Nga Dan GASHI, Njujork
Nuk është thjesht lejimi që tanket të kalojnë kufijtë pa pengesa; bëhet fjalë për një gamë shumë më të gjerë veprimesh: riorganizimin e kufijve, qyteteve, porteve, autostradave dhe buxheteve sipas logjikës ushtarake.
Bashkimi Evropian (BE), dikur simbol i lëvizjes së lirë, tregtisë pa dogana dhe tregut të përbashkët, tani po i riformëson kufijtë e vet për një qëllim krejt tjetër, kalimin pa pengesë të tankeve, armatimeve të rënda dhe ushtrive.
Paketa e Lëvizshmërisë Ushtarake e shpallur nga Komisioni Evropian është, në kuptimin më të drejtpërdrejtë, hapi më gjithëpërfshirës drejt transformimit të infrastrukturës ushtarake në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Lëvizshmëria ushtarake nënkupton transferimin e shpejtë të trupave, pajisjeve dhe materialeve nga një vend në tjetrin, përfshirë situatat e krizave që kërkojnë evakuimin e civilëve. Kjo kërkon infrastrukturë të përshtatshme, kapacitete të mjaftueshme transportuese dhe rregulla e procedura efikase.
Propozimi i Komisionit përqendrohet në tre fusha kryesore:
(1) Lehtësimin rregullator;
(2) Forcimin e infrastrukturës kritike;
(3) Përputhjen e kapaciteteve dhe koordinimin me NATO-n.
Me rregulloren e re parashikohen procedura të paracaktuara, përjashtime emergjente dhe mekanizma prioritizimi për lëvizjen e personelit, mjeteve dhe pajisjeve ushtarake nëpër shtetet anëtare.
Plani kërkon koordinim të ngushtë me NATO-n dhe përshtatje me standardet e përbashkëta.
Ura që nuk mbajnë tanke 60-tonëshe, tunele të ngushta, hekurudha të vjetruara, pista që nuk përballojnë avionë të rëndë transporti, rregulla për pushimin e detyrueshëm të shoferëve, procedura doganore dhe sidomos lejet që zgjasin deri në 45 ditë, të gjitha këto e ngadalësojnë lëvizjen ushtarake në Evropë.
Pikërisht sepse “lufta e madhe” e parashikuar me Rusinë kërkon ndryshime rrënjësore në të gjithë kontinentin.
Brukseli ka publikuar dokumente të shumta, por thelbi i mesazhit është i qartë;tanktet do të kalojnë nëpër “Shengen”.
Aktualisht, njoftimi për lëvizje ushtarake ndërkufitare kërkon 45 ditë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e përshkroi problemin kështu:
“Nëse një urë nuk mban një tank 60 tonësh, kemi problem. Nëse një pistë është shumë e shkurtër për një avion transporti, nuk mund t’i furnizojmë trupat tona. Kjo është e papranueshme 11 vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.”
Rregullorja e re kërkon që forcat ushtarake të marrin leje kalimi brenda tre ditësh. Në krahasim me afatin aktual 45-ditor, ky është një ndryshim realisht “radikal”.
Kjo nënkupton që një brigadë tankesh mund të zhvendoset nga Gjermania në Poloni e më tej drejt Baltikut në kohë shumë më të shkurtër.
Lufta Rusi–Ukrainë dhe shqetësimet në rritje në mbarë Evropën kanë zhvendosur fokusin e sigurisë. Zonat civile po transformohen për qëllime ushtarake.
Forcimi i urave, tuneleve, porteve dhe hekurudhave “për të mbajtur mjete të rënda ushtarake” do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën civile.
Në qershor, shumica e vendeve evropiane njëkohësisht anëtare të NATO-s, u zotuan të ndajnë 5% të PBB-së për mbrojtjen, prej të cilave 1.5% për infrastrukturën kritike.
Brukseli argumenton se ky plan nuk e nënvlerëson NATO-n, por e përforcon atë.
Lista e përpiluar nga BE-ja përfshin 500 objekte infrastrukturore; ura, tunele, rrugë, porte dhe aeroporte që duhet të përshtaten për trafikun e rëndë ushtarak.
Kostoja totale: rreth 100 miliardë euro
Në buxhetin afatgjatë të BE-së 2028–2034, shpenzimet për lëvizshmërinë ushtarake do të rriten dhjetëfish, duke arritur në 17.6 miliardë euro.
Disa projekte tashmë janë realizuar, duke i paraprirë “Shengenit Ushtarak”:
• Tre mbikalime të reja në Poloni të përshtatura për mjete të rënda në Korridorin Baltik–Adriatik.
• Akullthyes i ri i klasit 1C në Letoni për lundrim civil dhe ushtarak.
• Portugalia instaloi teknologjinë WAM/ADS-B për mbikëqyrje ajrore civile–ushtarake.
• Dy ura në autostradën A2 të Polonisë u përforcuan për mjete 130-tonëshe.
• Italia përshtati hekurudhat në Pontedera dhe Palmanova për trena 740-metërsh.
• Finlanda përmirësoi nyjen hekurudhore Oritkari për pajisje të rënda.
• Lituania përmirësoi autostradën A5 në Kaunas.
• Aeroporti Franjo Tuđman në Kroaci u përshtat për avionë ushtarakë.
• Aeroporti Chopin në Poloni instaloi sisteme të reja digjitale mbikëqyrjeje.
• Terminali Verbrugge në Holandë rriti kapacitetin hekurudhor me 30%.
Mbeshtetēsit pretendojnë se projekti “e bën Evropën më të sigurt”, ndersa kritikët ngrenë tre shqetësime kryesore:
1. Militarizimi i infrastrukturës civile
Forcimi i urave për tanke mund të sjellë përfitime dytësore, por në thelb qytetet dhe rrjetet e transportit po përshtaten sipas nevojave ushtarake.
2. Normalizimi i lëvizjes së trupave
Kolonat ushtarake nuk janë pjesë e jetës së përditshme në shumicën e vendeve të BE-së. Ky plan mund ta ndryshojë këtë realitet.
3. Dobësimi i kontrollit demokratik
Vendimet e shpejta mbi hyrjen ushtarake në një vend janë politikisht të ndjeshme. Përshpejtimi i procedurave mund të reduktojë rolin e parlamenteve dhe pushtetit lokal.
Në fund, prioritizimi i kësaj arkitekture të re ushtarake mund të sjellë kufizime të reja sociale, ekonomike dhe politike.
Sepse problemi nuk është vetëm të lejosh tanket të kalojnë kufijtë; problemi është se kufijtë, qytetet, portet, autostradat dhe vetë buxhetet po riorganizohen sipas logjikës ushtarake.
