Nga kompromisi i rendit post‑unipolar drejt një zgjidhjeje strukturore evropiane
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Kjo tezë argumenton se “çështja shqiptare” nuk përfaqëson një problem periferik ballkanik, por një variabël strukturore në tranzicionin gjeopolitik të Evropës nga një rend i varur atlantik drejt një autonomie strategjike të pjesshme ose të plotë. Republika e Kosovës interpretohet si produkt i një kompromisi të rendit unipolar të fund‑shekullit XX, i dizajnuar për menaxhim krize dhe jo për zgjidhje afatgjatë. Në kushtet e rikthimit të gjeopolitikës klasike, dobësimit të universalizmit normativ dhe rishfaqjes së logjikës së fuqisë, ky kompromis po shfaq kufijtë e tij. Teza propozon rikonceptimin e integrimit shqiptar – në formën e një federate funksionale Shqipëri–Kosovë – si zgjidhje evropiane stabilizuese, jo si devijim nga parimet e BE‑së.
1. Hyrje: Evropa në tranzicion gjeopolitik
Evropa e dekadës së tretë të shekullit XXI përballet me një dilemë themelore: vazhdimin e varësisë së thellë strategjike nga Shtetet e Bashkuara ose ndërtimin gradual të një autonomie gjeopolitike reale. Ky tranzicion nuk është vetëm institucional apo ushtarak; ai është konceptual, sepse kërkon rishikimin e mënyrës se si Evropa e kupton sovranitetin, periferinë dhe stabilitetin.
Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor rikthehet si hapësirë prove. Çështjet e “pazgjidhura” nuk janë mbetje historike, por simptoma të një rendi të përkohshëm që po shpërbëhet. Çështja shqiptare – e fragmentuar institucionalisht, por koherente historikisht dhe gjeopolitikisht – është njëra ndër ato.
Rendi ndërkombëtar liberal i pas Luftës së Ftohtë, i ndërtuar mbi premisat e multilateralizmit, integrimit rajonal dhe universalizmit normativ, po përjeton një krizë strukturore. Kjo krizë manifestohet përmes fragmentimit të rendit global, rikthimit të rivaliteteve të fuqive të mëdha, luftërave hibride dhe dobësimit të institucioneve shumëpalëshe. Në këtë kontekst, shteti-kombi po rikthehet si njësi themelore e sovranitetit, sigurisë dhe legjitimitetit politik.
Evropa Juglindore përfaqëson një nga hapësirat më të ekspozuara ndaj këtij transformimi. Ajo është një rajon kufitar midis rendit euro-atlantik dhe sferave alternative të ndikimit, ku projektet e shtetndërtimit kanë mbetur të papërfunduara dhe integrimi evropian ka humbur besueshmërinë si proces transformues. Pikërisht në këtë kontekst shfaqet koncepti i Federatës Shqiptare (FSH) si një projekt politik me potencial strukturor për stabilitet afatgjatë dhe përputhje me strategjinë e re amerikane.
2. Kuadri teorik: nga universalizmi liberal te realizmi strukturor
Rendi pas Luftës së Ftohtë u ndërtua mbi supozimin e universalizmit normativ: demokracia liberale, integriteti territorial dhe vetëvendosja si parime të harmonizuara. Ky supozim ishte i mundur për shkak të unipolaritetit amerikan.
Me rikthimin e konkurrencës së fuqive të mëdha, sistemi ndërkombëtar po zhvendoset drejt një realizmi strukturor, ku:
- vlerat janë instrumentale;
- stabiliteti paraprihet ndaj drejtësisë;
- periferitë menaxhohen përmes kompromiseve funksionale.
Në këtë kuadër, shtetet e vogla nuk mbrohen nga parimet, por nga kapacitetet dhe funksionaliteti i tyre gjeopolitik.
Një Federatë Shqiptare do të kishte potencialin të forconte demokracinë përmes institucioneve më të forta dhe mekanizmave më efektivë të llogaridhënies.
3. Evropa Juglindore si hapësirë e konkurrencës gjeopolitike
Evropa Juglindore është bërë një terren konkurrues ndërmjet aktorëve të ndryshëm globalë. Ndikimi rus, përmes instrumenteve energjetike dhe destabilizimit politik, dhe prania kineze, përmes investimeve infrastrukturore dhe diplomacisë së borxhit, kanë sfiduar arkitekturën euro-atlantike.
Në këtë kontekst, SHBA-të kërkojnë partnerë rajonalë që mund të veprojnë si prodhues sigurie. Kjo kërkesë e bën të domosdoshëm rikonceptimin e konfigurimeve shtetërore ekzistuese, të cilat kanë rezultuar të pafuqishme përballë presioneve të jashtme.
4. Republika e Kosovës si produkt i një kompromisi të rendit të vjetër
Shtetësia e Kosovës u konsolidua në një moment specifik historik: kulmi i rendit unipolar dhe dominimi i ndërhyrjes humanitare si instrument legjitimues. Ky proces prodhoi një shtet të njohur ndërkombëtarisht, por me:
- sovranitet të kushtëzuar;
- prani të përhershme ndërkombëtare;
- zona gri funksionale në territor.
Kosova pas luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s nuk u konceptua si nyje e arkitekturës evropiane të sigurisë, por si një zgjidhje ad hoc për një konflikt akut humanitar dhe politik. Administrimi ndërkombëtar, i ndërtuar mbi logjikën e menaxhimit të krizës dhe jo të integrimit strategjik, prodhoi një shtet me sovranitet të kufizuar, kapacitete të fragmentuara dhe varësi strukturore nga prania ndërkombëtare.
Ky dizajn fillestar, i fokusuar më shumë në stabilizimin afatshkurtër sesa në konsolidimin afatgjatë, e la Kosovën jashtë mekanizmave të mirëfilltë të sigurisë evropiane. Ndryshe nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore pas vitit 1989, Kosova nuk u integrua si subjekt strategjik në arkitekturën euro-atlantike, por u trajtua si rast i veçantë, me status të përkohshëm dhe perspektivë të paqartë.
Për rrjedhojë, vetëm 3-4 vitet e fundit, gjatë qeverisë Kurti 2, Kosova me kursin e ri politik është imponuar si subjekt politik i qëndrueshëm, duke marrë madje edhe prerogativat e piemontit kombëtar. Pavarësisht kësaj, Kosova mbetet e ekspozuar ndaj ripozicionimeve gjeopolitike, ndryshimeve në prioritetet e fuqive të mëdha dhe instrumentalizimit të statusit të saj nga aktorë revizionistë. Ky ekspozim struktural nuk ishte pasojë e mungesës së orientimit perëndimor të shoqërisë kosovare, por e mungesës së një kornize shtetërore dhe sigurie që ta përkthejë këtë orientim në kapacitet strategjik. Shih për këtë, pati përpjekje nga Serbia për aneksimin e veriut.
Në këtë prizëm, integrimi i Kosovës në një Federatë Shqiptare do të përfaqësonte jo mohimin e shtetësisë së saj, por përmbushjen e saj funksionale. Federata do ta zhvendoste Kosovën nga statusi i një subjekti të mbrojtur drejt atij të një aktori kontribues në sigurinë rajonale dhe euro-atlantike.
Evropa Juglindore është bërë një terren konkurrues ndërmjet aktorëve të ndryshëm globalë. Ndikimi rus, përmes instrumenteve energjetike dhe destabilizimit politik, dhe prania kineze, përmes investimeve infrastrukturore dhe diplomacisë së borxhit, kanë sfiduar arkitekturën euro-atlantike.
Në këtë kontekst, SHBA-të kërkojnë partnerë rajonalë që mund të veprojnë si prodhues sigurie. Kjo kërkesë e bën të domosdoshëm rikonceptimin e konfigurimeve shtetërore ekzistuese, të cilat kanë rezultuar të pafuqishme përballë presioneve të jashtme.
5. Status quo‑ja si rrezik strategjik
Narrativa dominuese evropiane e trajton çdo rishikim të konfigurimeve ekzistuese në Ballkan si rrezik destabilizimi. Megjithatë, empiria e dy dekadave të fundit tregon se:
- konfliktet e ngrira prodhojnë kriza ciklike;
- sovraniteti i pjesshëm fton ndërhyrje të jashtme;
- stabiliteti procedural nuk garanton paqe afatgjatë.
Në këtë kuptim, status quo‑ja është vetë burimi i pasigurisë, respektivisht rrezik strategjik i lloit të vet.
6. Paradoksi evropian dhe rendi i ri ndërkombëtar në ardhje
(formati C5)
Evropa ka pranuar forma të ndryshme integrimi dhe federalizmi për aktorë të tjerë: ribashkime, autonomi të thella, konfederata funksionale. Megjithatë, integrimi shqiptar ende vazhdon të trajtohet si tabu.
Ky paradoks nuk buron nga parimet, por nga frika se një zgjidhje strukturore shqiptare do të ekspozonte inkonsistencat e arkitekturës aktuale ballkanike, veçanërisht modelet e stabilitetit të ndërtuara mbi veto etnike.
Një nga karakteristikat më të spikatura të fazës aktuale të tranzicionit global është ajo që mund të quhet paradoksi evropian: Bashkimi Evropian përfaqëson një fuqi normative dhe ekonomike të konsiderueshme, por një aktor strategjik gjithnjë e më të dobët në arkitekturën e sigurisë globale. Ndërkohë që BE-ja vazhdon të prodhojë rregulla, standarde dhe mekanizma rregullatorë, aftësia e saj për të ndikuar drejtpërdrejt në balancat gjeopolitike mbetet e kufizuar.
Ky paradoks bëhet edhe më i dukshëm në kontekstin e rendit të ri ndërkombëtar në formim, thelbi i të cilit po kristalizohet rreth një formati joformal, por gjithnjë e më funksional, të cilin mund ta përkufizojmë si C5. Ky format bashkon pesë aktorë kryesorë të botës moderne: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Federatën Ruse, Republikën Popullore të Kinës, Republikën e Indisë dhe Japoninë. Pavarësisht dallimeve të thella ideologjike dhe politike, këta aktorë ndajnë një karakteristikë të përbashkët: kapacitetin real për të ndikuar në rendin global përmes fuqisë ushtarake, ekonomike, teknologjike dhe demografike.
Në këtë konfigurim, Bashkimi Evropian shfaqet më tepër si hapësirë gjeoekonomike sesa si pol i pavarur gjeopolitik. Mungesa e një politike të unifikuar të sigurisë dhe mbrojtjes e kufizon aftësinë e BE-së për t’u pozicionuar si aktor i barabartë me anëtarët e formatit C5. Kjo e shtyn Evropën drejt një varësie strukturore nga SHBA-të në fushën e sigurisë dhe drejt një roli reaktiv në raport me dinamika të tjera globale.
Rendi i ri i formuar rreth aktorëve të formatit C5 ka implikime të drejtpërdrejta për rajonet periferike të Evropës, veçanërisht për Evropën Juglindore. Në një botë ku vendimmarrja strategjike po përqendrohet gjithnjë e më shumë në duart e disa fuqive të mëdha, rajonet me sovranitet të fragmentuar dhe kapacitete të kufizuara shtetërore rrezikojnë të shndërrohen në objekte dhe jo subjekte të politikës ndërkombëtare.
Për Ballkanin Perëndimor, kjo do të thotë se garancitë abstrakte të integrimit evropian nuk mjaftojnë më për të siguruar stabilitet afatgjatë. Rajoni duhet të mbështetet në konfigurime shtetërore funksionale dhe në aleanca të qarta strategjike. Në këtë kontekst, një Federatë Shqiptare e konsoliduar do të kishte më shumë gjasa të pozicionohej si aktor relevant dhe i dëgjueshëm brenda rendit të ri ndërkombëtar sesa entitete të vogla dhe të fragmentuara.
7. Hapësira shqiptare dhe problemi i fragmentimit politik
Hapësira shqiptare vijon të karakterizohet nga një fragmentim i theksuar politik dhe institucional, pavarësisht kohezionit të qëndrueshëm kulturor, gjuhësor dhe historik që e përshkon. Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete të ndara në planin juridiko-ndërkombëtar, përballen me sfida strukturore të ngjashme: kapacitete të kufizuara shtetformuese, presione të vazhdueshme gjeopolitike dhe një shkallë të lartë varësie nga aktorët ndërkombëtarë në fushat e sigurisë, zhvillimit dhe konsolidimit institucional. Kjo gjendje e bën hapësirën shqiptare funksionalisht të fragmentuar, edhe atëherë kur në planin simbolik dhe identitar ajo shfaqet e bashkuar.
Në këtë kontekst, pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut merr një peshë të veçantë strategjike. Ata ndodhen në nyjën ku fragmentimi politik shqiptar ndërthuret me proceset më të gjera të ripërkufizimit gjeopolitik të Ballkanit Perëndimor. Statusi i tyre nuk është më vetëm çështje e të drejtave të pakicave apo e barazisë qytetare, por është shndërruar në indikator të stabilitetit rajonal dhe në test për kapacitetin e shteteve multietnike për të prodhuar rend politik gjithëpërfshirës.
Në kushtet e konkurrencës së fuqive të mëdha dhe të rikonfigurimit të arkitekturës euroatlantike të sigurisë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut funksionojnë gjithnjë e më shumë si aktor gjeopolitik indirekt: roli i tyre në ruajtjen e kohezionit të brendshëm të shtetit, në orientimin euroatlantik të Shkupit dhe në lidhjen strategjike mes Tiranës dhe Prishtinës i tejkalon kufijtë e politikës së brendshme. Në këtë kuptim, çështja shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohet më si periferi e politikës shqiptare, por si komponent qendror i ekuilibrit rajonal të sigurisë dhe stabilitetit.
Ky fragmentim rrjedhimisht redukton peshën gjeopolitike të shqiptarëve në rajon dhe i bën ata më të cenueshëm ndaj ndërhyrjeve destabilizuese. Federata Shqiptare ofron një kornizë alternative për kapërcimin e kësaj dobësie strukturore.
8. Federata Shqiptare si subjekt gjeopolitik
Federata Shqiptare, e konceptuar si bashkim federal midis Shqipërisë dhe Kosovës, do të përfaqësonte një subjekt të ri gjeopolitik në Evropën Juglindore. Ajo nuk do të ishte një projekt revizionist, por një adaptim racional ndaj realiteteve të reja ndërkombëtare.
Nga perspektiva amerikane, një subjekt i tillë do të ofronte qartësi strategjike, stabilitet institucional dhe orientim të pakthyeshëm euro-atlantik. Ajo do të:
- eliminonte zonat gri shqiptare;
- rritte koherencën strategjike në Adriatik dhe Ballkanin Qendror;
- krijonte një aktor më të parashikueshëm për BE‑në.
Në këtë kuptim, federata nuk është projekt nacionalist, por mekanizëm stabiliteti.
Federata Shqiptare, e konceptuar si bashkim federal midis Shqipërisë dhe Kosovës, do të përfaqësonte një subjekt të ri gjeopolitik në Evropën Juglindore. Ajo nuk do të ishte një projekt revizionist, por një adaptim racional ndaj realiteteve të reja ndërkombëtare.
Nga perspektiva amerikane, një subjekt i tillë do të ofronte qartësi strategjike, stabilitet institucional dhe orientim të pakthyeshëm euro-atlantik.
Strategjitë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së të dekadës së fundit dëshmojnë një zhvendosje të rëndësishme doktrinare. Ndryshe nga periudha e pas viteve 1990, kur theksi vihej mbi ndërtimin e rendit liberal global përmes institucioneve shumëpalëshe, dokumentet e reja strategjike theksojnë konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha dhe nevojën për aleatë të besueshëm shtetërorë.
Shteti-komb, në këtë kuadër, nuk shihet si relikt i së kaluarës, por si instrument funksional i stabilitetit. SHBA-të po privilegjojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta shtet-me-shtet, veçanërisht në rajone ku strukturat supranacionale kanë dështuar të prodhojnë kohezion politik dhe siguri kolektive.
Federalizmi, në teorinë politike, shihet si një mekanizëm për balancimin e diversitetit dhe unitetit. Ndryshe nga konfederalizmi ose modelet ad hoc të bashkëpunimit rajonal, federalizmi krijon institucione të përbashkëta sovrane, duke ruajtur njëkohësisht autonominë e njësive përbërëse.
Në rastin shqiptar, federalizmi do të shërbente si instrument për konsolidimin e sovranitetit, jo për shpërndarjen e tij. Ai do të mundësonte ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta në fushat kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe ekonomisë strategjike.
8.1 Autonomia gjeopolitike e Evropës dhe Federata Shqiptare
Debati mbi autonominë gjeopolitike të Evropës ka fituar intensitet të veçantë në dekadën e fundit, sidomos pas krizave të njëpasnjëshme të sigurisë, nga Ukraina te Lindja e Mesme. Megjithatë, ky debat shpesh mbetet në nivel deklarativ, i kufizuar nga mungesa e kapaciteteve reale shtetërore dhe
ushtarake të Bashkimit Evropian. Autonomia strategjike evropiane nuk mund të ndërtohet mbi një mozaik shtetesh të dobëta dhe rajonesh periferike të paqëndrueshme.
Në këtë kuadër, Federata Shqiptare do të mund të kontribuonte në mënyrë paradoksale, por thelbësore, në autonominë gjeopolitike të Evropës. Duke konsoliduar hapësirën shqiptare në një subjekt shtetëror funksional, Evropa Juglindore do të transformohej nga zonë varësie sigurie në komponent kontribuues të arkitekturës evropiane të sigurisë. Një FSH e integruar në NATO dhe e orientuar qartë drejt Perëndimit do të reduktonte barrën e menaxhimit të krizave për BE-në dhe SHBA-në.
Autonomia gjeopolitike e Evropës nuk presupozon distancim nga SHBA-të, por kapacitet për të vepruar në mënyrë koherente dhe të parashikueshme brenda aleancës transatlantike. Në këtë sens, Federata Shqiptare do të funksiononte si një nyje stabiliteti që forcon, e jo dobëson, boshtin euro-atlantik. Ajo do të demonstronte se konsolidimi shtetëror në periferi është parakusht për çdo pretendim serioz të Evropës për autonomi strategjike.
8.2 Federata Shqiptare si variabël e autonomisë strategjike evropiane
Konceptimi i Federatës Shqiptare si variabël e autonomisë strategjike evropiane nënkupton një zhvendosje të thellë teorike: nga autonomia si projekt institucional i BE-së, drejt autonomisë si funksion i kapaciteteve reale shtetërore në hapësirën evropiane. Në këtë kuptim, autonomia strategjike nuk është produkt ekskluziv i Brukselit, por rezultat i kontributit të aktorëve shtetërorë funksionalë që përbëjnë arkitekturën e sigurisë evropiane.
Federata Shqiptare do të përfaqësonte një variabël pozitive në këtë ekuacion, sepse do të reduktonte njëkohësisht tre deficite strukturore të Evropës Juglindore: deficitin e sovranitetit funksional, deficitin e sigurisë kolektive dhe deficitin e kohezionit politik. Duke vepruar si një njësi e konsoliduar, ajo do të shndërronte dy republikat egzistuese [Shqipërinë politike dhe Republikën e Kosoëvs] nga të qenit sot objekt i politikave evropiane në subjekt kontribuues të tyre.
Nga perspektiva e autonomisë strategjike, rëndësia e Federatës Shqiptare-së nuk qëndron në madhësinë e saj territoriale apo demografike, por në funksionin që ajo do të kryente: stabilizim të një korridori gjeopolitik kritik në Evropën Juglindore, forcim të krahut juglindor të NATO-s dhe ulje të varësisë së BE-së nga menaxhimi reaktiv i krizave ballkanike.
Në këtë prizëm, Federata Shqiptare do të shërbente si provë empirike se autonomia strategjike evropiane nuk ndërtohet përmes abstraksioneve institucionale, por përmes konsolidimit të shteteve funksionale në periferi. Ajo do të ishte jo vetëm përfitues, por edhe prodhues i autonomisë strategjike të Evropës.
8.3 Sovraniteti funksional si kusht i autonomisë strategjike: rasti i Federatës Shqiptare
Debati bashkëkohor mbi autonominë strategjike evropiane shpesh zhvillohet në terma institucionalë, normativë ose diskursivë, duke e anashkaluar dimensionin themelor të sovranitetit funksional. Në realitet, asnjë formë autonomie strategjike nuk mund të ekzistojë pa shtete që zotërojnë kapacitet real për të marrë vendime, për t’i zbatuar ato dhe për të garantuar sigurinë e territorit dhe rendit të tyre politik. Autonomia strategjike nuk është atribut abstrakt i institucioneve supranacionale, por produkt i funksionalitetit të sovraniteteve që përbëjnë hapësirën evropiane.
Në këtë prizëm, sovraniteti funksional duhet kuptuar si aftësia e një subjekti shtetëror për të ushtruar kontroll efektiv mbi territorin, për të ndërtuar institucione të qëndrueshme, për të prodhuar siguri dhe për të vepruar në mënyrë të parashikueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pikërisht mungesa e këtij sovraniteti funksional në periferi të Evropës ka prodhuar kriza të përsëritura, varësi të vazhdueshme nga ndërhyrjet e jashtme dhe dobësim të pretendimit evropian për autonomi strategjike.
Rasti i Federatës Shqiptare e ilustron qartë këtë tezë. Duke bashkuar kapacitetet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës në një strukturë federale, FSH do të krijonte një sovranitet funksional më të gjerë, më të qëndrueshëm dhe më pak të cenueshëm ndaj presioneve të jashtme. Ky sovranitet nuk do të ishte thjesht juridik, por operacional: i aftë të prodhojë siguri, stabilitet dhe besueshmëri strategjike.
Në kontekstin e rendit të ri ndërkombëtar të artikuluar rreth formatit C5, rëndësia e sovranitetit funksional rritet ndjeshëm. Në një botë ku vendimmarrja strategjike po përqendrohet te aktorë me kapacitet real fuqie, subjektet politike pa sovranitet funksional rrezikojnë të mbeten të ekspozuara ndaj instrumentalizimit dhe marginalizimit. Federata Shqiptare, si subjekt me orientim të qartë euro-atlantik, do të ishte në gjendje të pozicionohej jo si objekt i kompromisit mes fuqive, por si aktor kontribues në arkitekturën e sigurisë.
Për Evropën, ky rast ka vlerë paradigmatike. Ai dëshmon se autonomia strategjike nuk ndërtohet përmes zgjerimit formal të kompetencave të BE-së, por përmes konsolidimit të shteteve funksionale, veçanërisht në periferi. Federata Shqiptare do të shërbente si model se si rikonfigurimi shtetëror, kur bazohet në kohezion shoqëror dhe orientim strategjik të qartë, mund të forcojë dhe jo të minojë stabilitetin evropian.
Sovraniteti funksional shfaqet si kushti themelor i çdo autonomie strategjike reale. Pa të, Evropa mbetet një fuqi normative pa gravitet gjeopolitik. Me të, dhe përmes rasteve konkrete si Federata Shqiptare, ajo mund të fillojë të ndërtojë një autonomi strategjike të mbështetur në realitetin e fuqisë dhe jo vetëm në ambicien institucionale.
Një Evropë që synon autonomi strategjike nuk mund të mbështetet në protektorate të përhershme dhe kompromise të përkohshme. Ajo ka nevojë për:
- partnerë funksionalë;
- periferi të stabilizuara strukturalisht;
- arkitekturë sigurie pa zona gri.
Integrimi shqiptar do të kontribuonte në këto objektiva duke reduktuar hapësirat për ndikime rivale.
9. Fitorja plebishitare e Vetëvendosjes dhe kohezioni i kombit shqiptar
Fitorja plebishitare e Vetëvendosjes nuk është thjesht një vazhdim i rëndomtë pushteti apo konsolidim qeverisës nga një forcë politike; ajo përfaqëson një ndryshim cilësor të kapacitetit përfaqësues të Kosovës dhe mundësi për reflektim në raport me mundësitë që posedon Kombi. Në teorinë politike, aktorët bëhen faktorë rajonalë jo kur janë të mëdhenj demografikisht, por kur kanë legjitimitet të brendshëm të pakontestueshëm, kur ushtrojnë sovranitet funksional dhe artikulojnë vizion koherent përtej kufijve shtetëror.
Kosova, për herë të parë pas pavarësisë, del nga pozita e shtetit të vogël që menaxhohet nga jashtë
dhe hyn në pozicionin e shtetit që prodhon stabilitet dhe orientim politik.
Kjo e bën atë pikë reference për gjithë hapësirën shqiptare.
Ky plebishit është një argment më shumë se faktorizimi i kombit shqiptar është i mundur vetëm përmes shtetit që funksionon.
Historikisht, kombi shqiptar ka qenë kulturorisht i bashkuar, por politikisht i fragmentuar dhe strategjikisht i pafaktorizuar.
Fitorja plebishitare e Vetëvendosjes e ndryshon këtë ekuacion sepse ajo e legjitimon një projekt shtetndërtimi që funksionon, jo një ide romantike bashkimi; rritë kohezionin e kombit dhe e bartë qendrën e gravitetit politik në Prishtinë, jo thjesht simbolike, por institucionale.
Në këtë kuptim, Kosova nuk e përfaqëson më vetëm veten, por bëhet platformë funksionale e interesit kombëtar shqiptar në Ballkan.
Ky është faktorizim politik i kombit, jo nacionalizëm klasik.
Rasti i bashkimit gjerman është instruktiv jo sepse ishte i shpejtë, por sepse nuk u realizua si akt i vetëm, por si proces funksional i integrimit gradual midis dy entiteteve me sisteme të ndryshme.
Gjermania Perëndimore nuk e “gëlltiti” Gjermaninë Lindore; ajo eksportoi institucione funksionale, standarde ekonomike dhe legjitimitet demokratik.
Në analogji, Kosova pas 28 dhjetorit nuk e shpall bashkimin, por e bën atë të domosdoshëm funksionalisht.
Federata Shqiptare shfaqet jo si projekt ideologjik, por si zgjidhje racionale për sinkronizimin e dy shteteve shqiptare që tashmë bashkëpunojnë de facto.
Federata Shqiptare na rezulton krejtësisht natyrshëm si formë e përputhshme me rendin
euro-atlantik.
Në kushtet aktuale ndërkombëtare, bashkimi klasik territorial është disi i pamundur, i papranueshëm diplomatikisht dhe i panevojshëm.
Ndërsa federimi është formë e njohur evropiane (Gjermani, Zvicër, Belgjikë), respekton kufijtë ekzistues dhe rrit kapacitetin strategjik pa prodhuar destabilizim.
Një Federatë Shqiptare e bazuar në sovranitet funksional, në politika të përbashkëta (siguri, arsim, energji, diplomaci) dhe në institucione të sinkronizuara, do të ishte plotësisht e përputhshme me integrimin evropian, jo kundër tij.
10. Përfundim
Teza përfundon se rishikimi i çështjes shqiptare nuk është rrezik për Evropën, por kusht për pjekurinë e saj gjeopolitike. Kosova si kompromis i shekullit XX nuk është e mjaftueshme për sfidat e shekullit XXI. Një zgjidhje strukturore, në formën e integrimit funksional shqiptar, përfaqëson një alternativë evropiane ndaj menaxhimit të pafund të krizave.
Kjo tezë synon të kontribuojë në debatin mbi rendin post‑liberal evropian duke e trajtuar Ballkanin jo si periferi problematike, por si hapësirë testimi për autonominë gjeopolitike të vetë Evropës.
Literatura referuese
- Morgenthau, Hans J. Politics Among Nations. New York: Knopf.
- Waltz, Kenneth. Theory of International Politics. Reading, MA: Addison-Wesley.
- Mearsheimer, John J. The Tragedy of Great Power Politics. New York: W.W. Norton.
- Krasner, Stephen. Sovereignty: Organized Hypocrisy. Princeton: Princeton University Press.
- Bieber, Florian. Debating Nationalism. Stuttgart: Ibidem.
- Weller, Marc. Contested Statehood. Oxford: Oxford University Press.
- Judah, Tim. Kosovo: What Everyone Needs to Know. Oxford: Oxford University Press.
- Perritt, Henry. The Road to Independence for Kosovo. Cambridge: Cambridge University Press.
- Ramabaja, Sadri, Federta Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE, Albanica, Lubljana, 2016
