europa karakterizohet nga fragmentarizimi në fushën e mirëmbajtjes së armatimit dhe homogjenitetin e parqeve të armatimit.
Kjo ka ndodhur sepse deri tani, Italia, Franca, Anglia, Gjermania dhe vende të tjera e kanë financuar veç e veç prodhimin e tankeve dhe kërkim – zhvillimin. Ndërsa sot kërkohet racionalizim ekonomik në këtë fushë. Për rrjedhojë, pritet që deri nga fundi i viteve ‘30 në Europë të ketë vetëm një ose dy lloje tankesh. Edhe në këtë fushë, vendet europianë anëtare të NATO-s kanë trashëguar pika të dobëta dhe mangësi në disa fusha jetike për një luftë të ardhshme. Kështu, Franca ka problem të madh lidhur me fuqinë e zjarrit dhe artilerisë tokësore; gjithsesi në nivel europian kjo mungesë kompensohet pjesërisht nga disa vende ish lindore që po bëjnë më shumë përpjekje, si Polonia dhe Rumania. Ndërkohë, stoqet e municionit kudo në Europë janë në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Edhe prodhimi i tyre është i hallakatur kudo në Europë. Në fakt, vendet e Europës Qendrore dhe Lindore u janë përshtatur më mirë situatave të krijuara, ndërsa Europa Perëndimore është ende në nivele që nuk lejojnë industrinë ushtarake të justifikojë investimet për shtimin e kapaciteteve prodhuese.
Në fushën e avionëve të luftës dhe bombardues, Europa është në një proces rritjeje. Gjithsesi, i vetmi avion lufte i brezit të pestë që gjendet sot në treg është avioni amerikan F-35. Mirëpo, edhe tani që europianët po ndërtojnë flotën e dytë ajrore në botë, kjo prapë do të zgjidhë vetëm një pjesë të problemit të varësisë europiane, mbasi konceptimi i avionit është i tëri amerikan ashtu si dhe sistemi i mirëmbajtjes. Kështu që në rast se nesër, SHBA-të vendosin të mos ua livrojnë këto avionë Europës, atëherë ajo do të ndodhej në një situatë delikate. Ky është një rrezik i mundshëm me Presidentin Trump, se Europa nuk është më përparësi e tij. Shtojmë se F-35 është praktikisht simboli i një varësie shumë më të madhe europiane nga SHBAtë. Kjo varësi pasqyrohet mbi të gjitha në fushën e elektronikës, me komponentë që gjenden në të gjitha pajisjet ushtarake, në veçanti për disa elemente për prodhimin dhe eksportin e të cilave vendos Pentagoni. Së fundi, ka edhe një varësi në rritje që ka të bëjë me aplikacionet dhe më konkretisht të IA-së lidhur me sistemet e komandimit të NATO-s. Çështja tjetër madhore që shtrohet ka të bëjë me rastin e mosangazhimit të mundshëm amerikan ndaj NATO-s dhe skenarët përkatës deri në vitin 2030.
Sipas ekspertëve ka pesë nivele të këtij mosangazhimi të mundshëm dhe dy më të parashikueshmit janë reduktimi i pranisë ushtarake amerikane, që praktikisht ka filluar dhe mosfurnizimi me armatime dhe sidomos me raketat me rreze të gjatë veprimi apo mbrojtjen kundërajrore; tjetra lidhet me ultimatumin amerikan që pas vitit 2027 nuk garantojnë më mbrojtjen konvencionale, gjithsesi do vazhdojnë të shkëmbejnë të dhënat e zbulimit, do të japin ndihma dhe do të garantojnë mbrojtjen bërthamore për BE-në. Si përfundim, BE-ja i ka të gjitha mjetet ekonomike, dijet teknike dhe aftësitë luftarake për t’i bërë ballë Rusisë edhe me një ndihmesë të reduktuar amerikane. Por, për këtë, ajo duhet të japi prova të vullnetit politik, të koherencës dhe konvergjencës dhe sot pikërisht këto të tria i mungojnë asaj. Ndaj së pari, është me interes të bëhet llogaritja agregate e shifrave përkatëse, me qëllim që të njihen më mirë kapacitetet ushtarake europiane, por kjo sërish duhet të presupozojë një koherencë dhe kohezion politik dhe ushtarak strategjik në Europë.
Nisur nga ky realitet i zymtë, ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fisher, ka paralajmëruar fort në prononcimet e tij publike “se nuk ia dalim dot Rusisë kështu siç jemi tani, veç e veç dhe të ndarë; ndaj kërkohet detyrimisht të jemi bashkë, se vetëm kështu mund të fitojmë”. Aspekti i fundit, por me ndikim në këtë drejtim ka të bëjë me faktin se ndryshe nga vendet e BE-së dhe në SHBA ku ka demokraci liberale dhe pluralizëm politik, zgjedhje të lira dhe të ndershme, opinion publik, media dhe gjyqësor të pavarur, Rusia është një vend autokrat, ku vendimet merren nga Presidenti Putin, shumë më shpejt dhe pa marrë parasysh pasojat njerëzore, materiale dhe ekonomike, duke filluar nga rekrutimi i trupave dhe humbjet njerëzore. Fakt është se me gjithë humbjet e rënda që ka pësuar në frontin e luftimeve, Rusia mund të rekrutojë pa problem deri 30.000 trupa në muaj, ndërsa vendet europiane çalojnë shumë në këtë fushë. Kështu, Bundesvehri gjerman ka aktualisht 182.000 ushtarë aktivë dhe duhet të kapë minimalisht shifrën 260.000 trupa aktivë dhe 200.000 rezervistë, me qëllim që të jetë në gjendje të përballojë një agresion ushtarak në 2–3 vitet e ardhshme. Por, ai po “vuan” me mungesa të mëdha në këtë drejtim. Po kështu, problem tjetër i madh për Europën është se nga fondi i saj prej 850 miliardë euro, ajo shpenzon 90 për qind për tanke, avionë dhe pajisje ushtarake dhe vetëm 1 për qind për kërkimzhvillim teknologjik.
Ndërsa Rusia e ka disi më të lartë përqindjen e kërkim–zhvillimit teknologjik. Pikërisht për të shmangur këto “shtigje të ngushta”, mungesa dhe dobësi të mëdha, gjatë këtij viti BE-ja dhe vendet e tij, anëtare kanë ndërmarrë shumë masa dhe reforma madhore të njohura dhe kanë nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe për prodhimin e përbashkët të armatimit me Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Turqinë, Kanadanë etj.. Së fundi, është tejet pozitiv dhe premtues fakti që në krye të procesit historik të riarmatimit europian, për të krijuar epërsinë e saj ushtarake zë për zë ndaj Rusisë është Gjermania, me objektivin madhor që brenda vitit 2030 ajo të ketë krijuar ushtrinë më të madhe dhe më të fuqishme në Europë.
