Përfundimi i luftës katërvjeçare në Ukrainë do të shënojë fillimin e një bote të re, por çka do të thotë kjo për Ballkanin…
Shkruan: Xhelal Neziri
Dy dokumente të publikuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në fund të vitit 2025 po interpretohen nga diplomatë dhe analistë evropianë si sinjal i një riorientimi të thellë të politikës së jashtme amerikane: i pari ishte Plani 28-pikësh për përfundimin e luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, kurse i dyti – Strategjia Amerikane e Sigurisë. Dy dokumente të cilat, jo vetëm që riformësojnë politikën e jashtme amerikane, por edhe riorganizojnë rendin botëror i cili dominoi marrëdhëniet ndërkombëtare përgjatë 80 viteve, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
FUNDI I LUFTËS MË TË PËRGJAKSHME
Agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 do të shënojë katërvjetorin e fillimit të tij. Një intervenim i paprecedent i Moskës ndaj një shteti sovran, me të cilin nuk ndan shumë dallime kur bëhet fjalë për sfondin identitar të popujve të përfshirë në këtë luftë. Sipas të dhënave të shërbimeve inteligjente britanike, mbi 1.1 milionë ushtarë rusë kanë humbur jetën dhe plagosur gjatë kësaj periudhe, ndërsa nga pala tjetër mbi 400 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë apo lënduar gjatë luftimeve. Diku 40 mijë civilë ukrainas janë plagosur, 15 mijë janë vrarë, 8 milionë të shpërngulur në vendet evropiane, 6 milionë të zhvendosur brenda Ukrainës dhe 600 miliardë euro dëme materiale. Para fillimit të luftës në vitin 2022 Ukraina numëronte 44 milionë banorë, kurse tash – 35 milionë. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, Ukrainës do t’i nevojiten së paku 550 miliardë euro për ta riparuar dëmin që shkaktoi kjo luftë, duke rindërtuar infrastrukturën dhe vendbanimet e shkatërruara. Sa tre buxhete të BE-së apo rreth 150 buxhete të Kosovës.
Duke parë këtë çmenduri në teren, presidenti amerikan Donald Trump e shënoi fillimin e mandatit gjatë këtij viti me vendime radikale, të cilat nënkuptonin edhe përfundim të luftërave nëpër botë. Në listën e sukseseve të pretenduara ai përmend ndaljen apo de-eskalimin e konflikteve Indi-Pakistan, Armeni-Azerbajxhan, Izrael-Palestinë, DR Kongo – Ruanda, Egjipt – Etiopi, Kamboxhia-Tailandë dhe Kosovë – Serbi. Lufta që premtoi se do ta përfundonte për 24 orë, pra ajo Ukrainë-Rusi, doli të ishte një arrë më e fortë për të. Por, me Planin 28-pikësh ai duket se do të ndërpresë edhe këtë luftë, pa marrë parasysh reagimet e aktorëve tjerë në skenën globale dhe pa mbajtur shumë llogari për pasojat që ajo zgjidhje mund të ketë anembanë globit. Plani i tij, i pritur me rezervë në vendet evropiane, sipas raportimit të mediave amerikane dhe evropiane nënkupton ndaljen e konfliktit, njohjen e territorit të rajoneve të Ukrainës lindore (Krime, Donjetsk, Donbas, Lugansk) si pjesë e Rusisë, tërheqje e Ukrainës nga aspiratat për anëtarësim në NATO, garanci sigurie për Ukrainën në nivel të një vendi anëtar i Aleancës, reduktim të forcave ushtarake të Ukrainës në 600 mijë dhe zgjedhje parlamentare brenda 100 ditëve pas nënshkrimit të marrëveshjes. Kjo zgjidhje duket se është diktuar nga luftimet në terren, por edhe nga interesat amerikane për të ndalur me çdo kusht këtë luftë. Është larg më e pafavorshme për Ukrainën sesa Marrëveshje e Stambollit, e përpiluar disa muaj pas fillimit të agresionit rus, e cila u refuzua nga Kievi. Ajo parashihte neutralitetin e Ukrainës dhe njohjen e autonomisë për rajonet lindore të saj, të banuara me shumicë etnike ruse, që ishte në përputhje me Marrëveshjet e Minskut (2014, 2015). Një llogaritje jo e mirë e kreut ukrainas që do t’i kushtojë historikisht shumë vendit në të gjitha aspektet.
Evropianët ngelën sërish jashtë loje dhe të befasuar nga ky plan, të cilin nuk ngurruan ta quajnë se është në favor të Moskës. Por, ata nuk kanë shumë hapësirë manovrimi përpos të rreshtohen pas Trumpit me qëllim të ruajnë kohezionin e asaj që quhet Perëndim global.
FORMULA E FINLANDËS – TERRITOR PËR PAQE
Marrëveshja ka shumë gjasa të pranohet nga Moska dhe Kievi për shkak se presioni amerikan mbi to bëhet i padurueshëm. Ndërkohë që Rusia është shkatërruar nga sanksionet dhe po humb asetet dhe ndikimin nëpër botë, dy institucionet anti-korrupsion në Ukrainë (NABU dhe SAPO), të themeluara me mbështetjen amerikane, tashmë kanë krijuar një dosje serioze për keqpërdorimet e supozuara financiare të kabinetit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenskyy. Në nëntor policia ukrainase bastisi shtëpinë e shefit të tij të kabinetit, Andrej Jermak, i cili ishte figura më e fuqishme në Ukrainë dhe kryenegociator me amerikanët për Planin 28-pikësh.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për mediat ndërkombëtare në shtator të vitit 2025, ka rrëfyer se si i ka ofruar Zelenskyy-t formulën finlandeze të zgjidhje së konfliktit. Kjo i referohet zgjidhjes për përfundimin e luftës midis Finlandës dhe Rusisë në vitin 1944, e cila njihet si “territor për paqe”. Finlanda i dha Rusisë 20 për qind të territorit të saj, përfshirë një qytet të banuar me afër gjysmë milionë banorësh. Poashtu, u zotua për neutralitet, nga i cili u tërhoq në prill të vitit 2023, kur u anëtarësua në NATO si preventivë nga një agresion i ri rus pas atij në Ukrainë. Edhe Ukraina pritet të heqë dorë nga 20 për qind e territorit të saj, i cili ka kohë që mbahet i okupuar nga Rusia, e madje njëanshmërisht i ka përfshirë si pjesë e territorit të saj. Poashtu, pritet të pranojë edhe neutralitetin e imponuar nga Moska, duke hequr dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO.
Ka indikacione se kjo marrëveshje ka një diapazon më të gjerë që nuk e nënkupton vetëm Ukrainën. Takimet e drejtpërdrejta Trump-Putin, por edhe komunikimet intensive me Moskën përmes njerëzve më të besuar të Trumpit, si partneri në biznes Steve Witkoff dhe dhëndëri Jared Kushner, kanë prodhuar një marrëveshje më të gjerë të ndarjes së zonave të ndikimit, njëjtë si Marrëveshja e Jalltës në vitin 1945, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Fatmirësisht, Ballkani vazhdon të jetë pjesë e hemisferës perëndimore, një moment që do të shënojë zhvillime intensive gjatë vitit 2026 në drejtim të shkuljes së pranisë ruse në këtë rajon. Këto zhvillime mund të përcillen edhe me tendenca destabilizimi, por gjasat janë të mëdha që zvogëlimi i ndikimit rus në rajon të sjellë në radhë të parë demokratizimin e Serbisë, e më pastaj edhe të vendeve ku Beogradi ka ndikim të konsiderueshëm, si Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
